...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Aleksandër Dugin: ç`është eurazianizmi – sfiduesi i globalizmit neoliberal?

Dugini është një sociolog i mirë por jo filozof politik - titull të cilin pretendon ta gëzojë. Kujtoj se filozofia politike shqetësohet me shkaqet e dukurive sociale nga një perspektivë sistemike dhe synon shëndetin e shoqërisë dhe natyrës (Aristoteli) ndërsa sociologjia e kohëve tona tregon dukuritë ashtu siç janë dhe jo pse janë ashtu siç janë, një qasje që nuk e ndihmon shumë shkencën sociale: sepse analiza e saj fillon nga njeriu dhe jo nga sistemet dhe paradigmat sociale drejt njeriut.

Ylli Përmeti

12/08/2019 - 12:45

Dugini kërkon të ringjallë eurazianizmin e fillim-shekullit të kaluar dhe e quan ‘neo-eurazianzëm’: Ideja euraziatike, sipas tij, është një strategji e shkallës botërore e cila njeh objektivitetin e globalizmit dhe fundin e komb-shtetit, por njëkohësisht ofron një skenar të ndryshëm të globalizmit, i cili nuk sjell një botë unipolare ose qeveri të bashkuar botërore. Në vend të saj, ai ofron disa zona (pole) botërore. Ideja euraziatike është një alternativë ose variant shumë-polar i globalizmit, por globalizmi është fondamenti aktual kryesor i procesit botëror që përcakton vektorin kryesor të historisë moderne...Aderantët e globalizmit mohojnë çdo plan alternativë për të ardhmen, por sot ne dëshmojmë një dukuri të shkallës së madhe—kundra-globalizim, dhe Ideja Euraziatike koordinon gjithë kundërshtarët e globalizmit unipolar në një rrugë të dobishme...eurazianizmi mohon modelin e qendër-rrethinave të botës.

Në vend të tij, Ideja Euraziatike sugjeron se planeti përbëhet nga një konstelacion i hapësirave autonome të hapur pjesërisht kundrejt njëri-tjetrit. Këto zona nuk janë komb-shtete por koalicion shtetesh, të riorganizuara në federatat kontinentale ose “perandori demokratike” me një shkallë të madhe të qeverisjes vendore. Çdonjëra nga këto zona është multipolare, duke përfshirë një sistem etnik të ndërlikuar, kulturor, fetar dhe faktorë administrativë. Në këtë kuptim global, Eurazianizmi është i hapur për çdonjërin pavarësisht vendit të lindjes të ndonjërit, banimit, kombësisë dhe qytetarisë. Eurazianizmi sjell një mundësi për të zgjedhur një të ardhme të ndryshme nga klisheja Atlanticiste dhe një sistem me një vlerë për gjithë njerëzimin.

Eurazianizmi nuk kërkon thjesht të kaluarën ose të ruajë status quo-në aktuale por të përpiqet për të ardhmen duke pranuar se struktura aktuale e botës ka nevojë për ndryshim radikal, se komb-shtetet dhe shoqëritë industriale kanë shteruar gjithë burimet e tyre [...]. Ideja Euraziatike nuk shikon krijimin e një qeverie botërore e bazuar në vlerat liberal-demokratike si njëra dhe e vetmja rrugë për njerëzimin. Në kuptimin e tij më të thjeshtë, Eurazianizmi në shekullin e 21 përcaktohet si përkrahja për të ndryshuar globalizmin, sinonim me një botë multi-polare...Eurazia propozon që numri i poleve të jetë katër...sipas meridianëve të tokës...eurazianizmi është filozofia e integrimit të territorit post-sovjet mbi baza demokratike, jo-dhunuese dhe vullnetare pa dominimin e ndonjë grupi fetar ose etnik.

Megjithatë, filozofia e eurazianizmit është e hapur dhe jo-dogmatike dhe mund të pasurohet me përmbajtje të re: fetare, sociologjike dhe zbulime etnologjike, gjeopolitikë, ekonomike, gjeografi kombëtare, kulturë, studime strategjike dhe politike etj. Filozofia e eurazianizmit ofron zgjidhje origjinale për kontekstet kulturore dhe gjuhësore: eurazianizmi i Rusisë nuk do të jetë si variantet franceze, gjermane apo iraniane. Sidoqoftë, kuadri kryesor i filozofisë do të mbetet i pandryshueshëm.

Parimet bazë të Eurazianizmit janë si vijon:

  • Dallimshmëri (diferencializëm), pluralizmi i vlerave përkundër dominimit të detyruar konvencional të një ideologjie (liberal-demokracia amerikane e para dhe para së gjithash);
  • Tradita përkundër shtypjes së kulturave, dogmave, dhe zbulimeve të shoqërive tradicionale;
  • Të drejtat e kombeve përkundër “bilionave të arta” dhe hegjemonisë neo-koloniale të “Veriut të pasur”;
  • Kombet si vlera dhe subjekte të historisë përkundër shpersonalizimit të kombeve, të burgosur në konstrukte shoqërore artificiale;
  • Barazi sociale dhe solidaritet njerëzor përkundër shfrytëzimit dhe poshtërimit të njeriut nga njeriu.[1]

Megjithëse qasja e tij duket e drejtë, është e qartë se Dugini “globalizmin” nuk e kupton as si “globalizëm neoliberal” as tregon shkaqet se pse lindi dhe mbizotëroi ky i fundit dekadat e fundit. Qasja e tij, rrjedhimisht, është problemtike për sa kohë që nuk tregon natyrën e vërtetë të “globalizmit” aktual dhe shkaqet e lindjes së tij. Dhe për sa kohë që nuk tregon shkaqet e paradigmës përkatëse për aq kohë “paradigma” që kërkon të krijojë—anti-globaliste,—është problemtike. Kështu ndërsa parimet e tij janë të drejtë ata bien në kundërshti me realitetin jo vetëm të vendeve ish-socialiste (p.sh. kur thotë se shoqëritë industriale kanë shteruar gjithë burimet e tyre...një pohim që s`është aspak i vërtetë) por dhe me realitetin që ka krijuar Rusia dhe Kina së fundmi: për shembull, institucionet financiare të Eurazisë kanë karakter mbikombëtar njëlloj si institucionet perëndimore; tregu, gjithashtu, është i karakterit kaotik dhe dinamika e tij është e njëjtë si në perëndim — ku me rregulla të fortë e ku me rregulla të butë.

Me këto premisa të pjesshme, nuk do të ishte e çuditshme që Dugini të integrojë qasjen e teoricienit gjerman, Carl Schmitt, një anëtar i spikatur i partisë naziste në Gjermani shekullin e kalur, lidhur me karakterin e pushtetit politik që duhet të adoptojë Rusia, ndryshe nga qasjet mbizotëruese perëndimore dhe të socializmit sovjet shekullin e kaluar![2]

Si i tillë, Dugini është një sociolog i mirë por jo filozof politik - titull të cilin pretendon ta gëzojë. Kujtoj se filozofia politike shqetësohet me shkaqet e dukurive sociale nga një perspektivë sistemike dhe synon shëndetin e shoqërisë dhe natyrës (Aristoteli) ndërsa sociologjia e kohëve tona tregon dukuritë ashtu siç janë dhe jo pse janë ashtu siç janë, një qasje që nuk e ndihmon shumë shkencën sociale: sepse analiza e saj fillon nga njeriu dhe jo nga sistemet dhe paradigmat sociale drejt njeriut.              



[1]The Eurasian Idea, Alexander Dugin, Counter-Currents, 2009.

[2]Carl Schmitt`s 5 lessons for Russia, Alexander Dugin, Eurasianist-archive.com, Obtober 12, 2016.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA