...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si zhytet populli shqiptar në borxhe me politikat konçesionare dhe nënshtrohet përjetësisht?

Shumica e shqiptarëve përballet me dy lloj borxhesh: me borxhin që krijon qeveria për të financuar administratën dhe punët publike (që është i dyfishtë) dhe borxhet që krijonë vetë ata kur marrin borxhe nga bankat tregëtare për zhvillimin e ndonjë ndërmarrje apo për ‘konsum’. Dhe fakti që as qeveria nuk do t`i çlirojë nga borxhet por as vetë shqiptarët e zhytur në borxhe nuk do të synojnë të çlirohen nga borxhet, një shoqëri e nënshtruar dhe e paemancipuar përjetësohet!

Ylli Përmeti

05/11/2019 - 07:24

Por sa është borxhi i Shqipërisë dhe sa mundësi ka ai të bierë me kushtet ekonomike që janë krijuar? Sipas një raporti të vitit 2014-të[1] borxhi shqiptar ishte më shumë se $1500 për person, (më shumë se $6 miliardë, nga i cili $4 miliardë ishte borxh i brendshëm dhe $2.6 miliardë borxh i jashtëm).[2] Borxhi, në fjalë të tjera, ishte më shumë se njëmbëdhjetë paga mujore me të ardhura mesatare kur një në tre familje shqiptare ishte e zhytur në borxhe kundrejt bankave – dhe kur 70% e kredive u përdor për blerje të pronës së paluajtshme dhe 50% e tyre u përdor për qëllime likuiditeti[3] dhe kur gati 65 miliardë lekë kredi të marra në banka nuk kthehen nga individët dhe bizneset, ose rreth 17% ndaj totalit.[4]Në qershor të vitit 2019-të borxhi për frymë arriti rreth 3,150 euro. Domethënë, borxhi është më shumë se dyfishuar që nga viti 2014! Paralel me borxhin publik―të cilin qeveria “Rama” filloi ta ulte me politika kursimtare dhe masa të tjera― është krijuar borxhi në nivel bankar dhe ndërmarrjesh: sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH) kredia me probleme në Shqipërinë e vitit 2014-të ishte thuajse dyfishuar. BERZH-i e klasifikoi Shqipërinë në nivel të lartë krahasuar me ekonomitë në zhvillim në Europë dhe Azi, me 24,4% të gjithë portofolit të kredive të dhëna, duke zënë vendin e parë në rajon. Maqedonia i ka kreditë e pashlyera në nivelin 0,8%, Bosnja më pak se 7% dhe të njëjtin nivel ka Mali i Zi dhe Serbia. Vendi i vetëm në ekonomitë në zhvillim në Europë dhe Azi me nivel më të lartë huash bankare të pashlyera se Shqipëria rezulton Kazakistani, me 36,7%.[5] Ky borxh u fshi nga defterët e bankave pasi ndërhyri qeveria “Rama” me një ligj.[6]

Në maj të vitit 2018-të borxhi i përgjithshëm i Shqipërisë sipas FMN-së ra në 72.4 për qind me pritshmëri të bierë në 69.8 për qind në vitin 2019-të. Por ndërsa borxhi i brendshëm ra në 35.2 për qind, borxhi i jashtëm u rrit në 37.2 për qind![7] Thuajse të njëjtën shifër njoftoi dhe KLSH-ja: sipas saj, qeveria “Rama” ka ulur rrejshëm borxhin gjatë vitit 2017-të duke krijuar detyrime të prapambetura (tvsh-në e parimbursuar kundrejt biznesit dhe huamarrjet). Kështu borxhi nuk ishte 70 për qind por 72 për qind ndërsa deficiti buxhetor ishte 3.5 për qind dhe jo 2 për qind siç raportoi ministria e financave. Në fund të vitit 2018-të borxhi publik, sipas qeverisë, ishte 1,107.3 miliardë lekë ose rreth 9.15 miliardë euro ose afërsisht 67.2% e PPB-së ose 3,210 euro për frymë ose gati një vit punë për një punëtor me rrogë mesatare (rreth 400 mijë lekë të vjetër). Por sipas FMN-së borxhi ishte 69.9 për qind, 2.8 për qind më lartë se raporti i qeverisë! Gjatë vitit 2019-të qeveria “Rama” njoftoi borxh prej 63%—një rënie prej gati 9% krahasuar me shifrën që paraqet KLSH-ja. Por ndërsa borxhi në tërësi është në rënie, borxhi për frymë është dyfishuar! Të gjitha këto kur popullsia pritet të bierë edhe më shumë (kur bie popullsia rritet përqindja e borxhit për frymë) dhe eksportet vitin e kaluar ishin vetëm 2.1 miliard euro dhe rezerva valutore e vendit ishte në fund të vitit 2017-të rreth 2.9 miliardë euro. Kjo sasi është më e ulët se borxhi i jashtëm! Ekspozimi i lartë i borxhit publik në raport me PPB-në dhe borxhi i lartë në valutë e rendit Shqipërinë në vendet me rrezik të lartë!

Sidoqoftë, kjo është e vërteta zyrtare; sepseme politikat konçesionare qeveria “Rama” e ka rritur borxhin publik. Për shembull, vetëm për vitin 2020-të qeveria do t’u paguajë ndërmarrjeve konçesionare rreth 120 milionë euro më shumë ose fatura e pagesave rritet me 18 për qind për shkak të hyrjes në fuqi të kontratave të reja. Aktualisht (2019) qeveria paguan nga buxheti 10 ndërmarrje konçesionare dhe ndërsa vitin 2020-të shlyhet konçesioni i hidrocentralit mbi lumin Devoll, po të njëjtin vit nisin pagesat për katër konçesione të reja (laboratorët; shkollat në Bashkinë e Tiranës; dhe dy konçesionet e rrugëve, Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat). Kështu nga 7 miliardë lekë që paguante qeveria në vitin 2017-të, vitin 2020-të do të paguajë mbi 14 miliardë lekë ose sa 3.3 për qind e të ardhurave tatimore nga 2.8 për qind që paguante vitin 2019-të! Konçesionet ndër vite kanë arritur vlerën prej 643 miliardë lekë ose rreth 5 miliardë euro ose sa rreth 36% e PPB-së nga të cilët 64% ose rreth 411 miliardë lekë ose rreth 3 miliardë euro e zënë konçesionet e sektorit të energjitikës, ku ndërmarrjet përkatëse nuk marrin pagesa nga shteti por marrin nga shitja e energjisë ndërsa rreth 2 miliardë euro janë kontrata konçesionare të cilat do të paguhen gradualisht nga buxheti i shtetit për dy dekadat e ardhshme ku barren kryesore e zënë rrugët, shëndetësia, impiantet e riciklimit, skanimi në dogana dhe infrastruktura shkollore në kryeqytet

Praktikisht, jepen më shumë konçesione dhe mo kosto më të lartë, se sa shlyhen…në kohën kur qeveria vazhdon të shënojë buxhet deficitar dhe vazhdon të marrë borxhe. Zhytja në borxhe, rrjedhimisht, është e dyfishtë: një herë kundrejt tregut ndërkombëtar dhe një herë kundrejt tregut të brendshëm. Në fjalë të tjera, qeveria “Rama” zvogëloi borxhin e vjetër (i cili u krijua me të njëjtat politika nga qeveria pararendëse) por e rriti atë me të riun!   

Për pasojë, vendi ynë, thuajse njëlloj si Greqia, do të vuajë në afatgjatë nëse nuk ndryshon politikat ekonomike—jo duke mbajtur rrogat e punëtorëve të ulëta siç kërkon tregu ndërkombëtar dhe siç janë pajtuar në padijen e tyre qeveritë tona, me qëllim që vendi të jetë më “konkurrent” por të organizojë sektorët e prodhimit, duke përfshirë dhe sektorin e energjisë, çmimi i së cilës do të luajë rol vendimtar në koston e prodhimit, me qëllim që t`i bëjë ato më konkurrente në tregun botëror. Për realizimin e këtij objektivi nevojitet një qeveri me dije sistemike. Fakti që s`kemi ndonjë parti dhe lëvizje politike me dije sistemike qeveritë do të luajnë me pragun e vendosur nga traktati i Maastricht-it: kështu herë do të zëbresin poshtë tij herë do ta kalojnë. Por kurrë nuk do të synojnë ta çlirojnë vendin nga borxhet. As do të synojnë të çlirojnë shqiptarët nga borxhet e tjerë që marrin në bankat vendore. Kështu shumica e shqiptarëve përballet me dy lloj borxhesh: me borxhin që krijon qeveria për të financuar administratën dhe punët publike (që është i dyfishtë) dhe borxhet që krijonë vetë ata kur marrin borxhe nga bankat tregëtare për zhvillimin e ndonjë ndërmarrje apo për ‘konsum’. Dhe fakti që as qeveria nuk do t`i çlirojë nga borxhet por as vetë shqiptarët e zhytur në borxhe nuk do të synojnë të çlirohen nga borxhet, një shoqëri e nënshtruar dhe e paemancipuar përjetësohet!

Pjesë nga një studim më i gjerë.


[1]Shtohen borxhet për shqiptarët, 223 milionë USD kredi nga arabët, Shqip, 2011-05-24. Borxhi për frymë në vitet 2010-2014, Opendata.al, Tetor 2014.

[2]Shqiptarët, të zhytur në borxhe, 1 në 3 familje ka kredi në bankë, Shqip, 2011-08-19.

[3]Po aty. 

[4]Ekonomia, Bode kundër të gjithëve, Shqip, 14/12/2010.

[5]Kuota e lartë e kredive të pakthyera rrezikon rritjen ekonomike në Shqipëri, DW, 16/02/2014.

[6]Shih, për më shumë, Shpërthimi i krizës sistemike në Rajon dhe Shqipëri.

[7]IMF Contry report No. 18/123, Albania: Selected economic indicators, 2013-2019.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA