...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Zgjedhjet jodemokratike dhe jomeritokratike të PD-së/PS-së: mësime nga SHBA-ja & Demokracia Klasike e Athinës

Procesi i zgjedhjes së kandidatëve nga partitë kryesore për zgjedhjet e vitit 2021, ishte tërësisht jodemokratik dhe jomeritokratik, kryesisht në gjirin e PS-së sepse PD-ja përdori një aspekt të zgjedhjeve të Demokracisë Klasike të Athinës: votimin e të padëshiruarit. Kështu në vijim do të tregoj padijen e Bashës dhe kryesisë së tij ku bëjnë pjesë dhe disa “intelektualë” (Mark Marku, Besnik Mustafaj etj.) lidhur me praktikën që zbatuan për zgjedhjet paraprake duke e krahasuar me praktinën që përdor SHBA-ja dhe Demokracia Klasike e Athinës, dhe pas këtyre do të tregoj karakterin e padrejtë dhe kriminal si të Ramës dhe kryesisë së partisë përkatëse ashtu dhe të kandidatëve të rinj me protagonistë Bozon dhe Çomon.

Ylli Përmeti

10/03/2021 - 12:13

Procesi i zgjedhjes së kandidatëve nga partitë kryesore për zgjedhjet e vitit 2021, ishte tërësisht jodemokratik dhe jomeritokratik, kryesisht në gjirin e PS-së sepse PD-ja përdori një aspekt të zgjedhjeve të Demokracisë Klasike të Athinës: votimin e të padëshiruarit. Kështu në vijim do të tregoj padijen e Bashës dhe kryesisë së tij ku bëjnë pjesë dhe disa “intelektualë” (Mark Marku, Besnik Mustafaj etj.) lidhur me praktikën që zbatuan për zgjedhjet paraprake duke e krahasuar me praktinën që përdor SHBA-ja dhe Demokracia Klasike e Athinës, dhe pas këtyre do të tregoj karakterin e padrejtë dhe kriminal si të Ramës dhe kryesisë së partisë përkatëse ashtu dhe të kandidatëve të rinj me protagonistë Bozon dhe Çomon.

PD-ja për “votimin negativ”: padije por dhe mashtruese

Koncepti i ri i PD-së nuk reflektohet në “Statutin” e miratuar në 29 prill 2018. Por në një njoftim të 23 shtatorit 2020, PD-ja citoi se “anëtarët do të kenë mundësi të kontestojnë 1 kandidat ose të konfirmojnë listën në bllok”. Nga ky proces nuk shpëtoi as kryesia e saj por u përjashtua, kryetari, Basha, dy nënkryetarët, Paloka dhe Spaho dhe sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi, të cilët u futën automatikisht në lista! Bashkë me ta u përjashtuan dhe tre anëtarët e kryesisë, Sahit Dollapi, Ervin Minarolli dhe Alfred Rushaj, pasi u përfshin drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë. Kryesia e partisë përkatëse miratoi dhe mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputet, sipas të cilës synohet fuqizimi i anëtarësisë duke rritur rolin e saj dhe garantimin e lidhjes dhe llogaridhënien e fortë mes të zgjedhurve dhe anëtarit të partisë. Procesoi kalon në katër faza. Faza e parë “identifikon dhe propozon kandidatët nga anëtarët. Çdo anëtar ka të drejtën e propozimit të një kandidati. Edhe ata individ që nuk janë propozuar nga anëtarësia, kanë të drejtën e vetpropozimit”. Faza e dytë, “verifikon dhe seleksionon kandidatët nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve”. Faza e tretë “konsulton listën e kandidatëve potencialë nga anëtarësia me parimin 1 anëtar, 1 votë”. Dhe faza e katërt “zyrtarizon listën nga kryesia e partisë dhe miratohet nga Këshilli Kombëtar”.

Qasjen e përmendur Basha e mbrojti në një emision telelviziv (Zonë e Lirë, 3 korrik 2020) ku tha se ishte këshilluar nga amerikanët duke përmendur dhe konceptin në anglisht: “shortlisting”. Në shqip mund të përkthehet si proces zgjedhor për të mbërritur në “listën përfundimtare” të kandidatëve. Gjatë këtij procesi u përdor qasja e votimit të kandidatit që nuk pëlqehet (vota negative) dhe jo ai që pëlqehet. Sipas tij kjo qasje është “një risi që nuk ka ndodhur në partitë ballkanase dhe evropiane dhe se ishte ndihmuar nga instituti republikan amerikan që është fondacioni i partisë republikane amerikane...dhe jo vetëm kaq por e tha dhe partia konservatore britanike...tradita e primareve [qasjes amerikane] është e kufizuar vetëm në SHBA dhe britanikët nuk e kanë tamam primare. Por britanikët kanë komitetin e seleskionimit të kandidatëve. Dhe ne i kemi marrë të dyja këto modele...me komitetin e seleksionimit të kandidatëve synojmë të ndërtojmë një trup jashtë konfliktit të interesit [...] këtu kemi anëtarësinë që propozon pa asnjë kufizim. Ata që pranojnë propozimin dhe ai që nuk propozohet mund të vetpropozohet mjafton të marrë firmat e dhjetë anëtarëve”. Për këtë proces është hartuar një formular vetdeklarimi me ndihmën e zyrtarëve të FBI-së dhe ambasadës amerikane. Ky formular lidhet me ligjin e “dekriminalizimit” të kanditatit që përdoret si bazë për zyrtarët amerikanë”.

Pasi kandidatët përzgjidhen nga komisioni se nëse përmbushin kriteret e vendosur nga kryesia, kandidatët kthehen tek anëtarësia për të nxjerrë listën përfundimtare—domethënë, nga “një listë kandidatësh potencialë, anëtarësia i rankon [radhit] duke votuar me mbi 20% ata që mendon se...nuk janë gati t`i përfaqësojnë”: sepse, sqaroi Basha, është jashtëzakonisht e vështirë të bësh fushatë negative...nga kandidatët vetë”.

Sqarimin në fjalë e bëri pasi e nxiti Çani, gazetari që vetëm të vërtetës dhe popullit nuk i shërben, dhe “filozofi” i emisionit, Curri. Ky fundit, s`e ka kuptuar se të studiosh filozofi nuk të bën filozof kur paraqitet (si nga vetja ashtu dhe të tjerët) si “filozof”! As ka kuptuar faktin se “filozof” quhet një njeri që i ka kaluar të pesëdhjetat. Arsyet i sqaron Aristoteli kur tregon se me çfarë shqetësohet filozofia—dijen sigurisht—, duke sqaruar dhe si fitohet dija dhe çfarë tregon ajo—shkurt, shkaqet e dukurive sociale dhe fizike. Në rastin konkret “filozofi” ynë nuk kishte realizuar asnjë studim lidhur me praktikën përkatëse dhe guxonte (siç guxon për çështje të tjera në studiot e televizioneve të idiotëve) të shprehë qendrim se ajo ishte “risi” dhe jo ekzakt si zgjedhjet amerikane. Në fakt, mund të quhet “risi” vetëm në raport me popullin tonë meqë populli ynë ka humbur kuptimin e nocionit demokraci dhe meritokraci. Por kështu është kur partitë, universitetet dhe mediat riprodhojnë idiotët dhe këta të fundit paraqiten në popull si të “mençur”.

Por le të sqarojmë procesin se si zgjidhen kandidatët në SHBA meqënse partitë tona “vdesin” ta kopjojnë atë dhe “filozofët” dhe opinionistët nxjerrin përfundime pa studime. Kushtetuta amerikane ka themelur një proces për zhvillimin e zgjedhjeve. Për t`u bërë president duhet të plotësohen disa kritere: 1) të ketë lindur në SHBA; të jetë të paktën 35 vjeç; dhe banues në SHBA për të paktën 14 vjet. Hapi i parë fillon me zgjedhjet paraprake dhe grupet e zgjedhjeve (“primaries and caucuses”). Njerëzit me të njëjtat ide zakonisht janë pjesë e një partie politike. Në SHBA dy partitë kryesore janë republikanët dhe demokratët. Shumë nga ata duan të bëhen president. Ata bëjnë fushatë rreth vendit dhe konkurrojnë për të fituar emërimin e partisë së tyre. Në grupet e zgjedhjeve anëtarët e partive takohen, diskutojnë dhe votojnë se cili do të ishte kandidati më i mirë. Në zgjedhjet paraprake (“primaries”) anëtarët e partive votojnë në zgjedhjet e një shteti për kandidatin që ata dëshirojnë t`i përfaqësojë ata në zgjedhjet e përgjithshme. Hapi i dytë janë asambletë kombëtare dhe zgjedhjet e përgjithshme. Pas zgjedhjeve paraprake dhe grupeve zgjedhore, çdo kryesor partie, demokrat apo republikan, zhvillon një asamble kombëtare për të zgjedhur të emëruarin për president. I emëruari i partisë për president shpall zëvendëspresidentin. Kandidatët presidencialë fushatojnë përgjatë vendit për të fituar mbështetjen e përgjithshme të popullit. Hapi i tretë është kolegji elektoral ku të zgjedhurit votojnë për presidentin.

Presidenti në SHBA ka pushtet ekzekutiv dhe jo vetëm dekretues siç e ka në vendin tonë. Domethënë, ai ka më shumë pushtet se presidenti dhe kryeministri ynë: sepse edhe dekreton edhe zbaton ose ekzekuton ligjet e miratuar nga kongresi.

Por në zgjedhjet paraprake dhe grupet zgjedhore nuk zbatohet, siç pretendon Basha, praktika e votimit të anëtarit që nuk pëlqehet. Atje përdoren zakonisht katër forma për zgjedhjet paraprake: të hapura; të mbyllura; gjysmë të hapura; dhe gjysmë të mbyllura. Çdo shtet duhet të zgjedhë se cilin tip do të zbatojë. Zgjedhjet e hapura lejojnë të gjithë votuesit e regjistruar, pavarësisht lidhjeve partiake, për të votuar në çdo garë partie. Disa shtete që përdorin këtë format mund të shtypin një votë të vetme dhe votuesi zgjedh në vendvotim se cilin kandidat të partisë do të zgjedhë për zyrën në garë. Zgjedhjet e mbyllura dhe grupet zgjedhore kërkojnë nga votuesit të regjistrohen me një parti të veçantë për t`u lejuar për të votuar kandidatin e partisë. Zgjedhjet paraprake dhe grupet zgjedhore gjysmë të hapura lejojnë çdo votues të regjistruar në çdo garë partie por kur ata dëftojnë veten tek zyrtarët e zgjedhjeve ata duhet të kërkojnë një vendvotim të veçantë të një partie. Zgjedhjet paraprake dhe grupet zgjedhore gjysmë të mbyllura ndjekin të njëjtën qasje si të mbyllurat por ata gjithashtu lejojnë votuesit që nuk janë anëtarë në një parti politike për të votuar (How US presidential caucus, primary process works, VOA, January 28, 2016).

Lexo dhe këtë, Propaganda kriminale e gazetës “Dita” me “atentatin” Berisha-Rama dhe fiaskua me sistemin zgjedhor danez

Kështu, ose Basha gënjen ose e kanë gënjyer! Kujtoj se Basha është kualifikuar —të paktën kështu thotë— për drejtësi dhe kjo e fundit çështjen e zgjedhjeve e ka pjesë të didaktikës së saj. Domethënë, studentët e jurisprudencës duhet të kalojnë nga kërkimet shkencore —ku përfshihen kushtetutat dhe proceset e votimeve, të paktën për vende “demokratike”— që të kualifikohen si “juristë”. Por nëse gjykojmë nga Basha, dhe jo vetëm nga ky rast, ai vetëm studime nuk ka kryer. Dhe njësoj —për mos të thënë më keq— paraqiten kritikët e tij: nga Curri deri tek të “majtët” e Ramës (me udhëheqës Çupin, një njeri që jeton me përshtypje dhe mbështet cilindo që ka pushtet!) apo organizata të tjera që nuk kanë thememluar në organizatat e tyre politike studimet dhe shqyrtimin e tyre me qëllim që të zhvillojnë arsyetim të drejtë dhe kritik!

Në fakt, praktika e votimit të kandidatit që nuk pëlqehet është përdorur për herë të parë —për rreth dyqind vjet— në Demokracinë Klasike të Athinës. Arsyen na e sqaron Aristoteli:                  

“Ligji shqetësohet domosdoshmërisht vetëm me ata që janë të barabartë në lindje dhe në aftësi; dhe se për njerëz me virtyte të spikatura atje s`ka ligj—ata janë vetë ligj. Çdo njëri do të ishte qesharak nëse tentonte të bënte ligje për ta: ata me gjasa do të shtrembëronin atë çfarë fabula e Andisthenit thotë se çfarë i tha luani lepurit, kur në këshillin e bishave ky i fundit filloi të mbante ligjëratë duke pretenduar barazi për të gjithë. Dhe për këtë arsye shtetet demokratike kanë krijuar ostracizmin; [ku] barazia dhe synimet e tyre janë gjithçka, dhe rrjedhimisht ata dëbonin dhe ndalonin nga qyteti për një kohë ata që dukeshin se mbizotëronin me pasurinë e tyre, ose me numrin e shokëve të tyre, ose përmes gjithçka tjetër politike dhe fuqie” (Politics, f, 42). 

Kryesia e partisë përkatëse përjashtoi veten nga zgjedhjet paraprake dhe ruajti të drejtën e zgjedhjes së kandidatëve që ajo dëshironte pavarësisht se krijoi një komision (“Nishani”) për përzgjedhjen e kandidatëve. Për shembull, komisioni skualifikoi disa emra të njohur të partisë përkatëse si Dritan Shehu etj., por Basha i përfshiu në lista. Zgjedhjet paraprake të PD-së nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet paraprake amerikane. Votimi i të papëlqyerit nga votuesit nuk përdoret për arsyen që përdorësh në Demokracinë Klasike të Athinës por për të “pastruar” —me mbi 20% të votave të anëtarësisë— ata që kjo e fundit beson se nuk bëjnë për të kandiduar. Si qasje lidhet me meritokracinë dhe demokracinë meqënse është anëtarësia që propozon dhe voton kandidatët. Por është e qartë se në këtë proces nuk konsiderohen aspektet që përmend Aristoteli: mbizotërimin e ndonjë anëtari përmes pasurisë, numrit të shokëve apo fuqisë politike. Duke ditur se anëtarësia e PD-së përbëhet nga të pabarabartë —në pasuri, shokë dhe fuqi politike— zgjedhjet paraprake nuk kanë qenë meritokrate por të parapërcaktuara nga pushteti ekonomik, shoqëror dhe politik i anëtarëve. Hamendësisht, sepse anëtarët e partisë përkatëse, s`e kanë idenë nga zgjedhjet meritokrate dhe demokratike. Basha argumenton, gjithashtu, se PD-ja është një parti e “hapur” për prurje të reja ndërsa përmend paralelisht kontributet e të vjetëre duke nënkuptuar se ata kanë përparësi në lista. Dhimbshëm, kjo parti kërkon edhe një herë të drejtojnë shtetin me meritokraci kur nuk ka thememluar as meritokraci e as demokraci—domethënë, asamble rajonale dhe kombëtare ku anëtarët shqyrtojnë dhe gjykojnë drejtë kandidatin për garë parlamentare.

PS-ja tërësisht pa demokraci dhe meritokraci

Por ndërsa PD-ja bëri një përpjekje për ta demokratizuar dhe meritokratuar partinë, PS-ja nuk bëri asnjë: kandidatët u ftuan nga vetë kryesia dhe u miratuan nga Rama. Dy kandidatet kryesore në Tiranë, për shembull, Bozo dhe Çomo, për të cilat nuk mungojnë vlerësimet nga demagogët e partive, pa arsyetim të drejtë, sigurisht, u ftuan nga kryesia dhe u miratuan nga Rama. Nëse kandidatet do të ishin meritokrate dhe demokratike nuk do ta kishin pranuar rolin e ri nga partia e Ramës. Por do të kërkonin zgjedhje demokratike dhe meritokratike në parti përpara se të njollosnin veten me një parti jo vetëm të padrejtë por dhe të kriminalizuar ndërsa ata që vlerësojnë me fjalë të mira kontributin e tyre në fushat e tyre shpërnjohin faktin se i bashkohen një partie të padrejtë dhe të kriminalizuar. Shpërnjohin, gjithashtu, faktin se si njëra (në sektorin e mjekësisë) ashtu dhe tjetra (në sektorin e inxhinierisë) nuk kanë kontribuar në parandalimin e gjëmave: njëra në tërmete dhe ndërtesa antisizmike dhe tjetra në epidemi. Inxhinieria, në fakt, “kontribon” duke u mbështetur në përvojën e saj gjatë socializmit kur shkenca ishte e para dhe shkencëtarët ishin organizuar dhe plotësonin njëri-tjetrin edhe nëse kishin mangësi në dije. Në kushtet aktuale, kur shkenca nuk është e para dhe politikat planifikohen dhe miratohen nga Rama ose çdo “Ramë” tjetër të një qeverie tjetër, inxhinierja thjesht do të përmendë disa të vërteta të shekullit të kaluar por dhe të vërtetat që ka themeluar BE-ja në sektorin e ndërtimit. Kujtoj se BE-ja ka themeluar disa parime teknike në ndërtim por pa ndonjë filozofi.

Kështuqë, “kontributi” i saj, nëse zgjidhet, do të jetë thuajse zero në sektorin e ndërtimit. Pa përmendur faktin se mund të korruptohet nga milionerët e ndërtimit. Në të vërtetë, fakti që ajo bëhet palë me një parti të padrejtë dhe të kriminilizuar e bënë atë të korruptuar. Njësoj mund të thuhet për doktoreshën e cila s`ka bërë asgjë për ta parandaluar epideminë aktuale dhe epidemitë e së ardhmes. Por nëse inxhinierja ka zhvilluar virtytin e thjeshtësisë dhe e tregon me paraqitjen e saj, mjekja ka zhvilluar prirjen e ekstravangancës: me siguri do t`i duhen disa orë në ditë për paraqitjen në sallonet e “bukurive” artificiale kur dihet se mjekësia synon shëndetin dhe shëndeti është në vetvete bukuri.                      

Nga parti tërësisht jodemokratike dhe jomeritokratike nuk mund të pritet drejtim i shtetit me drejtësi dhe meritokraci. Për të njëjtën arsye, këto zgjedhje duhet të bojkotohen edhe këtë vit dhe të përgatitemi për zgjedhjet e ardhshme me të rinj që së pari angazhohen politikisht dhe e kanë të qartë konceptin e demokracisë dhe meritokracisë dhe i pretendojnë ato pikë së pari në organizatën e tyre dhe më tej në nivel shtetëror. Ndryshe do të vazhdojmë të zhytemi në mjerim si komb, si popull dhe si trevë me ekologji të shkatërruar tërësisht. 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA