...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rama kandidon ‘të zvetënuarin’ tjetër në Himarë: Tavon

Çështja Beleri, provokoi një krizë të fortë në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës, e cila pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, po këmbëngul që atij t’i lejohet pjesmarrja në seancën plenare të parlamentit europian

Voa

09/07/2024 - 07:59

Në Shqipëri, Alfred Beleri, për të cilin të premten Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, shpalli të pavlefshëm dhe ndërpreu mandatin e tij si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, i është drejtuar Gjykatës Administrative duke kërkuar pezullimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj, i cili shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të reja për kreun e Bashkisë së këtij qyteti më 4 gusht.

Sipas kërkesës, pretendohet se mandati i tij është i vlefshëm “sa kohë që vendimi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, është shpallur në datën 05.07.2024, dhe ndaj tij lejohet ankim, dhe si i tillë ky akt është i paekzekutueshëm”. Vendimi i Komisionerit shtetëror, i cili pasoi dënimin e zotit Beleri me dy vite burgim, nga Gjykata e Posaçme e Apelit, parashikon mundësinë e ankimit në Komisionin e Ankimimit dhe Sanksioneve (KAS), një tjetër organ i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Por qeveria veproi me një nxitim të pazakontë. Ajo iu drejtua menjëherë pas vendimit të Komisionerit shtetëror, presidentit Bajram Begaj, duke i njoftuar atij krijimin e vakancës dhe duke i kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të reja. Kreu i Shtetit kishte 48 orë kohë. Ai nuk e shfrytëzoi këtë hapësirë, por firmosi dekretin në harkun e pak orëve. Socialistët njoftuan sot dhe kandidatin e tyre të ardhshëm për zgjedhjet në Himarë, ish deputetin e LSI-së, dhe aktualisht prefektin e Vlorës, Vangjel Tavo.

Sipas kërkesës paraqitur gjykatës nga zoti Beleri, pezullimi i dekretit të presidentit Begaj, vlerësohet i nevojshëm duke qenë se “ka afat të shkurtër ekzekutimi, pra pasojat e ekzekutimit të tij jo vetëm që fillojnë menjëherë, por dhe përfundimi i tyre është i afërt, konkretisht pas 30 ditëve”. Ndërkohë, paralajmërohet dhe një padi për ta konsideruar të pavlefshëm dekretin, duke qenë se vendimi i Komisionerit shtetëror është marrë “në kundërshtim flagrant me dispozitat ligjore që parashikojnë kompetencën e tij, si dhe procedurën e ushtrimit të kompetencave të tij”, shkruan zoti Beleri, duke pretenduar se “rasti i kryerjes së një vepre penale pas fitimit të mandatit, është shkak për shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë nga Këshilli i Ministrave”.

Po ashtu sipas zotit Beleri, edhe kreu i Shtetit ka kryer po ashtu shkelje pasi “Presidenti i Republikës duhet të kishte verifikuar kushtet formale të kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë. Kërkesa duhet të ishte shoqëruar me aktin që vërtetonte që vendimi i KQZ ishte i ekzekutueshëm, pra që nuk ishte paraqitur ankim brenda afatit të parashikuar në ligj, ose që ankimi ishte shqyrtuar nga organi i caktuar me ligj”.

Por zyra e Kreut të Shtetit e ka mbrojtur shpalljen e zgjedhjeve të reja duke shpjeguar se presidenti vihet në lëvizje vetëm nga njoftimi prej Këshillit të Ministrave dhe se ai nuk merr në shqyrtim procedurën që i paraprin konstatimit të vakancës. Sipas zyrës së zotit Begaj “procedura për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe procedura për ankimimin e akteve administrative, janë që të dyja ligjore, dhe bashkëjetojnë me njera-tjetrën. Në rast se midis tyre krijohen përplasje, atëherë është gjykata kompetente që ka fuqinë të zgjidhë përplasjen”.

Çështja Beleri, provokoi një krizë të fortë në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës, e cila pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, po këmbëngul që atij t’i lejohet pjesmarrja në seancën plenare të parlamentit europian e cila hapet javën e ardhshme. Zoti Beleri u zgjodh eurodeputet, nga lista e kandidatëve të partisë “Nea Dimokratia”, të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Qeveria greke pretendon se “autoritetet shqiptare kanë detyrimin për të marrë të gjitha masat e nevojshme për t'i mundësuar menjëherë zotit Beleris, tashmë deputet i zgjedhur në Parlamentin Europian, të marrë pjesë në punimet e tij”.

Eurodeputetët gëzojnë imunitet të posaçëm. Nëse zoti Beleri do të ishte i ndaluar, në një nga vendet e BE-së, në pritje të procesit, ai do të ishte liruar automatikisht, ndërsa autoritetet e drejtësisë, do të duhej të merrnin autorizimin e parlamentit europian për të vijuar procesin. Por Shqipëria nuk është pjesë e BE-së, e për më tepër, zoti Beleri është i dënuar me vendim të formës së prerë. Mbetet ende e paqartë se si do të veprojnë autoritetet shqiptare, të cilat javën e shkuar e lejuan atë që i shoqëruar me punonjës të policisë, të merrte pjesë në mbledhjen e KQZ. Zoti Beleri, mësohet t’i jetë drejtuar zyrtarisht administratës së burgjeve, që t’i lejohet pjesmarrje në seancën plenare të parë të parlamentit të ri europian.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA