Marrëveshja Meloni-Rama për refugjatët nuk shkel ligjin e BE-së - Brukseli
Masat e jashtme rrisin ndjeshëm rrezikun e ekspozimit të refugjatëve, azilkërkuesve dhe migrantëve ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut
Voa
14/11/2023 - 08:18
Marrëveshja Meloni-Rama për refugjatët nuk shkel ligjin e BE-së - Brukseli
Marrëveshja që lejon Italinë të ngrejë qendra pritëse në Shqipëri për mijëra emigrantë që vijnë përmes detit, nuk shkel ligjin e Bashkimit Europian që zbatohet në këtë rast, tha sot zyrtarja më e lartë e BE-së për migracionin, Ylva Johansson.
Marrëveshja, e cila u njoftua javën e kaluar, është shoqëruar me kritika nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ka nxitur krahasime me planet e qeverisë britanike për dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë, plan të cilin Gjykata e Lartë e Britanisë e shpalli të paligjshëm.
"Sipas një vlerësimi paraprak të ekipit tonë ligjor, marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë nuk shkel ligjin e Bashkimit Europian, nuk është jashtë kuadrit ligjor të BE-së", tha Komisionerja për Migracionin në Bashkimin Europian, Johansson, në një konferencë për shtypin, në Bruksel.
Deklaratat e saj lanë të kuptohet se marrëveshja nuk mund të ankimohet në Gjykatën Europiane të Drejtësisë. Komisionerja Johansson tha se "ligji i Bashkimit Evropian nuk është i zbatueshëm jashtë territorit të Bashkimit Europian, por ligji italian po", por pa qartësuar se si përputhet kjo me detyrimet e Italisë si një vend anëtar i Bashkimit Evropian.
Gjykata e Lartë britanike: Plani për të dërguar imigrantë në Ruandë, i paligjshë
Gjykata e Lartë britanike tha të mërkurën se plani i qeverisë për të dërguar një pjesë të emigrantëve që mbërrijnë në vend, në Ruandë, është i paligjshëm. Vendimi shihet si një goditje e fortë e politikës kryesore të qeverisë së Kryeministrit Rishi Sunak që ka nxitur kritika ndërkombëtare.
Pesë anëtarë të gjykatës më të lartë të vendit, vendosën njëzëri se azilkërkuesit që do të dërgoheshin në Ruandë, ekspozoheshin ndaj “rrezikut real për t’u keqtrajtuar" dhe se ata mund të ktheheshin në vendet e tyre.
Por pavarësisht vendimit, kryeministri britanik Sunak tha sot se do të vazhdojë me përpjekjet për të dërguar disa emigrantë në Ruandë.
Zoti Sunak, i cili është angazhuar të ndalojë imigrantët që futen në Britani me varka të vogla përmes Kanalit të la Manshit, tha se vendimi nuk ishte rezultati që ai priste. Por shtoi se qeveria e tij kishte menduar për të gjithë skenarët e mundshëm dhe se mbetej plotësisht e përkushtuar për të ndaluar anijet (me imigrantë).
Grupet e refugjatëve dhe të të drejtave të njeriut e përshëndetën vendimin. Organizata britanike “Charity ActionAid”, e cila ndihmon gratë dhe vajzat në vendet e varfra, tha se vendimi ishte një fitore e “vlerave njerëzore britanike dhe e dinjitetit”.
Organizata “Amnesty International” i kërkoi qeverisë britanike “të heqë dorë nga një kapitull i turpshëm në historinë politike të Britanisë”, siç dhe e konsideroi ajo.
Në prill të vitit 2022 Britania dhe Ruanda nënshkruan një marrëveshje për të dërguar një numër imigrantësh që kishin mbërritur në Britani të fshehur në automjete ose me varka, në vendin e Afrikës Lindore, ku do të përpunoheshin kërkesat e tyre për azil dhe nëse përgjigja do ishte pozitive, ata do të qëndronin.
Qeveria e Britanisë tha se ky plan synonte që të ndalonte imigrantët që të rrezikonin jetën e tyre, duke kaluar një nga korridoret më të ngarkuara të transportit në botë si dhe do të ishte një goditje për bandat që trafikojnë njerëz. Politikanët e opozitës, grupet e refugjatëve dhe organizatat e të drejtave të njeriut thonë se plani ishte joetik dhe i pazbatueshëm. Deri tani asnjë imigrant nuk është dërguar ende në Ruandë, pasi plani u kundërshtua në gjykata.
Duke lexuar vendimin unanim të gjykatës, Presidenti i saj, Robert Reed tha se nuk ka garanci se Ruanda do t’i qëndrojë premtimit të saj për mos keqtrajtuar azilkërkuesit.
Ai përmendi të dhënat problematike të vendit me të drejtat e njeriut, përfshirë rastet e zhdukjes dhe torturat duke shtuar se Ruanda zbatonte praktika të kthimit të imigrantëve në vende të pasigurta.
Gjykatësit arritën në përfundimin se kishte “baza për të besuar se azilkërkuesit do të përballeshin me një rrezik real për keqtrajtim, në rast se ata do të dërgoheshin në Ruandë”.
Qeveria britanike ka thënë se edhe pse Ruanda ishte vendi i një gjenocidi, gjatë të cilit në 1994 u vranë më shumë se 800 mijë persona, që nga ajo kohë vendi ka ndërtuar një reputacion për stabilitet dhe përparim ekonomik.
Në vendimit e gjykatës, viheshin në dukje shkelje të shumta të të drejtave të njeriut, përfshirë vrasjet me motive politike, që kishin nxitur policinë britanike "të paralajmëronte individët me origjinë nga Ruanda, që jetonin në Britani, mbi plane të besueshme për vrasjen e tyre nga ana e atij shteti”.
Ata thanë se të dhënat tregojnë se Ruanda i ka refuzuar në 100 për qind të rasteve azilkërkuesit nga vendet e shkatërruara nga lufta, me tyre ata që vinin nga Siria, Jemeni dhe Afganistani.
Vendimi i jep një goditje të fortë një politike që i ka kushtuar qeverisë britanike të paktën 175 milionë dollarë në pagesa për Ruandën, ndërsa as një immigrant nuk është dërguar atje. Fluturimi i parë me imigrantë u ndalua në minutën e fundit, në qershor të vitit 2022, pas ndërhyrjes së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Në dhjetor, Gjykata e Lartë në Londër vendosi se plani i Ruandës është i ligjshëm, por se qeveria duhet të marrë parasysh rrethanat individuale të secilit rast përpara se të vendosë dikë në aeroplan.
Mbetet e paqartë nëse qeveria britanike do të përpiqet ta mbajë gjallë këtë politikë. Disa konservatorë të Mbretërisë së Bashkuar kanë bërë thirrje për veprime radikale në këtë drejtim. Ish-Sekretarja e Brendshme Suella Braverman, e cila u shkarkua nga Kryeministri Sunak të hënën, ka thënë se Britania duhet të largohet nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe gjykata e saj, nëse i ashtuquajturi plani i Ruandës bllokohet.
Pjesa më e madhe e Evropës dhe e Shteteve të Bashkuara po hasin në vështirësi për të identifikuar zgjidhjet më të mira për t'u përballur me imigrantët që largohen nga lufta, dhuna e shtypja në vendet e tyre.
Megjithëse Britania merr më pak kërkesa për azil krahasuar me vende si Italia, Franca apo Gjermania, mijëra imigrantë nga e gjithë bota udhëtojnë çdo vit me shpresën për të kaluar Kanalin e La Manshit.
Më shumë se 27,300 imigrantë kanë kaluar kanalin këtë vit krahasuar me 46,000 që ishte vitin e kaluar. Qeveria thotë se kjo tregon se qasja e saj e ashpër ka funksionuar. Por të tjerë përmendin faktorë si moti i keq si arsye për këtë rënie të numrit të imigrantëve.
Këshilli i Evropës u shtohet zërave kritikë ndaj marrëveshjes Meloni-Rama
Këshilli i Europës i shtohet zërave që ngrenë pikëpyetje dhe dyshime mbi marrëveshjen e firmosur mes Tiranës dhe Romës për ndërtimin në territorin shqiptar të dy qendra pritjeje për migrantët që nisen nga Afrika e Jugut drejt Italisë. “Memorandumi për zbarkimin dhe përpunimin e kërkesave për azil, i arritur javën e kaluar, ngre disa shqetësime për të drejtat e njeriut dhe i shtohet një prirjeje problematike evropiane drejt shmangies nga përgjegjësitë për azil,” deklaroi sot Komisionerja për të Drejtat e Njeriut, e Këshillit të Europës, Dunja Mijatoviç.
Sipas Komisioneres Mijatoviç një sërë pyetjesh lidhen me ndikimin që vënia në jetë e një marrëveshjeje të tillë, do të kishte mbi të drejtat e njeriut të refugjatëve, azilkërkuesve dhe migrantëve. “Këto kanë të bëjnë, ndër të tjera, me zbarkimin në kohë, ndikimin në operacionet e kërkim-shpëtimit, drejtësinë e procedurave të azilit, identifikimin e personave të cenueshëm, mundësinë e ndalimit automatik pa një rishikim të përshtatshëm gjyqësor, kushtet e ndalimit, qasjen ndaj ndihmës juridike dhe mjetet efektive juridike”, nënvizon zonja Mijatoviç në deklaratën e saj.
Komisionerja e Këshillit të Europës shprehet se “memorandumi krijon një regjim ad hoc ekstra-territorial të azilit i karakterizuar nga shumë paqartësi ligjore. Në praktikë, mungesa e sigurisë ligjore ka të ngjarë të dëmtojë garancitë thelbësore të të drejtave të njeriut dhe llogaridhënien për shkeljet, duke rezultuar në trajtim të ndryshëm midis atyre, kërkesat e të cilëve për azil do të shqyrtohen në Shqipëri dhe atyre për të cilët kjo do të ndodhë në Itali”.
Të dy qendrat do të ngrihen në zonën e Lezhës. Në Portin e Shëngjinit, qendra do të shërbejë si pikë e parë kontakti për grumbullimin e të dhënave. Më pas migrantët do të transferohen në qendrën e pritjes në Gjadër, ku sipas marrëveshjes, procedurat ndaj kërkesave për azil do të duhet të përmbyllen brenda 28 ditëve. Kapaciteti i qendrave nuk do të mund të kalojë atë të 3 mijë personave, dhe brenda tyre do të zbatohet jurisdiksioni italian.
“Memorandumi është tregues i një përpjekjeje më të gjerë nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës për të ndjekur modele të ndryshme të zhvendosjes së përgjegjësve të azilit, jashtë vendeve të tyre, si një "zgjidhje e shpejtë" e mundshme për sfidat komplekse që vijnë nga ardhja e refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve. Megjithatë – shton zonja Mijatoviç - masat e jashtme rrisin ndjeshëm rrezikun e ekspozimit të refugjatëve, azilkërkuesve dhe migrantëve ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut. Zhvendosja e përgjegjësisë përtej kufijve nga disa shtete gjithashtu nxisë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, gjë që rrezikon të krijojë një efekt domino i cili mund të dëmtojë sistemin evropian dhe global të mbrojtjes ndërkombëtare”.
Sipas Komisioneres për të Drejtat e Njeriut “garancia që azili mund të kërkohet dhe vlerësohet në territoret e vetë shteteve anëtare mbetet një gur themeli i një sistemi që funksionon mirë, në përputhje me të drejtat e njeriut, që ofron mbrojtje për ata që kanë nevojë për të” dhe sipas saj “është e rëndësishme që shtetet anëtare të vazhdojnë të përqendrojnë energjinë e tyre në përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetit të sistemeve të tyre vendase të azilit dhe pritjes, dhe që ata të mos lejojnë që diskutimi i vazhdueshëm rreth zhvendosjes së përgjegjësive jashtë vendeve të tyre, të largojë burimet dhe vëmendjen shumë të nevojshme nga kjo”.
Zonja Mijatoviç thekson se “është thelbësore që shtetet anëtare të sigurojnë që përpjekjet e bashkëpunimit ndërkombëtar t'i japin përparësi krijimit të rrugëve të sigurta dhe ligjore që lejojnë individët të kërkojnë mbrojtje në Evropë pa iu drejtuar rrugëve të rrezikshme dhe të parregullta të migrimit”.
Marrëveshja e firmosur nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni në Romë, ka ngjallur debate të shumta. Si në Itali ashtu dhe në Shqipëri opozita e ka kritikuar ashpër, ndonëse si zoti Rama ashtu dhe zonja Meloni e kanë mbrojtur atë duke u shprehur se marreveshja është në përputhje me konventat ndërkombëtare. Polemikat megjithatë duket se do të vijojnë gjatë, duke qenë se dokumenti do të duhet të ratifikohet dhe nga parlamentet e të dy vendeve.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 36 reads