Serbia nën trysni nga komuniteti perëndimor - Vuçiçi
Në muajin prill në OKB mund të paraqitet një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë
Voa-SHJ
28/03/2024 - 07:15
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, kritikoi të premten ashpër perëndimin për qasjen ndaj Kosovës së cilës i është bërë ftesë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës dhe Republikën Serbe në Bosnjë, duke paralajmëruar se në muajin prill në OKB mund të paraqitet një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë.
Në një konferencë të gjatë shtypi në Beograd, ai foli me tone shpesh të rrepta ndërsa u përpoq të shpjegojë paralajmërimin e bërë më 26 mars për ditë të vështira për Serbinë dhe lajme, “që kërcënojnë drejtpërdrejt interesat tona jetike kombëtare, si të Serbisë ashtu edhe të Republikës Serbe”.
Ai tha të premten se Serbia dhe populli serb ndodhen nën trysni nga komuniteti perëndimor “në radhë të parë për shkak të neutralitetit tonë ushtarak, qëndrimit tonë ndaj konfliktit në Ukrainë dhe mosbashkimit me sanksionet kundër Rusisë. Arsyeja e tretë, që lidhet me dy të mëparshmet, është se vendet perëndimore ndiejnë shumë trysni për shkak të përparimit të forcave ruse dhe pasigurisë se si do të përfundojë luftë si dhe nën trysni nga politikat e mundshme të ardhshme nga Moska që do të mbështeten në atë që shpesh quhet precedent i Kosovës”.
Perëndimorët tha ai, po nguten t’i heqin shembullin e Kosovës nga duart e presidentit rus, Vladimir Putin.
Ai kritikoi vendimin e Komisionit për politikë dhe demokraci të Këshillit të Evropës për t’i hapur rrugën e anëtarësimit të Kosovës në këtë këshill dhe posaçërisht raportuesen për Kosovën, Dora Bakoyanis, e cila tha se Kosova i ka përmbushur kushtet për t'u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Ai theksoi se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pëprarësi e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër, ndërsa raportuesja e hoqi si kusht nga raporti i saj për Këshillin e Evropës.
“Dora – turp të kesh”, tha ai.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës me 18 prill, dhe më pas çështja kalon ne Këshillin e Ministrave të këtij mekanizmi.
Serbia votoi kundër, ndonëse sipas ndonëse në marrëveshjen e arritur një vit më parë në Bruksel dhe në Ohër, të dyja palët zotohen se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.
Presidenti serb i vlerësoi të vështira bisedimet rreth ndalimit përdorimit të dinarit serb për pagesa të gatshme në Kosovë. Ai tha se Serbisë po i kërkohet t’ia “shesë” ndonjë banke private bankën serbe, Kursimorja e Postës. Serbia tha ai, “nuk mund dhe nuk do të pranojë heqjen e dinarit” nga përdorimi në Kosovë.
Ai përmendi bllokimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë si dhe rrugën e zgjedhur nga autoritetet në Prishtinë për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.
Ai e vlerësoi ndërkaq shumë të ndërlikuar situatën në Republikën Serbe në Bosnjë duke paralajmëruar se në fund të muajit prill në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara pritet të vihet në rend dite rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.
“Kjo ndodhë për dy arsye: një është që populli serb të dënohet për politikën e tij të pavarur e liridashëse dhe të shtohet trysnia për shkak të Kosovës”, tha ai duke shtuar se nëse një rezolutë e tillë miratohet, atëherë do të kërkojnë që Serbia të paguajë dëmet e luftës.
Mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, nga forcat serbe.
Ai tha se perëndimorët po nguten për shkak të zgjedhjeve në Amerikë dhe posaçërisht për shkak të asaj çfarë po ndodhë në Ukrainë.
“Neve kjo na vë në pozitë shumë të vështirë sepse synojmë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe nga kjo rrugë nuk kemi hequr dorë”, tha presidenti serb.
Këshilli` Evropës çel rrugën për anëtarësimin e Kosovës
Me 31 vota për, katër vota kundër dhe një abstenim, komisioni rekomandoi që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.
Pas vendimit të Komisionit, Asambleja parlamentare pritet të votojë gjatë muajit prill ndërsa vendimi përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës pritet në muajin maj, në Këshillin e Ministrave të këtij mekanizmi. Në një deklaratë të publikuar nga Komiteti thuhet se ai mirëpret një listë të gjerë të zotimeve të bëra me shkrim nga autoritetet e Kosovës dhe vë në dukje se “anëtarësimi do të çonte drejt forcimit të standardeve të të drejtave të njeriut duke siguruar qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të gjithë ata që janë nën juridiksionin e Kosovës”.
Sipas Komitetit, anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i mundësonte Kosovës të vazhdojë të bëjë përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit dhe të trajtojë sfidat e pazgjidhura dhe çështjet shqetësuese.
Komisioni e vlerësoi si “një përparim të madh” zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e manastirit të Deçanit, duke nënvizuar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, që do të ndihmonte për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës dhe që shpronësimet duhet të kryhen “me respektimin më të rreptë të ligjit” dhe në përputhje të plotë me planin e (Martti) Ahtisaarit.
Komisioni tërheq vërejtjen për rrezikun e dhunës së mundshme në Kosovë ndërsa thekson se siguria do të varet nga “mbrojtja e të drejtave të komunitetit serb, shtensionimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
“Duke pranuar “rrethanat e papashembullta” të aplikimit, duke pasur parasysh se një numër vendesh anëtare të Këshillit të Evropës nuk e njohin Kosovën si shtet, komiteti bëri thirrje për “diplomaci, dialog dhe kompromis” dhe ftoi Komitetin e ministrave të sigurojë që anëtarësimi i Kosovës të jetë “pa paragjykim ndaj qëndrimeve të shteteve anëtare individuale sa i përket shtetësisë së Kosovës”, thuhet në deklaratën e Komisionit për politikë dhe demokraci të Asamblesë Parlamentare duke nënvizuar se komisioni do të vëzhgojë Kosovën për të siguruar respektimin e zotimeve dhe detyrimeve që nga anëtarësimi i saj.
Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës në prill të vitit 2022.
Procesi ishte bllokuar për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pronave të Manastirit të Deçanit. Dy javë më parë qeveria e Kosovës njohu pronën prej rreth 24 hektarësh të manastirit, duke i hapur rrugën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se autoritetet “do të vazhdojnë të punojmë me aleatët për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të kenë të drejtë në instrumentet e Këshillit të Evropës përmes anëtarësimit të plotë të Kosovës”.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme Kreshnik Ahmeti, shkroi në rrjetet sociale se “të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”.
Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë këshill dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar edhe mundësinë e largimit të saj nëse Kosova bëhet anëtare, ndonëse në marrëveshjen e arritur një vit më parë në Bruksel dhe në Ohër, të dyja palët zotohen se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.
Këshilli i Evropës, themeluar në 1949 është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.
Malizi kundërshtoi anëtarësimin
Votimi kundër raportit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nga përfaqësuesja e Malit të Zi në Komisionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit për politikën dhe demokracinë, shkaktoi reagime të ashpra tek opozita në Malin e Zi.
"Vota e kryetares së delegacionit malazez Maja Vukiçeviç, e cila është përfaqësuese e partisë pro-ruse dhe pro-serbe, kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës mund të mbrohet me tezën se veprimi i çdo deputeti është i pavarur, por nuk mund të mbrohet nga fakti se një votim i tillë do të dëmtojë para ndërkombëtarëve reputacionin dhe politikën e jashtme të Malit të Zi”, tha deputeti i Partisë Social demokrate në opozitë, Milosh Gjuriçkoviç.
Zoti Gjuriçkoviç tha se një qëndrim i tillë shkakton shqetësim sepse vjen nga deputetja Vukiçeviç, e cila përfaqëson partinë e shumicës parlamentare dhe sipas paralajmërimeve së shpejti do të jetë pjesë e qeverisë.
Deputeti i opozitës Gjuriçkoviç, vuri në dukje se votimi kundër i deputetes Vukiçeviç, si dhe veprimet e kryetarit të parlamentit, Andrija Mandiç, dërgojnë mesazhin se Mali i Zi nuk është partner i besueshëm dhe se politika e jashtme e Malit të Zi nuk është më në përputhje me politikën e jashtme të BE-së.
Edhe Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit Milo Gjikanoviç ka reaguar ndaj votimit kundër të deputetes malazeze në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Përfaqësuesi i kësaj partie Milosh Nikoliç tha në platformën X se Ministria e Jashtme duhet të sqarojë qëndrimin e saj.
"A i mbështet qeveria këto pikëpamje dhe a ka Mali i Zi një politikë të jashtme të bashkuar?”, thuhet në postimin e tij.
Kjo sipas zotit Nikoliç dëshmon se partitë pro-serbe dhe pro-ruse janë ideologë të qeverisë së re dhe se ky gjest do të dëmtojë marrëdhëniet në rajon.
Hovenier: Urgjenca e integrimeve euroatlantike për Kosovën është e qartë dhe e dukshme
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të mërkurën se integrimi euroatlantik i Kosovës është rruga për të garantuar siguri e përparim duke nënvizuar se qëndrueshmëria në Ballkanin Perëndimor është thelbësore për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe, posaçërisht pas agresionit të Rusisë së Vladimir Putinit në Ukrainë.
“Për Kosovën, ne e kuptojmë se urgjenca e integrimeve euroatlantike është e qartë dhe e dukshme, është rruga për të garantuar siguri, përparim dhe liri demokratike që të gjithë qytetarët i dëshirojnë. Kjo është gjithashtu thelbësore për atë që ne të gjithë po përpiqemi të bëjmë së bashku, që është përparimi i sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon”, tha ambasadori Hovenier.
Ai i bëri këto komente gjatë një debati të organizuar nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Arkansasit për 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ajo ndërhyrje është dëshmi se kur komuniteti ndërkombëtar vepron i bashkuar dhe me vendosmëri, mund t’u bëjë ballë forcave të errëta dhe tiranisë.
“Fatkeqësisht këto forca të errëta janë ende shumë aktive edhe sot. Në çdo ditë që kalon Serbia nuk heziton të na kujtoj qëllimet e saj të vërteta. Serbia, aleatja e Rusisë në rajonin tonë, është e përkushtuar të kthej rajonin në vitet e ’90-ta. Serbia dhe aleatët e saj duan të zhbëjnë çdo gjë që kemi arritur përgjatë këtyre viteve. Ata mendojnë se sulmi ndaj Kosovës nuk është vetëm sulm ndaj një shteti fqinj, por edhe ndaj NATO-s, ndaj Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe sukseseve tona të përbashkëta si dhe kundër vlerave themeltare të komunitetit euroatlantik”, tha presidentja Osmani.
Me 24 mars të vitit 1999 NATO-ja filloi një fushatë bombardimesh ajrore kundër forcave serbe për t’i dhënë fund luftës në Kosovë që la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë dhe rreth 5 mijë të zhdukur.
Ambasadori amerikan Hovenier, ritheksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara që të mos lejohet asnjëherë më përsëritja e ngjarjeve të vitit 1999 në Kosovë.
“Ne mbesim të përkushtuar në mbështetje të misionit të NATO-s në Kosovë për qëndrueshmëri, KFOR-it. Kjo forcë numëron disa qindra trupa amerikane dhe unë nuk mund të mendoj për një qëndrim më të qartë, të dukshëm dhe përfundimtar të përkushtimit dhe synimit të Shteteve të Bashkuara”, tha ambasadori Hovenier.
E pyetur nga gazetarët mbi procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, presidentja Osmani tha se Kosova ka bërë çdo gjë që është kërkuar për të siguruar mbështetjen e shteteve anëtare.
“Janë disa hapa që kanë mbetur por çfarë mund të them është që të gjitha nivelet e institucioneve të Republikës së Kosovës janë angazhuar me deputetët e asambleve parlamentare, por edhe jemi duke biseduar me shtetet veç e veç, si presidente në veçanti jam e angazhuar me liderët e shteteve dhe siç e dini Kuvendi i Kosovës po punon me deputetët individual”, tha ajo.
Presidentja Osmani tha se anëtarësimi në këtë Këshill është i rëndësisë së posaçme meqë qytetarët në Kosovë janë të vetmit që ende nuk kanë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ajo hodhi poshtë pretendimet se Kosovës në këtë periudhë i kërkohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke theksuar se ky është një detyrim pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Reagime të tjera
Autoritetet në Kosovë mirëpritën vendimin e një dite më parë të Komisionit për politikë dhe demokraci të Këshillit të Evropës për t’i hapur rrugën e anëtarësimit të Kosovës në këtë këshill, ndërsa po kritikohet ashpër nga autoritetet në Serbi.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e cilësoi vendimin një arritje shumë të madhe për vendin.
“Tash qytetarët e Republikës mund ta kenë qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por përtej kësaj është tejet lajm i mirë për Evropën, për kombin shqiptar, për demokracinë që në këtë epokë gjeopolitike e historike, Federata Ruse është jashtë e Republika e Kosovës po hynë brenda”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë përpjekjet për anëtarësim edhe në institucionet tjera euro-atlantike. Por kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se hapja e rrugës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është meritë e punës së aleatëve të vendit.
“Është pozicion i qartë i aleatëve me avancu Kosovën, mendoj se përkundër pengesave që qeveria dhe kryeministri Kurti ua ka nxjerrë aleatëve, ata prapë se prapë arritën këtë rezultat, këtë sukses për Kosovën. Është krejtësisht punë e tyre”, tha zoti Haradinaj.
Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë këshill dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar edhe mundësinë e largimit të saj nëse Kosova bëhet anëtare, ndonëse në marrëveshjen e arritur një vit më parë në Bruksel dhe në Ohër, të dyja palët zotohen se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.
Ministri i jashtëm në detyrë i Serbisë Ivica Daçiç tha se vendimi i Komisionit Politik të Këshillit të Evropës është shkelje e drejtpërdrejtë të interesave shtetërore dhe cenim i tërësisë tokësore të Serbisë. Ndërsa shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha në një deklaratë se anëtarësimi i Kosovës “do të ishte një gjest armiqësor ndaj Serbisë”.
Dy delegatë të Serbisë dhe një nga Bosnja e një nga Mali i Zi, votuan dje kundër rekomandimit të Komisionit për t’i bërë ftesë Kosovës për anëtarësim, ndërsa 31 votuan në favor të rekomandimit.
Me 18 prill Asambleja parlamentare pritet të votojë për këtë rekomandim ndërsa vendimi përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës pritet në muajin maj, në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës.
Komiteti tha pas votimit se mirëpret një listë të gjerë të zotimeve të bëra me shkrim nga autoritetet e Kosovës ndërsa nënvizoi se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, që do të ndihmonte për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës.
Komisioni tërhoqi vërejtjen për rrezikun e dhunës së mundshme në Kosovë ndërsa theksoi se siguria do të varet nga “mbrojtja e të drejtave të komunitetit serb, shtensionimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Raport i përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 111 reads