Heqja e një etape historike nga mozaiku i “Nënës Shqipëri” pjesë e shkombëtarizmit të popullit shqiptar
Ata që kanë tridhjetë vjet që tregojnë se “komunizmi” ishte ashtu e kështu dhe përpiqen të rishikojnë historinë duke i shtuar asaj ndonjë “fakt” të ri me karakter të padrejtë, për të treguar karakterin e elitës komuniste në veçanti dhe popullit komunist në përgjithësi, me një të rënë të…fjalës ose “penelit” hoqën nga mozaiku i “Nënës Shqipëri” etapën historike më të rëndësishme për popullin tonë: socializmin marksist, të cilin vazhdojnë ta quajnë “komunizëm”!
Ylli Përmeti
24/05/2023 - 14:59
Pas restaurimit të mozaikut në balloren e Muzeut Historik Kombëtar me fondet e BE-së (gati 1 milion euro) gjatë viteve 2021-23, shpërthyen reagimet lidhur me heqjen e Yllit të flamurit dhe Yllit që qendronte pas kokës së gruas në qendër të mozaikut (ose “Nënës Shqipëri) dhe librin në kraharorin e punëtorit. Ylli i madh, sipas autorëve, simbolizonte idealin e komunizmit ndërsa ylli i flamurit ishte yll i komunizmit dhe libri simbolizonte librin e partisë komuniste në duart e klasës punëtore.
Këto ndryshime kanë ndodhur, sipas vetë artistëve që janë përfshirë në krijimin dhe restaurimin e tij, në vitin 1993 me qeverinë “Berisha”, kur u bë restaurimi i parë. Ndryshimet u bënë pasi i kërkoi partia në pushtet dhe me to duket se janë pajtuar dhe autorët (të paktën kështu pohojnë për shtypin).
Por duhet thënë se një nga simbolet e “komunizmit” ka mbetur pa u ndryshuar: ylli në kapelën e partizanit. Në tërësinë e tij, mozaiku ka pësuar ndryshime në ngjyra: ato janë më të errëta se ngjyrat e origjinalit.
Kur erdhi partia “socialiste” e vitit 2013 në pushtet dhe u shfaq nevoja e rirestaurimit të tij në vitin 2020, mozaikut nuk iu kthyen simbolet e “komunizmit”! Për ndryshimet në fjalë, Auron Tare, pas të cilit pasuan qindra reagime, argumentoi se ato “retushojnë historinë”.
Për të gjykuar se nëse mozaiku i ndryshuar nuk i përmbahet historisë, duhet thënë se mozaiku shpreh tërësinë e historisë së popullit shqiptar dhe është mbështetur në artin kombëtar: nga lashtësia deri në ditët kur është ndërtuar dhe ka karakter popullor dhe jo elitar―domethënë, në të nuk paraqiten figura të njohura publike gjatë historisë sonë por figura të përfytyrura dhe atyre u është dhënë një pamje madhështore, me më kryesoren, “Nënën Shqipëri” në qendër. Kjo e fundit paraqitet me veshje tradicionale dhe me motive të përziera krahinore, me xhubletën të spikasë. Ajo mban në një dorë armën dhe me dorën e zemrës (të majtën) pret krahapur popullin.
Ajo tregon, në fjalë të tjera, edhe luftën e popullit shqiptar ndërshekuj, edhe nevojën për të qenë vigjilentë në kohë paqeje por edhe dashurinë e saj për popullin. Në tërësi mozaiku është një krijimtari që të magjeps dhe të rrëqethë dhe të kujton përpjekjet e popullit shqiptar për liri e pavarësi dhe aftësitë e tij artistike por me një veçori të jashtëzakonshme krahasuar me popujt e tjerë: se ai reflekton “gjininë” e fjalës “Shqipëri” dhe e vendos atë në qendër të vëmendjes.
Nga këndvështrimi historik, ai nuk i përmbahet historisë: sepse nuk përfshin pikërisht historinë e socializmit marksist. Kjo e fundit shprehet me Yllin e Madh dhe të voglin në flamur dhe librin, nëse i japim atyre vetëm kuptimin që u japin piktorët: se yjet janë simbole komuniste dhe libri ishte libri i partisë komuniste në duart e klasës punëtore.
Mozaiku i “retushuar”, në fjalë të tjera, heq nga historia e popullit tonë epokën socialiste dhe shfaq vetëm luftën antifashiste! Por edhe në këtë rast yjet në kapelet e partizanëve nuk shfaqen qartë si në mozaikun e parë.
Përpjekja si e tillë, është sa kundër-historike po aq edhe e padrejtë. Ndaj ata që kanë tridhjetë vjet që tregojnë se “komunizmi” ishte ashtu e kështu dhe përpiqen të rishikojnë historinë duke i shtuar asaj ndonjë “fakt” të ri me karakter të padrejtë, për të treguar karakterin e elitës komuniste në veçanti dhe popullit komunist në përgjithësi, me një të rënë të…fjalës ose “penelit” hoqën nga mozaiku i “Nënës Shqipëri” etapën historike më të rëndësishme për popullin tonë: socializmin marksist, të cilin vazhdojnë ta quajnë “komunizëm”!
Por ky veprim nuk mund të quhet vetëm i padrejtë dhe anti-historik por dhe i turpshëm dhe kriminal; madje, nga krimet më të rënda historike dhe kombëtare: sepse nëse klasa jonë politike s`ka turp nga populli apo të huajt, ajo s`ka asnjë mundësi ta fshijë një etapë historike nga historia pavarësisht se ajo e heq nga një mozaik ku pretendon se paraqitet figurativisht historia e Shqipërisë.
Me këtë paturpësi ajo ―si klasë politike― nuk do të ngurrojë nesër ta paraqes ndryshe mozaikun pas heqjes së një etape historike (më e rëndësishmja e popullit tonë) dhe t`i shtojë atij ose bejlerët e rinj (t`i japë atij karakter elitar) ose të veshë ndonjë nga njerëzit e përfshirë në të ose të shtojë ndonjë të ri të veshur me shumë ngjyra për t`i treguar popullit se mes nesh kemi dhe “deledeshër” dhe kështu të përputhet me “realizmin” e historisë së 30 viteve të fundit.
Qartësisht, me këtë përpjekje synohet shkombëtarizimi e kombit tonë meqënse i heq atij një etapë historike nga një mozaik që për shumë njerëz është kujtesë historike. Ajo është pjesë e përpjekjeve të elitave neoliberale për të shkombëtarizuar popujt e Evropës dhe veçanërisht popullin shqiptar i cili ende gëzon homogjenitet të lartë dhe përbën një nga faktet më “ulëritëse” për këtë qëllim bashkë me faktet e tjerë që kam treguar në vend tjetër.
Si kontribojnë popujt evropianë në shkombëtarizimin e vetes: rasti i shqiptarëve
Si yjet ashtu dhe libri janë burim drite: yjet sepse simbolizojnë diellin pa dritën e të cilit jeta në tokë nuk do të ekzistonte dhe libri sepse pa dijen e të cilit kujtesa e popujve dhe zhvillimi i tyre do të ishte e pamundur. Kjo është arsyeja që flamuri i Skënderbeut kishte një yll mbi shqiponjën dy krenare por me tetë cepa për t`i dhënë atij karakterin e diellit dhe komunistët e shekullit të kaluar i dhanë një kuptim më njerëzor: e bënë atë me pesë cepa për të vendosur në qendër të vëmendjes njeriun ose edukimin dhe lumturimin e tij. Ndaj dhe ata që i shohin yjet dhe librin vetëm si simbole komuniste, duhet ta zgjerojnë kuptimin.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 177 reads