...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse nuk e pyeta Haradinajn për pasurinë e tij?

Në vend të nderohet për kontributin e tij për çlirimin e atdheut tonë dhe për kontributin e tij më pas për të zhvilluar shtetin e Kosovës dhe të kundrojnë për mundësinë e shtimit të pasurisë së tij në kushte tregtare si gjithë të tjerët, damkoset si i korruptuar

Ylli Përmeti

10/05/2023 - 09:05

Pas intervistës me Haradinajn më kanë “gacmuar” privatisht disa njerëz, se i jam shmangur pyetjes lidhur me pasurinë e tij dhe rrjedhimisht pretendimit se lufta e tij nuk ishte për ideale por për pushtet dhe pasuri! Një pjesë pretendojnë se ai ka përvetësuar pará nga kursimet e kontributeve të shqiptarëve gjatë luftës ndërsa një pjesë tjetër tregojnë pasurinë e tij si tregues i korruptimit të tij!

Intervistë e posaçme me Haradinajn: për politikat korruptive të Kurtit, vizionin e tij dhe marrëdhëniet ndërkombëtare

Këto dy pretendime kanë vite që qarkullojnë por asnjëri s`më ka bindur: për të parin, sepse s`ka asnjë fakt (disa thonë se i kanë “ndërkombëtarët”!) ndërsa për të dytin, shuma që ka deklaruar (nga deklarata e vitit 2023 në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit) prej 1,286,375 euro, nuk tregon korruptim nëse e shohim në raport me fillimin e veprimtarisë së tij ekonomike, vitin 2001, detyrat e tij si politikan dhe mundësinë për rritjen e saj përmes tregut, dhe e krahasojmë jo me Ramën dhe Berishën në Shqipëri, sepse këta po e tregojnë edhe me fushatën zgjedhore të majit 2023 se sa të korruptuar janë, për të cilat nuk dihet se ç`pará po shpenzojnë, sepse nga KQZ-ja nuk kanë tërhequr shumën e caktuar nga ajo (PS-ja gati 43 milionë lekë ose rreth 400 mijë euro!), por me një palo-gazetar, Alfred Pezën, i cili u bë milioner brenda një viti, sapo u bë zëdhënës i qeverisë “Rama”, dhe jo në pasuri të patundshme, si në rastin e Haradinajt, por në euro të thata! 

Dhe ndryshe nga shumë të korruptuar në anët tona, nuk pashë të kishte ndonjë veshje luksoze, as xhipa njëqind apo dyqind milionsha, as selia e AAK-së nuk ishte si selitë e anëve tona: të derdhura në luks! Veshja e Haradinajt ishte si imja dhe selia ishte pak a shumë si shtëpiza ime: me orendi të zakonshme.

Dhe ndryshe nga sa mund të besojnë disa të tjerë, se qendrimet e tij janë “zbukuruar” nga unë, Haradinaj më ka befasuar me përgjigjet e tij, sepse ndryshe ngasa veprojnë shumë të korruptuar në anën tona ―kërkojnë pyetjet paraprakisht― Haradinaj jo vetëm që nuk m`i kërkoi ato, por iu përgjigj atyre me një gadishmëri të pazakontë dhe me një lidhje logjike (koherencë) gati filozofike.

Nuk është e vështirë për një politikan si Haradinaj të rrisë pasurinë ―në këtë rast të patundshme― në shumën e deklaruar, sidomos kur në fillim ndihmohet nga bashkëluftëtarët për të filluar një jetë të re pas gjithë asaj lufte dhe dhimbje që përjetoi me vrasjen e vëllait, shokëve dhe popullit të Kosovës dhe plagosjes së tij. Kontributin e tij në luftë do ta vlerësonin të gjithë njerëzit e ndershëm dhe pse jo, të gjithë bashkë do ta ndihmonin që të fillonte një jetë re: sepse njeriu që rrok armën dhe del në mal për të luftuar kundër pushtuesit dhe udhëheq shokët, është i vyer; madje shumë më i vyer se çdokush tjetër.    

Një njeri i tillë ―që del në front të luftës― tregon pikërisht faktin se ideali i tij është çlirimi i atdheut dhe jo pushteti dhe pasuria: sepse të jesh në front tregon gadishmerinë e vetëflijimit.

Duke patur parasysh këto fakte, se ai e meritonte të ndihmohësh nga shokët pas luftës dhe se ai mund të shtonte pasurinë e tij me ritmin e përshkruar, madje tregtarë të zakonshëm e kanë shtuar pasurinë më shumë se ai përgjatë 22 viteve të fundit, por dhe faktin tjetër se Haradinajn ―dhe jo vetëm atë― e akuzojnë për korrupsion, dhimbja e tij me siguri është e madhe, sidomos kur kjo akuzë qarkullon pa ndonjë kundërargument qoftë edhe në median e Shqipërisë juridike; madje duke shtuar dozat e dyshimit se ai është i korruptuar!

Kështu në vend të nderohet për kontributin e tij për çlirimin e atdheut tonë dhe për kontributin e tij më pas për të zhvilluar shtetin e Kosovës, dhe të kundrojnë për mundësinë e shtimit të pasurisë së tij në kushte tregtare si gjithë të tjerët, damkoset si i korruptuar, pikërisht sepse disa mendjeshthurur nuk dallojnë dot theshethemet nga faktet. 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA