...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Izraeli përgatitet për luftë në pesë fronte ndërsa rajoni refuzon SHBA-në

Gjithë rajoni është zhvendosur; një zhvendosje drejt lindjes dhe jo detyrimisht në linjë me ndjeshmëritë dhe interesat e SHBA-në

Ylli Përmeti

01/11/2023 - 07:57

Kryeministri izraelit Netanjahu tha se ushtria e tij ishte gati të luftonte kundër Hezbollahut pas tensioneve një ditë pasi Hamasi kishte shkaktuar habinë e madhe në radhët e ushtrisë së tij. Madje sulmet me raketa të Hezbollahut u shtuan gjatë ditës kundër tre pozicioneve në zonën e pushtuar nga Izraeli në rajonin e Golanit. Por kjo gjendje ndryshoi gjatë 12 tetorit, kur u njoftua krijimi i qeverisë së “unitetit“, sepse Izraeli filloi të përgatitësh për të luftuar në pesë fronte: në Gaza, ku synon asgjësimin e Hamasit; në dy fronte në veri të vendit, ku pret përfshirjen e Hesbollahut pasi të fillojë operacioni në Gaza, në kufi me Libanin dhe Sirinë; në Bregun Perëndimor, kufi me Jordaninë; dhe në jug, kufi me Egjiptin.

Të njëjtën ditë Blinkeni nga Jeruzalemi nxiti Izraelin të tregonte përmbajtje sepse po përpiqësh bashkë me Arabinë Saudite të parandalonin një luftë rajonale. Ai paralajmëroi, gjithashtu, shtetet fqinje për të mos shfrytëzuar krizën ndërsa thirri Izraelin të shmangte lëndimet e qytetarëve palestinezë. Për këta të fundit, Izraeli njoftoi një afat prej 24 orësh. Por vetëm banorët (1.1. milionë) në veri të Gazas. OKB-ja e kundërshtoi afatin kohor, sepse nuk mjaftonte, ndërsa Hamasi e quajti kërkesën e Izraelit “luftë psikologjike” dhe nxiti banorët të qendrojnë. Gati të njëjtin qendrim pati dhe Turqia; ajo quajti kërkesën të papranueshme dhe në shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar. 

Pas vizitës në Izrael, ministri i jashtëm amerikan do të shkonte dhe në Jordani, Arabinë Saudite, Emirate, Egjipt, Katar, për të kërkuar ndihmën e tyre për përmbajtjen e konfliktit, duke përdorur pushtetin e tyre për të detyruar Hamasin të lironte pengjet. Ditët e para të luftës Shtëpia e Bardhë tha se asnjë trup ushtarak amerikan nuk do të dërgohet në Izrael dhe se ndihma e vetme do të ishte përmes luftanijeve dhe disa ekspertëve ushtarakë ndërsa ditën kur Blinkeni u kthye në Izrael, Pentagoni njoftoi se do të dislokonte 2 mijë trupa për ndihmë mjekësore, pastrimin e minave dhe rritjen e sigurisë në pikat e kalimit. Më herët Bajdeni paralajmëroi se “pushtimi i Gazës do të ishte një gabim i madh”.

Për të parandaluar një luftë rajonale Bajdeni dërgoi ministrin e tij të jashtëm, Blinkenin, në Izrael, gjatë ditëve të para të javës së dytë të bombardimeve, por ngaqë ai dështoi të bindte udhëheqësit rajonalë për mospërfshirje në luftë, presidenti amerikan u detyrua të shkonte atje dhe më pas në Jordani ku do të takonte edhe udhëheqësit e Egjiptit dhe Palestinës por edhe ai dështoi njësoj si ministri i tij.

Përpjekja e tij ―për të treguar solidaritet me Izraelin, të pajtonte partnerët arabë dhe parandalonte një luftë rajonale― dështoi por të paktën arriti një marrëveshje për të lejuar një farë ndihme për Gazën. SHBA-ja po e humbet ndikimin e saj në Lindjen e Mesme dhe nuk mungojnë krahasimet e fuqisë së saj me vitet `90 kur ajo agonte dhe arriti të krijonte një koalicion kundër Sadamit ndërsa tani po perëndon dhe vendet e rajonit, siç tregon një analizë e Financial Times, po zhvendosen të gjitha larg Uashingtonit:

Në tre dekadat që nga lufta e parë e Golfit, dinamikat rajonale ― dhe ndijishmëritë për rolin e SHBA-së ― kanë ndryshuar rrënjësisht, veçanërisht pas pushtimit të Irakut në vitin 2003 i cili shkaktoi konflikte shumëvjeçare në shtetin arab, duke mbjellë farat e një shteti të dështuar dhe ngritjen dhe rënien e grupit xhihadist Isis. Irani ishte i aftë ta shfrytëzonte tronditjen e shumicës Shia të Irakut; dhe shumë, me lidhje në Teheran, u ngjitën në pushtet në Bagdat. Qoftë edhe një rishqyrtim i SHBA-së mbi luftën e Irakut nxirrte përfundime në vitin 2019 se një “Iran i trimëruar dhe ekspansionist duket të jetë fitimtari i vetëm” i ndërhyrjes [amerikane].

“Vrajat e përvojës amerikane në Irak dhe Afganistan”, citon më tej analiza, “mbeten të gjalla atje, me kosto, duke demtuar aventurën e huaj përgjatë ndarjes politike. Pas vitit 2011, ndërsa presidenti amerikan Barak Obama përgatitësh të tërhiqte trupat e fundit të luftës nga Iraku, bota arabe përjetonte një periudhë tjetër trazire që do të rikrijonte rajonin ― dhe marrëdhëniet e tij me SHBA-në. Ndërsa një valë revoltash popullore kundër autokratëve përshkoi rajonin, duke shkrepur konflikte në Siri, Libi dhe Jemen, partnerët arabë të Uashingtonit u zhgënjyen nga një përgjigje ndaj trazirës që ata ndjenë që ishte e papërputhshme dhe e paditur për interesat e tyre. Ishte një ndjenjë e acaruar nga vendimi i tij për të nënshkruar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Teheranin. Gjatë gjithë kohës, Irani, peshëngritësi i rëndë Shia e rajonit, ishte i aftë të kapitalizonte kaosin në kohën e duhur dhe me strategji.

Ai lëvizi forcat e milicitë në Siri për të mbështetur regjimin e Asadit në luftën e tij civile, ndërsa militantët Shia të mbështetur nga Irani janë zhvilluar në fuqitë mbizotëruese politike dhe ushtarake në Irak, pjesërisht për rolin e tyre në luftën kundër Isis-it. Republika islamike gjithashtu e mbështetur nga rebelët huthi në luftën civile të Jemenit, të cilët kanë luftuar koalicionin e drejtuar nga sauditët për tetë vjet, mbështeti hapur Hamasin si pjesë e “aksit të rezistencës”. Është kundër këtij sfondi që udhëheqësit arabë, duke përfshirë Arabinë Saudite dhe Emiratet, që janë ankuar në çka ata shohin si një shkëputje amerikane nga rajoni dhe politikave të paparashikueshme të nxitura nga mendime politike vendore. Në një botë në rritje shumëpolare, këto ndijishmëri kanë prishur figurën e Uashingtonit dhe marrëdhëniet me partnerët tradicionalë. Tani, shtetet arabe frikësohen se nëse lufta Izrael-Hamas përshkallëzon, ajo do të përhapet përgjatë kufijëve të tyre. “Gjithë rajoni është zhvendosur; një zhvendosje drejt lindjes dhe jo detyrimisht në linjë me ndjeshmëritë dhe interesat e SHBA-në”.

Në rajonin e Lindjes së Mesme janë dy fuqi rajonale gati të njëjta, Turqia dhe Irani, por me efekt të ndryshëm në rajon, sepse e para është më pak e pavaruar se i dyti nga perëndimi. Kjo është një arsye se pse Turqia kërkoi të krijonte marrëdhënie me Izraelin ndërsa Irani kërcënonte me shfarrosje. Por gjendja ndryshoi menjëherë me bombardimet në Gaza me Telavivin të urdhëronte largimin e qytetarëve izraelitë nga Turqia ndërsa një ditë më pas konsullatat, mes frikës nga protestat e dhunshme në qytetet kryesore atje. Nuk mungonin zërat në Turqi që të mobilizohet flota e ushtrisë dhe të dërgohej në Egje për t`u përballur me flotën ushtarake amerikane dhe britanike.Po të njëjtën ditë departamenti i shtetit amerikan botoi një udhëzim botëror për gjithë qytetarët amerikanë rreth botës, që të kenë kujdes, sepse rrezikojnë nga sulmet e pupujve që mbështesin popullin palestinez.

Vendet fqinje të Izraelit kërkuan largimin e qytetarëve, konsullatave dhe ambasadave izraelite nga vendet e tyre ndërsa bazat ushtarake amerikane në Siri dhe Irak u sulmuan me dronë. Pas këtyre njoftimeve pasoi urdhëri i SHBA-së, Britanisë dhe Gjermanisë ndaj shtetasve të tyre që të lënë Libanin mes frikës për një konflikt më të gjerë. Urdhëri erdhi në kohën kur ishte njoftuar se Bajdeni do t`i drejtohësh popullit amerikan për mbështetjen e Izraelit dhe frikës se pas sulmit të këmbsorisë izraelite në Gaza do të kishte sulm shumëfrontal nga shtetet fqinje.

Bajdeni bëri një kthesë jo pak të vogël krahasuar nga politikat e Trampit por prapëseprapë nuk e vuri në përparësitë e tij çështjen “palestineze”. Ndryshe nga pararendësit e tij, të cilët nxisnin përfaqësuesit izraelitë dhe palestinezë për të zgjidhur mosmarrëveshjet, ai zgjodhi “politikën e diplomacisë së qetë”, me pak përpjekje për të ndihmuar palestinezët, me mbylljen e njërit sy për veprimet e padrejta izraelite dhe me shumë përpjekje për të realizuar një marrëveshje me disa vende arabe, me në krye Arabinë Saudite, të cilët ishin kundërshtarë të Hamasit dhe grupeve të tjera të mbështetura nga Irani.

Bajdeni ‘ashpërsoi’ qendrimin e tij ndaj Izraelit kur tha nga një konferencë me kreun e Australisë se “Unë vazhdoj të jem i alarmuar me kolonizatorët ekstremistë që sulmojnë palestinezët në Bregun Perëndimor...duke hedhur barut në zjarr. Ata po sulmojnë palestinezë në vende ku ata lejohen të jenë...duhet të ndalojnë tani” ndërsa akuzoi edhe një herë Hamasin se “po fshihet pas” qytetarëve palestinezë në Gaza ndërsa Izraeli duhet të ndjekë “ligjet e luftës”.    

Pjesë nga studimi vijues:

Pushtimi i Gazës nga Izraeli dhe pasojat gjëmëzeza për Lindjen e Mesme dhe botën

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA