Serbia dhe Hungaria lëvizin drejt një aleance ushtarake
Një marrëveshje e nënshkruar midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, që bën thirrje për përgjigje të përbashkëta ndaj sfidave të përbashkëta të sigurisë, ka sjellë një përgjigje të furishme nga Serbia, e cila e quajti atë një veprim kërcënues
Reporter
23/03/2025 - 19:11
Dokumenti për bashkëpunimin strategjik të mbrojtjes, së bashku me një plan për partneritet ushtarak dypalësh për vitin 2025, u nënshkrua nga ministri serb i Mbrojtjes Bratislav Gasic dhe homologu i tij hungarez, Krisztof Szalay-Bobrovniczky Serbia, e cila kishte deklaruar neutralitetin e saj për 30 vjet, ka shpallur një plan të papritur ushtarak. Serbia krijon një aleancë me Hungarinë, një anëtare e BE-së dhe NATO-s. Ky veprim i Beogradit vjen si përgjigje ndaj krijimit të një aleance tjetër ushtarake në rajon, të shpallur së fundmi nga Kroacia, Shqipëria (të dyja anëtarët e NATO-s) dhe shteti i njohur pjesërisht i Kosovës. Beogradi dhe Budapesti po punojnë drejt krijimit të një aleance gjithëpërfshirëse ushtarake, deklaroi presidenti serb, Vuçiçi, pas nënshkrimit të një dokumenti për bashkëpunimin strategjik të mbrojtjes serbo-hungareze:
“Ne synojmë të krijojmë marrëdhëniet më të ngushta strategjike në fushën e mbrojtjes dhe besojmë se kjo marrëveshje për aktivitete të përbashkëta do t'i hapë rrugën një aleance apo bashkimi ushtarak ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë”, theksoi lideri serb. Plani përshkruan 79 aktivitete të përbashkëta.
Serbia zemërohet nga marrëveshja e mbrojtjes mes Kroacisë, Shqipërisë e Kosovës
Një marrëveshje mbrojtjeje e nënshkruar midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës ka ndezur një mosmarrëveshje diplomatike me fqinjin e tyre, Serbinë, e cila ende e sheh Kosovën si pjesë të territorit të saj dhe nuk e njeh pavarësinë e saj.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç akuzoi Kroacinë dhe Shqipërinë se po nis një “garë armatimi” në rajon duke nënshkruar marrëveshjen me ato që ai i quajti “institucione të përkohshme” në Kosovë, që do të thotë qeveria e vendit.
“Është një situatë e vështirë për ne, por e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe ne do ta mbrojmë vendin tonë, do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor potencial, qoftë edhe ky i fuqishëm”, tha Vuçiç të mërkurën.
Por Kroacia tha se nuk kishte nevojë për lejen e Serbisë për të nënshkruar asgjë. Ministri i Mbrojtjes Ivan Anusiç tha se koha kur Zagrebi kërkonte miratimin e Beogradit për veprimet e tij kishte kaluar prej kohësh dhe nuk do të kthehej më.
“Ne kemi qenë një shtet i pavarur për 35 vjet dhe kemi duruar pesë vjet agresion dhe politika që promovuan një rrëfenjë të tillë”, tha Anusiç, duke iu referuar luftës së pavarësisë së Kroacisë në vitet 1990 kundër Ushtrisë Jugosllave të udhëhequr nga Serbia.
“Bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Kosovën fokusohet në shkëmbimin e njohurive, bashkëpunimin ndërmjet industrive ushtarake dhe mbështetjen për aspiratat euro-atlantike të Shqipërisë dhe Kosovës”, shpjegoi Anusiç në X.
Mosmarrëveshja nisi pasi Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan Deklaratën e Përbashkët të Bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes. Deklarata, së cilës mund t’i bashkohen edhe vendet e tjera, bën thirrje për përgjigje të përbashkëta ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të kërcënojnë qendrueshmërinë rajonale, deklaroi Ministria kroate e Mbrojtjes pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Por ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratislav Gasiç e quajti atë një “iniciativë provokuese” nga vendet fqinje. Nënshkrimi i memorandumit “pa konsultim me Beogradin paraqet konfirmim të korrektësisë së investimit strategjik në forcimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura Serbe”, tha Gasiç.
“Është një nismë provokuese e shteteve fqinje që është në kundërshtim me përpjekjet për të forcuar sigurinë rajonale”, shtoi ai.
Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla-Schëarz u përgjigj duke shkruar në X të mërkurën se ajo “dënon fuqishëm deklaratën kërcënuese të Serbisë” dhe akuzoi Beogradin se kërkon të vazhdojë “politikat e tij hegjemoniste në rajon”. Gërvalla-Schëarz shtoi se Serbia nuk mund të jetë faktor stabiliteti pa e njohur Kosovën.
Ministria e Jashtme e Kosovës gjithashtu i kërkoi Serbisë që të zbatojë marrëveshjet ekzistuese. Të dy vendet arritën një marrëveshje normalizimi të marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, në shkurt 2023.
Marrëveshja thoshte se ata duhet të “zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëri-tjetrin mbi bazën e të drejtave të barabarta” dhe të udhëhiqen nga “respektimi reciprok për pavarësinë, autonominë dhe integritetin e tyre territorial, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin”.
Marrëveshja mbetet kryesisht e pazbatuar deri më tani.
Kroacia: Nisma ushtarake me Shqipërinë dhe Kosovën, e hapur edhe për partnerët
Nisma e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, “është e hapur edhe për aleatë e partnerë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, që “duan të kontribuojnë në ndërtimin e stabilitetit, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajonin e Evropës Juglindore”.
Kështu e komenton Qeveria e Kroacisë Deklaratën e nënshkruar nga tri vendet, më 18 mars. Sipas saj, nismës mund t’i bashkohen të gjitha vendet që, po ashtu, duan t’i ofrojnë mbështetje Kosovës dhe Shqipërisë në rrugën e tyre evropiane dhe euroatlantike.
Qëllim i saj “nuk është krijimi i ndonjë aleance ushtarake”. “Një aleancë e tillë - përveç anëtarësimit në NATO - as që është e nevojshme”, theksohet në përgjigjen me shkrim të Qeverisë kroate, dërguar Radios Evropa e Lirë.
Ndryshe nga Shqipëria dhe Kroacia, Kosova nuk është anëtare e NATO-s.
Në reagimet e tij të para ndaj nismës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se me nënshkrimin e dokumentit, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova “kanë hapur një garë armësh në rajon” dhe “kanë shkelur marrëveshjen nënrajonale të vitit 1996”.
Kjo marrëveshje, e cila ka të bëjë me kuotat e lejuara në armatim, u nënshkrua atëkohë nga dy entitetet e Bosnje e Hercegovinës - Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska, si dhe nga Kroacia dhe nga Republika Federale e Jugosllavisë, e cila përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi.
Në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë, Qeveria kroate thotë se kjo marrëveshje është zbatuar vazhdimisht për 29 vjet. Ajo, po ashtu, kujton se as Shqipëria dhe as Kosova nuk janë palë në atë marrëveshje.
“Në këtë kontekst, është krejtësisht e kotë të lidhet me Deklaratën e përbashkët, të nënshkruar së voni ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, qëllimi kryesor i së cilës është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet ministrive të mbrojtjes të vendeve mike, partnerëve dhe aleatëve”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kroacisë.
Qeveria e Serbisë dhe Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se përse e shohin si kërcënim nismën e tri vendeve ballkanike.
Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, thotë se Beogradi zyrtar “e di fare mirë” se aleatët e NATO-s nuk mund të veprojnë në mënyrë të njëanshme kundër Serbisë. “Për më tepër, tri vendet e përmendura nuk paraqesin asnjë kërcënim për Serbinë”, thotë Serwer për Radion Evropa e Lirë.
Deklaratën e tri shteteve ai thotë se e sheh si “një lëvizje që kontribon në stabilitet, jo në destabilizim”. Ai vlerëson se Kosova ka vepruar “mençur” që ka lidhur partneritet me Shqipërinë dhe Kroacinë, të cilat janë vende anëtare të NATO-s. NATO-ja e komentoi gjithashtu Deklaratën, duke e cilësuar si marrëveshje trepalëshe mes tri vendeve.
“NATO-ja, si organizatë, nuk është pjesë e iniciativës dhe, për këtë arsye, nuk ka pasur ndonjë rol në procesin e konsultimit”, thuhet në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë.
Pse e pengon Beogradin?
Vuk Vuksanoviq, studiues në Qendrën joqeveritare të Beogradit për Politikat e Sigurisë, thotë se zyrtarët në Beograd po e përdorin Deklaratën “për të larguar vëmendjen” nga problemet e brendshme. Ai aludon te protestat masive që kanë përfshirë Serbinë për më shumë se katër muaj. Protestuesit, të udhëhequr nga studentët, kërkojnë përgjegjësi politike dhe penale për vdekjen e 16 personave nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, nëntorin e kaluar.
Vuksanoviq thotë se Beogradi e konsideron pjesëmarrjen e Zagrebit si veçanërisht “provokuese”. “Unë nuk mendoj se ka të bëjë aq shumë me Shqipërinë, marrë parasysh se Vuçiq ka, ose së paku ka pasur një marrëdhënie mjaft bashkëpunuese me kryeministrin Edi Rama”, thotë ai.
Megjithatë, për ministrin serb të Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, memorandumi trepalësh është “një nismë provokuese e vendeve fqinje, që bie ndesh me përpjekjet për forcimin e sigurisë rajonale”.
“Kosova dhe Metohia është një krahinë autonome brenda Republikës së Serbisë, pa marrë parasysh faktin se disa vende, përfshirë Shqipërinë dhe Kroacinë, e kanë njohur pavarësinë e saj të paligjshme dhe të vetëshpallur”, ka thënë Gashiq.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por ajo vazhdon të mos njihet nga Serbia. Sipas Gashiqit, Zagrebi dhe Tirana ka kohë që përpiqen ta fusin Kosovën në NATO “përmes derës së pasme”. Po sipas tij, këto dy vende po e ndihmojnë zhvillimin e Ushtrisë së Kosovës, të cilën Serbia e konsideron të paligjshme. “Qartazi, një skenar i tillë nuk është i pranueshëm për vendin tonë”, ka thënë Gashiq.
Çfarë thuhet në Deklaratë?
Deklarata për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës i ka katër pika. E para i referohet promovimit të bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes - për të rritur gatishmërinë ushtarake.
Deklarata, gjithashtu, flet për përmirësimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe trajnimit të personelit ushtarak, në përputhje me trajnimin dhe politikën e ushtrimeve në NATO dhe BE.
Një nga pikat e Deklaratës ka të bëjë edhe me shkëmbimin e informacioneve dhe të inteligjencës, si dhe me hulumtimin e mundësisë për t'iu përgjigjur një game të gjerë kërcënimesh të mundshme. Aty theksohet, po ashtu, përputhja e politikës dhe qëndrimeve me ato të institucioneve euro-atlantike të sigurisë, si dhe detyrimi për të bashkëpunuar dhe për t’u koordinuar, me qëllim të integrimit të plotë të Kosovës në nismat rajonale të sigurisë.
Cila është forca ligjore e Deklaratës?
Vuksanoviq thotë se kjo nuk është një marrëveshje tipike ndërshtetërore, sipas rregullave të së drejtës publike ndërkombëtare. “Memorandumet për bashkëpunim nuk janë ligjërisht të detyrueshme në natyrë”, sipas tij. Ai thekson se kjo është një marrëveshje nënrajonale midis dy anëtarëve të NATO-s me një palë të tretë - Kosovën. Pjesëmarrjen e Kroacisë, ai e sheh si përpjekje për të arritur pikë politike në planin rajonal.
Cilin shohin si kërcënim Zagrebi, Tirana dhe Prishtina?
Në përgjigjen dhënë REL-it, Qeveria kroate thekson se bashkëpunimi në mbrojtje midis Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës është “i cilësisë së lartë” dhe se Deklarata ka synim vetëm ta përmirësojë atë.
“Zona e Evropës Juglindore është e ekspozuar ndaj kërcënimeve të sigurisë, veçanërisht atyre nga fusha hibride dhe kibernetike, qëllim i të cilave është destabilizimi i rajonit”, thuhet në Deklaratë. Aty nuk specifikohet se nga vijnë kërcënimet.
Kush është “faktor i paqes dhe stabilitetit” në rajon?
Përveç kundërshtimit të Deklaratës, zyrtarët serbë kanë përsëritur vazhdimisht se Beogradi mbetet i përkushtuar ndaj ruajtjes së paqes dhe stabilitetit rajonal. Kështu, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka thënë se, për këtë interes, do të vazhdojë të bashkëpunojë me vendet anëtare të NATO-s. Por, profesori Serwer thotë se “gara e vetme” e armëve në rajon, është ajo që udhëheq Serbia për vite me radhë.
“Serbia nuk është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Vuçiçi, thjesht, i mashtron diplomatët naivë”, thotë ai. Serwer shton se Beogradi vazhdon të refuzojë zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën, si dhe t’i ofrojë mbështetje politikës secesioniste në Republikën Sërpska, të udhëhequr nga Millorad Dodik.
Po sipas tij, pushteti në Beograd, i cili nuk i ka ndërprerë lidhjet me Kremlinin as pas pushtimit rus të Ukrainës, inkurajon politika proruse si në Serbi, ashtu edhe në Mal të Zi.
“Asnjë nga këto nuk kontribuon në paqe dhe stabilitet”, përfundon Serwer.
Raport i përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 196 reads