...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse zgjedhjet e 25 prillit i fiton opozita dhe e ardhmja është e pasigurt?

Nëse gjykojmë nga e vërteta (ose thënia) e madhe se “e keqja shkruhet në gur ndërsa e mira shkruhet në rërë”, duke nënkuptuar efektin që ka e keqja dhe e mira në kujtesën dhe shpirtin tonë, se e keqja nuk harrohet lehtë ndërsa e mira edhe harrohet, dhe nga të këqijat që ka shkaktuar qeverisja “Rama” përgjatë tetë viteve dhe veçanërisht vitin e fundit, kuptojmë se...

Ylli Përmeti

05/03/2021 - 14:14

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017-të, partia “socialiste” fitoi 74 mandate; partia “demokratike” 43 mandate; LSI-ja 19 mandate; PDIU 3 mandate; dhe PSD-ja e Tom Doshit, 1 mandat. Në zgjedhjet e vitit 2021 partitë opozitare (PD, LSI, PDIU etj.) u bashkuan në një koalicion: çka do të thotë se nëse fitojnë të njëjtët mandate (65) zgjedhjet i fiton sërish PS-ja. Por viti 2017-të nuk është i njëjtë me vitin 2021: në ato zgjedhje Rama propagandoi me mbrothësi faktin se në mandatin e parë qeverisës ai nuk mund të bënte shumë për shkak se s`e linte LSI-ja me subversionin e saj.

Por ndërsa subversioni i LSI-së vërtet ekzistonte, katër vitet e mandatit të dytë treguan se nuk ishte LSI-ja që e pengonte Ramën të punonte dhe të zhvillonte vendin. Por padija dhe pangopësia e tij! ‘Padija’ për të drejtuar shtetin; dhe ‘pangopësia’ për të vjedhur: jo drejtpërdrejt por tërthorazi – me firma fantazma dhe politika konçesionare përfshirë dhe “PPP-të”. Rama tregoi, në fjalë të tjera, karakterin e tij të vërtetë përgjatë 8 viteve: një njeri jovirtuoz i përfshirë në politikë për të vjedhur dhe kriminalizuar shtetin. Politikat e tij kriminale të mandatit të parë ia parapublikova në një studim mjaft të gjatë ndërsa disa nga politikat kriminale të mandatit të dytë ia kam publikuar pjesë-pjesë — që të gjitha bashkë do të publikohen në një libër të vetëm.

Por Rama ka një disanvantazh të madh në këto zgjedhje krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017-të: fakti se Shqipëria është goditur nga dy ngjarje me pasoja fatale: tërmeti dhe epidemia. Për tërmetin ai u mundua ta paraqiste veten si shpëtimtar duke lypur borxhe dhe disa grante nga të huajt për të rindërtuar banesat e shkatërruara. Deri diku kjo paraqitje i “shkoi” mirë meqënse opozita nuk zhvilloi ndonjë argument shkencor ndërsa establishmenti çensuroi studimin tim. Por dhimbja është dhimbje dhe nuk harrohet lehtë sidomos tek ata që humbën njerëzit e tyre. Kujtoj se Rama mund të kishte realizuar një studim lidhur me tërmetet nëse partia e tij do të kishte si synim studimet dhe kuptimin e realitetit ku jetojmë dhe veçanërisht gjatë kohës kur ishte në opozitë. Nëse do të ishte orientuar drejt studimeve do të kishte parandaluar dhe dëmet nga tërmeti.

Por epidemia ka shkatuar një dëm shumë më të madh se tërmeti dhe do të vazhdojë të shkaktojë. Dhimbja e njerëzve është tejet e madhe si lidhur me shëndetin ashtu dhe me ekonominë e tyre që pa të dytën nuk mund të realizohet i pari. Edhe në këtë rast ai po përpiqet ta paraqes veten si “shpëtimtar” në dijeni të plotë se ai mund ta kishte parandaluar infektimin e popullit dhe rrënimin e ekonomisë: sepse, po e përsëris edhe një herë, studimin që realizova për infeksionet në përgjithësi dhe C-19 në veçanti, ia dërgova që ta lexonte me qëllim që të merrte masa. Por ai —si mendjelehtë që është— vazhdoi me propagandën e tij se ne nuk kërcënoheshim nga virusi “kinez” derisa u infektua populli dhe pastaj “përveshi” mëngët që ta “shpëtonte”.

Kështu, nëse gjykojmë nga e vërteta (ose thënia) e madhe se “e keqja shkruhet në gur ndërsa e mira shkruhet në rërë”, duke nënkuptuar efektin që ka e keqja dhe e mira në kujtesën dhe shpirtin tonë, se e keqja nuk harrohet lehtë ndërsa e mira edhe harrohet, dhe nga të këqijat që ka shkaktuar qeverisja “Rama” përgjatë tetë viteve dhe veçanërisht vitin e fundit, kuptojmë se shumë që e kanë votuar nuk do ta votojnë. Të njëjtën të vërtetë mund të përdorim edhe lidhur me opozitën: por në këtë rast duke i shtuar faktin se “e keqja” harrohet pas shumë kohësh —rast unik është “e keqja e madhe” që shkaktoi Berisha në ’97 dhe pas 5 vitesh populli e rivotoi!— ashtu mund të harrohen dhe të këqijat që ka shkaktuar e njëjta opozitë kur ishte në pushtet!

Thënia përkatëse, rrjedhimisht, ka një efekt të “mirë” në kujtesën dhe shpirtin e popullit —faktin që e bën atë të mos harrojë— por kur kalojnë vite dhe dhimbjet riprodhohen me dhimbje të tjera, më të freskëta dhe shpesh më të dhimbshme, ai do të zgjedhë të ndëshkojë shkaktarët e dhimbjeve të freskëta se sa shkaktarët e dhimbjeve të vjetra. Ja pse rrezikojmë të sjellim në pushtet të njëjtët. Pasojat me ringritjen e opozitës në drejtimin e vendit do të jenë fatale: sepse ajo do të synojë —pikë së pari— të shkatërrojë reformën në drejtësi, e cila aktualisht ka “ngecur” tek BKH-ja: sepse vetëm kështu ata nuk do të hetohen kurrë.

Ndërsa Rama ka një dizavantazh, të cilin e shkaktoi vetë dhe kur për të është dizavantazh për opozitën është avantazh, vetë opozita ka një avantazh tjetër: ajo po përdorë lëvizjen “Thurja”, të cilën unë e quaj “shthurja”, pikërisht për karakterin e saj, se është një lëvizje neoliberale (karakteri kryesor i politikave neoliberale është shthurja e vendit me qëllim që të kontrollohet nga të huajt dhe jo nga populli!), që buron nga shoqëria civile (kjo e fundit financohet nga BE-ja) dhe nga i njëjti establishment, por me doza “majtiste”, me qëllim që të mashtrojë ndonjë të “majtë” të pështjelluar…se ajo është lëvizje e “re” dhe anti-establishment: kjo mund të bashkojë votat me opozitën nëse nevojitet.  

Por edhe nëse opozita nuk fiton, Meta do të vazhdojë të përdorë gjithçka i ka mbetur në dorë për të penguar rizgjedhjen e PS-së. Aktualisht ai ka mbështetje të gjerë nëse gjykojmë nga protesta e tij. Këtë mbështetje ai mund ta përdorë në vazhdim edhe nëse rizgjidhet PS-ja. Ai ka paralajmëruar se do të dorëhiqet nëse PS-ja fiton zgjedhjet. Dhe mund ta bëjë: sepse i ka dhënë plotë arsye qeverisja e Ramës me ligjet e padrejtë që i ka dërguar për dekretim dhe ky ia ka kthyer me të drejtë. Rama, në fjalë të tjera, ka krijuar kushtet për projektimin e një “Iliri” heroik: sepse nëse Rama do të kishte vepruar drejt me ligjet që ka miratuar, Meta nuk do të kishtë ndonjë “kauzë”, e cila përforcohet edhe më shumë me Dvoranin, ish-drejtuesin e KED-it: sepse ky i fundit po paraqitet si luftëtar anti-korrupsion kur Komisioni e Venecias ka treguar se ai ka shkelur ligjin si drejtues i KED-it.

Ky fakt bashkë me ligjet e Ramës mund të përdoret me mjaft mbrothësi nga Meta.

Dy janë, rrjedhimisht, skenarët që zhvillohen pas zgjedhjeve: njëri —dhe më i rëndësishmi— është se opozita mund të fitojë zgjedhjet. Ky variant është tejet i mundshëm nëse gjykojmë nga e vërteta e madhe se “e keqja shkruhet në gur ndërsa e mira në rërë”; dhe i dyti, është se edhe nëse populli nuk harron dhe ëmbëlsohet me gënjeshtrat e Ramës, Meta do të luftojë për të ardhmen e tij — çka nënkupton se ai do të hidhet në opozitë dhe do të braktisë presidencën me një “kauzë” të drejtë. Në këtë mënyrë ai ka mundësi të bashkojë më shumë opozitën dhe të shkaktojë tensione të njëpasnjëshme duke mos njohur zgjedhjet dhe duke kërkuar ose zgjedhje të tjera ose dëbimin e Ramës.

Synimin e fundit mund ta realizojë meqë Rama —pikërisht për arsyet që përmenda por dhe duke gjykuar nga sjellja e tij lidhur me mbështetësit e tij në 21 janar, të cilët i braktisi në protestë, dhe mashtrimin më pas me mosndëshkimin e vrasësve— nuk ka mbështetje të gjerë popullore.

Çfarë mbetet nga kjo dinamikë është një e ardhme kaotike dhe e pasigurtë për vendin. Qoftë edhe puna hetimore e SPAK-ut —nëse supozojmë se krijohet BKH-ja këto ditë— rrezikon: sepse Meta mund ta zhvlerësojë punën e tij edhe nëse kryhen hetime…                        

            

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA