...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Bashkëjetesa, homoseksualizmi dhe ideologjia e Globalizmit

Periektiki Dimokratia

30/06/2017 - 13:36

“Dialogu” i fundit —ose më mirë propaganda— me pretekstin e projektligjit që paraqiti në kuvend qeveria e “majtë” lidhur me “Kontratën e Bashkëjetesës”, pasqyron në shkallën më të lartë, synimet e Elitës Mbikombëtare (E/M) dhe pasojat në nivel shoqëror dhe kulturor për popujt që integrohen ose janë në proces integrimi, në Rendin e Ri Botëror i cili administron globalizmin neoliberal. Siç e kemi analizuar herë pas here, globalizmi nuk lidhet vetëm me vartësinë ekonomike dhe rrjedhimisht dhe politike të popujve, domethënë zhdukjen e sovranitetit ekonomik dhe kombëtar, por njëkohësisht dhe me homogjenizimin kulturor, d.m.th., me zhdukjen e sovranitetit kulturor.

Kështu, në Greqi ku qeveria e “majtë” shet çdo burim ekonomik dhe çdo hapësirë publike që gjen përpara, çmonton çdo të drejtë pune dhe shoqërore dhe dorëzon ruajtjen e kufijve në duart e fuqive të jashtme duke e shndërruar vendin në protektorat, njëkohësisht shteron qasjen e saj “përparimtare” në...mbështetjen e “ideologjisë së globalizmit”. Domethënë, të ideologjisë së të “drejtave” e cila jo vetëm që nuk cënon sistemin e ekonomisë së tregut i cili e shndërron gjithë llojin njerëzor në produkt oferte dhe shitje por përdor dhe lëvizjet e  identitetit në mënyrë që të imponojë këtë ideologji me ndihmën e borgjezisë së madhe të zvetënuar të elitës kulturore/mediadike dhe jo vetëm.

Institucionalizimi i ideologjisë së globalizmit përdoret si vegël për të zëvendësuar vet identitenin kulturor të popujve. Duke filluar nga ndjenja fetare dhe gjuha e një populli, deri te raportet historike dhe luftarake, traditën muzikore dhe vjershërore, elementët zakonorë etj...Justifikimi që përdoret është një tjetër shtrembërim: gjoja lufta midis “përparimit“ dhe “konservatorizmit”, ku ‘përparimtar’ është çdo argument që është i përputhshëm me ideologjinë e globalizmit për të “drejtat” dhe “reaksionar”, për mos të thënë qendrim “fashist” ose “racist”, çdo argument që e kundështon atë! Por —veçanërisht në Greqi— kur i referohemi ndjenjës fetare të popullit, nuk i referohemi sigurisht vetë fesë, për të cilën kemi shprehur analitikisht qendrimin tonë në raport me racionalizmin demokratik në të cilin besojmë, i cili është kundër çdo besimi fetar ose dogme iracionale.

Qendrimet tona fundja u vërtetuan solemnisht me ngritjen e totalitarizmave të llojeve të rinj bazuar te feja (ISIS etj.).[1] Dhe i referohemi ndjenjës fetare të popullit, e cila —e duan apo s`e duan disa— ka formuar karakteristikat e veçanta të popullit, sipas qëndresave nga poshtë që janë zhvilluar në kohë,[2] dhe luan rol përmbajtësor me dinamikën kulturore që buron nga ajo, që dikur edhe nga radhët e “shenjtërisë” ka dhënë luftëtarë që guxuan në kohë kritike për vendin si në luftën nacional-çlirimtare të “EAM-ELAS-it”. Pra, i referohemi ndjenjës fetare si komponent i kulturës sonë, si dhe komponentë të tjerë të njëjtë si gjuha jonë, muzika jonë popullore etj. Dhe është pikërisht kultura jonë synimi i drejtëpërdrejtë i E/M me qëllim rrafshimin tonë si popull që të përfundojmë një lloj qulli “evropian” lehtësisht të administrueshëm prej saj. Sot e vetmja “betejë” në të cilën mund të zgjerohen mbrojtësit e të drejtave është beteja e vet E/M për homogjenizimin kulturor dhe për kujtesë të tjetërsueshme historike. Kështu, kur një popull ka histori të tjetërsuar, të rishkruajtur nga “filohedonistë” të ndryshëm, (“Flamburarët”, “Repushët” etj.), dhe të tjetërsuar identitetin e tij kulturor, ai është i gatshëm për t’u integruar plotësisht në Rendin e Ri Botëror të globalizimit neoliberal.

Gjithë propaganda që shoqëroi lëvizjen “përparimtare” të SYRIZA-s —e cila nuk është asgjë tjetër veçse zbatimi i legjislacionit përkatës që imponon E/M ndaj shteteve anëtare të saj— u shoqërua me një sërë pasaktësish historike dhe mite të mbështetura në përfundime të rreme shkencore dhe teori idiote të cilat supozohet se mbrojnë shumatoren e pakicave. Por në thelb përcaktojnë të drejtën e pakicave për zgjedhje seksuale të homoseksualëve përballë pjesës tjetër të shoqërisë. Koncepte të njëjtë gjoja përparimtarë duket sot se janë të pranueshme nga shumica e shoqërive homoseksuale, të cilat sot luajnë qartësisht rol sistemik, ndërsa para dy-tre dhjetëvjeçarësh përbënin djep radikalizmi në nivel politik, shoqëror dhe kulturor. Disa nga mitet më të përhapur janë ata që i referohen karameles së njohur të nivelit të tolerueshmërisë së shoqërisë së lashtë greke ndaj homoseksualizmit, saqë heteroseksualët dhe homoseksualët të paraqiten të barabartë! Ky “argument” u përfol shumë veçanërisht ditët e fundit. Por pavarësisht se mardhëniet seksuale kanë qenë shumë më të çliruara në Greqinë para-kristiane, (domethënë para hyrjes së “qytetërimit” Judeokristian dhe “moralit” të tij), homoseksualiteti i nënshtrohej kufizimeve në Greqinë e lashtë—shih shprehimisht ligjet e Solonit— dhe nuk konsiderohësh kurrë i barabartë me heteroseksualizmin, ndërsa ishte një sjellje e përhapur në shtresat më të pasura.

Femërorësia dhe mashkullorësia si “sajesë shoqërore”

Edhe më i keq është “argumentimi” që synon të bazohet në shembuj biologjikë dhe shoqërorë: ai synon të mbështetet –qartë ose nënkuptueshëm- te teza e “natyrës së dyfishtë” të njeriut ku riprodhimi natyror nuk duket të luajë asnjë rol ose përbën një proces vërsulës të parëndësishëm i cili buron nga “instinkte shtazore”, duke harruar se për shkak të riprodhimit të llojit tonë janë zhvilluar ndjenjat më të bukura si mëmësia dhe përgjithësisht lidhje ndjeshmërie dhe solidariteti që janë bërë pikënisje dhe frymëzim për shumë përpjekje të rëndësishme shoqërore. Dhe natyrisht thuajse të gjitha kryeveprat e artit dhe letërsisë u përkasin marrëdhënive heteroseksuale dhe vetëm në periudhën e globalizmit lulëzon një kulturë e kundërt (e bazuar kryesisht në nënkulturën botërore të Hollivudit). Mbi këtë kulturë bëhen përpjekje që të mbështetet veprimi i rritjes së një fëmije nga familje heteroseksuale si një veprim i natyrshëm, dhe birësimi i fëmijëve nga çifte homoseksualë si veprim i panatyrshëm, si dhe çështja kryesore e edukimit seksual. Sepse nëse supozojmë se e drejta homoseksuale përbën një “zgjedhje natyrore”, konkludojmë se birësimi i fëmijëve nga çifte homoseksualë nuk përbën ndonjë rrezik dhunimi të vetëpërcaktimit seksual të fëmijëve.

Kështu disa pretendime referojnë shembuj të sjelljes homoseksuale në botën shtazore duke nënkuptuar homoseksualizmin si “zgjedhje natyrore”, ose si “ligj natyror”, duke mbështetur paralelisht se modeli burrëror dhe femëror është “sajesë” e shoqërisë patriakale dhe marceologjike (tregëtare). Kështu disa i referohen botës shtazore, p.sh. palloit, i cili tregon pendët e tij shumëngjyrëshe, duke ngatërruar kuptimin e kësaj paraqitjeje e cila nuk lidhet me sjelljen se palloi mashkull kërkon të gjejë....një mashkull tjetër por për arsye natyrore – pendët e pasura dhe shumëngjyrëshe të meshkujve nënkuptojnë një partner të shëndetshëm dhe të fortë me qëllim përfundimtar riprodhimin. Por bazuar në ligjin i zhvillimit biologjik mbizotëroi lloji i palloit. Shëmbuj të tillë gjenden kudo, veçanërisht në internet, madje duke iu referuar dhe salcës pseudoshkencore përkatëse.

Njëlloj, për mënyrën e veshjes sjellin shembuj të cilët përpiqen të tregojnë se orientimi seksual është i shkëputur nga qëllimi i tij natyror —të riprodhimit të llojit— kështu që marrëdhëniet heteroseksuale justifikohen kryesisht në terma shoqërorë sesa natyrorë. Ky silogjizëm merr si të mirëqenë se femërorësia e gruas dhe zbukurimi i trupit të saj, veshja etj...dhe mashkullorësia e burrit, përbëjnë “sajesë” të cilitdo statut shoqëror ose pasojë e marrëdhënieve patriarkale...duke mohuar kuptimin se “modelet e sajuara” vërtetë ekzistojnë por sot lidhen me tregëtarizimin e gjinive në ekonominë kapitaliste të tregut (siç i mbështesnin dikur feministet e vërteta (antisistemore) ndryshe nga karrieristet e sotme të shtresës së mesme ëndrra e të cilave janë fëlliqësirat femërore si Thaçer, Hilari Klinton, Golda Mejer etj.) dhe sigurisht jo për të njëjtin orientim seksual. Dhe i vetmi seksualizëm i sajuar është ai që imponon industria televizive dhe e masmedias dhe jo vetë procesi biologjik i riprodhimit.

Kemi parë dhe qendrime të ndryshme mbi lyerjen burrave që dëshmohet në disa fise, sikur pjestarët e këtyre fiseve lyhen për të njëjtën arsye që zbukuron një grua veten e saj, dhe jo për arsye përshtypjeje të burrave kundrejt grave që kërkojnë partner në fisin e tyre, që nuk ka lidhje me marrëdhënie homoseksuale. Dëshmuam, për më shumë, “argumente” të cilët vlerësojnë, madje, edhe veshjet kombëtare si fustanella, si dëshmi...femërorësie. Sikur fustanella për disa të volitur ekonomikisht që merren me të “drejtat” e volitjes së tyre personale, nuk ishte si fillim rrobë pune për burrat dhe jo “sinjal” për marrëdhënie homoseksuale. Qartësisht “argumentet” qesharake të mësipërme nëse nuk do të kishin anën e tyre reaksionare, në referatet e tyre, do të ishin thjesht argumente qesharake të disa të voliturish.

Natyra e thashethemeve për këto çështje sot, përbën pjesë të pandarë të neo-iracionalizmit të globalizmit neoliberal, i cili është paracaktur të luajë një rol edhe më reaksionar se iracionalizmat tradicionalë të feve.

Stigmatizimi i procesit natyror të riprodhimit si “seksizëm” dhe “racizëm”

Këtu duhet të përcaktojmë qartë se çfarë kuptojmë me konceptin e “natyrshme” ose “ligj natyror” me qëllim që të qartësojmë se për cilën çështje flasim. Me e ‘natyrshme’ dhe ‘ligj i natyrshëm’ kuptojmë kryesisht një proces të pastër biologjik i cili është i njëjtë si në pjesën shtazore të botës ashtu dhe tek njeriu. Ky proces nuk përcaktohet as nga ndonjë “ligjvënës pushtetar” e as ra paprimtas nga qielli nga ndonjë zot...sepse ai lidhet me një proces i cili ka për qëllim riprodhimin e llojit i cili është farkëtuar për mijra vjet. Nevoja e shumicës së homoseksualëve për t’i dhënë shkaqe natyrore zgjedhjes së dëshiruar për të pasur një partner seksual nuk shton asnjë lloj objektiviteti ose fiziologjizëmnë mënyrë që të “përligjin” parapëlqimet e tyre. Pikërisht në këtë aspekt gjendet gabimi i tyre, sepse bashkësitë e sotme homoseksuale, pasi marrin si të mirëqenë sistemin e sotëm të ekonomisë së tregut dhe trajtën e tij të ndërkombëtarizuar, globalizmin, detyrimisht adoptojnë qëndrimin e borgjezisë së madhe, të cilët nuk kanë nevojë sigurisht të përkufizojnë vetëpërcaktimin e zgjedhjeve të tyre si pakicë —siç realisht janë—, por duke shtrembëruar dhe vet procesin natyror, kërkojnë të barazojnë zgjedhjen e tyre jo duke respektuar pjesën tjetër të shoqërisë kundrejt parapëlqimeve të tyre por përkundrazi, duke imponuar tezat joshkencore mbi pjesën tjetër të shoqërisë, përmes pushtetit që buron nga pozita e tyre klasore.

Kështu konsiderohet e lehtë nga disa të damkoset lidhja me ligjet natyror si “rracizëm” dhe “seksizëm” kur dyshohet “fiziologjia” e marrëdhënieve homoseksuale. Siç duket mendojnë se të luftosh damkosjen (stigmatizimin) me damkosje (stigmatizim) përbën të vetmen zgjedhje—por kjo qasje përbën logjikë të pastër pushtetore dhe jo vullnet të lirë të qenieve vetëpërcaktuese. Që të jetë e drejtë dhe e respektueshme zgjedhja e partnerit seksual nuk është parakusht për të shtrembëruar gjithë procesin biologjik dhe të krijohen “precedentë historikë” për t’u bërë “të barabartë”.

Vetëpërcaktimi i çdo pakice, si ajo që lidhet me gjininë, fisin, ngjyrën, kombëtare etj...është një çështje e cila në thelb zgjidhet vetëm në një shoqëri të çliruar dhe jo në një shoqëri heteropërcaktuese brenda së cilës do të ekzistojnë gjithnjë iracionalitete të çdo lloji, me të cilët, bashkësitë shoqërore dhe pakicat do të jenë gjithnjë të detyruar të  “mbrojnë” zgjedhjet e tyre dhe të bashkëshoqërojnë arsyetimin e çdo pushteti dhe të përdoren prej tij. Këtë aspekt e kishte kuptuar shumica e mendimit radikal të homoseksualëve më të vjetër...ndaj dhe adoptonin në përgjithësi qëndrim antisistemik duke ëndërruar një shoqëri të çliruar brenda së cilës mund të eklipsojë damkosja nga kudo që ajo buron.

Ndryshe nga “argumentet” e mësipërme, me qëllim mbështetjen e homoseksualizmit mbi arsye objektive në natyrë, formulohet shpesh qendrimi se “fiziologjia” e tij nuk duhet të identifikohet me “instinktet shtazore” dhe me “ligjin e xhunglës”, por duke u bazuar në kushte shoqërore dhe ndienjësore. Por “ligji i xhunglës” lidhet me organizimin shoqëror dhe jo me natyrën e njerëzve dhe të kafshëve e cila është e ngjashme. Përcaktimi i të “natyrshmes” është aq i papërcaktueshëm dhe i pakuptimtë saqë e bën të drejtën e zgjedhjes së partnerit seksual pa bazën e duhur, e cila është e dëshirueshmja e zgjedhjes dhe jo e “natyrshmja” e zgjedhjes, ku kjo e fundit lidhet me vet riprodhimin dhe e para me të drejtën e respektueshme të të rriturit të zgjedhë cilindo partner seksual që parapëlqen, pa imponuar qendrimet e tij personale te të tjerët.

Në fjalë të tjera, marrëdhëniet seksuale midis heteroseksualëve si në botën njerëzore ashtu dhe në atë shtazore, burojnë nga marrëdhënia e riprodhimit, e cila është e mundur vetëm midis heteroseksualëve, pavarësisht se sot për arsye ekonomike ose arsye të tjera shoqërore dhe ndienjësore marrëdhëniet seksuale njerëzore nuk kanë gjithmonë për qëllim riprodhimin. Ndaj dhe kërkesa qesharake e homoseksualëve për të “drejtën” e birësimit përmes së cilës synojnë të zëvendësojnë artificialisht Natyrën! Edukimi seksual, rrjedhimisht, do të mund të dijësojë mbi llojet e marrëdhënive seksuale ndërsa do të shpjegojë se si u zhvillua anatomia e organeve gjenitale me qëllim riprodhimin e llojit, por dhe se si sot (veçanërisht në vendet e zhvilluara) kontakti seksual nuk bëhet vetëm për arsye riprodhimi.

Birësimi i fëmijëve nga çifte homoseksuale

Meqënëse marrëdhënia seksuale nuk është rezultat i ndonjë zgjedhjeje që buron nga “shkaqe natyrore” ose “ligje natyrore”, por një parapëlqim i respektueshëm seksual midis të rriturish, çështja e birësimit ka rëndësi të veçantë sepse këtu përballemi me parimin e pacënueshëm të vetëpërcaktimit të fëmijëve. Kundër-argumenti që mund të shtrohet këtu është se edhe çiftet heteroseksuale shpesh herë bëhen pengesë ndaj këtij procesi. Vërtet vetëpërcaktimi i një fëmije mund të tjetërsohet nga çdo familje, homoseksuale ose jo. Por birësimi i një fëmije nga çifte homoseksuale në thelb parapërcakton jo vetëm identitetin e tij klasor në një shoqëri klasore, por dhe identitetin e tij seksual për të gjitha arsyet që thamë më lartë. Për cilin vetëpërcaktim të fëmijëve flasim kur edhe identiteti i tyre seksual parapërcaktohet nga familja e tyre? Dhe për cilën “dashuri” flasim ndaj fëmijëve që supozohet se është mbi çdo lloj zgjedhje personale të çdonjërit kur i imponohet tërthorazi homoseksualizmi si “zgjedhje e natyrshme” dhe e barasvlefshme me marrëdhëniet heteroseksuale? Për të njëjtat arsye është i papranueshëm në edukimin seksual të vendoset si gjoja i barasvlefshëm dhe “zgjedhje e natyrshme” krijimi i marrëdhënieve homoseksuale, dhe të justifikohet si një zgjedhje e dëshirueshme nga të rriturit dhe e respektueshme nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Është e qartë, rrjedhimisht, se çështja ka shumë parametra të rëndësishëm. Vetëpërcaktimi i pakicave si dhe respektimi i zgjedhjeve të tyre, kur nuk vendosen mbi bazat e duhura, përfundojnë në qendrime reaksionare, të cilat përdoren lehtë prej sistemit të ndërkombëtarizuar kapitalist për dobi të vet. Prapsja e mendimit antisistemik/radikal nga bashkësitë e homoseksualëve ka çuar parimisht në adoptimin e mendimeve që ndeshen në shtresat e larta të elitave dhe kjo përbën pasojën logjike të kësaj prapsjeje. Por çështja nuk ndalon vetëm atje, por lidhet gjithashtu me të drejtën e vetëpërcaktimit të fëmijëve, në kuptimin seksual, e cila është tepër e rëndësishëme dhe çështje që i përket të gjithë shoqërisë dhe jo kujtdo borgjezi të volitur. Çdo “Elton Xhon” është e logjikshme të mbrojë zgjedhjet e tij përmes logjikave pushtetore, pa llogaritur se nëse dhunon ndërgjegjjen dhe orientimin seksual të një fëmije që do të birësojë bashkë me partnerin e tij.

Çështja është se ç’bëjnë bashkësitë homoseksuale nga poshtë dhe se nëse janë asimiluar krejtësisht nga ideologjia e globalizimit e cila tashmë luan rolin më reaksionar në historinë njerëzore, duke tejkaluar çdo iracionalizëm të kaluar fetar. Nuk është, rrjedhimisht, fare e rastit kur thërrasin për “të drejtat e njeriut”  — dhe jo për vetëpërcaktimin vetjak dhe kolektiv, i cili është i mundshëm vetëm në një shoqëri të çliruar — për të damkosur popuj të tërë, në mënyrë që të justifikohet me të njëjtën pseudo-përparimtari masakrimi i tyre. Synimi përfundimtar: nënshtrimi i popujve të cilët nuk janë të integruar në tregjet e hapur dhe të çliruar duke ruajtur epërsinë e tyre kulturore bashkë me epërsinë ekonomike e kombëtare.

“Lufta” që zhvillohet sot nga Ukraina deri në Siri dhe nga Irani deri në Palestinë e Venezuelë —në shkallë të ndryshme— është kryesisht luftë nacional-çlirimtare në kuptimin e rezistencës kundër Rendit të Ri Botëror dhe të E/M që administron globalizmin neoliberal. Edhe në vende të cilat janë integruar në globalizëm,  damkosja përdoret për të mbytur çdo zë radikal që mund të dyshojë këtë proces. Kjo përbën trajtën e sotme të kontrollit të “armikut të brendshëm” dhe synon të depërtojë së pari në rrethet e rinisë me mbulesën e “bamirësisë” dhe të “përparimtarisë”. Me qëllim që veçanërisht rinia të përpiqet e të luftojë për lloj lloj “të drejtash” e të çorientohet nga çështjet e sovranitetit kombëtar dhe kulturor të një populli. Këtë rol luajnë think tank-et dhe mekanizmat e globalizmit. Sepse kur të eklipsojë nevoja për sovranitet kombëtar të një populli humbet dhe prespektiva e çlirimit shoqëror dhe më tej humbasin parakushtet për suprimimin e të gjitha iracionalizmave të një shoqërie heteropërcaktuese.

Çështja e arsimit në një shoqëri vëtëpërcaktuese

Si konkluzion, homoseksualizmi është një e drejtë ZGJEDHJEJE dhe në një shoqëri të lirë cilido mund të bëjë zgjedhjet që dëshiron por me parakushtin kryesor se nuk do të cënohet vetëpërcaktimi i personave të tjerë (siç ndodh zakonisht në një shoqëri kapitaliste) dhe veçanërisht i të miturve. Arsimi nuk duhet kurrë të luajë rolin e ujëbartësit të ideologjisë së globalizmit. Gjithashtu, marrëdhënia homoseksuale nuk duhet të përbëjë damkë meqënse njihet si e drejtë në zgjedhje, pa mundur kjo e drejtë të themelojë marrëdhënie të barabartë fizike midis marrëdhënies homoseksuale dhe heteroseksuale. Sepse për ne, e para, është thjesht një e drejtë zgjedhjeje, që për arsyet që thamë, nuk e konsiderojmë të përputhshme me ligjet e natyrës: është e drejtë e çdo qytetari të bëjë çdo zgjedhje — sigurisht pa imponuar tërthorazi dhe drejpërdrejt seksualizmin e tij veçanërisht kundrejt të miturve, që do të thotë se propagandimi i homoseksualizmit nga librat shkollorë ose nga mjetet sociale me të cilat përballen të miturit (Tv, Internet, etj.) është i palejueshëm në një shoqëri vetëpërcaktuese.

Përktheu Ernest Cici dhe editoi Ylli Përmeti

 

*“Periekti Dimokratia” është një organizatë politike me rezidencë në Londër dhe Athinë dhe në qytete të tjerë rreth botës figura qendrore e së cilës është filozofi politik Takis Fotopoulos. 

 



[1]Shih, Τάκη Φωτόπουλου, ΘΡΗΣΚΕΙΑ, ΑΥΤΟΝΟΜΙΑ, ΔΗΜΟΚΡΑΤΙΑ, Η άνοδος του νέου ανορθολογισμού (Ελεύθερος Τύπος 2000)

[2]Shih, Γιάννη Σκαρίμπα: «Το 21 και η αλήθεια»   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA