Vjetërsia e gjuhës shqipe, “shuplaka” ndaj profkëmëdhenjëve (Kocaqi etj.) dhe mashtrimet greke
Në studimin e ri tregohet se gjuha shqipe përfshihet në tre gjuhët më të vjetra të botës të cilat datojnë rreth 9500 deri 8500 vjet më parë
Ylli Përmeti
01/08/2023 - 14:09
Studimi i publikuar në revistën shkencore amerikane “Science” mbi vjetërsinë e gjuhëve nxjerr gjuhën shqipe gjuhën e tretë më të vjetër në botë. Ai është realizuar nga 33 studiues dhe bazohet në një metodë filogjenetike të quajtur “Bayesian” (bajesiane) e cila është zbatuar në të dhëna të reja mbi 161 gjuhë indo-evropiane.
Metoda filogjenetike bajesiane është parashtruar vitet 1990. Ajo e ka zanafillën në shekullin e 17 sipas autorit Thomas Bayes. Metoda përdoret në shkencat kompjuterike, mjekësore dhe veçanërisht për të përcaktuar “pemën” gjenetike të popujve. Metoda bajesiane është një përfundim statistik dhe pjesa kryesore e saj është përdorimi i gjasave (propabiliteteve) për të përshkruar pasiguri të gjithë të panjohurave duke përfshirë dhe parametrat e modelit.
Bazuar në metodën në fjalë, studimi përpiqet të sqarojë familjet e gjuhëve indo-evropiane dhe gjuhët e para të tyre, ku janë folur si fillim dhe kur dhe pse ato u përhapën përgjatë eurazisë. Ai citon që në fillim se gati gjysma e popullatës botërore flet një gjuhë të familjes indo-evropiane (prej më shumë se 400 gjuhësh) dhe parashtron dy qasjet mbizotëruese: njëra që quhet hipoteza e “stepave”, e cila mbron qasjen se popujt e kanë zanafillën nga stepat pontiko-kaspiane rreth 6500 vjet më parë dhe më shumë dhe u përhapën me pastoralizmin e bazuar në kuaj nga vitet 5000 dhe një tjetër “anatolike” e cila i vendos ata të jenë shpërndarë në pjesë të luginës së Mesdheut nga 9500 deri në 8500 vjet më parë.
Ngaqë këto hipoteza mbeten të paqarta, studimi i ri provoi parashikimet mes thellësisë së kohës të hipotezës anatoliane dhe stepave drejtpërdrejt nga të dhënat e gjuhës dhe raporton një kuadër të ri të kronologjisë dhe vijueshmërisë degëzuese të indo-evropianeve, hibrid (sipas hartës që shoqëron këtë editorial), duke përdorur metodat filogjenetike bajesiane të zbatuara në të dhëna të reja të një shkalle të gjerë të fjalorit thelbësor për 161 gjuhë indo-evropiane. Racionalja pas këtij studimi është se studimet e mëparëshme filogjenetike kanë patur përfundime të papërputhshme ndërsa studimi i ri zgjidhi shkaqet e këtyre papërputhshmërive.
Sipas tij, studimet e mëparëshme kishin mostra të kufizuara gjuhësore dhe papërputhshmëri kodike të përhapura gjerësisht. Disa nga analizat e tij, sipas tij, fuqizuan hamendësimin se gjuhët e folura moderne burojnë drejtpërdrejt nga gjuhët e shkruajtura të vjetra se sa nga larmitë e folura paralele. Këto probleme metodologjike shtrembëruan vlerësimet e degëve zgjatuese dhe përfundimet e të dhënave.
Për të njëjtën arsye ai paraqet një tërësi të re të dhënash farefisnore (fjalë të përbashkëta zanafillore) mes indo-evropianeve. Kjo tërësi të dhënash heq papërputhshmëritë e të kaluarës dhe sjell një mostër më të plotë dhe më të balancuar gjuhësore, duke përfshirë 52 gjuhë jo-moderne për një tërësi kohore më të dendur të pikave kalibruese.
Përfundimi i tij është se ai nuk është tërësisht i përputhshëm me hipotezën e stepave ose bujqësore. Provat e fundit të aADN tregojnë se dega anatoliane nuk mund të burojë nga stepat por nga jugu i Kaukazit. Për degët e tjera, kandidatë të mundshëm zgjerimi nga kultura Jamnaja (Yamnaya) pikasen në aADN, por disa kishin ndikim të kufizuar ndërsa shtrirjet nga 5000 dhe këndej erdhën gjithashtu tejet vonë për kronologjinë gjuhësore të degëve indo-evropiane.
Ato janë në përputhje me një atdhe përfundimtar në jug të Kaukazit dhe një degë e mëvonshme në veri të stepave, si një atdhe i dytë për disa degë të indo-evropianeve që hynë në Evropë me shtrirje të mëvonshme të shoqëruara me qeramikën dhe litarin. Ndërthurja e filogjenetikës gjuhësore dhe aADN tregon se zbërthimi i enigmës 200 vjeçare të gjuhëve indo-evropiane qendron në hipotezën bujqësore dhe stepave.
Por kjo lloj ndërthurje është më pak e qartë për Mikenët, Ballkanasit dhe Anatolët. Bazuar në përfundimet e tij, studimi propozon një hipotezë hibride. Në të përfshihen 109 gjuhë moderne dhe 52 jomoderne. Ngjyrat dallojnë 12 degët kryesore të gjuhëve indo-evropiane: balto-slavike; italike+gjermanike+keltike; indo-iranike; greko-armenike; anatoliane; tokeriane; dhe shqipe.
Në klasifikimin e gjuhëve, studimi argumenton se gjermanishtja dhe keltishtja vlerësohen të jenë ndarë nga njëra-tjetra ~4890 vjet më parë dhe italiket diku më herët ~5560. Gjuhët baltiko-slave, të cilat nuk lidhen shumë me degën gjermano-kelto-italike, janë ndarë më herët ~6460. Shqipja, Greqishtja, Armenishtja dhe degët anatolike janë të gjitha të ndara nga dega kryesore evropiane dhe shkojnë mjaft thellë në pemën gjenetike, argumenton studimi.
Provat e aADN nuk mbështesin një mërgim nga stepat drejt Ballkanit në Anatoli, ku gjurmët e prejardhësve të stepave mungojnë në epokën e bronxit. Paraardhësit e stepave mungojnë gjithashtu në Greqinë e lashtë në epokën e bronxit, të cilët bartin disa paraardhës të bujqëve të hershëm evropianë, dhe ~25% kaukazianë gjahtarë-mbledhës të ngjashëm me iranianët. Lajmi ligjur me gjuhën greke është se ajo vendoset në një degë me gjuhën armene, sepse ka ngjashmëri filogjenetike. Në të kaluarën ajo klasifikohësh e vetme.
Por lajmi kryesor është se pavarësisht se gjuha shqipe renditet e treta në vjetërsi, ajo është e vetmja që vazhdon të flitet dhe t`i mbijetojë kërcënimeve, sepse gjuhët anatoliane dhe tokeriane quhen të vdekura, sepse nuk i trashëgon asnjë popull modern. Të parat janë zëvendësuar rreth 3500 vjet më parë ndërsa të dytat rreth 1500 vjet më parë. Si e tillë, gjuha shqipe qendron në krye të listës si gjuha më e vjetër që ende flitet. Pas saj vjen greqishtja, gjuhët indiane, iranike, slavike, baltike, italike, gjermanike dhe keltike.
Në studimin e ri tregohet se gjuha shqipe përfshihet në tre gjuhët më të vjetra të botës të cilat datojnë rreth 9500 deri 8500 vjet më parë.
Përfundimet e studimit u raportuan nga televizionet dhe shtypi ynë por si në çdo rast tjetër ato ishin me të meta serioze. Për shembull, Klani dhe Euronews raportoi se gjuha shqipe daton “të paktën 6000 vjet më parë”! Ky është një keqraportim sepse edhe nëse nuk e kanë lexuar të gjithë studimin gazetarët, grafiku është i qartë: gjuha shqipe atje klasifikohet në tre gjuhët më të vjetra të botës ndërsa tregohen dhe vitet.
Por studimi është një shuplakë e fortë ndaj “shkencëtarëve” të shekullit të kaluar dhe të tanishmëve me në krye Kocaqin, Gurin, Dalipin e të tjerë pas tyre: sepse të parët na thonë se gjuha shqipe është e re ―gjykuar nga Meshari i Gjon Buzukut― dhe gjuha më e vjetër e mesdheut është greqishtja, bazuar në shkrimet e lashta; të dytët sepse mbështesin profkën e madhe se gjuha shqipe është “nëna” e gjithë gjuhëve dhe rrejdhimisht më e vjetra në botë!
Por si të pacipë që janë ata filluan të përshtaten në studimin në fjalë, duke pranuar t`u përgjigjen pyetjeve idiote të “gazetarëve” të oligarkisë, të cilët as lexojnë studime as e dashurojnë të vërtetën. Ndaj do të ishte e drejtë të kërkohet rishikimi e titujve të tyre shkencorë, sepse na shpenzojnë si kursimet tona ashtu dhe kohën tonë me broçkullat që na thonë.
Kandidatët profkëmëdhenj për president dhe nevoja për një shuplakë popullore
Në fakt, studimi vërteton tezën time, se gjuha shqipe është më e vjetër se gjuha greke. Unë e parapublikova studimin pikërisht për shkak se dëgjoja profkat e Kocaqit dhe “profesorëve” të tjerë por dhe profka të ngjashme në Greqi dhe vende të tjerë.
Por studimi filogjenetik ka një të metë―për të cilën do të njoftoj autorët: se ai shpërnjeh një parim të mirëditur në antropologji dhe sociologji―faktin se ne quhemi qënie racionale dhe me aftësi të njëjta si popuj dhe përsa kohë që quhemi të tillë për aq kohë ne kemi mundësi të zhvillojmë një gjuhë.
Ndaj dhe pretendimi se gjuhët anatoliane dhe tokeriane janë më të vjetra se gjuha shqipe duhet të shihen në dritën e aksiomës në fjalë por dhe të faktit se fosilet e trevës së sotme shqiptare, të homo sapiens-it, datojnë rreth 35,000 vjetë më parë―fakt që nënkupton se ata kanë folur një gjuhë.
Studimin e raportoi dhe “Greek Reporter” por nuk përmend askund vjetërsinë e gjuhës shqipe ndërsa thekson faktin se mikenët kishin rreth 1/10 e prejardhësve të tyre nga stepat por ata nuk ishin të shpërndarë njëtrajtshmërisht ndërsa mes elitave ishte e mundur të gjeje njerëz pa lidhje me popullin Jamnaja. Sipas studimit, mërgimtarët e stepave nuk themeluan sundim mbi vendasit por ata u përzien me ta ndërsa kishte njerëz në elitat e Mikenës pa prejardhës nga stepat. Prejardhësit e jamnajave, në fjalë të tjera, kishin pak ndikim në Mikenë dhe pjesë të tjera gjeografike të epokës së bronxit duke përfshirë minoanët dhe ishujt cikladikë (mes Kretës dhe Athinës) dhe egjeut qendror.
Por raporti shtrembëron edhe një herë faktin se në kohën e mikenasve, etërit e grekëve të lashtë, jonianët, nuk kishin themeluar ende qytetërim në brigjet e egjeut të Turqisë së sotme. Populli jonian filloi të lulëzonte pas rënies së qytetërimeve në Mikenë, Kretë dhe ishujt e egjeut ose pas qytetërimeve të lashta pellazge.
Ky editorial është plotësuar 9 gusht 2023
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 595 reads