Marrëveshja për dërgimin e mërgimtarëve në Shqipëri e paligjshme - AI
Qeveria italiane synon që falë procedurave të shpejta, ajo të mund të trajtojë në këto dy struktura deri në 36 mijë persona në vit
SHJ
06/11/2023 - 20:52
Qeveria nxiton ta paraqesë fitimprurëse marrëveshjen
Italia do të depozitojë 16.5 milionë euro në një llogari të posaçme të Thesarit të Shqipërisë, si paradhënie për strehimin e deri në 3.000 emigratëve në Shqipëri.
Kështu thuhet në protokollin e publikuar nga Qeveria shqiptare më 7 nëntor, një ditë pasi dy shtetet arritën marrëveshje për çështjen e emigrantëve.
Dokumenti parasheh që paradhënia prej 16.5 milionë eurosh të ekzekutohet 90 ditë nga data e hyrjes në fuqi të protokollit. Këto para do të përdoren për të rimbursuar shpenzimet për shërbime të ndryshme, u tha në dokument.
Gjithashtu, pala italiane duhet të hapë në një bankë të nivelit të dytë, një llogari rrjedhëse bankare të dedikuar ekskluzivisht për fondin e garancisë.
Ky protokoll do të jetë në fuqi për pesë vjet dhe mund të rinovohet edhe për pesë vjet të tjera.
“Me përjashtim të rasteve kur njëra nga palët i komunikon me paralajmërim të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë protokoll, ky i fundit do të rinovohet në formë të heshtur për një periudhë tjetër pesëvjeçare”, thuhet në njoftim.
Hyrja e migrantëve në ujërat territoriale dhe në territorin e Shqipërisë do të kryhet ekskluzivisht me mjetet e autoriteteve kompetente italiane.
“Autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit, të parashikuara nga legjislacioni italian e evropian dhe për kohën rreptësisht të nevojshme për të”, thuhet në dokument.
Në dokumentin e publikuar nga Qeveria shqiptare nënvizohet se autoritetet italiane do të përballojnë çdo shpenzim të nevojshëm për akomodimin dhe trajtimin e emigrantëve, duke përfshirë ushqimin, kujdesin shëndetësor dhe çdo shërbim tjetër që do të vlerësohet i nevojshëm dhe duke u kujdesur që ky trajtim të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, sipas së drejtës ndërkombëtare.
Italia, sipas marrëveshjes, do të financojë të gjitha shërbimet e kujdesit spitalor, por edhe të pajisjeve, sikurse automjetet dhe karburantet si dhe pagesat për avokatë. Ndërkaq, Shqipëria do të ofrojë lehtësira për personelin italian që do të punojë në Shqipëri, të cilët do të përjashtohen nga nevoja për pajisje me viza, leje të qëndrimit dhe kërkesa të tjera që kërkohen nga legjislacioni shqiptar për migracion.
Po ashtu marrëveshja parasheh edhe obligimet që ka Italia sa i përket ofrimit të sigurisë të qendrave të pritjes së emigrantëve, ndërkaq Shqipëria do të ofrojë siguri për emigrantët gjatë transportit të tyre jashtë këtyre qendrave. Rel
Marrëveshja për dërgimin e mërgimtarëve në Shqipëri e paligjshme - AI
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International thotë se: “Individët e shpëtuar nga autoritetet italiane në det, përfshirë ata që kërkojnë siguri në Evropë, janë nën juridiksionin italian dhe nuk mund të dërgohen në një vend tjetër përpara se të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil dhe rrethanat individuale”.
Në një reagim pas njoftimit se udhëheqësit e Italisë dhe Shqipërisë kishin arritur një marrëveshje për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e migrantëve të shpëtuar në det nga anijet italiane, zonja Elisa De Pieri, me organizatën Amnesty International, tha se personat e shpëtuar në det nga autoritetet italiane janë nën juridiksionin italian. Ajo tha se ligji është shumë i thjeshtë për t’u kuptuar dhe se migratët nuk mund të dërgohen në një vend tjetër përpara se të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil.
Kjo marrëveshje ka të bëjë me rikthimin, një praktikë e cila është e ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar dhe evropian dhe për të cilën Italia është dënuar tashmë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Marrëveshja është e paligjshme, e papërshtatshme dhe duhet të anulohet, tha zonja Elisa De Pieri, me organizatën Amnesty International.
“Italia pretendon se personat e ndaluar do të mbeten nën juridiksionin italian, por realiteti është se marrëveshja do të përdoret për të anashkaluar ligjet e Italisë, BE-së dhe ligjin ndërkombëtar. Kjo mund të ketë pasoja shkatërruese për azilkërkuesit, të cilët mund t’u nënshtrohen ndalimeve të gjata dhe shkeljeve të tjera, jashtë kontrollit të autoriteteve të drejtësisë italiane”. Komisioni Evropian tashmë e ka bërë të qartë se ligji i BE-së për azilin nuk mund të zbatohet jashtë kufijve të bllokut. Voa
Shqipëria do të ndërtojë dy kampe për refugjatët e Italisë
Italia pritet të ngrejë në Shqipëri, brenda pranverës, dy qendra për pritjen e migrantëve që nga Lindja e Mesme dhe veriu i Afrikës synojnë thuajse çdo ditë brigjet jugore të saj. Marrëveshja mes dy qeverive u firmos të hënën pasdite në Romë, në përfundim të një takimi mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe kryeministrit Edi Rama.
Qeveria italiane shpjegoi më pas se nuk bëhet fjalë për migrantët që mbërrijnë në tokën e saj por për atë kategori që rrezikohet gjatë lundrimit në det dhe shpëtohet nga anijet e ushtrisë apo Guardia di Finanza-s italine që patrullojnë në Mesdhe, apo dhe nga mjetet lundrues të organizatave humanitare. Po ashtu nga kjo marrëveshje janë të përjashtuar minorenët, gratë shtatzëna dhe subjektet vulnerabël.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama, zonja Meloni shpjegoi se “Shqipëria do t’i japë mundësi Italisë, që të përdorë disa zona të territorit shqiptar, në të cilat, Italia mund të realizojë, me shpenzimet e saj, dhe nën jurisdiksionin e saj, dy struktura ku mund të ngrihen dy qendra për të administruar migrantët e paligjshëm. Këto struktura – shtoi më tej kryeministrja italiane – mund të strehojnën 3 mijë vetë, të cilët do të qëndrojnë aty deri në përfundimin e përshpejtuar të procedurave për trajtimin e kërkesave për azil dhe sipas rastit edhe për qëllim riatdhesimi”. Qeveria italiane synon që falë procedurave të shpejta, ajo të mund të trajtojë në këto dy struktura deri në 36 mijë persona në vit.
Struktura e parë do të jetë në portin e Shëngjinit, ku do të ngrihet qendra e pritjes, e cila do të shërbejë si një bazë për regjistrimin dhe marrjen e të dhënave për migrantët, ndërsa në Gjadër, do të ngrihet struktura e dytë, ku do të përfundojnë procedurat e tjera. Kjo qendër e dytë, siç deklaroi kryeministrja Meloni, do të jetë sipas modelit Qpr (Qendra për riatdhesim) të cilat janë ngritur thuajse në çdo krahinë të Italisë për të përballuar problemin e migrantëve.
Pala shqiptare, theksoi zonja Meloni do të bashkëpunojë sa i takon sigurisë dhe mbikqyrjen e jashtme të këtyre strukturave përmes forcave të saj të policisë.
Zonja Meloni u shpreh se “marrëveshja me Shqipërinë ka tre objektiva, që nga lufta kundër trafikut të qënieve njerëzore, parandalimi i flukseve të paligjshme migratore e pritjen vetëm të atyre që realisht përfitojnë nga e drejta e mbrojtjes ndërkombëtare”.
Kryeministri Edi Rama nuk hyri fare në detajet e marrëveshjes, por i mëshoi faktit se Shqipëria është borxhlije ndaj Italisë dhe se po e bënte këtë më së shumti si një shenjë mirënjohje për gjithë ndihmën e saj pas viteve ’90. “Ne nuk do të bënim këtë marrëveshje me asnjë vend tjetër apo shtet të BE-së , me gjithë respektin, sepse ka një ndryshim diferencë të madhe, me një ndryshim historik-kulturor dhe gjithashtu emocional që lidh Shqipërinë me Italinë dhe shqiptarët me italianët. Nëse Italia thërret, Shqipëria përgjigjet”.
Kryeministri shqiptar duket se kërkoi t’i paraprijë debateve politike në Itali për këtë marrëveshje, kur u shpreh se “nuk na takon ne të gjykojmë meritën politike të çfarëdo vendimi të marrë në këtë godinë, apo në institucione të tjera. Neve na takon të përgjigjemi se jemi këtu, kur mund të japim një dorë. Dhe është e qartë se të japësh një dorë në këtë rast, do të thotë për të ndihmuar dhe për të menaxhuar, me pak frymëmarrje më shumë, një situatë që është e vështirë për Italinë”.
Dhe në fakt në Itali, menjëherë, vërshuan notat kritike nga opozita, dhe hijet e dyshimit se me këtë marrëveshje Roma po synon të anashkalojë detyrimet ndërkombëtare, që lidhen kryesisht me të drejtën e azilit. Voa
Ky raport është përditësuar*
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 85 reads