...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kurti “i tregon vendin” Kuintit

Këtu bëhet fjalë për një përzgjedhje politike sepse ka edhe aktgjykime tjera të Gjykatës Kushtetuese të cilat nuk po përmendën ndonëse nuk janë zbatuar

Voa

01/06/2022 - 18:47

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kritikoi të mërkurën kërkesat e shpeshtuara të diplomatëve perëndimor për zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese me të cilin Manastirit mesjetar të Deçanit, i njihet e drejta e pronës në mbi 23 hektarë tokë. Diplomatët e pesë vendeve kryesore perëndimore, Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar si dhe përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian, ritheksuan muajin që shkoi kërkesën për zbatimin e këtij vendimi.

“Këtu bëhet fjalë për një përzgjedhje politike sepse ka edhe aktgjykime tjera të Gjykatës Kushtetuese të cilat nuk po përmendën ndonëse nuk janë zbatuar. Pra, si bëhet që nga aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese përzgjidhet një prej tyre thua se bëhet fjalë për bufe apo për tryezë suedeze, pra nëse është drejtësi atëherë nuk do të dukej kështu”, tha kryeministri Albin Kurti gjatë një konference me gazetarë pas mbledhjes së qeverisë.

Kryeministri Kurti tha se pushtetet në Kosovë janë të ndara dhe qeveria mbron vetëm qëndrimin parimor.

“Sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, a nuk janë të ndara pushtetet? Pushteti ekzekutiv dhe pushteti gjyqësor. Pse kaq shumë kërkesa nga qeveria e Republikës së Kosovës që një farë mënyre të ndërthuret me një shtyllë tjetër të pushtetit? Vazhdimisht është kërkuar që ne të mos përzihemi në shtyllat tjera të pushtetit që natyrisht është tipar i demokracisë mirëpo në këtë rast kërkohet vazhdimisht që ne të jemi aty pranë Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Vendimi i gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe e detyron komunën e Deçanit, rreth 90 kilometra në perëndim të Prishtinës, ta përmbushë atë.

Drejtuesit e komunës së Deçanit, nuk pajtohen me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe sipas tyre, pronat përreth manastirit janë të dy ndërmarrjeve publike dhe se gjykata ka fuqizuar një marrëveshje të vitit 1997, kur administrata serbe i kishte kaluar në pronësi të manastirit ato toka.

Kryeministri Albin Kurti tha se Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj ka bërë shumë shkelje procedurale.

"Nuk është Manastiri i Deçanit palë në çështje, është Kisha Ortodokse dhe gabimisht është pranuar, nuk mund të na përfaqësojë neve AKM (Agjencia e Kosovës për Mirëbesim) e UNMIK-ut pas shpalljes së pavarësisë, por është dashur AKP (Agjencia e Kosovës për Privatizim) edhe kjo shkelje është bërë, janë të panumërta ato por qeveria e Kosovës i mbahet drejtësisë”, tha ai.

Lidhur me mundësinë e kushtëzimit të pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me zbatimin e aktgjykimit për pronat e manastirit, kryeministri Albin Kurti tha se shteti i Kosovës nuk bën pazare.

“Ne nuk kemi marrë asnjë kërkesë zyrtare asnjëherë, për një kushtëzim të tillë dhe konsideroj se nuk është kushtëzimi ndaj Republikës së Kosovës një punë e mençur. Ne kemi nevojë që të na ndihmojnë të bëhemi anëtarë të Këshillit të Evropës dhe jo të na pengojë dikush atëherë kur ende tamam nuk është trajtuar plotësisht aplikacioni ynë, pra le të trajtohet njëherë aplikacioni ynë para çfarëdo kushtesh në të ardhmen”, tha ai.

Ai tha se ka shprehur gatishmërinë dhe interesimin për dialog me priftërinjtë e Kishës Ortodokse, por nuk ka hasur në mirëkuptim.

“Unë jam kryeministri i parë i Republikës së Kosovës me të cilin priftërinjtë e Kishës Ortodokse refuzojnë të komunikojnë apo të dialogojmë, meqenëse unë besoj se komunikimi e dialogu do të zgjidhte shumë prej keqkuptimeve”, tha ai.

Vendimi për pronat rreth manastirit është marrë në maj të vitit 2016. Në muajin shtator të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se e ka njoftuar kryeprokurorin e Shtetit, për moszbatimin e vendimit të saj.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA