Shqiptarët si hebrejtë: “të vdekur të gjallë” në tallazet e jetës

Nëpërmjet hebrejes Viktoria, dhe shqiptarëve Adem Vrajollit, Bledar Prushit e Davidit, autori tërheqë një paralele të fateve të ngjajshme të popullit shqiptar me atë të hebrejve, të shpërndarë nëpër botë.
Adil Fetahu
25/02/2018 - 18:11
Gjetja e titullit për një libër është një mjeshtri e veçantë kur ai reflekton mirë fabulën e rrëfimit që përmban libri. Romani i Ibrahim Kadriut që në titull, “Të vdekurit e gjallë”, të jep asociacionin e gjendjes së një kontradikte natyrore të personazheve të caktuara. Edhe motua në hyrje të romanit, “Luftën e bëjnë heronjtë, qeverisin maskarenjtë dhe fitojnë horrat”, është një bashkëshoqërues i gjendjes aktuale në Kosovë. Janë tre personazhe kryesore të romanit, të cilët ishin shpallur të vdekur, për të cilët ishte mbajtur “e pamja”, bile për njërin (Bledar Prush, alias Safet Proja,) ishte ngritur lapidar dhe ishte shpallur hero i luftës së UÇK-së. Fatmirësisht që të tre ishin gjallë. Kështu, Ibrahim Kadriu ka ndërtuar ngrehinën e romanit prej 285 faqesh, të ndarë në 20 kaptina: Derr shqiptari; Mirela; Në një dhomë bodrumi; Vdekja e shpallur; Adoptimi; Durimi si virtyt; Pas pesëdhjetë vjetësh; Te “Kafe Carica”; Armët në Beograd; Më mirë pelë se debil; Vdekja; Denoncimi i krimeve; rrugëtimi i paramenduar; Të vrarë dhe të djegur; Aksidenti; Në kërkim të lindjes; Njëzetetre vjet kërkim; Përballja me kriminelët; Drejt Prishtinës; Aktakuzat.
Njëri nga personazhet “i vdekur i gjallë” është Adem Vrajolli nga Braina e Karadakut, i cili kishte dezertuar nga ushtria serbe para luftës së dytë botërore dhe pas shumë peripecive kishte arritur të dalë në Turn Severin (Rumani). Dhe, pas 50 vjetëve kishte dërguar një letër në vendlindje. Dy djem të rinj, kushërinjë të Ademit shkojnë e vizitojnë në Rumani, dhe ky bashkë me ta vjen në vendlindje, ku gjenë të gjallë vetëm motrën më të voglën.
Personazhi tjetër “i vdekur i gjallë”, i lindur shqiptar, i rritur serb dhe i kthyer përsëri në shqiptar, është Davidi (alias Diellori). Historia e tij është e dhimbshme, por fundi është i lumtur. Prindërit e Davidit, Agoni e Mirela Dreni nga Prishtina, kishin qenë në Hotelin “Park” në Paliç (Vojvodinë), për të pritur vitin e ri 1987. Në spitalin e Paliçit Mirela pati një lindje të parakohshme. Foshnjën e regjistruan me emrin Diellor dhe e fusin në inkubator, ndërsa çifti kthehet në Prishtinë. Më pas nga spitali i lajmërojnë se foshnja e tyre ka vdekur. Mirëpo, e vërteta ishte se foshnja nuk kishte vdekur. Diellorin më vonë e kishte birësuar një çift nga Novi Sadi, i cili nuk kishte fëmi të vetin. “Prindët” e ri të Diellorit ishin serbi Radomir Petriç dhe çifutja Viktoria. Ata ia ndërruan emrin Diellorit dhe e quajtën David. Jeta e Davidit në atë familje të varfër ishte një skëterrë, sepse përveç varfërisë, “babai” Radomiri ishte një pijanec kronik, i pështirë, i cili keqtrajtonte edhe Viktorian edhe Davidin, derisa ky u bë njëzetetre vjeç. Bile, duke shprehur ndjenjën nacionaliste, Davidin e quante “derr shqiptari”, për ta krahasuar kështu me kafshën më të ndytë. Davidi nuk e kuptonte përse e quante ashtu. Ky shoqërohej me një vajzë rumune (Mirela), e cila studionte anglishten në Novi Sad, e që më vonë u mësua se ajo ishte me prejardhje shqiptare; ishte mbesa e Adem Vrajollit nga Braina e Karadakut. Davidi e pyet Mirelën, a njeh ndonjë shqiptar dhe si duken ata, dhe Mirela i tregon se e njeh një të tillë (duke menduar për Bledarin), dhe se do t’i takojë një ditë.
Personazhi i tretë dhe kryesori është Bledar Prushi, me një përvojë tragjike. Ishte pjesëtar i UÇK-së, por ende nuk kishte marrë pjesë në ndonjë aksion. Në një vrasje masive në fshatin e tij, Bledari, që atëherë quhej Safet Proja, kishte shpëtuar. Kur e kapi policia, meqë nuk kishte dokumente identifikimi, e keqtrajtojnë fizikisht dhe e fusin në Burgun e Dubravës. Atyre u thotë se quhet Bledar Prushi, dhe ai emër i mbeti përgjithmonë. E dënojnë 4 vjet burgim, dy prej të cilëve i vuan në Dubravë, dhe pas masakrës që ndodhi aty në maj 1999, e transferojnë në burgun e Mitrovicës së Sremit, prej nga lirohet pas dy vjetëve. Sa ishte në burg, kishte dëgjuar nga lajmet në radio, se si kriminelët ia kishin vrarë gjithë familjen dhe i kishin djegë shtëpinë bashkë me kufomat. Prej atyre lajmeve, kishte dëgjuar se si e kishin konstruktuar ngjarjen e vrasjes së Safet Projës, kinse ishte vrarë heroikisht në luftë me armiqtë. Për këtë, Safetin e kishin shpallur hero, ia kishin ngritur lapidarin në oborrin e shtëpisë dhe me rastin e inaugurimit, “bashkëluftëtarët” flisnin për bëmat dhe heroizmat e tij. Nga lajmet gjithashtu dëgjonte se si pas luftës (në Kosovë) kishin zënë pozita e pasuri njerëz të dyshimtë e të mistershëm, pa merita e pa asnjë ditë përvojë pune, bash në frymën e asaj thënies së Viktor Hygos se: “Luftën e bëjnë heronjtë, qeverisin maskarenjtë dhe përfitojnë horrat”, prandaj vendosë të mos kthehet më kurrë në Kosovë as të mos lajmërohet se është gjallë!
Duke u sjellë rrugëve të Novi Sadit, Bledar Prushi takohet me Mirelën, pastaj me Davidin, dhe ndonjëherë së bashku shkonin të hanin akullore në një ëmbëltore të një shqiptari. Mirela i kishte treguar Bledarit se gjyshi i saj, i cili kishte vdekur në moshën 92 vjeç, kishte qenë shqiptar, ndërsa Davidi i kishte treguar për jetën e vështirë që bënte, i keqtrajtuar nga “babai” pijanec kronik, dhe nuk e dinte përse e quante “derr shqiptari”. Një ditë Bledari shpëton një njeri që po mbytej në Danub, dhe çon në banesën e të shpëturit. Ai ishte një avokat (Desimir Ristiç). Duke pirë kafe në banesën e avokatit, Bledari i tregon për gjendjen dhe hallin e banimit. Në shenjë falënderimi për shpëtimin, avokati i ofron Bledarit, pa pagesë dhe pa kufizim në kohë, një kthinë në bodrumin e banesës, dhe i thotë t’i rrëfejë çdo nevojë që të ketë.
Në “Kafe Carica”, “babai” i Davidit (Radomir Petriç) shoqërohej dhe pinte me tre kriminelë të luftës, pijanecë kronikë (Zoran Mariç, Gojko Bazhdareviç dhe Nikolla Gavella), të cilët lavdëroheshin se si kishin vrarë, dhunuar e masakruar njerëz në Kosovë. Radomiri shënonte fshehurazi çfarë flisnin ata, në një fletore që e mbante si ditar. Edhe kamarieri (Stojkoviç) i kishte inçizuar fshehurazi lavdërimet e kriminelëve. Pas një zënke dhe rrahje që pati “babai” i Davidit me kriminelët, tërhiqet nga ajo shoqëri e keqe, i denoncon ata në polici për ato që kishin pohuar vet, dhe nisi të sillet mirë me Viktorinë e me Davidin, duke e quajtur “biri im”, e jo “derr shqiptari”, siç e quante më parë. Por kjo nuk i zgjati shumë, pasi pas dy ditëve u gjet i vdekur, nga një sulm në zemër, në rrugë të Novisadit. Në varrimin e Radomirit mori pjesë edhe Bledar Prushi, ku kishte njohur kriminelin Zoran Mariç, nga rasti i Burgut të Dubravës. Me qenë se Davidi e kishte njoftuar Bledarin për denoncimin që u kishte bërë “i ati” kriminelëve, Bledari që e njihte njërin prej tyre, ofrohet si dëshmitar - se do të bisedonte me avokatin (Ristiç) për ta përfaqësuar palën paditëse në gjykatë. Avokati pranon, pavarësisht se çështja ishte komplikuar, pasi denoncuesi kishte vdekur. Por, fletorja-ditar e Radomirit, inçizimet e kamarierit dhe dëshmia e Bledarit, sidomos një fotorafi e kriminelit Zoran Mariçit që e kishte Bledari nga gazeta, ndikoi që gjykata të kishte prova të mjaftueshme dhe i dënoi kriminelët.
Davidi zbuloi indenitetin e vet dhe të prindërve të tij nga arkivi i spitalit në Paliç dhe bie në kontakt me telefon me të atin (Agonin) dhe merret vesh që të takoheshin në Beograd (në hotel “Sllavija”). Pas bisedës njoftuese për gjendjen reciproke, të dy bashkë kthehen në Prishtinë, në një ambient të mrekullueshëm e të ngrohtë familjar, ku ishte edhe nëna e vërtetë, një motër (Dafina) një vëlla (të cilit ia kishin lënë emrin Diellor, sipas Diellorit të parë të cilin e kishin lënë në inkuabor në Paliç). Davidi kërkon nga prindërit që ta merrnin për të jetuar bashkë edhe “nënën” Viktoria, e cila kishte mbetur e vetmuar, e plakur dhe e sëmurë. Kur kthehet për ta marrë “nënën” Viktoria, takohet me Bledarin, i cili i tregon se Mirela ishte lënduar në një aksident rrugor dhe ishte kthye për shërim në Rumani. Bledari përshëndetet me Davidin e Viktorian dhe u thotë se do të shkojë për ta vizituar Mirelën e për të jetuar në Rumani, dhe se kurrë më nuk do të kthehet prej andej.
Kjo është fabula e romanit, në pikat më të shkurtëra të mundshme për ta përmbledhur tekstin prej njëzet kapituj e 285 faqe. Hollësirat e tjera i mësoni poqe se e lexoni vetë, ndërsa unë ju garantoj se do të ndjeni një kënaqësi leximi, e që jo vetëm unë, por as edhe shumë më të zgjuarë se unë, nuk dijnë të shpjegojnë se nga buron kjo kënaqësi ‘misterioze’ e leximit të librave.
Romani i Ibrahim Kadriut “Të vdekrit e gjallë”, tematikisht lidhet me fatet (fatkeqësitë) e njerëzve. Nëpërmjet hebrejes Viktoria, dhe shqiptarëve Adem Vrajollit, Bledar Prushit e Davidit, autori tërheqë një paralele të fateve të ngjajshme të popullit shqiptar me atë të hebrejve, të shpërndarë nëpër botë. Fatet e tyre i shtjellon me konotacione historike, sociale dhe politike. Përmes rrëfimit për shpalljen e Safet Projës hero dhe ngritjen e lapidarit, autori dëmkos menalitetin e gënjeshtrës. Përmes narracionit letrar të botës së brendshme të personazheve, autori bënë edhe histori për ngjarjet dramatike e traumatike: krimet e luftës në Kosovë. Dy personazhet kryesore: Bledari e Davidi, janë dy shtyllat kryesore të romanit, ndërsa jo pak interesante janë edhe personazhet dytësor që ndërtojnë tablon jetësore. Ngjarjet zhvillohen në kohë e hapësirë të ndryshme; prej para Luftës së Dytë Botërore, deri në ditët e sotme, dhe prej Kosovës, në Vojvodinë e Rumani. Në atë kohë e ato hapësira, romani përmbanë edhe emra të përveçëm realë të vendeve . Jeta e njeriut është një urë që qëndron mbi tre këmbë: fizike, mendore dhe shpirtërore. Kur i lexon rrëfimet në roman, përjetime të marra (edhe) nga realiteti i ngjarjeve dramatike, të shfaqen para syve vendi i ngjarjes dhe personazhet, dhe të dhemb shpirti. Të gjitha këto autori i shtjellon përmes personazhit të Adem Vrajollit, i cili takon motrën pas pesëdhjetë vjetëve, apo Davidit, që takon prindët e vërtetë pas njëzetetre vjetëve, dhe Bledarit (al.Safet Projës) i cili i vrarë shpirtërisht vendosë të mos kthehet më kurrë në atdhe as të mos e kthejë emrin e vërtetë. Po në këtë roman autori nuk lë pa ngritur edhe problemet shoqërore e konfliktet sociale aktuale në Kosovë, karakteret e njerëzve, ku në pozita të rëndësishme kanë ardhur njerëz pa merita, kopukë, maskarenjë e horra, pa dije e pa përvojë, ndërsa bashkëpunëtorë të dikurshëm të okupatorit sot janë “transformuar në patriotë”! Pasqyrohen në këtë roman edhe krimet serbe që janë kryer në Kosovë, lëvizjet ilegale, personalitete të asaj lëvizje.
Autori do të mund të më thoshte se nuk kam qenë i vëmendshëm në leximin e romanit, po të mos i gjeja edhe ndonjë “behane”. Ka një mospajtim teknik në datëlindjet e Davidit, që nuk është sqaruar (fq.65, shkruan datëlindja 1 janar 1982), ndërsa në fq.167, e 236 figuron data 2 janar 1987, e në fq.219 data 3 prill). Kjo nuk ka kurrëfarë përkatësie në cilësinë letrare të romanit. Tematika e romanit është aq serioze sa që autori nuk ka marrë mundimin ta melmojë me humor, çfarë di ai të bëjë, as me ndonjë aventurë dashurie, edhe pse i avitet në “zgrip” për një të tille, kur Bledar Prushi çau dru te një zonjë, e cila e kishte burrin debil, ndërsa Bledarin e barti me veturë, dhe pyeti “a di edhe punë të tjera pos çarjes së druve, dhe ku do ta gjente nëse i nevojitej tjetërherë për ndonjë punë”?, e të mos flasim për Mirelën, së cilës “ia kishte vu syrin” seriozisht, sa që vendosi të shkojë pas saj e të vendoset për gjithmonë në Rumani. Këtu autori “ka hyrë në gjynah” me zonjën që nuk e ka zhvilluar më tutje një aventurë dashurie; por duket se këtë e ka bërë për ta ruajtur moralin e shqiptarit (Bledarit).
Ibrahim Kadriu është një shkrimtar me penë të mprehtë në prozën shqiptare, dhe jo vetëm në prozë, por i afirmuar edhe në gjinitë e tjera letrare. Deri më tash ka botuar afro gjashtëdhjetë vepra në prozë, poezi drama, dhe është nderur me çmime të ndryshme letrare, në Kosovë e në Shqipëri. Shumë poezi e fragmente të prozës së tij janë botuar në gjuhë të tjera (frëngjisht, gjermanisht, rumanisht, turqisht, italisht, anglisht, serbisht, madje edhe arabisht), dhe kanë gjetur vend në më se njëzetë antologji.
(Ibrahim Kadriu: “TË VDEKURIT E GJALLË”, botoi KOHA, Prishtinë, dhjetor, 2017)
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 54 reads