Raketat hipersoniket ruse dhe implikimet për sigurinë amerikane dhe evropiane
Gjykuar nga strategjia e përgjithshme e Putinit, ai mund t`i përdorë avantazhet ushtarake ruse ose kur të ketë mbaruar lufta në Ukrainë ose gjatë fundit të saj, nëse SHBA-ja përfshihet më shumë në konflikt dhe pengon një zgjidhje paqësore mes palëve.
Ylli Përmeti
22/05/2023 - 17:30
Ndërsa elitat perëndimore flisnin për një kundërsulm ukrainas në zonat e “pushtuara” nga Rusia dhe vazhdonin të ushqenin iluzione se ajo mund të fitojë luftën, ministria e mbrojtjes ruse njoftoi se “sipas të dhënave të vërtetuara, në 16 maj, si pasojë e goditjes së raketës hipersonike Kinzhal në Kiev, një stacion radari prej shumë veprimesh u godit dhe u shkatërrua tërësisht, gjithashtu dhe pesë lëshuesit e sistemit raketor kundër-ajror të Patriotit i prodhuar në SHBA”.
Por forca ajrore e Ukrainës e paraqiti ndryshe gjendjen: ajo tha se sistemi Patriot nuk mund të shkatërrohet me një goditje të vetme, qoftë edhe në se ajo është një raketë Kinazhal, duke shtuar se “përkundrazi, ishte Patrioti që rrëzoi gjashtë raketa Kinzhal pranë Kievit në 16 maj!
Por siç raportuan disa media amerikane (CNN, për shembull) dhe Financial Times, duke citur një zyrtar amerikan, “Rusia duket se sulmoi një nga dy sistemet e mbrojtjes anti-raketorë Patriot që u morën së fundmi nga Ukraina gjatë një barazh artilerie të pashembullt sulmesh kundër Kievit herët të martën. Zyrtari amerikan tha se disa raketa ishin drejtuar në sistemin Patriot dhe se Uashingtoni po përpiqësh të vlerësonte dëmin. Radarët e sistemit vazhdonin të punonin dhe ishin të aftë të gjurmonin raketa ardhëse dhe t`i interceptonin ato...ishte e mundur që sistemi Patriot ishte dëmtuar”.
Ndryshe nga FT, raporti i Nju Jork Tajms vërteton pretendimin, se zyrtarët amerikanë vërtetuan dëmin. Dhe ndryshe nga këto media, në median ndërkombëtare (Reuters etj.) mbizotëroi pretendimi i kundërt. Këtë të dytin riprodhuan dhe media kombëtare në anët tona (p.sh. Lufta dhe Paqja: ABC).
Kievi, në fakt, pretendoi javën e parë të muajit maj se kishte rrëzuar ―me Patriotin― një raketë ruse Kinzhal, të cilin Rusia e quajti “dëshirë e kotë”. Sistemi Patriot është një sistem ajër-ajër, me aftësitë më të përparuara të mbrojtjes në arsenalin e SHBA-së. Ai përbëhet nga një radar i fuqishëm, stacion mbikqyrës, gjenerator energjie, stacione lëshues dhe mjete mbështetëse. Në varësi të rrezes, ai mund të përfshijë aftësinë e goditjes së avionëve në Bjellorusi ose Rusi. Ai përdor tre tipe raketash dhe të gjitha mund të rrëzojnë raketat ruse (përveç raketave hipersonike) ndërsa mund të kapë raketa balistike që bartin ngarkesa kimike ose bërthamore në një lartësi jashtë-atmosferike.
Gjykuar nga pretendimi i Kievit se Patrioti amerikan kishte rrëzuar një raketë ruse hipersonike, disa “analistë” perëndimorë thanë për Uashington Post se atij duhet t`i jenë shtuar raketat PAC-3 (Missile Segment Enhancement/MSE), të cilat, sipas tyre, kanë aftësi të rrëzojë raketat hipersonike ruse! Por sipas raportit të Lockheed Martin Corporation 2015, ato nuk i kanë ato aftësi. Për pasojë, ata u gëzuan për faktin se Ukraina kishte marrë një sistem me aftësi edhe hipersonike! Por kur u raportua më shumë se një javë më pas se sistemi Patriot ishte goditur dhe dëmtuar nga një raketë ruse Kinzhal, “gëzimi” u kthye në “hidhërim”.
Sidoqoftë, Rusia përdori në fillim të marsit gjashtë raketa Kinzhal mes 81 të tjerave përgjatë Ukrainës. Ishte sulmi i parë masiv larg fronteve të luftës në juglindje të Ukrainës. Nga ato vetëm 38 u asgjësuan nga sistemet anti-raketore të Ukrainës. Kjo ishte përqindja interceptuese më e ulët – krahasuar me 80 për qind të kapura më herët. Raketat e asgjësuara ishin në shumicën e tyre raketa subsonike dhe dronë të ngadaltë fluturues dhe asnjë nga gjashtë raketat hipersonike nuk u rrëzua. Forca ajrore ukrainase tha se ajo nuk kishte aftësi për t`i rrëzuar ato ndërsa besohet se Rusia ka rreth 50 raketa Kinzhal. Por ajo është vetëm një nga gjashtë raketat ruse të “gjeneratës tjetër” ose të raketave më shpejtësi hipersonike Mach 10, 15, 20, 27 ose dhjetë...herë më shpejtë se shpejtësia e zërit!
Rusia sulmoi Kievin dhe qytete të tjerë të Ukrainës në prag të vitit të ri 2024. Ajo përdori raketa kruz nga 18 bombardues Tu-95 “Arushë”, raketa balistike nga Tu-22 avion supersonikë, Kinzhalë nga MiG-31 avionë luftarakë dhe raketa kruz të lëshuara nga toka. Nga 158 raketa dhe dronë, 87 raketa kruz dhe 27 dronë u rrëzuan ndërsa asnjë nga 20 apo më shumë të raketave balistike nuk u interceptua. Putini njoftoi në fund të shkurtit se do të zbarkonte armët e reja hipersonike, të cilat kishin përfunduar ose janë në faza përfundimi. Ai njoftoi, gjithashtu, se ishte futur në shërbim sistemi lazer Peresvet ndërsa do të njoftojë raketat e rënda strategjike ndërkontinentale Sarmat me provat e raketave bërthamore me fluturim të pakufizuar, Burevestnik, dhe dronët nënujor me mbushje bërthamore, gjithashtu, janë në përfundim.
Putini nuk harroi të përmendte edhe një herë marrëdhëniet me SHBA-në: “Përballemi me një shtet elitat e të cilit po ndërmarrin haptazi veprime armiqësore kundër nesh”. Dhe ai pyet: “A kanë ata [amerikanët] vërtet për qëllim të diskutojnë qendrueshmëri strategjike me ne ndërsa përpiqen të shkaktojnë humbje strategjike në fushëbetejë ndaj Rusisë?”. Ai nuk ngurroi ta quante qendrimin diplomatik të Uashingtonit “shtirak” dhe një mjet për të realizuar “dobi vetëm për SHBA-në. Ai tha edhe një herë se perëndimi kërkon të shkatërrojë Rusinë ose ta kthejë atë në një hapësirë venitëse si Ukraina dhe vende të tjerë.
Presidenti rus paralajmëroi, edhe një herë, se vendet perëndimore po flirtojnë me luftën bërthamore kur ato përdorin retorik përshkallëzuese, duke nënkuptuar qendrimet e Makronit për të dërguar trupa në Ukrainë por duke përmendur bisedimet e NATO-s për të dërguar kontigjente ushtarake dhe sulmet e tyre në territorin rus. Ai i kujtoi perëndimit se të gjitha përpjekjet e tij për të pushtuar Rusinë në të kaluarën kanë dështuar por këtë herë pasojat do të jenë shumë më tragjike, duke treguar arsenalin bërthamor, i cili është në gjendje gadishmërie për sulm të garantuar.
Ukraina po përdor gjithashtu sisteme mbrojtëse të epokës sovjete, Nasam, dhe njësinë Iris-T të furnizuar nga Gjermania, të cilët kanë aftësi të kufizuara krahasuar me Patriotin. Në këto kushte, çdo kundërsulm ukrainas, qoftë edhe nëse furnizohet me avionë F-16 (siç po diskutohet aktualisht në perëndim dhe Kiev) dhe armatime të tjera luftarake, ajo s`ka asnjë gjasë të fitojë kundër Rusisë. Këtë fakt e tregojnë dhe analistët seriozë amerikanë. Për shembull, Mark Schneider, krye-analist për Institutin Kombëtar për Politikë Publike, citon në një analizë për “RealClear Defense”, qendra e Pentagonit që mbulon çështjet ushtarake, politikat e mbrojtjes, sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme, se “arsyeja kryesore për [prodhimin] e raketave ruse hipersonike është një sulm bërthamor i beftë―dhe Amerika s`ka mbrojtje kundër tyre”.
Për argumentin e parë ai mbështetet në raportet e shtypit rus, ku është diskutuar përpara luftës një sulm i beftë bërthamor mbi objektivat kritike të komandës amerikane, ndërsa për të dytin, ai mbështetet në gjendjen e sistemeve mbrojtëse amerikane, e cila, nuk është e aftë të parandalojë goditjen e objektivave kritike amerikane siç janë bunkerët ku mund të mbrohen autoritetet kombëtare amerikane përfshirë dhe presidentin, i cili është pjesë e komandës. Siç sqaron ai:
“Mbijetueshmëria kundër një sulmi bërthamor...varet nga sasisa e kohës parandaluese. Rusët mund ta shohin shkatërrimin e autoritetit komandues të SHBA-së në një sulm parandalues bërthamor si një mjet për të fituar një luftë bërthamore sepse ai mund të vonojë çdo vendim të SHBA-së për t`u kundërpërgjigjur derisa sulmi kryesor bërthamor rus arrin ose qoftë edhe parandalon një vendim të SHBA-së për t`u kundërpërgjigjur ose ekzekutimin e saj. Në mungesë të raketave Trident me fuqi të ulët, raketat ruse hipersonike bërthamore mund të jenë të afta të fshijnë gjithë fuqinë e bombarduesve bërthamorë me fuqi të ulët dhe avionëve bombardues me një sulm hipersonik”.
Për të mbështetur argumentin e tij, ai përmend një ekspert britanik mbi Rusinë, Roger McDermott, i cili ka pohuar se “nëse sistemet [raketore hipersonike ruse] përfshijnë teknologjinë e padukshmërisë, SHBA-ja dhe aleatët e saj do të përballen me një kërcënim serioz afatgjatë ekzistencial me mbrojtjen e tyre ajrore”. Më tej ai diskuton mundësinë e prodhimit të raketave në fjalë (të padukshme) nga Rusia dhe ndërsa nuk e përjashton nga mundësia ai përfundon se “raketat hipersonike, qoftë edhe pa padukshmërinë e tyre, do të kenë aftësi të madhe qoftë edhe kundër mbrojtjeve ajrore shumë të përparuara dhe mbrojtjet ajrore të NATO-s nuk janë aq të afta për sa kohë që ato përfshijnë pak raketa të përparuara tokë-ajër. Mbrojtjet kontinentale të SHBA-së janë edhe më të dobëta. Faktori kyç është se raketat hipersonike arrijnë tek objektivat e tyre shumë më shpejtë se çdo gjë tjetër”, argumenton autori.
Koha mesatare e udhëtimit të raketave hipersonike ruse ―nëse lëshohen nga toka ruse― është rreth 15 minuta; por nëse lëshohen nga një avion luftarak, siç lëshohet Kinzhali, koha për të paralajmëruar sistemet amerikane të mbrojtjes është tejet e pamjaftueshme dhe për pasojë autoritetet e komandës amerikane janë në rrezik. Madje, siç pohon autori amerikan, ato gërryjnë doktrinën e përfrikësimin të përdorimit të armëve bërthamore, sepse i nxjerrin ato jashtë “loje”. Ne fjalët e tij:
“Ato mund të lejojnë arritjen e një sulmi të madh përpara çdo vendimi amerikan për kundërpërgjigje, qoftë edhe nëse hamendësojmë se raketat hipersonike bërthamore nuk dhjetojnë zinxhirin e komandës se asnjë vendim nuk është i mundur në një kohë të caktuar apo qoftë edhe i pamundur. Kjo [qasje] mund të bëhet lehtësisht teoria ruse e fitores në një luftë bërthamore”.
Rëndësia e armëve hipersonike ka shkaktuar dhe një shqetësim tjetër për Putinin: fakti se tre shkencëtarët e prodhimit të armëve hipersonike mund të kenë publikuar të dhëna sekrete për to; ndaj ata gjenden në arrest dhe rrezikojnë burgun nëse akuza për tradhëti ndaj atdheut vërtetohet. Arrestimi i tyre shkaktoi zemëratë në komunitetin shkencor rus i cili shkrojti së fundmi një letër publike ku argumentohet se ata kanë vite që i paraqesin zbulimet e tyre rreth botës por studimet e tyre janë kontrolluar gjithnjë sipas protokolleve të sekretit. Por autoritetet ruse nuk janë bindur dhe akuza ndaj tyre është quajtur “serioze”.
Prodhimi i raketave hipersonike ka nevojë për shërbime si tunele ere dhe tuba tronditës ku përdoren valë shpërthyese për studimin e fluturimit të raketave. SHBA-ja, siç tregon një analizë në revistën shkencore amerikane, “Science”, mbetet pas edhe në to, pavarësisht se ajo ishte e para shekullin e kaluar për zhvillimin e raketave balistike me shpejtësi March 5. Ndryshe nga ajo, Rusia dhe Kina kanë shërbime të përparuara; madje Kina është më e hapur për risitë e saj në fushën e prodhimit të raketave hipersonike se Rusia.
Përpjekjet e fundit amerikane deri tani nuk kanë sjellë ndonjë tejkalim teknologjik pavarësisht se ajo kërcënohet në sigurinë e saj ndërsa Putini ka paralajmëruar disa herë perëndimin duke kulmuar me paralajmërimin e tij se ai “nuk blofon” kur paralajmëron, duke nënkuptuar pikërisht faktin se mund të përdorë avantazhet e tij ushtarake kundër perëndimit pavarësisht se ai e ka zbutur qendrimin e tij me një të dytë kur tha se Rusia nuk po i përdor avantazhet e saj teknologjike kundër Amerikës ndryshe ngasa veproi kjo e fundit shekullin e kaluar.
Gjykuar nga strategjia e përgjithshme e Putinit, ai mund t`i përdorë avantazhet ushtarake ruse ose kur të ketë mbaruar lufta në Ukrainë ose gjatë fundit të saj, nëse SHBA-ja përfshihet më shumë në konflikt dhe pengon një zgjidhje paqësore mes palëve. Aktualisht në Uashington po qarkullon skenari se konflikti mes palëve mund të kthehet në një konflikt të “ngrirë” që mund të zgjasë shumë vite, ndoshta dekada, dhe t`i bashkohet rasteve të ngjashme si në peninsulën koreane, Azinë Jugore dhe përtej.
Administrata “Bajden” po diskuton se ku do të vendosen kufijtë mbi të cilët Ukraina dhe Rusia do të pajtohen që mos t`i kalojnë por që nuk do të jetë e nevojshme të shpallen kufijë zyrtarë. Ky skenar po diskutohet sepse asnjëra nga palët nuk pranon humbje dhe administrata amerikane nuk beson se kundërsulmi i Ukrainës do të ketë një goditje përfundimtare ndaj Rusisë. Ngrirjen e konfliktit e kundërshtoi dhe Sholci në bisedimet dytësore të G7 së majit. Sipas tij, Rusia duhet të tërhiqet plotësisht nga territoret e pushtuara. Si pasojë, nuk mungoi përgjigja e Moskës pas gati një jave: se ajo kundërshton skenarin amerikan dhe se për të ka vetëm një skenar: mbarimin e operacionit të posaçëm ushtarak.
...
Qasja e Bajdenit lidhur me kërkesat e Kievit për ta armatosur atë me armë të teknologjisë së lartë ka qenë “jo” si fillim por duke i shtuar “po-në” pas disa ditëve, dhe duke i lënë kohë palës ruse të reagojë por dhe të shikojë natyrën e reagimit. Kjo e fundit ka reaguar sa herë janë kërkuar nga Kievi armë të teknologjisë së lartë. Reagimet e saj kanë qenë gati të menjëhershme por të karakterit paralajmërues, se lufta mund të bëhet e paparashikueshme nëse SHBA-ja furnizon me armë të teknologjisë së lartë Ukrainën, duke nënkuptuar faktin se ajo mund detyrojë Rusinë të përdorë armët e saj të përparuara kundër Kievit. Këtë “nënkuptim” media perëndimore e paraqet si kërcënim me armë bërthamore duke e theksuar atë pavarësisht se Rusia ka filluar dy muajt e fundit të përdorë armët e saj të përparuara!
Lexo zhvillime të reja dhe studime:
Armët bërthamore anti-satelitore ruse makth për sigurinë amerikane dhe evropiane – The Times
Strategjia e madhe e Putinit kundrejt perëndimit (The grand strategy of Putin towards the west)
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 158 reads