...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Përpjekja e jogazetarit (Rakipit) për të bashkuar partitë e reja dhe gafa e madhe e Arlindit me oligarkinë

Qëllimi` Rakipit, për të bashkuar tre partitë e reja, nuk është i keq; madje ai është domosdoshëm, meqënse asnjë nga ato parti nuk mund të sfidojë dy partitë kryesore: PS-në dhe PD-në. Por bëhet nga një shtirak, që nuk i shërben të vërtetës dhe popullit dhe për më të tepër turpëron gazetarinë shqiptare

Ylli Përmeti

17/04/2024 - 09:49

Jogazetari, Ylli Rakipi, ftoi pardje përfaqësuesit e dy partive zyrtarisht të njohura dhe një tjetre që është duke u zyrtarizuar: Lëvizja Thurje; Lëvizja Bashkë; dhe Shqipëria Bëhet. Për lexuesin e pavëmendshëm, po përmend faktin se Rakipi e pranoi në një nga emisionet e tij të javës së kaluar se nuk është diplomuar si gazetar, fakt që sqaron keqdrejtimin e emisionit të tij ose padijen e tij lidhur me parimet themelore të gazetarisë, kur u përplas me “gazetaren” Olta Xama, e cila po përdoret nga Berisha dhe drejtori` BIRN-it, për të goditur Veliajn: se Rakipi, Bushati, Sejamini, dhe Hoxha “nuk janë kualifikuar si gazetarë”.

Pretendimi` saj, sidoqoftë, duhet vërtetuar nga vetë ata, sepse ajo mund të ketë të dhëna të gabuara por nuk pashë as nga ata ta kundërshtonin ndërsa emnaku im e “pranoi” tërthorazi se nuk është diplomuar si gazetar kur u përpoq ta paraqeste gazetarinë si jo profesion dhe një fushë për njerëzit që s`kanë se çfarë të bëjnë! Madje ata u përpoqën të “lavdëronin” ata pak gazetarë që i rezistojnë diktatit të pronarëve të medias por pa përmendur ndonjë emër!

Megjithatë, një arsye se pse ata përfaqësojnë turpin e gazetarisë shqiptare, është pikërisht mungesa e kualifikimit të tyre si gazetarë. Gazetaria është shkencë e veçantë dhe mund ta zhvillojë një njeri në gjithë shkencat e tjera, pikërisht sepse ka për detyrë të shkruajë për të gjitha shkencat. Unë, për shembull, mbuloj disa nga fushat kryesore të gazetarisë prej gati 20 vitesh. Si pasojë, unë jam aftësuar në shkenca të tjera.

Megjithatë, unë nuk njoh gazetar (të diplomuar) tjetër në Shqipëri që të censurohet në shkallën e censurës që ushtrohet ndaj meje ndërsa kam mbrojtur disa shpunësime të disa “gazetarëve” (Shullaku etj.) në të kaluarën nga disa media. Por për censurën që ushtrohet ndaj meje asnjë “gazetar” apo jogazetar nuk e ka ngritur zërin në media!

Madje as edhe ata që kam “bër” gazetar ndër vite nuk denoncojnë rastin tim, sepse në disa media janë disa jogazetarë që paraqiten si “gazetarë” që janë “bërë” nga unë; madje kanë mësuar dhe drejtshkrimin nga unë, sepse as për të shkrojtur s`dinin. Megjithatë, ata unë nuk mund t`i quaj gazetarë, sepse nuk kanë kaluar nga parimet themelore të gazetarisë. Kjo është një arsye se pse ata janë korruptuar me pushtetet politiko-mediatike dhe nuk përmendin askund rastin tim. Domethënë, fakti që ata nuk njohin parimet themelore të gazetarisë, ata e shesin “penën” sipas “ofertës”. Të tillët, sigurisht, nuk i shërbejnë të vërtetës dhe popullit, por vetëm pushteteve dhe vetes. Ndaj dhe unë mbaj përgjegjësi (madje dhe penale) për ata që kam “kualifikuar” si “gazetarë” vitet e fundit.

Sigurisht, unë doja t`i ndihmoja, sepse kishin nevojë për punë, por kur shoh se kujt i shërbejnë dhe kur shoh të heshtin ndaj rastit tim, kuptoj se kam gabuar dhe me siguri nuk do të mbështesë ndonjë rast tjetër në të ardhmen dhe ta “bëj” gazetar. Megjithatë, punë e madhe na pret me “gazetarët” dhe jogazetarët që punojnë për pushtetet dhe jo për të vërtetën dhe popullin. Milionerët “gazetarë” si Fevziu, Balla, Rakipi e të tjerë me siguri do të pushohen nga puna dhe milionat do të sekuestrohen.

Duhet sqaruar se gazetaria të bën edhe “milioner”, sepse është një ndër zanatet më të rrezikuara nga pushtetet politike dhe ekonomike. Por vetëm kur ajo i shërben të vërtetës dhe popullit. Sigurisht, ka raste si rasti Top Medias, e cila nuk i shërben të vëtetës dhe popullit (me shkeljen e ligjit të medias) dhe sulmohet. Në raste të tillë ato sulmohen sepse dihet se kërcënojnë pushtete që media përkatëse ka zgjedhur për t`i “gjobitur”. Domethënë, media përdoret për të “rrjepur” ndonjë shumë të caktuar nga pushtete të paracaktuara.

Nuk është sekret tashmë se Top Media, Klani, Vizioni dhe G2 Media shpërblehen nga qeveria në këmbim të mbështetjes së politikave të saj (Freedom House). As është sekret fakti që media e Berishës (Syri etj.) dhe Metës (Oranews) financohen nga po ata për të mbështetur politikat e tyre. Në këtë kontekst, nuk do të ishte i çuditshëm dhe nënshktrimi i RTSH-së në “epeshet” e qeverisë dhe të lulëzojë censura dhe të shkelet ligji i medias dhe palët të mos e përmendin këtë fakt. Berisha, për shembull, së fundmi akuzoi edhe një herë median për censurë por s`përmendi ndonjë emër! Pikërisht sepse ka bërë një marrëveshje me Ramën që kjo çështje (shkelja e ligjit të medias) të mos përmendet dhe kështu të dyja apo të treja palët të bëjnë “përshesh” në “sheshin” e medias.   

Por se çfarë është shqetësuese në këtë dinamikë është heshtja e popullit dhe sigurisht e partive të reja politike, të cilat nuk e denoncojnë shkeljen e ligjit të medias por mundohen të “përfitojnë” nga ajo duke heshtur kur heshtja përkatëse mund të quhet “shtirje” dhe kur dihet se në perëndim janë zhvilluar forca politike “anti-establishment” dhe po fitojnë terren!

Duke shpërnjohur pikërisht dinamikën në fjalë, përfaqësuesit e tre partive të reja, Lëvizjes Thurje (që unë e quaj shpesh “Shthurje” për disa arsye që i kam sqaruar në vend tjetër); “Shqipëria Bëhet”; dhe “Lëvizjes Bashkë”, ishin ftuar tek jogazetari Rakipi, në përpjekjen e tij për t`i bashkuar në një forcë të vetme kundër partive të vjetra.

Por duhet sqaruar se dy të parat burojnë nga “gjiri” i partisë “demokratike” dhe nga “shoqëria civile” në Shqipëri. Domethënë, kanë shijuar rrogat e majme të Sorosit dhe të medias së Berishës dhe Metës dhe Ramës (rasti “Lapaj” është tipik në këtë drejtim dy-tre vitet e fundit).

Lexo për më shumë për Lapajn këtu: Fushata politike ka filluar dhe bashkë me të “rrëfenja e madhe” 

Ky është një dallim i madh mes atyre që sakrifikojnë jetën e tyre (ku bëj pjesë dhe unë) për të ndaluar rrënimin e Shqipërisë nga pushtetarët e mbrapshtë si Berisha, Nanua, Rama dhe Meta dhe atyre që shijojnë rroga të majme dhe median dhe paraqiten si “shpëtimtarë” të Shqipërisë. 

Por me një ndryshim mes tyre: “Shqipëria Bëhet” ka marrë një hov më të madh se Thurja për shkak së Lapaj u mbështet nga ambasada amerikane e kryesuar nga Kimi por u braktis pas “gafave” të tij me pohimet e tij publike se atë e “mbështesnin” amerikanët dhe për pasojë ai do të ishte “kryeministri” i ri i Shqipërisë, meqënse është krijuar bindja, gjykuar nga Berisha, Nanua, Meta dhe Rama, se cilindo që mbështesin amerikanët, bëhet kryeministër!

Këto parti kanë një anë të përbashkët: janë të reja por nuk luftojnë kundër nomenklaturës. Lëvizja Bashkë përpiqet të luftojë “nomenklaturën” por deri tani nuk bind, jo vetëm sepse nuk ka denoncuar shkeljen e ligjit të medias dhe si pasojë rrezikon të quhet “shtirake” (apo hipokrite) por shtrembëron dhe karakterin e shtetin e tonë të ri: se ai është oligarkik. Unë kam vite që kam bër vërejtjet e mija për shtrembërimin e konceptit “oligarki” nga Arlind Qori por s`i duket ai s`i lexon ato dhe për pasojë vazhdon të na tregojë “kodra pas bregut”.     

Aristoteli dhe katër format e oligarkive: pse demagogët e partive politike e shtrembërojnë konceptin?

Dy ndryshimet e oligarkisë ekonomike perëndimore me tonën

Dy janë ndryshimet kryesore mes oligarkisë sonë ekonomike dhe perëndimore: njëra lidhet me historinë, se në perëndim oligarkitë ekonomike kontribuan vendimtarisht në krijimin e oligarkisë politike ose atë që quhet “demokraci” përfaqësuese ndërsa në Shqipërinë e 30 viteve të fundit oligarkia politike, e trashëguar nga socializmi marksist (PS, PD, PR, PSD), krijoi oligarkinë ekonomike. Një ndryshim tjetër lidhet me karakterin e oligarkisë ekonomike në perëndim; atje tipat si Sorosi kanë aftësi të shtjellojnë koncepte filozofike apo ideologjike si “shoqëria e hapur” e Karl Poperit dhe t`i diktojnë në “gjirin” e elitave politike ndërsa në Shqipëri nuk kemi parë aftësi të ngjashme tek tipat Mane dhe Kastrati.

Ndaj dhe kur themi se oligarkia ekonomike në perëndim dikton politikat që ajo dëshiron, e themi sepse kemi fakte. Sorosi, për shembull, e pranon publikisht se qasja e “tij” për “shoqërinë e hapur” është përqafuar nga elitat politike perëndimore falë punës së tij, sa teorike po aq edhe praktike: duke korruptuar (ai nuk përdor fjalën “korruptim” por përdor eufemizma) anëtarë “kyç” të elitave politike, kryesisht duke financuar fushatat e tyre.

Këto dy ndryshime janë të rëndësishme për t`u kuptuar, sepse ndryshe shtrembërojmë si historinë tonë politike të 30 viteve të fundit ashtu dhe karakterin e oligarkisë sonë ekonomike. Në këtë gafë të madhe ka rënë Arlind Qori. Ai “na thotë” se oligarkia jonë ekonomike dikton politikat e Ramës! Por pa treguar ndonjë fakt. Për shembull, të karakterit teorik apo zvetënues (korruptiv), siç vepron Sorosi. Kur, në të vërtetë, ka plotë fakte se është Rama ai që zvetënon tipat si Mania dhe Kastrati. Madje, partia “socialiste”, që kur braktisi klasën punëtore me braktisjen e socializmit marksist, krijoi “strategjinë” e re, e cila me Ramën ka marrë përmasa të stërmëdha dhe duket më qartë se kurrë: bashkëpunimin e saj me pasanikët e rinj se sa me punëtorët dhe veprimtarët e ndershëm, sepse ata mund t`i shfrytëzojë ose përdorë për qëllimet e saj politike ndërsa veprimtarët e ndershëm jo.

Mosparja e këtyre ndryshimeve dhe fakteve ka çuar Arlindin të na tregojë dhe “elefantin në dhomë” kur “elefanti” është bërë “dinozuar” në mes të Tiranës. Një parakusht për të korruptuar dikë, është dija ose aftësia mendore për të bindur dikë tjetër për të vepruar sipas dëshirës së tij por dhe paraja. Sorosi ka vepruar në të dy këta drejtime. SHBA-ja ka dhe oligarkë të tjerë ekonomikë si Masku për shembull. Por ky s`ka treguar aftësi shqyrtuese si Sorosi. Ndaj pretendimi se Mania apo Kastrati korrupton Ramën, nuk është vetëm i papërputhshëm me parakushtin e dijes (ata s`kanë dije më shumë se Rama apo Berisha, nëse do të kishin, do ta kishin treguar) por dhe me paranë: sepse Rama dhe Berisha kanë disafish më shumë pushtet politik, shoqëror dhe ekonomik se tipat si Mania.

Le të provojë, për shembull, Mania, të dalë në shesh për ndonjë protestë, kundër ndonjë vendimi të Ramës. Mund të dalë por do të ketë vetëm punëtorët e tij, rreth 5 mijë, dhe ndoshta ndonjë mbështetës të tij, ndërsa Rama apo Berisha, nxjerrin në shesh kur t`ua dojë kokrra e pallës, 10 apo 20 mijë militantë (ose parazitë të shtetit), meqënse anëtarësia e tyre luhatet mes 600 mijë dhe 800 mijë. Dhe ky është vetëm pushteti shoqëror (ose politik) i tyre, sepse pushteti ekonomik i tyre është më i madh se i Manes dhe sojit të tij. Rama si kryeministër, për shembull, dihet se mbikëqyr jo vetëm pushtetin shoqëror ose militantët e partisë (i kon ata me kursimet tona, mjafton ta mbështesin atë) dhe median, dhe pushtetin politik përmes të cilit po shet pasuritë tona kombëtare por dhe pushtetin tonë ekonomik ose buxhetin e shtetit, i cili është disafish më i madh se buxheti i Manes apo gjithë “maneve” të oligarkisë sonë ekonomike. Berisha, ndërkohë, në opozitë, mbikëqyr pushtetin ekonomik të oligarkëve të tij, ose ata që ai ka krijuar ndër vite kur ishte president dhe kryeministër dhe i qendrojnë besnikë, bashkë me median. Njësoj vepron dhe Meta por me pushtet shumë më të vogël se Rama dhe Berisha.

Këto fakte janë lehtësisht të kuptueshme; madje edhe nga studenti i vitit të parë të shkencave politike, nëse një pedagog përdor qasje pushtetore (në nivel shoqëror, ekonomik, dhe politik). Nuk po përfshij këtu pushtetin ushtarak, i cili në vendin tonë është gati i parëndësishëm; as po përfshij pushtetin ekologjik ose njerëzit që zbatojnë ligjet me karakter ekologjik, sepse ky përfshihet në pushtetin politik ose në “epshet” e kryeministrit për të ndryshuar ligjet përkatëse (si në rastin e Butrintit) dhe emërimet dhe çemërimet e njerëzve që zbatojnë ligjet në fjalë.

Përfundime

Qëllimi` Rakipit, për të bashkuar tre partitë e reja, nuk është i keq; madje ai është i domosdoshëm, meqënse asnjë nga ato parti nuk mund të sfidojë dy partitë kryesore: PS-në dhe PD-në. Por bëhet nga një shtirak, që nuk i shërben të vërtetës dhe popullit dhe për më të tepër turpëron gazetarinë shqiptare. Edhe sikur ta linim mënjanë për një çast faktin që ai nuk është gazetar por bën gazetarin dhe faktin tjetër se ai nuk i shërben të vërtetës dhe popullit por pushteteve, për hir të qëllimit të tij, me censurën e tij, ai kurrë nuk mund t`i bashkojë ato: sepse që të bashkohen disa forca të reja politike duhet të thuhet e gjithë e vërteta.

Për “gjithë të vërtetën” apo për të “vërtetën e plotë” flet dhe Arlindi.

Por dihet se ai flet për vërtetën që ka kuptuar ai dhe jo për të vërtetën e plotë. Po të kishte lexuar, për shembull, katër format e oligarkisë së Aristotelit, dhe për më tepër, formën e pestë që paraqes unë, dhe kushtetutën tonë, e cila është në karakter oligarkike, sepse themelon “demokracinë” përfaqësuese dhe jo të vërtetën, pavarësisht se i lejon partitë politike të zhvillojnë ndonjë referendum, të drejtë të cilën ato s`e kanë shfrytëzuar kurrë, pikërisht sepse duan ta mbajnë pushtetin politik të përqendruar, (shënim: referendumi, nuk duhet të ngatërrohet me karakterin e demokracisë, sepse në referendum populli vazhdon të jetë pasiv ose thjesht ftohet të votojë por nuk ftohet të shqyrtojë dhe gjykojë ai vetë se sa e drejtë apo e padrejtë është çështja për të cilën ftohet të votojë) me siguri ai do ta zgjeronte kuptimin.

Shqetësimi im i parë, lidhur me Arlindin, në fjalë të tjera, është kuptimor: se ai ka kuptim tejet të pjesshëm të realitetit politik në të cilin jeton. Shqetësimi im i dytë, lidhet në përgjithësi me mungesën e paralelizimit të veprimtarive politike (si mbështetja e punëtorëve, kërkesa për rritjen e pensioneve etj.) me hetime ndaj klasës politike. Lëvizja Bashkë, në fjalë të tjera, nuk ka shënuar ende në historinë e saj politike, më shumë se dhjetëvjeçare, një “kallëzim” penal ndaj klasës politike apo qoftë edhe ndaj asaj që ajo quan “oligarki” (sipas kuptimit të Arlindit). Ky fakt ngre dyshime jo vetëm tek ata që dyshimin e kanë mjet pune, si unë, por dhe tek populli, duke thënë se “këta vërtet protestojnë dhe kërkojnë më shumë të drejta për grupe të ndryshme shoqërore por këta s`kanë dërguar asnjë të korruptuar në burg”. 

Sidoqoftë, ajo ka kohë të ndreq veten, jo vetëm lidhur me kuptimin e saj lidhur me oligarkinë por dhe me demokracinë: sepse duhet thënë se edhe lidhur me demokracinë, ajo s`ka kuptim të drejtë. Ka kohë, gjithashtu, të veprojë në dy drejtime: edhe të hetojë klasën e vjetër politike dhe të veprojë me aksione politike në terren. Por...“kohë” mjaft të kufizuar, sepse zgjedhjet po afrojnë dhe nëse ajo vazhdon me të njëjtën qasje, populli do ta kuptojë se ajo është një parti e “papjekur”.

Në fund po shtoj se “Lëvizja Bashkë” u themelua deri diku në parime të drejta. Për shembull, ajo shqyrtoi në fazën e saj themeluese, nevojën për të qenë ndryshe nga partitë në pushtet dhe “për të qenë ndryshe” ajo duhet të themelonte demokracinë në gjirin e saj ku do të shqyrtoheshin qendrimet e saj dhe pastaj do të bëheshin publike. Por shqyrtimi nga hetimi ndryshon si nata me ditën. Ajo, në fjalë të tjera, nuk ka themeluar veprimtarinë hetuese në gjirin e saj por vetëm procesin e shqyrtimit, kur dihet se pa hetim shqyrtohen vetëm “përshtypjet” e njërit apo të tjetrit. Kjo është një arsye se pse Arlindi mban shpesh qendrime të padrejta.  

Çani, Arlindi dhe pedagogët e partive: kodra pas bregut për çështjet (gjeo)politike dhe shoqërore

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA