...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ngritja e çmimit të biletës nga Bashkia “Durrës” dhe nevoja për protesta*

Pas gati pesë vjet privatizim të sektorit i vetmi përmirësim është blerja e urbanëve më të rinj, ndalimi vetëm në ndalesat e paracakura, sepse më parë shoferët ndalonin ku t`u donte kokrra e pallës —atyre dhe udhëtarëve— ndërsa nuk mbledhin shokë e miq përpara dhe nuk përdorin cigare si më parë dhe, kontrollorët e biletave janë rigorozë.

SHJ

02/07/2019 - 17:53

Bashkia e Durrësit dhe pasanikët e saj që udhëtojnë me automjete luksoze, që rrit shpenzimet për paga dhe punësime dhe jo për investime dhe shërbime, si gjithë bashkitë e tjera...miratoi në fillim të marsit një politikë të shërbimit urban krejtësisht të padrejtë: rriti çmimin e biletës së udhëtimit nga 30 në 40 lekë (të vjetra) duke përdorur argumentin se operatorët nuk mbulojnë dot kostot dhe faktin se edhe bashkia e Tiranës veproi njëlloj tre vjet më parë!

Pas këtij miratimi, në muajin prill, Bashkia shpalli ‘konkursin’ për kandidatë të mundshëm për operimin e linjës “Durrës-Plepa-Durrës”­—që është linja kryesore e qytetit meqënse përfshin zonën e Plazhit ku janë ndërtuar dhjetra për mos të qindra hotele—ku parashtron kërkesat e saj. Kërkesat e saj janë deri diku të përputhshme me nevojat e shërbimit përkatës. Por “harron” të përmendë plotësimin e nevojave të punëtorëve të sektorit dhe çështje të tjera - kur dihet se nuk mund të ketë ‘konkurs’ në sektorin e transportit përsa kohë që nevojitet bazë financiare dhe dije administrative, të cilën zengjinët e rinj s`na e kanë treguar ende. Kjo është arsyeja që nga konkursi përkatës nuk doli asnjë pretendent dhe sektori mbeti në duart e të njëjtëve operatorë.

Kështu rritja e çmimit të biletës hyri në fuqi në fillim të korrikut. Mirëpo, cilësia e shërbimit nuk është as si ajo që kërkon Bashkia e as si kërkesat që parashtrohen këtu.

Së pari, Bashkia ngriti çmimin e biletës duke mos na treguar se sa i vërtetë ishte argumenti i operatorëve: se ata kanë probleme me kostot. Së dyti, argumenti që përdori vetë kryebashkiaku, se edhe Tirana e ngriti për të njëjtën arsye, sikur mos të mjaftonte argumenti i parë…është qartësisht i padrejtë nëse krahasojmë punësimin dhe koston e jetës: Tirana dihet se ka rroga më të larta dhe punësim gjithashtu—për shkak se atje është përqendruar pushteti politik dhe ekonomik.

Së treti, Bashkia nuk vendos ndonjë objektiv për transport të gjelbërt në kohën kur dihet apokalipsi ekologjik dhe fund i jetës së planetit nëse vazhdojmë me të njëjtën përqindje të ndotjes — pa përmendur faktin se ndotja pritet të rritet për shkak të dinamikës së tregut të marketingut të globalizuar!

Së katërti, Bashkia nuk inspekton sektorin për cilësinë (punëtorët dhe qytetarët nuk kanë parë asnjë punonjës bashkie në inspektim). Nuk këto kushte, nuk do të ishte e çuditshme të dëshmonim urbanë pa kondicionerë (duke shkelur një nga kushtet e parashtruar nga vetë Bashkia!) dhe ata që kanë, mos të punojnë (punëtorët rrëfejnë se pronari nuk ka teknikë për ndreqjen e kondicionerëve!). Për pasojë, me urbanë pa dritare, pa kondicioner dhe me temperatura përvëluese, shoferët gjenden përballë shkëmbit dhe greminës: detyrohen të mbajnë një kanat të derës së parë hapur duke rrezikur veten—sepse mund të ndiqen penalisht ndërsa përballen me ankesat e udhëtarëve—se mbyten nga vapa etj! Pas gati pesë vjet privatizim të sektorit përmirësimi i vetëm është blerja e urbanëve pak më të rinj, ndalimi vetëm në ndalesat e paracakura, sepse më parë shoferët ndalonin ku t`u donte kokrra e pallës —atyre dhe udhëtarëve— ndërsa nuk mbledhin shokë e miq përpara dhe nuk përdorin cigare si më parë dhe, kontrollorët e biletave janë rigorozë.  

Së pesti, Bashkia nuk konsideron mbrojtjen e punëtorëve nga ‘kërcënimet’ e “qytetarëve” kur dihet se si shoferët ashtu dhe fatorinot përballen me lloj-lloj sjelljesh.

Së gjashti, Bashkia nuk konsideron asnjë politikë për edukimin e popullatës në jetën urbane (me `edukim` këtu nuk kuptohet vetëm etika e mirëditur se duhet të kujdesemi për të moshuarit dhe të pamundurit por dhe çëshjte të tjera. Për shembull, ka humbur etika e mbajtjes së shamive në duar në rast tështitjeje etj. Në vend të tyre njerëzit mbajnë telefona celularë!).

Dhe në fund, Bashkia nuk konsideron edukimin e punëtorëve nga operatori privat (punëtorët kanë nevojë për edukim për çështje të ndryshme administrative si për ndërmarrjen ashtu dhe kur përballen me qytetarët gjatë shërbimit). Në rastin konkret bëhet fjalë për një pronar që s`ka zhvilluar as virtytin e drejtësisë dhe as ka krijuar banja për punëtorët (një njeri i drejtë me punëtorët do të shikonte pikë së pari krijimin e kushteve njerëzore për punëtorët ku përfshihen dhe banjat). Në një rast, shoferi i një autobusi nxitoi dhe harroi fatorinon që kishte shkuar në banjën e një restoranti në Plepa për nevojat e tij, dhe për pasojë, pronari gjobiti si shoferin ashtu dhe fatorinon me gati një rrogë mujore! Domethënë, nuk e pa veten si shkaktar për mungesën e  banjave por akuzoi dhe dënoi punëtorët! Pa përmendur këtu gjobat e tjera që vënë kontrollorët ndaj fatorinove. Qartësisht, nevojitet edukim dhe ndoshta krijimi i një “komisioni” me punëtorë për gjykimin e drejtë të rasteve. Por me pronarë dhe bashki të padrejtë këto çështje nuk do të ngrihen kurrë për diskutim.     

Për të gjitha këto arsye ne kërkojmë nga Bashkia:

I. Të na tregojë kostot e operatorëve dhe pasi të jetë shqyrtuar kostua;

II. Të ruajë çmimin e biletës në 30 lekë, sepse Durrësi nuk është dhe nuk mund të jetë si Tirana;

III. Të vendosë objektiv transportin e gjelbërt me karta manjetike dhe të rikonceptojë linjën urbane (udhëtimi me urban është tejet i vështirë dhe i rrezikshëm sepse pengohet si nga struktura rrugore, automjetet private dhe këmbësorëtashtu dhe nga policët e rrugores!);

IV. Të kërkojë kushte të përputhshme me nevojat e sektorit për punëtorët (një orë pushim etj.) dhe përfshirje të punëtorëve në vendim-marrjen e ndërmarrjes me qëllim dijësimin dhe edukimin e tyre si për ndërmarrjen ashtu për detyrat e saj;

V. Të synojë edukimin e qytetarëve për jetën urbane (krahas etikës që supozohet se mësohet në arsim —në fakt etika e sjelljes qytetare nuk zhvillohet mjaftueshëm në arsim për mos të thënë aspak— të synohet zhvillimi i etikës qytetare në vend-ndalesë ose stacione përmes hartave dhe orareve dhe në urban dhe qendra përmes kumteve radiofonikë).

Për realizimin e këtij objektivi nevojiten protesta dhe pjesëmarrje masive, nga qytetarët dhe punëtorët! Ndryshe asgjë nuk do të ndërmerret nga Bashkia meqënse ka vite që ka treguar se vetëm për shërbime publike nuk është. Nëse realizojmë këtë objektiv, mund të realizojmë çdo objektiv tjetër me karakter publik.

*Shënim: Ylli Përmeti ka dhënë kontributin e tij edhe gjatë kohës kur filloi privatizimi i sektorit qoftë teorikisht me një studim për Bashkinë Durrës në përgjithësi dhe në veçanti për sektorin qoftë praktikisht duke nxitur protesta për mosprivatizimin e sektorit (në protestat përkatëse u ftuan dhe punëtorët e sektorit por asnjëri nuk guxoi të protestonte!) për gjithë arsyet që ka treguar në studimin përkatës: Politikat bashkiake dhe komunitare në globalizmin neoliberal: çfarë do të bëja për zhvillimin e Bashkisë Durrës? 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA