...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

SHBA-ja do të humbiste çdo luftë në Paqësor me Kinën - Pentagoni

SHBA-ja do të mundet në një luftë detare me Kinën dhe do të përpëlitet për të ndaluar një pushtim të Tajvanit

Ylli Përmeti

09/01/2023 - 18:47

Një ndërhyrje ushtarake kineze në Tajvan në vitin 2026 do të përfundonte në mijëra viktima mes fuqive ushtarake kineze, amerikane, tajvanze dhe japoneze, dhe do të ishte pa gjasë fitore për Pekinin, sipas një qendre studimore në Uashington, e cila zhvilloi simulime luftarake për një konflikt të mundshëm i cili po shqetëson drejtuesit ushtarakë dhe politikë në Azi dhe Uashington.

Një luftë për Tajvanin do të linte një ushtri fitimtare amerikane po aq të gjymtuar sa forcat kineze që ajo do të mundte.

Në fund të konfliktit, të paktën dy luftëanije amerikane do të qendrojnë në fund të paqësorit dhe flota kineze, e cila është më e madhja në botë, do të jetë bërë “plojë”. Këto janë përfundimet kryesore të qendrës përkatëse (CSIS) pasi zhvilloi simulimet më të mëdha luftarake që ka zhvilluar ndonjë herë për Tajvanin. Pas luftës udhëheqja kineze mund të përdorë një strategji të izolimit diplomatik, trysni zone gri, ose shtrëngim ekonomik kundër Tajvanit.   

Një vlerësim tjetër kishte rreth shtatë vjet më parë një tjetër qendër studimore amerikane: Rand-i. Sipas saj, shpërthimi i luftës mund të jetë i shkurtër dhe i përgjakshëm ose i gjatë dhe shkatërrimtar. Ajo shqyrton dhe teorinë e përfrikësimit: sipas saj, ngaqë fuqia e tyre ushtarake është e madhe, ato mund të zgjedhin të sulmojnë të parat. “Për sa kohë që atje ka argumente racionale për të sulmuar i pari, atje është një rrezik, rreziku në gjithë teorinë e përfrikësimit. Dhe përsa kohë që atje ka dykuptimësi rreth qëllimeve të çdo pale atje është një rrezik për një luftë të paqëllimshme”.

Qendra përkatëse nuk përfshin përdorimin e armëve bërthamore nga palët por përmend disa fakte të rëndësishme lidhur me përdorimin e tyre në vitin 1983 kur Kremlini u bind se Regani kishe shënjestruar Moskën. Një mbledhje e veprimeve armiqësore bindi sovjetët se Amerika po planifikonte një dimër bërthamor: programi i Reganit mbi luftrat e yjeve, vendosja e dy raketave Pershing në Evropë, dhe ushtrimi i madh Shigjetari i Aftë (Able Archer) i cili do të provonte armët bërthamore.

KGB-ja dhe spiunët e kooptuar në Evropën lindore vepruan me mbishpejtësi. Dokumenta të shklasifikuar nga ajo kohë tregojnë se atje ishte krijuar një premisë e vërtetë për luftë parandaluese e shkrepur nga udhëheqja nervoze sovjetike.

Tundimi kinez, sqaron më tej ajo, për të vepruar, do të jetë në tetë vitet e ardhshëm meqë Pekini ngushton hendekun e armëve konvencionale me SHBA-në në një pikë sa fitorja në këtë lloj konflikti do të jetë e mundur. Kjo duket të jetë premisa e punës jo vetëm për qendrat studimore që të mendojnë të pamendueshmen por gjithashtu dhe për nomenklaturën e mbrojtjes amerikane.

Gjykuar nga fakti se Kina po forcon mbrojtjen e saj ajrore ndaj të cilës avionët e padukshëm amerikanë (F35) nuk mund të depërtojnë, SHBA-ja mund të kërcënojë me përdorimin e raketave bërthamore me rreze të gjatë dhe të sinjalizojë gadishmëri të përdorë një “luftë bërthamore taktike”.

Mjafton dyshimi se kjo dinamikë po ndodh do të ndryshonte përllogaritjet e Pekinit. Ndaj ajo këshillon krijimin e kanaleve kumtuese ushtarake dhe politike mes Pekinit dhe Uashingtonit. Ideja se Kina dhe Perëndimi janë të ndërvarur dhe konflikti ushtarak është jashtë tryezës nuk është më një hamendësim përtac, sepse nuk përfshin përparimet e teknologjisë ushtarake, shpejtësi që duhet për të marrë vendime në krizë përshkallëzuese, dhe mjegullina për qëllimet politike.    

Megjithatë, katër vjet pas vlerësimit të Rand-it dhe dy vjet përpara vlerësimit të CSIS-së, Pentagoni nxori përfundime se “SHBA-ja do të humbiste çdo luftë” në Paqësor me Kinën. “SHBA-ja do të mundet në një luftë detare me Kinën dhe do të përpëlitet për të ndaluar një pushtim të Tajvanit”, sipas lojërave luftarake të tij të quajtura “syhapje” (eye-opening). Një lojë luftarake u përqendrua në vitin 2030 kur flota detare kineze do të ketë nëndetëse të reja sulmuese, luftanije dhe torpedinierë.

Analiza konkludon se “gjithë simulimet çojnë në humbje të SHBA-së dhe armët hipersonike shihen si kyç për të thyer aftësitë e raketave balistike kineze. Për të ilustruar rëndësinë e raketave hipersonike raporti përmend qendrimin e Trampit i cili thoshte pak muaj përpara zgjedhjeve se “SHBA-ja po zhvillonte një raketë të shkëlqyer (super-duper) 17 herë më të shpejtë se” raketat ruse dhe kineze. Por kanë kaluar më shumë se dy vjet që nga ajo deklaratë bombastike dhe SHBA-ja mbetet pas në teknologjinë përkatëse. 

Krahas raketave hipersonike, SHBA-ja planifikon, citon raporti, të dislokojë raketa me rreze të gjatë, të lëshuara nga toka e rajonit të paqësorit. Njësitë detare do të pajisen me raketa kundëranije, përgjatë një rripi ishujsh që rrethojnë bregdetin e detit kinez.

Bazat ushtarake amerikane në rajon, sipas raportit, janë një në Korenë Jugore me 28,500 trupa, 9- avionë; lëshues të raketave patriot; dhe sistemi ajror mbrojtës THAAD. Baza tjetër është në Japoni me 50,000 trupa, më shumë se 100 avionë dhe raketa patriotë; tjetra është në Guam me 12,000 trupa, sistem ajror (THAAD) dhe bombarduesit B-2, B-52H dhe B-1B ndërsa në det ka luftanijen Ronald Reagan me 17 torpendinierë me kapës të raketave balistike.     

Pentagoni shpreson tek aftësitë e luftanijes më të madhe në botë për mposhtjen e Kinës

Prania ushtarake amerikane në detin e Kinës u shtua gjatë ditëve të para të tetorit 2022: atje shkoi luftanija Gerlad R. Ford, e cila kushtoi 13.3. miliardë dollarë dhe është luftanija më e madhe, më shtrenjtë dhe më e fuqishme në botë. Ajo ka pesë vende pilotimi, katër fusha fluturimi dhe teknologji të reja si armët me rreze lazer. Ka më shumë se 60 avionë por mund të mbajë deri në 90 avionë.

Fuqia e saj tejkalon të paktën 60 shtete dhe strehon më shumë avionë luftrakë të padukshëm sa ç`gjenden në gjithë ushtrinë ruse. Fordi ka më shumë se nëntë kate mbi ujë dhe peshon 97,000 tonë―32,000 tonë më shumë se anija më e madhe e luftës së dytë botërore. Ajo lëviz me reaktorë bërthamorë, ka fuqi tre herë më shumë se anijet ekzistuese amerikane, ose rreth 300 megawat fuqi elektrike në tërësi.

Por raktet hipersonike kineze e bëjnë atë pa asnjë vlerë. Sipas një raporti të kongresit, armët hipersonike kineze shqetësojnë më shumë flotën amerikane se armët ruse. Për anijet amerkane që lundrojnë në rajon, aftësitë e raketave kineze e bëjnë flotën amerikane të veprojë në kushte ekzistenciale. Shpresa e saj për t`u përballur me armët hipersonike kineze janë armët me rreze lazer: besohet se ato kanë mundësi t`i prapësojnë ato, sepse gjuajnë me shpejtësinë e dritës por sipas disa provave ato nuk mund t`i asgjësojnë ato.

Por ato kanë një avantazh: ato mund të rimbushen shpejt për t`u mbrojtur nga sulmet ajrore dhe nënujore dhe nuk kanë nevojë për municione por veç për reaktorin e anijes. Pentagoni shpreson tek armët në fjalë aq sa anuloi zhvillimin e dy armëve të tjera: shinaraketat (railguns) dhe GLGP, me të cilat shpresonte të mbronte flotën e saj. Kina zotëron më shumë se 770 anije, roje bregdetare dhe mjete të tjera ushtarake. Këto janë dy herë më shumë se flota amerikane. Për këto arsye dhe të ngjashme si këto njësia e posaçme që ngarkoi me detyrë në vitin 2021 Bajdeni për të vlerësuar gjendjen e saj ushtarake nxori përfundime se Kina ishte “konkurrentja më e madhe strategjike” e SHBA-së.

Fuqia ushtarake kineze dhe avantazhet dhe kostua e ulët e armëve me rreze lazer, përqendroi Pentagonin tek ato por siç përfundon një analizë:

Duke patur parasysh rritjen e shpjetë të armëve kundër-anijeve, luftanijet si Ford-i janë shumë më të cënueshme se sa kanë qenë në 80 vjet. Fati i flotës më të fuqishme mund të përcaktohet nga një goditje e vetme e një arme hipersonike. Për të parandaluar bartëset e avionëve të saj për t`u ndeshur me të njëjtin fat si anijet e luftës së dytë botërore, ajo po përqendrohet tek armët me rreze lazer―duke vënë bast se mund të zhvillojë një teknologji të fuqishme dhe mbrojtje e besueshme. Sado të shpejta dhe të fuqishme bëhen raketat kundër anijeve, flota shpreson se lazerët e saj mund t`i djegin ato në qiell me koston e një kafeje.    

...

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA