Veçimi racial në shkolla nga qeveria “Rama” merr përmasë kombëtare dhe shton shqetësimet
Dukuria jo vetëm nuk u pakësua me masa konkrete, por tashmë është përhapur në disa rajone si Shkodra, Korça, Elbasani dhe Berati, edhe është bërë tashmë një shqetësim në shkallë kombëtare.
Voa
15/08/2024 - 22:00
Në Shqipëri Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi po harton aktualisht, në bashkëpunim me ekspertë të Këshillit të Evropës, një studim fizibiliteti për të shmangur veçimin e nxënësve nga pakicat kombëtare në një shkollë të Korçës. Gjykata e Strasburgut shpalli fajtor shtetin shqiptar dy vjet më parë për shkelje të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, mbi ndarjen e fëmijëve romë dhe egjiptianë në një shkollë të Korçës, si dhe për moszbatimin e masave të shpejta dhe gjithëpërfshirëse për të shmangur këtë dukuri. Dukuria jo vetëm nuk u pakësua me masa konkrete, por tashmë është përhapur në disa rajone si Shkodra, Korça, Elbasani dhe Berati, edhe është bërë tashmë një shqetësim në shkallë kombëtare.
Edhe sot dy vjet pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut që fajësoi shtetin shqiptar mbi veçimin e fëmijëve në një shkollë të Korçës, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, thotë për Zërin e Amerikës se gjendja atje vazhdon të mbetet e njëjtë: me pjesëmarrje maksimale vetëm të fëmijëve romë dhe egjiptianë, me cilësi të ulët në mësimdhënie, ndërsa masat kundër kësaj ndarje janë të papërfillshme.
Kjo është arsyeja që komisioneri bashkë me ekspertë të Këshillit të Europës po hartojnë një studim fizibiliteti mbi masat gjithëpërfshirëse për fëmijët shqiptarë dhe ata nga pakicat kombëtare, për të përmirësuar situatën në atë shkollë të Korçës, masa, që sipas tij, nevojitet të shtrihen në të gjithë vendin, sepse kjo dukuri është shtrirë edhe në shumë krahina të tjera.
“Fatkeqësisht dukuria është e përhapur pothuajse në të gjithë Shqipërinë, përveç ndonjë bashkie, ku nuk ka shumë komunitet rom dhe egjiptian. Pjesa më e madhe, sidomos qytetet e mëdha dukuria e veçimit është e përhapur. Problemi i dytë është që autoritetet, edhe të qeverisë edhe të bashkive përkatëse janë të informuara tashmë prej vitesh për situatën segreguese që ato kanë në realitetet e tyre dhe ne nuk shohim asnjë lloj përçapje serioze për t’u marrë me këtë problematikë”, thotë komisioneri Gajda.
Nga vëzhgimet e veprimtarëve dhe ankesat që i janë drejtuar komisionerit prej familjarëve romë dhe egjiptianë, del se ka shumë shkolla në vend që janë në rrezik veçimi dhe në kushte ndarje, për të cilat janë marrë vendime, ku kërkohet shmania e kësaj dukurie, që cënon të drejtat e njeriut, integrimin shoqëror, bashkëjetesën dhe diversitetin kulturor të vendit.
Zoti Gajda thotë për Zërin e Amerikës se në shkollat e mbushura maksimalisht vetëm me fëmijë romë dhe egjiptianë cilësia e mësimdhënies është e ulët dhe ato shkolla gjithmonë renditen të fundit në listat e rezultateve arsimore.
Madje në shkollat fillore me veçim të fëmijëve romë dhe egjiptianë, sipas tij, është e dukshme edhe prirja për t’i braktisur ato, për shkak të stigmës dhe anatemimit nga shoqëria përreth, një situatë që mund të ndryshojë së pari duke përdorur kriterin e vendbanimit, i cili është shkelur në masë të madhe, duke sjellë këto pasoja.
“Fëmijët romë ose egjiptianë regjistrohen vetëm në një ose dy shkolla të qytetit, të cilat tejmbushen me fëmijë romë dhe egjiptianë, ndërkohë që në shkollat e tjera të qytetit nuk ka fare fëmijë romë dhe egjiptianë, ose ka vetëm një ose fëmijë të regjistruar. Është një situatë ku disa shkolla të qytetit bëhen të papenetrueshme dhe të paaksesueshme për fëmijët romë dhe egjiptianë për një seri arsyesh, ndërkohë që disa shkolla të tjera tejmbushen nga fëmijët romë dhe egjiptianë”, thotë zoti Gajda.
Për Zyrën e Komisionerit kundër Diskriminimit shqetësim mbetet edhe numri i lartë i ankesave mbi mosfinancimin për t’u shkolluar fëmijët e familjeve në varfëri dhe me ndihmë ekonomike, ku hyjnë më së shumti pakicat rome dhe egjiptiane, të cilat janë përjashtuar nga bursat për mosbraktisjen e shkollës.
Një numër mjaft i ulët prej këtyre nxënësve të veçuar vazhdojnë shkollat e mesme dhe akoma më pak prej tyre ndjekin studimet universitare, duke i lënë këto komunitete jo vetëm pa shkollim të mirë por edhe pa zëra përfaqëues cilësorë si në mësuesi, shoqëri civile, organizata joqeveritare dhe pa specialistë në shkencat shoqërore për të bërë studime mbi gjendjen dhe zhvillimin e këtyre pakica kombëtare dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 12 reads