...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kujdesi i qeverisë “Haradinaj” për kategoritë e dala nga lufta

Në vijim do të paraqes kujdesin e qeverisë “Haradinaj” për kategoritë e lirisë kujdesi i qeverisë Kurti po dihet se është “n'kordinim”

Gazmend Syla*

22/07/2023 - 06:42

Që nga dita kur mori mandatin e dytë si kryeministër i vendit e deri në ditën e dorëheqjes, Haradinaj qëndroi në krye të ekzekutivit vetëm 1 vit e 10 muaj. Të gjitha të dhënat që paraqiten në këtë përmbledhje përfshijnë vetëm periudhën deri me 19 korrik 2019. Qeveria Haradinaj gjatë asaj periudhe ndau për shoqatat e dala nga lufta një shumë totale prej 2 milion e 138 mijë euro, për sa vijon: ndërrimin e protezave të invalidëve; rehabilitimin e invalidëve, veteranëve dhe familjarëve të dëshmorëve në banja e bregdet; mirëmbajtje të zyrave të Shoqatës së Invalidëve të Luftës, Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së; si dhe mbështetja për administratën e këtyre shoqatave.

Zyra që kam udhëhequr unë, e cila titullohej “Zyra për Çështjet e kategorive të dala nga Lufta”, ishte e ngarkuar nga Kryeministri Haradinaj me vetëm një mision: trajtimin me dinjitet të kategorive të lirisë dhe vlerave të Luftës Çlirimtare. Bashkëpunimi me shoqatat ka qenë i shkëlqyer, ndërsa ata që dhanë më së shumti për lirinë e Atdheut, janë trajtuar me respektin më të madh të mundur. Në bregdetin shqiptar, janë dërguar për rehabilitim 1720 veteranë, 1450 invalidë dhe 938 familjarë të dëshmorëve. Po ashtu, në banjat e Pejës dhe Kllokotit, janë dërguar për rehabilitim 450 veteranë, 450 invalidë dhe 400 familjarë të dëshmorëve.

Haradinaj u kujdes edhe për të rënët dhe të burgosurit e rastit Kumanova, ku u ndanë 190 mijë euro për 19 familje. Trajtimi me dinjitet i kategorive të lirisë ishte mision realizuar me sukses. Zyra e hapur çdo ditë, zhvilloi takime, dha informacione dhe ofroi dokumente që iu nevojiteshin kategorive të lirisë për realizimin e të drejtave të tyre.

Prej 15 shtator 2017 e deri më 19 korrik 2019, janë lëshuar 14 mijë e 145 dokumente, për 5391 veteranë të papunë, 2943 invalidë, 683 familjarë e Dëshmorëve, 4088 familjarë të luftëtarëve dhe 866 veteranë të punësuar. Gjithashtu janë lëshuar edhe çertifikatat për veteranët-pjesëtar dhe veteranët-pjesëmarrës. Janë pritur në zyrë, këshilluar e informuar nga unë dhe punonjësit e tjerë, rreth 5800 palë.

Rregullimi i gabimeve teknike në dokumentacion është kryer brenda 1-2 ditë pune. Qeveria “Haradinaj”, organizoi nën kujdesje të gjitha aktivitetet e manifestimeve shtetërore, Epopenë e UÇK-së (2018 dhe 2019), Epopenë e Dukagjinit (2019) dhe Ditët e Shqipes (2018 dhe 2019). Gjithashtu nën kujdesin e kryeministrit Haradinaj, janë mbajtur edhe dhjetëra aktivitete të tjera përkujtimore: 33 akademi, 14 tubime dhe 1 ceremoni solemne. Janë dhe dhjetëra aktivitete të tjera përkujtimore që janë mbështetur pjesshëm.

Zyra e Kryeministrit Haradinaj është përkujdesur edhe për të rënët. Për 4 muaj, është përmbyllur projekti i Kompleksit Memorial në Marinë, projekt që kishte nisur me 2005, e nuk ishte përfunduar nga asnjë qeveri. Përpos dëshmorëve që pushojnë në Marinë, qeveria ka organizuar edhe rivarrimin e të rënëve për liri: Ilir Konushevci, Hazir Malaj, Ahmet Krasniqi, Qazim Jakupi, Xhemë Bajraktari dhe Azem Gjelaj.

Në fund të mandatit ishte në përmbyllje e sipër edhe Kompleksi Memorial në Meje. Me nisjen e ZÇKL është anuluar vendimi i vitit 2010 që ndalonte aplikimin e Invalidëve dhe familjarëve të Dëshmorëve për pensionet që iu takonin me ligj. Menjëherë pas kësaj u themelua Komisioni për vlerësimin e shkallës së invaliditetit të luftës, si dhe u hap mundësia e aplikimit për pension të invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve të rënë në periudha të ndryshme historike.

Pensionet e kategorive të lirisë jepeshin me kohë dhe sipas ligjeve në fuqi. Edhe pse të garantuara me ligj, pensionet e veteranëve asnjëherë nuk janë dhënë me rregull, ka pasur vonesa, mungesa e borxhe, pasi nuk planifikoheshin fare në buxhet. Ditën që Haradinaj mori mandatin qeveria kishte borxh ndaj veteranëve, një pension e gjysmë.

Një element i rëndësishëm në angazhimin për kategoritë e lirisë ka qenë edhe bashkëpunimi me Policinë, Prokurorinë, Avokaturën Shtetërore dhe të gjitha institucionet e tjera, për parandalimin dhe zbulimin e keqpërdorimeve të mundshme të statusit të Veteranit, Invalidit e Dëshmorit të UÇK-së. ZÇKL ka kthyer përgjigjet dhe ka dhënë të dhëna për prokurorët dhe hetuesit në afate rekorde, më së largu 48 orë pas parashtrimit të kërkesës, e gjithashtu janë zhvilluar edhe takime të vazhdueshme me hetuesit policor.

Vlen të përmendet se me 5 tetor 2017, për nevojat e hetimeve të Prokurorisë Speciale, i tërë Arkivi i kategorive të lirisë u dorëzua që të jetë në dispozicion të tyre. Për nevojat e kategorive të lirisë është nënshkruar memorandumi me Agjencinë për Ndihmë Juridike falas, që mundëson ndihmën juridike falas për të gjithë pjesëtarët e kategorive të lirisë, pavarësisht kushteve ekonomike. Për këtë qëllim janë botuar edhe fletushka informuese që janë shpërndarë te kategoritë e lirisë, veçanërisht ata që gjendeshin në mbajtje të dënimit.

Kjo është një përmbledhje e shkurtër e veprimeve të qeverisë Haradinaj për përkujdesin ndaj kategorive të lirisë së Kosovës.

*Gazmend Syla ishte këshilltar politik i Kryeministrit Haradinaj dhe drejtor i Zyrës për Çështjet e kategorive të dala nga Lufta   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA