...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Gjeopolitika perëndimore, ruse dhe kineze me arin: kush do të dominojë shekullin e 21?

Në vijim të këtij studimi do të tregoj padijen e ekonomistëve ortodoksë (mbizotërues) të kohëve tona, tezat e të cilëve përqafohen nga shumë ndjekës, sidomos nga “ekspertët” e establishmenteve, lidhur me arin dhe të ardhmen e tij—domethënë:me faktorët e vërtetë që përcaktojnë çmimin e tij.

Ylli Përmeti

05/08/2019 - 09:59

Në vijim të këtij studimi do të tregoj padijen e ekonomistëve ortodoksë (mbizotërues) të kohëve tona, tezat e të cilëve përqafohen nga shumë ndjekës, sidomos nga “ekspertët” e establishmenteve, lidhur me arin dhe të ardhmen e tij—domethënë: me faktorët e vërtetë që përcaktojnë çmimin e tij. Paul Krugman, nobelist në ekonomi, argumenton lidhur me rënien e çmimit të arit se ‘politizimi mund të influencojë investimet gjithashtu dhe votimet’ dhe si i tillë, rënia e çmimit të arit është pasojë e “politizimit politik” në Amerikë![1] Paul Craig, ish-ndihmësi i thesarit amerikan, argumenton se ‘Federal Reserve ka orkestruar shkatërrimin e arit’.[2] Ai argumenton se ‘shtëpitë ndërmjetësuese u thanë fondeve gardhonjëse (“hedge funds”) dhe investitorëve institucionalë se ata duhet të shkarkojnë ar dhe të dalin nga sektori pára kohe’.[3]

Sipas tij, “Federal Reserve” kërkon të mbivlerësojë dollarin meqënse gjëndet duke injektuar në treg sasi të mëdha lehtësuese (QE3+) prej pesë vitesh me qëllim që të nxisë investimet! Në një studim tjetër,[4] Craig dhe Kranzler, tregojnë se si ari po shkon nga Nju Jorku dhe Londra - në Azi, dhe rrugët përmes të cilave Fed-i manipulon tregun me arin dhe dollarin. Jeff Clark, për “Casey Research”, pasi shqyrton shtypin e dekadës ’70-‘80, argumenton se ‘nga 30 Dhjetori i vitit 1974 deri në 25 gusht të vitit 1976-të, ari ra 47%...Konteksti i atij viti ishte se FMN-ja kishte tre ankande të mëdhenj ari nga korriku deri në shtator, duke shkarkuar shumë ar në treg. Qoftë SHBA qoftë BS shisnin ar në atë kohë. Nuk ishte sekret se SHBA ishte duke hequr arin nga sistemi monetar dhe konvertimi direkt i dollarit në ar kishte mbaruar në 15 gusht të vitit 1971’.[5]

Sipas këtij konteksti, autori sugjeron klientët e tij se ari do të ngrihet më shumë se 6, 227 dollarë për onz në kohën kur ari është 1, 410 dollarë për onz (15 prill 2013), prandaj njerëzit duhet të blejnë ar![6] Sidoqoftë, sipas një raporti të fundit[7] kërkesa ka luajtur rol vendimtar në çmimin e arit. Kina, për shembull, e cila tejkaloi Indinë në vitin 2013 si konsumatori më i madh i arit, pas rënies prej 28% të çmimin të tij – rënia më e madhe që nga viti 1981 – shkrepi një furi blerjesh mes konsumatorëve me pakicë.

Përmblethtas, në shtypin e përditshëm përmenden tre qasje kryesore: qasja e Krugmanit sipas së cilës rënia e çmimit të arit është pasojë e politizimit amerikan; qasja e Kregut sipas së cilës gjithçka është orkestuar nga Fed-i (kjo qasje, në fakt, përqafohet nga shumë profanë); dhe qasja e Klarkut që nuk ndryshon shumë nga qasja e Kregut. Ky i fundit bazohet kryesisht në politikën monetare (zhvlerëuese) që ndjek Fed-i. Dhe  është e vërtetë se sa më shumë dollarë të injektohen në sistemin bankar aq më shumë zhvlerësohet kartë-monedha ekzistuese dhe aq më shumë vlerësohet ari. Por fuqia e dollarit nuk ndikohet nga politika monetare e Fed-it: sepse paralelisht dollari amerikan pëdoret thuajse nga gjithë vendet e integruar në rendin botëror të globalizmit neoliberal: sa më shumë të përdoret aq më shumë rritet vlera e tij dhe anasjelltas. Politika zhvlerësuese e Fed-it vërtet ndikon në dollarin ekzistues por ajo kompesohet me përdorimin e tij.

Racionalja se një devizë zhvlerësohet kur injektohen pará të reja në sistem mund të përdoret për devizat e tjera por jo —në kushtet aktuale— për dollarin: sepse fuqia e tij buron nga roli hegjemonik i Amerikës në kohët tona me gjithçka që nënkupton hegjemonia në fjalë. Pretendimi se dollari do të zhvlerësohet dhe ari do të rritet, rrjedhimisht, nuk qëndron. Kujtoj se ari dhe argjëndi nuk janë pjesë e sistemit monetar në globalizmin neoliberal —domethënë, ata nuk mbulojnë sasinë e devizave të ekonomive përkatëse. Dhe ari, ndryshe nga nafta, nuk e përcakton ekonominë e një vendi; ai thjesht e shoqëron atë.

Ndryshe nga qasjet e mësipërme dhe ndryshe edhe nga qasja marksiste —që është qasja e mbiprodhimit sipas së cilës mbiprodhimi i ndërmarrjeve kapitaliste është shkaku i krizave në kapitalizëm...qasja ime është sistemike në kuptimin që çmimi i arit është pasojë e kuadrit modern institucional. Për shkak të kuadrit institucional - fuqia blerëse lëviz nga klasa e mesme drejt klasës së lartë. Kur pasurohet klasa e lartë dhe numëri i tyre në nivel botëror shtohet, siç është shtuar dy dekadat e fundit, kryesisht në Azi, nuk do të ishte e çuditshme që ato të shtojnë konsumin mbi metalet e çmuar dhe të nxisin rritjen e çmimit. Për shembull, diamanti shihet me të drejtë nga njerëzit si e mirë absolute. Por në vitin 2015-të çmimet e gurëve të rëndë dhe gurëve të gdhendur ranë për shkak të ofertës së madhe, sepse ra kërkesa në Kinë pas masave të rrepta nga qeveria kineze kundër korrupsionit dhe rritjes më të vogël ekonomike, ndërsa zhytja e çmimit të naftës zvogëloi kërkesën në Rusi dhe në Lindjen e Mesme.[8] Për shembull, një milioner indian, pasi krijoi pasuri si spekulator pronash, u bë bankier, dhe ndërsa veshi gruan me ar, bleu një këmishë ari në vlerën e 250 mijë dollarë, prej 3.3 kg, dhe ishte gati të blinte këpucë ari, celular ari etj.[9]

Rënia ose rritja e ‘kërkesës’, rrjedhimisht, lidhet me kuadrin modern institucional: në njërën anë me dinamikën e tregut dhe në tjetrën me vendimet politike në kuadër të qeverisjes përfaqësuese. Qasja e mbiprodhimit, rrjedhimisht, të cilën e përdorin plotë “marksistë” të kohëve tona, është tejet e ngushtë: sepse konsideron vetëm anën e ‘ofertës’ dhe shpërnjeh shkaqet e rënies ose rritjes së ‘kërkesës’!

Kështu, ndërsa qeveritë e zhytura në borxhe përballen me investitorët e huaj, ato shesin jo vetëm punëtorët (krahun e punës) dhe pasuritë publike në çmim të lirë por edhe arin që mbledhin në kohën e bumit ekonomik. Numëri i përgjithshëm i qeverive në këtë fazë luan rol vendimtar: sa më shumë qeveri të kërcënohen me falimentim aq më shumë ar do të shitet, me pasojë, çmimi i arit të bierë: sepse shitjet do të jenë të nxitura nga ana e ofertës dhe rrjedhimisht nën çmim. Prodhimi i përgjithshëm i arit në shkallë botërore nuk ka rënë dhe 75% e tregut dhe minierave botërore kontrollohet nga ndërmarrje private kanadeze. Nëse përdorim teorinë e prodhimit dhe ofertës në treg, çmimi duhet të bier, sepse kërkesa ka rënë në përgjithësi. Por pavarësisht se prodhimi ka qenë në rritje, çmimi i arit –përgjatë gjysmës së parë të vitit 2015-të, është rritur. Kjo nënkupton se çmimin e ka rritur kërkesa dhe këtë të fundit vendimet politike. Përgjatë rënies së përgjithshme të çmimit të naftës dhe metaleve (argjendit, aluminit etj.) ari u rrit në çmim dhe konsumatorët kryesorë janë perëndimorët dhe jo Azia (kryesisht India dhe Kina)[10] pavarësisht se Kina tashmë ka më shumë butikë se SHBA-ja.[11]

Nga viti 2011-15 kërkesa e përgjithshme botërore për ar ra. India dhe Kina përllogariten të kenë konsumuar 54 për qind të kërkesës botërore në vitin 2014-të, nga 33 për qind në vitin 2005. Në Evropë, për shkak të krizës, u rrit kërkesa kryesisht për lingota dhe monedha. Si rezultat, monopolisti i tregut europian (“Degussa”) shijoi fitime të mëdha për një kohë shumë të shkurtër.[12] Qeveritë me probleme të vogla ekonomike dhe që shtojnë rezervat e arit, janë pak. Rusia, për shembull, po i shton ato.[13] Ndërsa Kanadaja s’ka asnjë rezervë ari! Gjatë ngritjes së tensioneve tregëtare mes Amerikës dhe Kinës dhe sanksioneve amerikane kundër Rusisë, disa banka qendrore të udhëhequra nga Polonia, Kina dhe Rusia, blenë sasi rekord ari: plotë 374 tonë ar në vlerën e 15.7 miliardë dollarëve.[14] Qëllimi ishte të larmonin rezervat, të pakësonin zotërimet në dollarë dhe të dëmtonin fuqinë e dollarit. Por dollari nuk mund të dëmtohet nga blerje të tilla.[15] Kjo sasi është blerja më e madhe që nga koha e standartit të arit 1971. Blerjet janë nxitur dhe nga vendimi i Bankës Qendrore Europiane për të ndërprerë një marrëveshje për të kufizuar shitjet e arit ndërsa institucionet e rajonit nuk shesin më në volume të mëdha dhe janë blerës neto. Por blerjet janë rritur edhe më shumë duke filluar nga mesi i vitit 2019: zotërimet nga fondet e tregut të shkëmbimeve (FTSH) të mbështetura nga ari u rritën në nivelin më të lartë në shtatë vitet e fundit!

Arsyet janë të ndryshme: frika nga ngadalësimi i rritjes ekonomike në ekonomitë e mëdha, rreziqe gjeopolitike dhe humbja e besimit në “pasuri” tradicionale si jeni japonez. Por kryesorja mes këtyre është një grumbull gjigand debiti me rendiment (ose fitim) negativ më shumë se 13 trilion dollarë. Kështu nëse blerësve të bondeve u kërkohet të paguajnë për privilegjin e mbajtes së bondeve deri në maturim atëherë fuqia tërheqëse e arit —nga i cili nuk fitohet asgjë as ka ndonjë kosto për ta zotëruar— shkëlqen…rigjallërimi për metalin e verdhë vjen pas vitesh mjaft të zymtash në të cilët një mëkëmbje e qendrueshme ekonomike shtyu çmimet e arit aq poshtë sa 1,000 dollarë një ons në dhjetor-2015. Këtë vit, sidoqoftë, çmimi i arit është rritur në nivelin më të lartë që nga viti 2013-të, më shumë se 1,600 dollarë për një troi ons. Zotërimet botërore nga FTSH-të e mbështetura në ar janë më shumë se dyfishuar që nga viti 2015 në 141 bilionë dollarë. Rritja e blerjeve nga FTSH-të ka ngritur eksportet e arit nga Australia dhe Britania ku trusti i arit SPDR rezervohet në kasaforta të blinduara. Eksportet e arit austrialian në Britani u rritën me 1,384 për qind në çerekun e fundit të shtatorit 2019 në 5.3 miliard dollarë, për shkak të kërkesës për kallëp ari. Rritja e shpejtë e arit që nga mesi i vitit të kaluar ka përkuar me rënien e fitimeve (jildeve) realë në USA (i përputhur me inflacionin). Fitimet nga bonot pesëvjeçarë të thesarit ishin 0.05 për qind në fund të janarit-2020, më poshtë nga thuajse 1 për qind në të njëjtën kohë në vitin 2019.

Kjo dinamikë ka shkaktuar ndërlikime afatgjata për krijimin e protofoleve ndërsa ari bëhet një domosdoshmëri se sa një përpjestim shumë i mirë (optimal). Bankat qendrore kanë qenë blerëset me më shumë pasion të arit, duke blerë 5,019 tonë ar me vlerë më shumë se 200 miliard dollarë që nga viti 2009. Rezervat zyrtare të arit janë tani vetëm 10 përqind poshtë nivelit më të lartë të tyre të të gjitha kohërave prej 38,491 tonë në vitin 1966. Bankat qendrore vitin e kaluar blenë 650 tonë ar, niveli i dytë më i lartë vjetor i blerjeve për 50 vjet. Blerjet kanë vazhduar këtë vit dhe Rusinë dhe Kazakistanin të shtojnë 9.7 dhe 3.5 tonë përkatësisht në rezervat e tyre.[16] Ndryshe nga këto vende, Shqipëria është mpirë e gjitha: ajo humbi jo vetëm arin që mblodhi përgjatë socializmit të cilin e shiti në bankat e Zvicrës (10 ton) pas rënies së socializmit në këmbim të bukës por me orientimin e saj politiko-ekonomik nuk ka asnjë shpresë për të shtuar rezervat dhe t’i përdorë ato në rast nevoje.[17]

Kështu, vendimtar në çmimin e arit është si prodhimi ashtu dhe kërkesa: prodhimi i tij kontrollohet nga perëndimi (dhe veçanërisht nga ndërmarrjet private) ndërsa kërkesa krijohet nga qeveritë dhe tregu dhe jo anasjelltas. Fakti që qeveritë kanë krijuar tre klasa kryesore dhe klasa e mesme është në tkurrje dhe klasa e lartë vazhdon të shijojë fitime marramendëse, veçanërisht në perëndim, çmimi i arit do të vazhdojë të rritet por ngadalë. Ai mund të rritet shpejt nëse investitorët braktisin bashkarisht dollarin dhe blejnë ar - dhe ngadal, nëse qeveritë rrisin kërkesën dhe fuqinë blerëse për klasat e mesme. Për shembull, sipas një studimi,[18] ndërsa oligarkët e botës neoliberale pasurohen më shumë, në Lindjen e Mesme dhe Azi, numri i tyre rritet gjithashtu, duke rritur edhe koston e jetës luksoze (makina, bizhuteri etj.). Dhe ndërsa rritet kostua e jetës luksoze - shpenzimet në çmimin e investimeve të “pasionit” u rritën 14%, një kategori që përfshin makinën Aston Martin, një orë ari Patek Philippe — me çmim fillestar nga rreth 20,000 euro —dhe xhingla të tjera nga porositjet e bizhuterive Boodles. Ushqimet dhe pijet në restorantet e shtrenjtë të Londrës (Ivy dhe Le Caprice), “pâté de foie gras”, për shembull, u rritën me 5.3%. Por fakti që kuadri institucional ka krijuar oligarkinë botërore, është i njëjti kuadër që mundëson mbledhjen e arit në pak duar. Kjo bëhet veçanërisht e mundur kur qeveritë e zhytura në borxhe shesin arin e bledhur përgjatë periudhës inflacioniste...dhe ndërsa qeveritë shesin - oligarkët botëror blejnë!

Mund ta kuptojmë këtë proces më mirë nëse konsiderojmë kushtet që u krijuan përgjatë mbretërisë së Zogut në Shqipëri: së fillim Banka Kombëtare shkoi në duart e teknokratëve Italianë pas tre vjetëve që nga koha e themelimit të saj, me marrëveshje me Mbretin Zog, në këmbim të huasë “SVEA”; më pas, pasi Italia studioi Shqipërinë për rezervat e mëdha të arit dhe argjendit,[19] banka qendrore ushtroi politikë deflacioniste, me rezultat — brenda një periudhe katërmbëdhjetë vjeçare (1925-39) mblodhi arin e popullit shqiptar, një pjesë të mirë të të cilit e morën oligarkët italianë dhe pjesën tjetër e mori me vete Zogu...në emër të “patriotizmit”![20] Politikat deflacioniste (në kuptimin e shtrydhjes së klasës së mesme) bëhen të pashmangshme për sa kohë që konkurrenca mes dy vendeve me zhvillim të pabarabartë krijon kushtet për dominimin e më të fortit mbi më të dobëtin, veçanërisht kur konkurrencën e metropoleve e ndihmon politika monetare e bankës qendrore si në rastin e BE-së dhe Kinës. Për shembull, dihet se me shtënien në dorë të bankës sonë qendrore italianët favorizonin me hua (shpesh pa interes) ndërmarrjet italiane.

Unioni europian gjëndet pikërisht në këto kushte: ka anëtarë ekstremisht të pabarabartë në konkurrencë, ka monopolizuar devizën gjithashtu dhe në një shkallë të lartë sektorin privat bankar (“Deutche Bank”) dhe është në pozicionin e kredidhënësit për anëtarët periferikë. Politika e kursimeve, rrjedhimisht, është rezultat i kësaj pabarazie dhe zhvendosjeje kredidhënëse: nga shteti drejt periferife tek unioni drejt shteteve, të cilët, në kuadër të unionit, kthehen në periferi. Në Portugali, për shembull, ‘eksporti i arit u rrit më shumë se pesëfish në 519.4 milionë euro në vitin 2011 nga 102.1 milionë euro në vitin 2009.[21] Kjo politikë nuk ka shkaktuar vetëm ‘eksport’ të arit por për shkak të papunësisë shumë familje shesin bizhuteritë për të mbijetuar, me pasojë të mëtejshme, dyqanet e arit me pakicë të mbyllen masivisht. Nuk mungojnë as piramidat. Në Poloni, për shembull, rreth 7,000 polakë investuan në një firmë ari (“Aber Gold”) që u konsiderua piramidë nga zyrtarët (“Ponzi scheme”).

Përfundime

Mund të konkludojmë se prodhimi i arit kontrollohet kryesisht nga perëndimi dhe ar do të prodhohet përsa kohë që do të ketë kërkesë rreth botës. Por kërkesa do të bierë në nivelin e shtresave të mesme dhe ka dhe do të ketë shitje masive të rezervave të qeverive që janë zhytur në borxhe. Shitja shton ofertën në treg dhe ul çmimet. Dhe nëse në treg shtohen edhe shitjet masive nga fondet gardhonjëse dhe institucionet investitore, çmimi i arit do të bierë edhe më shumë. Qeveritë e zhytura në borxhe, fondet gardhonjëse dhe institucionet investitore, duhet të jenë në qendër të vëmendjes nga tregëtarët e vegjël. Për sa kohë që Eurozona do të ndjekë politikën aktuale ekonomike - për aq kohë vendet periferike dhe gjysmë-periferike do të varfërohen më shumë - me pasojë mbledhjen edhe të arit.

Atje është, sidoqoftë, një përmasë tjetër që duhet marrë në konsideratë lidhur me arin dhe dollarin, ose kartë-monedhat mbështetëse, siç është “Jeni” japonez dhe “Renminbi” kinez. Kina zotëron sasi të madhe dollarësh, si pasojë e eksporteve masive që ka kryer dekadën e fundit dhe meqënse ajo kërkon t’i pakësojë ata - ajo mund t’i përdorë dollarët për blerjen e arit amerikan dhe në njërën anë të shtojë rezervat e saj dhe në tjetrën të pakësojë rezervat amerikane në kohën kur Amerika nuk mund të blejë ar – sepse nëse ajo ble ar do të nën-vlerësojë dollarin, dhe dollari, siç dihet, është kartëmonedha rezervë botërore, mbi të cilën mbështeten gjithë kartëmonedhat e tjera. Sidoqoftë, kjo lëvizje varet nga Kina dhe veçanërisht nga Amerika. Duhet thënë se Kina është e varur nga kartelet e arit të cilët gjenden në Perëndim, ose nga bankat që shesin lingotë ari, të cilat njihen ndryshe si “Shoqëria Tregëtare e Lingotës së Londrës/London Bullion Market Association” (LBMA).[22]

Kështuqë nëse Kina synon të blejë ar me dollarë amerikan, Perëndimi mund të “ngrijë” menjëherë prodhimin dhe çmimi të shkojë në stratosferë. Një përpjekje për t’iu shmangur monopolit të arit perëndimor po bëhet nga Rusia në bashkëpunim me Kinën.[23] Rusia në kulmin e luftës ekonomike, bleu ar dhe e ka rritur sasinë e tij. Ajo radhitet e pesta, pas SHBA-së, Germanisë, Italisë dhe Francës.[24] Për të realizuar objektivin e “monopolizimit” të arit në afatgjatë, Rusia dhe Kina do të synojnë të kontrollojnë burimet e prodhimit të arit në Euroazi. Por edhe nëse e monopolizojnë, ata sërish janë të varur nga tregu i marketingut i globalizuar të cilin e administron kryesisht Uashingtoni. Edhe nëse hamendësojmë se Kina dhe Rusia krijojnë një bllok tjetër ekonomik, të cilin e synojnë, ata duhet të jenë të pavarur nga perëndimi nëse kërkojnë të përdorin fuqinë e arit në shkëmbimet tregëtare. Aktualisht ata janë kryekëput të varur dhe nuk kanë asnjë dëshirë për t`u pavarësuar...  

*Përditësuar në datën 03.02.2020



[1]Lust for Gold, PAUL KRUGMAN, New York Times, April 11, 2013.

[2]Fed Orchestrated Smash In Gold: “Stocks of Physical Gold are Declining”, Global Research, April 14, 2013. 

[3]Po aty. 

[4]Naked Gold Shorts: The Inside Story of Gold Price Manipulation, Dr. Paul Craig Roberts and David Kranzler, Global Research, January 18, 2014.

[5]Gold Is Over - Just Like in 1976, Jeff Clark, Casey Research, Mar 4, 2013.

[6]Po aty.

[7]Gold loses its shine as Chinese curb jewellery purchases, FT,August 14, 2014.

[8]De Beers goes into second-hand diamond market, FT, March 20, 2016.

[9]Why spend $250,000 on a gold shirt? BBC, 14 April 2013.

[10]Explainer: Why commodities have crashed, FT,Aug 24, 2015.

[11]Global gold demand hits four-year low, FT, Feb 12, 2015.

[12]Po aty.

[13]Central Banks in Russia to Kazakhstan Boost Gold Reserves, Bloomberg, Jul 26, 2014.

[14]Central banks make record $15.7bn gold purchases, FT, Aug 1, 2019.

[15]Shih, për më shumë, Kushtetuta e globalizmit neoliberal dhe pavarësia e popujve.

[16]Negative-yielding debt sends investors scurrying into gold, FT, 31 Jan 2020.

[17]Ekonomia ekstroverte falimentoi Shqipërinë dhe Greqinë.

[18]Super-rich feel the squeeze as luxury goods get dearer, The Guardian, 25 June 2013.

[19]P.sh., Francezi J. Godart, pas një vizite në Shqipëri në vitin 1921, shkroi se në duart e shqiptarëve është një sasi ari e argjendi e tesarizuar që vlerësohej në 100 milionë fr. ari, pa përmendur stolitë e grave etj. Shih për shumë, Veniamin Toçi, Ndërhyrja e Kapitalit të Huaj në Shqipëri dhe Qëndrimi i Qarqeve demokratike, 1921-1925, Akademia e Shkencave e R. P. SH. Instituti i Historisë, f, 74.

[20]Gjatë kësaj periudhe autoritet udhëheqëse të Bankës Kombëtare e mbajtën qarkullimin monetar nën nivelin e nevojave të vendit, provokuan artificialisht dhe me ndërgjegje “urinë” kronike të monedhës. Në këtë mënyrë, u krijua një shpërpjesëtim i thellë ndërmjet masës së monedhës të hedhur në qarkullim dhe nevojave reale për monedha që kishte tregu i vendit. Duke zbatuar politikën e “përmbajtjes” së emisionit të monedhës, autoritetet drejtuese grabitën arin dhe argjendin nga duart e pronarëveshqiptarë dhe bënë rishpërndarjen e të ardhurave kombëtare të Shqipërisë në dobi të imperializmit italian. Po aty, f, 175.

[21]Eurozone crisis live: China warns on trade as Merkel visits Canada, The Guardian, 16 Aug 2012.

[22]Në “London Bullion Market Association” (LBMA) janë lojtarë të rëndësishëm si, Barclays Bank, Credit Suisse, Deutsche Bank, Goldman Sachs, HSBC, JP Morgan Chase, Merrill Lynch International Bank, Mitsui, Societe Generale, Bank of Nova Scotia, ScotiaMocatta, UBS.

[23]Shih, Kushtetuta e globalizmit neoliberal dhe pavaresia e popujve, pjesa e parë.

[24]Against the dollar? Sputnik, 26. 02. 2016.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA