...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Gjeostrategjia greke me zyrtarizimin e hartës detare dhe heshtja kriminale e klasës sonë politike, akademike dhe gazetareske

Greqia zgjeron ujërat detare me 12 milje në detin Jon sipas marrëveshjes së vitit 2009 të nënshkruar me qeverinë “Berisha” por me disa “ndreqje teknike’ ndërsa qeveria “Rama” dhe kundërshtia “Berisha” bashkë me median dhe partitë e reja, heshtin dhe nuk flasin as për “dreqjet” në fjalë dhe as për gjeostrategjinë greke për shkëputjen e jugut të Shqipërisë

Ylli Përmeti

20/04/2025 - 21:15

Greqia zgjeron ujërat detare me 12 milje në detin Jon sipas marrëveshjes së vitit 2009 të nënshkruar me qeverinë “Berisha” por me disa “ndreqje teknike’ ndërsa qeveria “Rama” dhe kundërshtia “Berisha” bashkë me median dhe partitë e reja, heshtin dhe nuk flasin as për “dreqjet” në fjalë dhe as për gjeostrategjinë greke për shkëputjen e jugut të Shqipërisë, ku spikat heshtja e “neonacionalistëve” neoliberalë me në krye Kocaqin dhe Lëvizja Bashkë me në krye Arlind Qorin, sepse nga neosorosistët me në krye Shabanin dhe Lapajn, nuk presim të flasin. Në të njëjtën heshtje janë përfshirë dhe “akademikët” tanë; madje edhe protagonisti` marrëveshjes 2009, Myslim Pashai. Akademia e Shkencave është njoftuar dhe deri tani s`kam parë ndonjë qendrim nga ajo ndërsa populli vazhdon të jetë në errësirë, në të gjitha trevat shqiptare! Ishulli grek më i afërt me Himarën është Erikusa. Ai është 17 milje larg. Zgjerimi` ujërave detare me 12 milje do ta afronte Greqinë 5 milje me Himarën dhe do ta bënte lundrimin e anijeve tona tejet të vështirë ndërsa Athina përparon me gjeostrategjinë e saj. 

Dy ishin arsyet kryesore se pse Athina botoi hartën detare: njëra lidhet me detyrimin e saj kundrejt BE-së dhe tjetra me shuarjen e zhurmës që ka ngritur muajt e fundit Ankaraja lidhur me të drejtat e hamendësuara të Turqisë në Egje dhe Mesdheun Lindor. Por pak ditë më pas, Angelos Sirigos, profesor i të drejtës ndërkombëtare dhe politikës së jashtme dhe deputet i qeverisë së Miçotaqit, pohoi se zgjerimi` parë me 12 milje ishte kryer në detin Jon, sipas marrëveshjes së vitit 2009 që kishte bërë Greqia me qeverinë “Berisha” por që e shfuqizoi Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, pasi marrëveshja u apelua nga kundërshtia (opozita) “Rama” e kohës, sepse “në të kaluarën ishin dëgjuar disa mendime”, shkruante Sirigos, për ‘ndreqje teknike’ të marrëveshjes së atij viti–domethënë, Athina e merr të mirëqenë se mendimet për ‘ndreqje teknike’ të asaj marrëveshje nuk e shfuqizojnë marrëveshjen e vitit 2009.

Ai theksoi, gjithashtu, pasojën që ka botimi dhe zyrtarizimi` saj në nivel evropian: se “në rast se shkelen të drejtat sovrane greke” në det, “Greqia do të kërkojë menjëherë vendosjen e sanksioneve ndaj shkelësit”. Ai nuk lë pa përmendur dhe përfshirjen e ndërmarrjeve amerikane (Exxon Mobil), franceze (Chevron) and greke (HELLENiQ Energy) në zonën 4 ku përfshihet dhe Shqipëria por në jug me Libinë, ku ato po studiojnë detin për shfrytëzim ekonomik (naftë et.).      

Rama ‘shiti’ detin Jon sipas marrëveshjes “Berisha-2009” me disa ‘ndreqje teknike’ - Athina

Për mua dy arsyet e para nuk ishin shumë bindëse, sepse Ankaraja gjithnjë ka ndjekur me vëmendje të veçantë veprimet e Athinës. Ndaj unë shkruatja përpara se Sirigos të sqaronte hartën se shihja një arsye tjetër më bindëse por që nuk shprehet botërisht për të mos zbuluar gjeostrategjinë e saj. Me siguri Athina ka menduar gjatë qëllimin e saj –që kur në pushtet u ngjit Miçua– të zgjerojë ujërat detare me 12 milje, megjithëse sipas hartës së re ajo thotë se në detin mesdhe dhe egje ujërat zgjerohen 6 milje– por dhe rrethanat gjeopolitike në të cilat gjendemi: ajo i ka parë ato si të dobishme dhe si pasojë shpalli hartën dhe ftoi Turqinë të ankohet, nëse dëshiron, në gjykatën e Hagës. Turqia, nga ana tjetër, nuk kërkon të shkojë në gjykatë por kërkon t`i zgjidhë mospajtimet lidhur me detin përmes “dialogut të ndërsjellë dhe vullnetit të mirë”. Ky ka qenë një qendrim i kahershëm i Turqisë. Ndryshe nga Turqia, kryetradhtari ynë, Rama, iu nënshtrua kërkesës së Athinës për të shkuar në Hagë që në vitin 2020.

Por siç kam treguar në studimin përkatës, nëse ne shkojmë në Hagë, me qeverinë “Rama” apo “Berisha”, gjithë gjasat janë se ne do të humbasim, jo sepse gjykata do të vendosë në mënyrë të padrejtë apo se ajo mund të zvetënohet nga Athina, megjithëse zvetënimi` saj nuk duhet të përjashtohet...

...por sepse Rama dhe qeveria e tij s`ka treguar aftësi juridike sa i përket të drejtës ndërkombëtare të ujërave detare dhe ka fshehur “hollësitë” e kërkesave të Shqipërisë që kur filloi bisedimet me palën greke, ka censuruar bashkë me median e Berishës gjeostrategjinë e Athinës që kam vite që e kam botuar, bashkë me zhvillimet e fundit dhe nuk ka paraqitur ndonjë kundërhartë siç veproi Turqia!

Të gjitha këto, tregojnë pikërisht qëllimin e Ramës por dhe të Berishës: shitjen e detit.

Por edhe nëse Rama nuk kthehet pas 11 majit në kryeministri, Athina me lëvizjen e saj ka menduar se si t`i mbivendoset Tiranës, sidomos po të përfshihen në qeverisjen e Shqipërisë neosorosistët. Me siguri ajo ka menduar se Tirana s`ka as aftësinë (juridike), as qeveritarët e patundshëm e as rrethanat gjeopolitike me vete dhe për pasojë –mendon Athina– “ne zgjerojmë ujërat tona me 12 milje në veri ose jug të Shqipërisë dhe përparojmë me gjeostrategjinë tonë për shkëputjen e jugut të Shqipërisë”. Duke vepruar kështu ajo shton veprimtarinë (me eksplorime për naftë dhe gas, dhe shfaqje ushtarake) e saj detare në jug të Shqipërisë dhe ushtron trysni ndaj Tiranës nëse ajo pengon greqizimin e Himarës.

Paralelisht, përplasjet mes Turqisë dhe Greqisë do të rriten jo vetëm në nivel politik por dhe ushtarak. Turqia tashmë ka paralajmëruar se do të mbrojë të drejtat e saj në Egje me ushtrinë e saj, duke nënkuptuar pikërisht faktin se meqënse Athina shpalli hartën dhe shpalljen përkatëse ajo e paraqet si të drejtën e saj ‘sovrane’ (siç edhe është) dhe bashkë me të do të vendosë në veprim ushtrinë për të mbrojtur atdheun në ujrat detare, njësoj do të veprojë dhe ajo. Por me një ndryshim: Athina zyrtarizon hartën e saj në nivel evropian dhe mund të përfshijë në përplasjen e saj me Turqinë gjithë BE-në. Kjo është ana gjeopolitike që shfrytëzon dhe do të shfrytëzojë më shumë tani e tutje, Greqia. Madje, pikërisht ditën kur u shpall harta, disa zëdhënësa të Athinës përmendën përfshirjen e flotës amerikane në Egje, për t`i treguar Ankarasë se ajo ka “shpatulla” ushtarake. 

Zbulimin e gjeostrategjisë greke në sytë e popullit nuk po e ndihmojnë as partitë e reja dhe “ekspertët” e “ushtrisë” sonë. Ndërsa të vjetrat kanë çdo arsye të heshtin, partitë e reja, kanë çdo arsye të flasin, nëse e shohim nga një këndvështrim “oportunist” –domethënë, nga prirja e tyre për të shfrytëzuar çdo padrejtësi të bërë nga partitë e vjetra dhe sidomos padrejtësitë me karakter ndërkombëtar, për t`u dukur se janë më të drejta se të vjetrat. Por ato kanë zgjedhur të heshtin; madje edhe Lëvizja Bashkë (LB) dhe “neonacionalistët” me në krye Kocaqin, kanë heshtur: e para, duhet të fliste sepse paraqitet si më “luftarake” kundër padrejtësive ndërsa e dyta sepse paraqitet si “nacionaliste”.

Arsyeja kryesore se pse këto parti heshtin kundrejt gjeostrategjisë greke lidhet me lidhjen e ngushtë që kanë krijuar me klasën e vjetër politike (së pari janë të punësuar në universitetet e të njëjtës klasë politike dhe shijojnë median e saj por mund të shtojmë dhe anën ideologjike: ato s`kanë shumë ndryshime nga klasa e vjetër ose oligarkia politikendërsa një tjetër lidhet me mungesën e dijes, sepse dihet se ato nuk prodhojnë dije (për të dijësuar popullin) pavarësisht se LB-ja mëton se i thotë popullit “të vërtetën e plotë”...por thjesht kërkojnë pushtet pa e dijësuar popullin as edhe për padrejtësi të karakterit ndërkombëtar. Për LB-në mund të shtojmë dhe një arsye tjetër por të karakterit ideologjik: ajo përputhet me Varufaqin; ky i fundit e ka votuar zgjerimin e detit në Jon!  

Nga “ekspertët” e “ushtrisë” sonë vlen të përmendet qendrimi` Artur Meçollarit. Si kapiten i rangut të parë, drejtor i inspektimit të përgjithshëm në ministrinë e mbrojtjes dhe një nga “negociatorët” e kufirit të detit në vitin 2018, kur u akuzua si “ish-spiun” nga Berisha dhe u mbrojt nga ministria përkatëse, atij i takon më shumë se çdo “eksperti” tjetër që shfaqet në televizione dhe shtypin e oligarkisë, të “hapë gojën” për gjeostrategjinë greke. Por ai jo vetëm që s`e përmend askund atë (le të hamendësojmë se s`e ka lexuar nga unë se ai vetë e ka të vështirë ta kuptojë për derisa s`e ka studiuar) por edhe qendrimi` tij lidhur me zhvillimet e fundit (hartën) është të thuash të drejtën qesharak.       

Fakti që Greqia zgjeroi si fillim ujërat detare në Jon dhe jo në pjesë të tjera të detit Egje dhe Mesdhe, tregon se ajo nuk zbaton vetëm parimin “gjejmë shesh e bëjmë përshesh” kundrejt fqinjit të saj në veri, por tregon gjithashtu dhe qëllimin e saj gjeostrategjik lidhur me shkëputjen e jugut të Shqipërisë. Por është qëllimi` saj që e detyron atë të përdor parimin përkatës, sepse nëse s`do të kishte atë qëllim, dhe ne shqiptarët do të kishim një shtet të pavarur, në kuptimin ekonomik dhe ushtarak të fjalës, ajo as do të guxonte të zgjeronte ujërat detare dhe as do të thurte gjeostrategji për të përvetësuar tokë shqiptare. Por përdorimi` parimit të “sheshit dhe përsheshit” nga ajo mundësohet kryesisht nga “dëshira” e popullit shqiptar për t`u integruar në BE, përmes së cilës ne braktisëm shkallën e lartë të pavarësisë ekonomike dhe ushtarake që kishte realizuar Enver Hoxha shekullin e kaluar dhe u përfshim në atë çka njihet si “varësi ekonomike dhe ushtarake”, dhe rrjedhimisht, dhe në humbjen e përqindjes më të madhe të pavarësisë sonë politike.

Këtij shkaku i shtohet dhe veprimtaria paralele e shërbimeve inteligjente amerikane, greke dhe serbe, për të parafabrikuar “udhëheqësit” tanë (domethënë, për të qëmtuar karaktere të zvetënuar dhe për t`i mbështetur ata, me qëllim që të përparonin gjeostrategjitë e tyre) dhe për t`ua mbyllur gojën atyre, medias dhe universiteteve që ata këqyrin, për gjeostrategjitë e tyre. S`ka asnjë studiues në Shqipëri, për shembull, të tregojë gjeostrategjinë e neoliberalëve amerikanë me në krye Sorosin; as ka ndonjë studiues të tregojë gjeostrategjitë greke dhe serbe kundër Shqipërisë.      

Parë nga një këndvështrim strategjik i Athinës, veprimi` saj me botimin e hartës mund ta ndihmojë atë të qartësojë dhe zyrtarizojë kufijtë detar dhe të përdorë BE-në kundër shkelësve të atyre kufijëve. Por paralelisht ajo mund të çojë në luftë, sidomos mes Greqisë dhe Turqisë, sepse Shqipëria s`ka aftësi ushtarake për të luftuar kundër Greqisë në rast se ajo shkel kufijtë e saj detar (për shembull, me anijet e saj të peshkimit). Shqipëria, sigurisht, mund të luftojë jozyrtarisht kundër Greqisë në Jon: duke përdor taktika guerrile ose duke penguar veprimtarinë ekonomike greke atje. Por kjo lloj lufte do të çonte në luftë zyrtare nga Greqia dhe pushtim ushtarak të zonës rreth jonit.

Por parë nga këndvështrimi` Ankarasë ose nga pesha ose rëndësia që ka harta greke për Turqinë ose nga dëmet që shkakton ajo për veprimtarinë ekonomike turke në Egje dhe Mesdhe, dhe nga mundësia që ka Turqia për të luftuar kundër Greqisë, jo thjesht politikisht por dhe ushtarakisht, është e qartë se lufta do të zhvillohet si fillim mes tyre, megjithëse nuk përjashtohet mundësia e fillimit të saj mes Shqipërisë dhe Greqisë meqënse Athina ka në “shënjestër” Jonin, për shkak të gjeostrategjisë së saj, pavarësisht se pushteti politik i Shqipërisë dhe trevave të tjera shqiptare rreth saj (Kosova, Tetova e Malizi) një javë pas botimit të saj dhe shpalljes së një pjese të qëllimeve greke, ka heshtuar. 

Hamendësisht, pushtetet tona do të heshtin meqënse dihet se janë zvetënuar me parátë e Athinës.

Po “protagonisti” i kundërshtimit të marrëveshjes së vitit 2009, profesori apo “mjeshtri` kërkimeve” shkencore, Myslim Pashai, i cili e quante “pushtim” të detit Jon atë marrëveshje, pse hesht!? Heshtja e tij por dhe e “akademikëve” të tjerë (Xhufi, Fuga, Tarifa, Gjinushi etj.), të cilët e kanë për detyrë ligjore (Nr 53/2019) por dhe morale, se ata vërtet mund ta kenë merituar titullin e “akademikut” dhe shpërblimi` tyre buron nga ai titull, por kur ata nuk i përgjigjen realitetit gjeopolitik dhe të paralajmërojnë popullin për rreziqet që i kanosen, grada e tyre dhe shpërblimi që marrin për të, s`ka asnjë vlerë; madje, ata mund të dënohen sipas ligjit, për mos përmbushje të detyrave ligjore.    

Papërgjegjshmëria kriminale e klasës politike, akademike dhe gazetareske lidhur me detin Jon

Ky analizë e botuar si fillim si editorial është përditësuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA