Ç`është bukuria dhe si duhet ta konceptojmë atë?
Shoqëritë moderne janë të zhytura në pështjellimeve kuptimore dhe e shprehin atë edhe me bukurinë: ajo nuk gjykohet drejtë as nga shoqëritë dhe as nga konkurset e bukurisë
Ylli Përmeti
12/01/2022 - 08:53
Shoqëritë moderne janë të zhytura në pështjellimeve kuptimore dhe e shprehin atë edhe me bukurinë: ajo nuk gjykohet drejt as nga shoqëritë dhe as nga konkurset e bukurisë. Përkundrazi, meshkujt dhe sidomos ata që kanë pushtet politik dhe ekonomik, e shfrytëzojnë atë! Madje dhe nënat e gocave të bukura, sidomos kur gjenden në nevojë, i shtyjnë vetë gocat drejt pushteteve. Ndaj në vijim do të shqyrtoj bukurinë si koncept duke e ilustruar me një rast —konkurs bukurie— dhe më tej do të tregoj një të vërtetë të madhe lidhur me bukurinë e gocave dhe kuptimin e meshkujve.
Një ndër arsyet kryesore se pse e ndoqa konkursin e bukurisë që u zhvillua në Tajlandë gjatë muajit mars, ishte pjesëmarrja e tre shqiptareve: njëra përfaqësonte Shqipërinë; tjetra Kosovën dhe një tjetër, dy herë fituese, Gjermaninë, pas përfaqësimit të Kosovës një vit më parë. Një arsye tjetër ishte të kuptonim se sa meritokratë janë vendet që organizojnë konkurset e bukurisë me përmasë botërore por dhe kombëtare. Unë pata parashikuar —pasi vlerësova disa kandidate, duke gjykuar nga fotografitë dhe videot e tyre— se pretendente për të fituar çmimin e “Miss Grand International”, ishte Arlinda Prenaj, bazuar në parametrat e bukurisë që shqyrtova:
Format kryesore të bukurisë janë rendi, simetria dhe qartësia në përsosje të cilat shkencat matematikore i tregojnë në një shkallë të veçantë (Aristoteli): ‘rendi’, në kuptimin që gjymtyrët janë në rend simetrik; ‘simetrik’, në kuptimin që gjymtyrët janë të barabarta; dhe ‘përsosje e qartë’ në kuptimin që rendi dhe simetritë trupore janë të qarta me shikim të parë dhe shkaktojnë bukuri në sy dhe shpirt. Por këto parametra nuk mjaftojnë të gjykojmë bukurinë: sepse janë dhe disa parametra të tjerë që duhet të përfshihen — me më kryesorin, përshtypjen që shkakton një njeri i bukur me bukurinë e tij.
Njeriu është pjesë e natyrës dhe si natyra e bukur ashtu dhe njeriu i bukur na magjeps. Ne na magjeps dhe universi me yjet dhe dritat e tij me më kryesorin diellin. Drita na magjeps më shumë kur e shohim në ëndërra: sepse kur jemi zgjuar ne mësohemi me praninë e dritës. Ne magjepsemi dhe me ngjyrat e natyrës: jeshilen, blunë, të kuqen, vjollcën etj. Shkurt, me gjithë ngjyrat e ylberit. Kur këto ngjyra gjenden në një njeri me rend, simetri dhe përsosje të qartë trupore, ne magjepsemi edhe më shumë.
Njerëz të tillë i quajmë të veçantë. Madje i quajmë edhe specie të veçanta dhe disa i lidhin me “specie” të veçanta të universit. Kjo është arsyeja se pse ne magjepsemi kur përballemi me një njeri që gëzon disa apo të gjithë parametrat e përmendur. Një njeri i tillë, themi, të “ngrinë” gjakun kur e sheh. Por bota e bukurisë përfshin dhe gjatësinë. Por gjatësia jo detyrimisht na magjeps.
Gjykuar nga këta parametra ne mund të gjykojmë drejtë se cila nga konkurrentet meriton të fitojë çmimin. Por organizata përkatëse nuk gjykon në bazë të këtyre parametrave por në bazë të “intervistave, veprimtarive, dhe konkurrenca paraprake që zhvillohet mes konkurrenteve për të zgjedhur 20 konkurrentet e para dhe nga këto zgjidhen 10 dhe 5 më të bukurat ndërsa fituesja zgjidhet sipas rregullave dhe proceseve të përcaktuar nga Organizata përkatëse në lirinë (ose diskrecionin) e saj”. Por “rregullat dhe proceset” e organizatës nuk përmenden asgjëkundi!
Se çfarë pamë ishte një “juri” e përbërë nga ish-fituese të cilat gjykuan virtualisht dhe jo duke qenë të pranishme në paradë. Nëse gjykojmë nga konkursi i vitit 2021, fituese u shpall një amerikane. Nëse e shohim atë në bazë të parametrave që kam parashtruar, ajo nuk i plotëson ata. Kështuqë, për zgjedhjen e saj me siguri ka luajtur rol të rëndësishëm raporti gjeopolitik mes SHBA-së dhe Tajlandës: sepse kjo e fundit është pjesë e një blloku ekonomik —të karakterit neoliberal (ASEAN)— kundrejt të cilit Uashingtoni ka nxitur krijimin e një tjetri (Trans-Pacific Partnership), kryesisht për të balancuar interesat e dy superfuqive në rajon: Kinës dhe SHBA-së.
Në fakt, thuajse të gjitha konkurrentet e njëzeçes karakterizoheshin nga gjatësia, eleganca (disa shumë të dobëta) por jo nga bukuria dhe magjepsja. Fakti që fituesja nuk gjykohet në bazë të parametrave të bukurisë dhe fakti që organizata ka lënë liri veprimi për jurinë pa përmendur ndonjë parametër bukurie, kuptohet se fituesja është diktuar nga politika. Konkurse të tillë, rrjedhimisht, mund të jenë meritokratë vetëm nëse organizatat themelojnë parametara bukurie dhe gjykojnë në bazë të parametrave përkatës. Ndyshe shkaktojnë dhimbje për cilindo dhe cilëndo që beson se meriton çmimin. Por duke ditur se organizata përkatëse nuk ka themeluar parametra bukurie do të ishte e tepërt të shpreheshin ankesa qoftë edhe nëse konkurrentet besojnë se meritojnë çmimin.
Duhet thënë se nisma e “Miss Grand International” synon të rivalizojë “Miss Universe” dhe “Miss World”. Kështuqë gocat tona kanë mundësi të tjera nëse dëshirojnë të “sfidojnë” konkursin e Tajlandës. Por jo pa qëmtuar parametrat e tyre: sepse çdo konkurs i kësaj natyre do të ishte i padrejtë nëse nuk bazohet në parametra bukurie.
Kujtoj se bukuria e jashtme duhet të shoqërohet me bukurinë e brendshme: e para lidhet me formën e jashtme —me çka na magjeps me shikim të parë— ndërsa e dyta me virtytet: sepse një njeri pa virtyte edhe nëse gëzon bukuri në fazën e parë të jetës së tij, do ta humbasë atë nëse nuk ka fituar gjatë të njëjtës fazë virtyte. Ndaj do të ishte e dëshirueshme që konkurse të kësaj natyre të shoqëroheshin me bukurinë e brendshme të konkurrenteve krahas bukurisë së jashtme: sepse do të nxiste zhvillimin e virtyteve dhe do t`i bënte pjesëmarrëset dhe ata që i ndjekin, më të mirë.
Në këtë mënyrë ne do të shikonim bukurinë e trupit por dhe bukurinë e shpirtit. Ndryshe tregojmë vetëm bukurinë e trupit por edhe këtë të pabazuar në parametra. Kështu nuk sigurojmë as drejtësi dhe as shëndet: sepse pa virtyte një njeri i bukur —në fazën e parë të jetës së tij— nuk do të gëzojë shëndet. Dhe ne duhet të synojmë shëndetin të parin dhe ai varet nga virtytet.
Çështja e bukurisë përfshin dhe hapësira të tjera shoqërore. Për shembull, vendin e punës. Në një bobinë filmike lidhur me “disavantazhet e bukurisë” gazetarja e BBC-së përpiqet t`i përgjigjet pyetjes se pse forca tërheqëse dhe bukuria mbeten të rëndësishme sot dhe pse jemi të fiksuar me bukurinë? Përgjigjja që jep një sociologe është si vijon: “efektet dhe mënyrat se si na perceptojnë të tjerët, çojnë tek disa njerëz të jenë më shumë ose më pak ndikues në lloje të ndryshme çështjesh. Kështu në vendin e punës, nëse ti je më tërheqës, kjo e fundit do të japë më shumë ndikim në vendime të ndryshme që duhet të merren. Atje janë dy ide teorike lidhur me bukurinë: njëra është se “çfarë është e bukur është e mirë”, domethënë, se është një gjë e mirë për t`u parë, dhe kjo lejon njeriun e bukur të realizojë çka dëshiron zakonisht. Por është gjithashtu një dinamikë kundërshtuese se “bukuria është e keqe”, se në çështje ku serioziteti, ekspertiza dhe përvoja vlerësohen, të jesh “tejet tërheqës” i bënë njerëzit zhvlerësues por kjo ndodh vetëm lidhur me femrat dhe jo me meshkujt”.
Kjo prirje është e vërtetë meqënse bazohet në fakte por si qasje është problematike përsa kohë që femrat e bukura dhe përgjithësisht shoqëritë tona përqendrohen më shumë në formën e jashtme se sa në krijimin e karakterit me gjithçka që nënkupton ky fundit: edukim etj. Kështuqë kur një femër e bukur nuk zhvillon paralelisht me rritjen e saj dhe virtytet e saj por mjaftohet vetëm me bukurinë e jashtme, ajo me shumë gjasa (sepse meshkujt në përgjithësi femrën e shohin si subjekt shfrytëzimi) do të përfundojë në jetën e një mashkulli i cili do ta shohë atë më shumë si subjekt shfrytëzimi se sa si një shoqe të denjë për të ndarë të mirën dhe të keqen, vendimet dhe jetën me të.
Fotografitë e këtij editoriali janë të Arlinda Prenajt
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 273 reads