Zgjedhjet bashkiake bojkotohen masivisht ndërsa “Lëvizja Bashkë” kthehet në faktor politik
Dy janë lajmet kryesore pas zgjedhjeve bashkiake të vitit 2023: bojkotimi i tyre dhe faktorizimi i Lëvizjes Bashkë si force e re politike sepse megjithëse numërimi i votave s`ka mbaruar në Tiranë, ajo renditet e treta
Ylli Përmeti
15/05/2023 - 09:06
Ndërsa numërimi i votave s`ka mbaruar në bashkinë kryesore të Shqipërisë, Tiranë, Lëvizja Bashkë me kandidatin Arlind Qori renditet e treta – fakt që i siguron asaj hyrjen në parlament në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe e kthen atë në faktor politik në vijim. Himara ndërkohë paraqitet me garë shumë të ngushtë.
Por pjesëmarrja në zgjedhje është më e ulëta në historinë e zgjedhjeve të 30 viteve të fundit. Sipas të dhënave paraprake nga kryetari i Komisionit Qendrore të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirian Celibashi, pjesëmarrja në këto votime ishte rreth 34.7%, më e ulëta historike, me përjashtim të vitit 2019, kur zgjedhjet u bojkotuan nga opozita dhe si rrjedhojë shumë persona nuk iu drejtuan kutive të votimit.
Nga 3.65 milionë shtetas shqiptarë, që kishin të drejtë vote, sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, nëse kjo përqindje do të jetë përfundimtare, vlerësohet se në zgjedhjet vendore kanë votuar vetëm rreth 1.26 milionë persona, sërish numri më i ulët historik, me përjashtim të 2019-s. (shiko grafikun: Pjesëmarrja në zgjedhjet vendore).
Në zgjedhjet e përgjitshme 2021 votuan gjithsej 1.66 milionë persona, ndërsa në ato lokale 2015 rreth 1.61 milionë perona. Vetëm pak vite më pas janë rreth 400 mijë votues më pak, shifër që përkon dhe me të dhënat indirekte për emigracionin e lartë të viteve të fundit, sipas lejeve të qëndrimit që janë dhënë nga shtetet e Bashkimit Europian për shtetasit shqiptarë dhe rritjen e numrit të kërkesave për azil.
Rekordi i numrit të votuesve u arrit në vitin 2013
Numri më i lartë i votuesve është arritur në zgjedhjet e përgjitshme të vitit 2013, me 1.75 milionë votues, me një përqindje pjesëmarrjeje prej 53.5% (shiko grafikun: Pjesëmarrja në zgjdhjet e përgjithshme).
Ky është dhe rekordi i pas viteve `90 për numër votuesish, si për zgjedhjet e përgjithshme, ashtu dhe ato lokale. Ndërsa si përqindje ndaj totalit të votuesve, rekordin e mbajne vitet 1992 dhe 1996, me përkatësisht 90% dhe 80% të votuesve.
Në fillim të viteve 90, ndonëse popullsia ishte më e lartë sesa sot, numri i votuesve ishte më i ulët, për shkak të moshës së re. Për shembull, në vitin 1990, kishte të drejtë vote 62% e popullsisë banuese, ose 2 milionë persona, që ishin mbi 18 vjeç, sipas të dhënave të divizionit të popullsisë të Kombeve të Bashkuara. Në vitin 2021, kishte të drejtë vote 80% e popullsisë banuese në vend, ose 2.3 milionë persona, që ishin mbi 18 vjeç.
Sipas të dhënave të KQZ-së, në vitin 2023, numri i personave që kishin të drejtë vote arriti rekordin e pas viteve ’90, me 3.65 milionë persona.
Por siç tregon dhe grafiku “Pjesëmarrja në zgjedhjet vendore” numri i personave me të drejtë vote në raport me votuesit realë ka një korrelacion negativ, për shkak se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë në moshë votuese janë jashtë vendit.
Diferenca është theksuar ndjeshëm në 2023, me 2.4 milionë persona mes numrit të personave që kanë të drejtë vote dhe atyre që votuan realisht, nga 1.4-1.7 milionë, që ishte në periudhën 2000-2015, duke treguar thellim të emigraconit, në raport me 8 vite më parë. Monitor
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 28 reads