...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ngrijnë marrëdhëniet Greqi-Shqipëri ndërsa ndalohet përparimi për në BE

Arsyeja e mosftimit të tij lidhet me shkeljet e të drejtave të njeriut dhe pakicës greke dhe me një “sulm” të Ramës ndaj Athinës.

Ylli Përmeti

19/08/2023 - 09:14

Ngrirja e marrëdhënieve Tiranë-Athinë është e rrallë për nga lloji në historinë e dy shekujve të fundit mes dy vendeve tona: sepse të dyja palët kanë të drejtë ndërsa të dyja janë të padrejta. Pala jonë, sepse vërtet shkel të drejtat e njeriut në Himarë lidhur me pronat (ky fakt është pranuar dhe nga vetë Rama) ndërsa pala greke sepse pretendon se ato padrejtësi ushtrohen ndaj pakicës greke atje ndërsa bën sikur nuk sheh dhe nuk kupton shkeljen e ligjit (Kodit Zgjedhor) nga Beleri.

Kështu me rastin e mbylljes së 20 viteve të mbledhjes së “BE - Ballkani Perëndimor” dhe “Deklaratës së Selanikut”, Miçotaki ftoi në Athinë krerët e vendeve përkatëse përveç Ramës. Në vend të tij ftoi presidentin e Shqipërisë, Bajram Begajn, i cili thuhet se nuk do të shkojë. Arsyeja e mosftimit të tij lidhet me shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj “pakicës greke” në Himarë dhe me një “sulm” të Ramës ndaj Athinës.

Sipas gazetës Kathimerini, Rama akuzoi Athinën për ndërhyrje në drejtësi duke e karakterizuar “surealiste” përpjekjen e saj ndërsa sulmoi Margarit Skinjan për ndërhyrjen e tij duke akuzuar palën greke në tërësi ―në Athinë dhe Bruksel― për përpjekje për “ta paraqitur çështjen për të cilën foli drejtësia si çështje të pakicës greke”.

Siç pohon dhe gazeta greke, Miçotaqi ka vendosur të tërheq litarin dhe të ngrijë marrëdhëniet me Shqipërinë për arsyet e përmendura. Por mbledhja tregon, sipas të njëjtës gazetë, “rolin udhëheqës të Greqisë në Evropën Juglindore”.

Ky pretendim jo pa të drejtë, sepse në mbledhje janë ftuar dy përfaqësuesit e institucioneve kryesore evropiane, Ursula fon der Lajen dhe kreu i Këshillit Evropian Sarl Misel; Aleksandër Vuçiç (Serbia); Jakov Malatoviçi (Malizi); Albin Kurti (Kosova); Dimtër Kovaçvski (Maqedonia Veriore); Borjana Kristo (Bosnje dhe Herzegovina); Maja Sadu (Moldavia); Nikolai Denkov (Bullgaria); Anderi Plenkoviç (Kroacia); Jon-Marsel Çiolaku (Rumania).      

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA