Çfarë nevojitet në retorikë - rasti i debatit presidencial Tramp-Bajden
Në retorikën politike përdorimi i të vërtetave politike lidhur me realitetin social-ekonomik të shoqërisë, si me të kaluarën ashtu dhe me të tashmen, duhet të jetë parësor. Por me një qëllim të mëtejshëm: krijimin e një realiteti tjetër për të ardhmen. Ky objektiv kërkon aftësi enthimistike, silogjistike dhe dialektike
Ylli Përmeti
01/10/2020 - 13:52
Masmedia ndërkombëtare e konsideroi debatin Tramp-Bajden ‘kaotik’ dhe pa u çuditur njëlloj e konsideroi masmedia kombëtare! Për “kaosin” përkatës fajësuan Trampin i cili ndërhyri dhjetra herë në qendrimet e Bajdenit. Disa, madje, numëruan dhe ndërhyrjet: rreth 70 herë. Në këtë mënyrë treguan (dhe krijuan opinionin në publik) edhe një herë se Trampi nuk bën për president duke nënkuptuar se rivali i tij është më i përshtatshëm...që në tituj. Për pasojë, komisioni për debatet presidenciale filloi të kundronte për ndryshimin e rregullave.
Por ç`kuptim ka fjala ‘debat’? Fjalori i Oksfordit citon se debat është “një diskutim zyrtar ose formal për një çështje në takim publik ose në parlament…ku dy ose më shumë folës shprehin këndvështrime të kundërt” duke cituar disa shembuj: “një debat i ndezur/i përgjithshëm/ i gjallë”.
Qartësisht, debati politik nuk mund të përkufizohet. Ai mund të ketë dinamikë të ndezur, të përgjithshme dhe të gjallë. Nuk mund të jetë, në fjalë të tjera, një diskutim ku një njeri shprehet dhe tjetri hesht dhe kur mbaron i pari fillon tjetri. Ky quhet “debat moral” dhe nënkupton përputhje të plotë me rregullat e parashtruar dhe si qasje është e drejtë. Por debati publik nuk nënkupton ‘bisedë’ por ‘diskutim’ dhe ky i fundit, ndryshe nga biseda, nënkupton kundërshti të tjetrit, sidomos kur në debate publike shprehen të pavërteta dhe kur pjesëmarrësit i përfshin emocioni.
Në këtë kuptim, debati publik synon të jetë moral (të përputhet me disa rregulla të paramiratuara) por kjo s`do të thotë se ai duhet të përputhet 100% me rregullat kur dihet se palët në diskutim do të thonë të pavërteta dhe të pavërtetat do të bëhen shkak i reagimit të tjetrit si në rastin e Trampit dhe Bajdenit.
Kështu, ndërsa Bajdeni bëhet shkak i ndërhyrjes së Trampit me të ‘pavërtetat’ e tij drejtuesi i debatit i kujton ndërhyrësit rregullat. Duhet thënë se edhe Bajdeni ndërhyri në qendrimet e Trampit. Por më pak. Nga këto ndërhyrje kuptojmë, gjithashtu, se Bajdeni ka thënë më shumë të pavërteta lidhur me Trampin. Debati, sidoqoftë, lejohet të jetë i ndezur, i përgjithshëm dhe i gjallë. Ndryshe nuk do të quhësh debat por bisedë.
Kështuqë debati përkatës nuk ishte “kaotik” siç e paraqesin neoliberalët dhe gazetarët pa mendim shkencor. Por i ndezur, i përgjithshëm dhe i gjallë…
Ndërsa kjo është çështja kryesore përmes së cilës kuptojmë natyrën e debatit por dhe se kush ka thënë më shumë të pavërteta, tjetra është përmbajtja e debatit. Çështja e taksave, për të cilat po bëhet zhurmë e madhe nga globalistët neoliberalë (Trampi këta i quan gabimisht si të “majtë”), meriton të shqyrtohet dhe theksohet më shumë se çështjet e tjera: sepse për to po bëhet zhurmë nga kundërshtarët e tij.
Kështu kur e pyeti drejtuesi i debatit se sa i vërtetë është argumenti i shtypit…neoliberalë se ai ka paguar për secilin vit (2016-17) vetëm 750 dollarë “taksa federale” përgjigjja e Trampit ishte se ai kishte paguar miliona por shtoi —pas shtrëngimit të drejtuesit— se ai thjesht kishte përfituar nga kodi i taksave siç veprojnë të gjithë në SHBA—kod të cilin e ka hartuar Obama dhe Bajdeni dhe që e pranoi vetë Bajdeni në debat se Trampi ka përfituar nga kodi dhe për të njëjtën arsye, kur të zgjidhet Bajdeni president, agrumentoi ky i fundit, do ta ndryshojë kodin e taksave.
Në këto argumente dhe kundërargumente zbulohen dy të vërteta njëherësh: njërën e zbuloi vetë Trampi —se ai thjesht shfrytëzoi kodin e taksave si gjithë të tjerët— dhe tjetra, se nga kodi i taksave të Obamës përfitojnë të gjithë amerikanët dhe veçanërisht pasanikët të cilët kanë zyra avokatie pikërisht për këtë çështje. Nga këto dy të vërteta Trampi është i vërtetë meqënse e pranoi se çfarë ka shfrytëzuar ndërsa Bajdeni dhe ata që çirren për taksat e tij—përgjithësisht neoliberalët— janë hipokritë sepse ndërsa tregojnë Trampin si shmangës (ky është termi që përdoret nga ekonomistët ortodoksë) taksash nuk tregojnë se sa kanë paguar vetë që edhe nëse kanë paguar më shumë se Trampi, tregojnë paaftësi lidhur me shfrytëzimin e kodit të taksave.
Në tërësinë e tij debati tregoi dy strategji: në njërën anë Bajdeni u përpoq të tregonte karakterin e ‘keq’ të Trampit dhe politikat e tij të ‘këqija’ duke iu drejtuar shpesh popullit dhe në anën tjetër Trampin i cili nuk kishte ndonjë strategji por u mundua të mos linte pa përgjigje të ‘vërtetat’ e Bajdenit. Trampi ishte më i zhdërvjellët në argument ndërsa Bajdeni ngecësh shpesh herë.
Nëse kërkojmë të tregojmë se kush e ‘dominoi’ debatin, siç kërkon masmedia, ajo duhet të bazohet jo vetëm në strategjitë e kundërshtarëve por dhe në të vërtetat që përmendin ata. Trampi është më i vërtetë se Bajdeni por ai shkel një parim juridik të “drejtësisë natyrale” (“natural justice”) të cilin po ta njihte besoj nuk do ta përdorte në gjykimin e vetes: se asnjë njeri nuk mund të jetë një gjykatës i kauzës së tij (nemo judex in causa sua (or in propria causa): no man may be a judge in his own cause).
Por dimë se në debate publike nuk fitojnë ata që luftojnë për të vërtetat e tyre por ata që prekin plagët e dëgjuesve dhe u japin atyre shpresë për shërim dhe shpëtim. Bajdeni, nga i cili pritet më shumë të ushqejë shpresa, nuk u përqendrua në këtë synim: qendrimet e tij ishin të papërmbledhura dhe të papërputhshme si me realitetin ashtu dhe me një të ardhme më të mirë. Trampi, gjithashtu, kishte qendrime të papërbledhura: ndoshta sepse u përqendrua te të pavërtetat e rivalit dhe ngaqë nuk përdori ndonjë strategji.
Në retorikën politike përdorimi i të vërtetave politike lidhur me realitetin social-ekonomik të shoqërisë, si me të kaluarën ashtu dhe me të tashmen, duhet të jetë parësor. Por me një qëllim të mëtejshëm: krijimin e një realiteti tjetër për të ardhmen. Ky objektiv kërkon aftësi enthimistike, silogjistike dhe dialektike. Siç citon Aristoteli në veprën e tij Retorika:
Paraqitja e oratorit është një enthimemë [kuptoje si ‘kujtesë'], dhe kjo është, përgjithësisht, një nga mënyrat më efektive bindëse. Enthimema është një lloj silogjizmi, dhe konsiderimi i silogjizmave të të gjithë llojeve, pa dallim, është detyrë e dialektikës, ose e dialektikës në tërësi ose të një dege të saj. Nga kjo pason, rrjedhimisht, se ai që është më i aftë për të parë se si dhe nga cilët fakte një silogjizëm prodhohet do të jetë gjithashtu më i miri në enthimemë, kur ai ka mësuar për më shumë se cili është subjekti i saj dhe në cilin aspekt ndryshon ajo nga silogjizmi i logjikës strikte. E vërteta dhe përafërsisht e vërteta kuptohen nga e njëjta aftësi; vërehet gjithashtu se njerëzit kanë një instinkt të mjaftueshëm natyral se çfarë është e vërteta dhe zakonisht arrijnë tek e vërteta. Ndaj dhe njeriu që bënë një pandehmje të mirë lidhur me të vërtetën ka gjasa të bëjë një pandehmje të mirë lidhur me mundësitë ose probabilitetet.
...
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 84 reads