...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rreshjet dyfishojnë prodhimin e energjisë

Prodhimi i lartë i energjisë elektrike ishte dhe kontributori krysore në rritjen ekonomike të vendit në tremujorin e parë të vitit

Voa

25/08/2018 - 06:58

Në Shqipëri, prodhimi i energjisë thuajse u dyfishua në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti, falë situatës së favorshme të motit, me reshje të bollshme gjatë gjithë kësaj periudhe. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT) në pjesën e parë të vitit, totali i prodhimit të energjisë arriti në 5.9 GWh, ose 96 përqind më shumë se e njejta periudhë e vitit të shkuar.

Rritja e fortë e prodhimit, çoi në një ulje drastike të importeve të energjisë, të cilat në fund të 6 mujorit të parë, zbritën në 253 mijë MWh, katër herë më pak se sasitë e blera në pjesën e parë të 2017. Nga ana tjetër, eksportet njohën një rritje edhe më të madhe, duke shkuar në 2.3 GWh, ose 6.4 herë më shumë se sa e njejta periudhë e 2017-ës.

Gati 65 përqind e energjisë, 3.8 GWh, u prodhua nga hidrocentralet publike, afro 1.9 herë më shumë se një vit më parë. Rritje të fortë të prodhimit rregjistruan dhe hidrocentralet private, mbi 2 GWh, më shumë se dyfishi i të njejtës periudhë të 2017-ës.

Rritje ka pësuar megjithatë dhe konsumi i energjisë, i cili arriti në 2.8 GWh, nga afro 2.7 GWh që kishte qenë në gjashtë mujorin e parë të 2017.

Ndërkohë, në fund të pjesës së parë të vitit humbjet në rrjet pësuan një rënie, në vlerën 394 GWh, e ndikuar nga ulja e humbjeve në shpërndarje e cila përbën 80,9 % të humbjeve gjithsej në rrjet.

Humbjet në shpërndarje janë ulur me 17,7 %, si rrjedhojë e uljes së humbjeve jo teknike në shpërndarje me 21,9 % dhe uljes së humbjeve teknike në shpërndarje me 16,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Falë situatës së favorshme të motit, niveli në liqenin e Fierzës është aktualisht 286.4 metra, afro 7 metra mbi mesataren historike të muajit gusht, ndërkohë që dhe prurjet vijojnë të jenë po më të larta. Për pasojë rezerva hidrike në liqenet e kaskadës së Drinit llogaritet në rreth 986 GWh, e mjaftueshme për të mbuluar furnizimin e rregullt deri në fund të vitit. Prodhimi i lartë i energjisë elektrike ishte dhe kontributori krysore në rritjen ekonomike të vendit në tremujorin e parë të vitit.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA