...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Protesta e OP-së për 1 Majin dhe raportimet e turpshme të gazetarëve (Voa etj.)

Të gjithë jemi punëtorë; madje dhe pronarët e ndërmarrjeve private, si drejtues, punëtorë janë.

SHJ

01/05/2022 - 18:51

Të gjithë jemi punëtorë; madje dhe pronarët e ndërmarrjeve private, si drejtues, punëtorë janë. Vetëm se disa janë të ndershëm e disa të pandershëm. Dhe janë pikërisht këta të fundit, dhe veçanërisht ata të mëdhenjtë që shfrytëzojnë pasuri kombëtare, tipa si Kastrati e Zamir Mane, që korruptojnë si qeveritë ashtu punëtorët; ‘qeveritë’ për të bërë një sy qorr e një vesh shurdh kur kërkojnë të shfrytëzojnë si pasuritë kombëtare ashtu dhe punëtorët; ‘punëtorët’ sepse nuk i drejtojnë ndërmarrjet përmes drejtësisë por përmes taktikave dhe strategjive. Dhe duke ditur se qeveritë neoliberale të tipit “Rama” por dhe opozita të tipit “Berisha” kanë shkatërruar sindikatat e punëtorëve dhe kanë braktisur detyrimin kushtetues për punësim të plotë, dhe punëtorët vriten me dhjetra çdo vit, sidomos në miniera dhe ndërtim, dhe shfrytëzohen dhe kërcënohen me papunësi, ditën e 1 Majit, duhet të protestohet dhe jo të festohet.

Kjo ditë festohësh shekullin e kaluar në vendet socialiste sepse qeveritë u mbështetën te klasa punëtore për zhvillimin e vendit; por 30 vitet e fundit ato mbështeten tek te klasa kapitaliste dhe klasa e mesme dhe klasën punëtore e kanë braktisur me qëllim që klasa shfrytëzuese të sillet si t`i dojë kokrra e pallës me të. 

Për nderin e të gjithëve sot në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup u protestua për më shumë të drejta për punëtorët. Por reporterët e keqparaqitën protestën e Tiranës, sepse ajo u nxit dhe u organizua nga Organizata Politike. Ja si e raporton gazetari i Voa-s ngjarjen:

Në Tiranë, grupime punëtorësh dhe studentësh protestuan sot me rastin e 1 Majit. Ata kërkuan respektim të të drejtave të punëtorëve, përmirësim të pagave dhe kushteve të punës si dhe më shumë punësim për të rinjtë.

Organizata të punëtorëve dhe të rinjve protestuan sot në Tiranë, duke kërkuar trajtim dinjitoz të punëtorëve dhe uljen e papunësisë.

Ata marshuan nga sheshi Skënderbe në shëtitoren Dëshmorët e Kombit dhe qëndruan në sheshin para selisë së qeverisë, duke hedhur parrulla për rritje të pagave dhe përmirësim të kushteve të punës.

Folësit theksuan kushtet e rënda të punës në firmat e rrobaqepësisë, në miniera, ndërtim e shërbime, ku pagat janë të ulëta dhe puna e ditës së shtunë është bërë normale.

Sipas sondazheve edhe studentët janë skeptikë për punësimin.

“Minatorët punojnë në kushte të rrezikshme me paga të papërfillshme, gratë dhe vajzat fasoneritë punojnë edhe të shtunave me paga e kushte të dobëta, ndonëse prodhojnë veshje të shtrenjta. Shqipëria ka 123 mijë studentë, por shumica dërrmuese e tyre pohon se nuk ka shpresë se do të gjejnë punë në profesion. Puna e tyre nëpër call centera nuk është më një sakrificë e përkohshme, por është një burgator i përhershëm. Një në dy të rinj sot duan të largohen nga vendi” - thotë pedagogu Arlind Qori, veprimtar i shoqërisë civile

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ka vlerësuar se papunësia në Shqipëri është tipar i njerëzve të shkolluar, derisa 70 për qind e të papunëve janë me arsim të lartë.

Nga ana tjetër, shumë njerëz bëjnë punë që nuk përputhen me nivelin e tyre arsimor, por shumë punëdhënës ankohen se e kanë vështirë të gjejnë punëtorë me aftësitë e duhura për të zgjeruar bizneset e tyre, gjë që tregon për një shkëputje të ndjeshme midis botës së arsimit dhe botës së punës.

Sipas INSTAT shkalla e punësimit në Shqipëri është mbi 60 për qind, ndërsa shkalla e papunësisë është mbi 11 për qind, ndërsa studiues të pavarur vlerësojnë se papunësia reale është shumë më e lartë se shifrat zyrtare.

Gazetari i zërit të “lirë” të Amerikës, në fjalë të tjera, nuk përmend OP-në por i quan ato “grupime punëtorësh dhe studentësh”! Në të njëjtën linjë dhe Top Channel! Ç`i pengon këta gazetarë të thonë gjithë të vërtetën vallë?!  

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA