...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kriteret e vlerësimit për drejtorët e shkollave krijojnë dy probleme kryesore

Pranvera Kola (Dita)

15/02/2017 - 14:48

Shënim: nga kriteret që parashtron MAS-i për Drejtorat e shkollave të ciklit të ulët kuptojmë se MAS-i s’kupton dy probleme kryesore:

1.      se kur vazhdimi i punës së drejtorit varet kryesisht nga rezultatet e ‘notave’ të nxënësve Drejtori do të nxisë Mësuesit të vënë nota në përputhje me ‘standartin’; dhe

2.      se Drejtori nuk vlerësohet nga trupa pedagogjike por nga Ministria!  

Notat e nxënësve do të kenë ndikimin maksimal në vlerësimin e punës që kryen çdo drejtor i shkollave të arsimit parauniversitar në vend. Si shkak i problematikave të hasura në vite, autoritetet e arsimit kanë përcaktuar skemën e re, me standardet dhe kriteret që do të zbatohen për të matur dhe vlerësuar performancën e drejtuesve në shkollat e arsimit të detyruar dhe gjimnazeve.

Profesionalizimi i çdo drejtori do të vlerësohet nga shtatë tregues, ku një ndër më të rëndësishmit është edhe niveli i arritjeve të nxënësve, standard që do të sigurojë 40 për qind të pikëve në rezultatin final. Ndërsa 6 treguesit e tjerë që vlerësohen secili me 10 për qind të ndikimit, janë:

“Drejtimi i procesit mësimor-edukativ, krijimi i atmosferës së duhur në shkollë,  menaxhimi i burimeve njerëzore, menaxhimi burimeve materiale dhe financiare, komunikimi dhe marrëdhëniet me komunitetin, si  dhe kualifikimet duke u përfshirë në zhvillimin e vazhdueshëm profesional”.

Matja e treguesve do të vlerësohet në fillim të semestrit të dytë, si dhe në përfundim të vitit. Ndërkohë që vlerësimi final do të jetë në fund të periudhës tre vjeçare, ku në bazë të rezultateve do të përcaktohet nëse drejtori do të rinovojë kontratën e punës, ose jo.

Katër janë shkallët e vlerësimit, “Shumë efektiv”,  “efektiv”, “pjesërisht efektiv”, si dhe “ jo efektiv”. Në dy shkallët e para nuk rrezikohet kontrata e punës, ndërsa për vlerësime “pjesërisht efektive” drejtori do të kalojë në kualifikime të tjera, ndërsa në vlerësimin joefektiv, nuk do të mund të rinovojë më kontratën e punës.

Ndikimi i notave të nxënësve  

Rezultatet e drejtimit të shkollës do te pasqyrohen në arritje të mira mësimore-edukative dhe të matshme të nxënësve, bazuar veçanërisht në notat e marra gjatë provimeve kombëtare, si dhe atyre të Maturës Shtetërore. “Dokumenti për standardet e performancës dhe kriteret e vlerësimit për drejtorët e shkollave, lidh ngushtë vlerësimin e punës së drejtuesit me arritjet e nxënësve.

Kjo është konkretizuar përmes peshimit të 6 standardeve të para me nga 10 pikë përqindje secili, dhe standardin e përparimit të nxënësve në procesin e shkollimit të tyre me 40 pikë përqindje. Konkretisht, standardet e njësuara të përfshijnë arritjet e nxënësve si komponent domethënës dhe kuptimplotë për vlerësimin e performancës së drejtorit, pasi nxitin fleksibilitetin vendor në zbatim”, sqarohet në udhëzimin e skemës së re të përgatitur nga MAS.

Udhëzimi, përcakton që përparimi dhe arritjet e nxënësve të llogariten me 40 pikëpërqindje të vlerësimit të përgjithshëm të drejtorit. Ndërkohë që janë përcaktuar edhe pikat kyçe që do të shërbejnë për diferencimin e vlerësimit të drejtuesve në arsimin bazë dhe ata të gjimnazeve. Kështu, për drejtorët e shkollave të arsimit bazë:

“Deri 20 pikë përqindje të vlerësimit të përgjithshëm përbëhet nga vendi që zë në tabelën e renditjes së shkollave. Pjesa tjetër prej 20 pikë përqindje duhet matur duke përdorur kriterin e përparimit të nxënësve. Atje ku është e mundur, rekomandohet që matja e kësaj pjesë të bazohet mbi matjet objektive, sasiore dhe të vlefshme, duke përdorur po ato instrumente që shkolla tashmë i përdor në praktikën e saj, si rezultatet në lloje të ndryshme testimi, arritjet krahasuar me mesataret rajonale dhe kombëtare, rezultatet në provimet e lirimit, etj”.

Ndërsa për drejtuesit e shkollave të mesme, sasia prej 40 pikë përqindje e vlerësimit të drejtorit do të përdoret, duke iu referuar direkt arritjeve të nxënësve në nota, shoqëruar me të dhëna dhe evidenca që rezultojnë nga matje të ndryshme si rezultatet në periudha të ndryshme të vitit, arritjet në provimet e maturës shtetërore, krahasimi me mesataret kombëtare, etj.

Skema e vlerësimit

Drejtorët e rinj, gjatë tre viteve të parë do të marrin vlerësime të ndërmjetme, ose vjetore, për t’iu mundësuar marrjen e masave përpara vlerësimit përmbledhës të performancës ne fund të periudhës 3 vjeçare. Ndërsa vlerësimi i cilësisë së performancës ndodh vetëm në fazën e vlerësimit përmbledhës, i cili realizohet në fund të ciklit 3 vjeçar.

Klasifikimi apo renditja e plotësimit të secilit standard bazohen në burime të shumta informimi dhe përpilohen vetëm pasi të shqyrtohen të gjitha këto të dhëna. Vlerësimi efikas përmban nivelet e vlerësimit. Çdo drejtues duhet të arrijë një nga nivelet e vlerësimit në fund të çdo cikli vlerësues, për shembull: “shumë efektiv”, “efektiv”, “pjesërisht efektiv” ose “joefektiv”.

Këto nivele krijojnë mundësi që drejtuesit të kenë ide të qarta për performancën e tyre. “Hulumtimet në këtë fushë kanë zbuluar vazhdimisht se drejtimi i shkollës ka ndikim të rëndësishëm mbi arritjet e nxënësve apo përparimin e tyre gjatë viteve.

Përveç ndikimit në arritjet e nxënësve, hulumtimet tregojnë se drejtimi efektiv i shkollës ndikon pozitivisht frekuentimin dhe angazhimin e nxënësve në shkollë, efikasitetin e nxënies së tyre, kënaqësinë e personelit dhe efektivitetin e përbashkët të mësuesve.

Na duhet një sistem vlerësimi cilësor, nëse duam të identifikojmë drejtorët efikasë, sepse këta plotësojnë detyra sfiduese në përmbushjen e nevojave arsimore të nxënësve”, bëjnë me dije hartuesit e këtyre standardeve.

Po sipas tyre, rishikimi i procesit të vlerësimit të drejtuesve të shkollave tregoi se katër sistemet, ai i formimit dhe certifikimit të drejtorit të shkollës, sistemi i përzgjedhjes dhe punësimit të tij, sistemi i zhvillimit profesional, si dhe i vlerësimit të performancës, kanë vepruar më vete të shkëputura nga njëri-tjetri, prandaj janë manifestuar edhe shumë mangësi në arritjen e cilësisë dhe objektiva të duhura në shkollat e arsimit parauniversitar.

Matja e arritjeve të nxënësve do te bëhet nga:

  • Përqindja e nxënësve kalues në Provimet e Maturës Shtetërore. (lëndët gjuhë e huaj, gjuhë shqipe, matematikë).
  • Nota mesatare e shkollës në provimet e Maturës Shtetërore gjatë tre viteve të fundit (lëndët gjuhë e huaj, gjuhë shqipe, matematikë).
  • Diferenca ndërmjet vlerësimit të Provimeve të Maturës Shtetërore dhe vlerësimit të këtyre lëndëve në përfundim të klasës së dymbëdhjetë.
  • Vlerësimi i ecurisë së shkollës për tri vite, në fund të klasës së dymbëdhjetë në lëndët: gjuhë e huaj, gjuhë shqipe, matematikë.
  • Mesatarja e notës në lëndët përkatëse të Maturës Shtetërore dhe renditja në nivel rajonal
  • Numri i fituesve të shkollës në konkurrimin që shpall MAS-i.
  • Numri i fituesve të shkollës në konkurrimin që shpall DAR/ZA-ja.
  • Përqindja e nxënësve fitues në tri preferencat e para në konkurrimin.

 Shkallët e vlerësimeve për punën e drejtorit në çdo shkollë

Vlerësimi me pikë

Sasia e pikëve të rezultatit përmbledhës vendosur nga autoriteti arsimor rajonal përcakton se: 

  • Për vlerësimin “Shumë efektiv”, drejtori rekomandohet për punësim të mëtejshëm.
  • Për vlerësimin “Efektiv”, drejtori rekomandohet për punësim të mëtejshëm.
  • Për vlerësimin “Pjesërisht efektiv”, nëse performanca e një drejtorit nuk i plotëson pritshmëritë e vendosura nga administrata arsimore rajonale, ai përfshihet në “Planin për Përmirësimin e Performancës”, në çdo moment të vitit shkollor, kur ka prova që praktika e tij profesionale do të përfitojë nga mbështetja shtesë. E njëjta procedurë do ndiqet edhe kur drejtori merr dy, ose më shumë vlerësime “e paqartë” në vlerësimin e ndërmjetëm.
  • Për vlerësimin “Jo efektiv”, drejtorit i rekomandohet mos rinovim kontrate, pasi drejtori nuk ka mundur të tregojë përparim në “Planin për Përmirësimin e Performancës”, ose performon në mënyrën që nuk përputhet me misionin dhe qëllimet e shkollës.

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA