Pasoja e dhimbshme e propozimit franko-gjerman për Kosovën
Unë besoj se Prishtina do të tërhiqet nga pretendimi për njohje të ndërsjellë meqë i garantohet një vend në OKB dhe mund t`i premtohet nga Serbia se nuk do të ketë më tensione mes dy vendeve
Ylli Përmeti
11/10/2022 - 06:24
Një ditë pas zhvillimit të mbledhjes së Komitetit Politik Evropian të 44 vendeve evropiane (27 vende anëtare dhe 17 jo anëtarë), në Pragë, për të izoluar Rusinë, Vuçiçi tha se Franca dhe Gjermania i kërkuan që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB por pa e njohur pavarësinë e saj dhe në shkëmbim do t`i ofrohet përshpejtim për t`u anëtarësuar në BE!
Voa njoftoi se Franca dhe Gjermania nuk e kanë pohuar pretendimin e Vuçiçit ndërsa në Prishtinë u tha se nuk ishin në dijeni për kërkesën në fjalë dhe se zgjidhja e vetme është njohja e ndërsjellë. Unë besoj se kjo kërkesë mund të jetë e vërtetë!
Nëse po, Franca dhe Gjermania bëjnë një nga gafat më të mëdha historike ndaj popullit tonë në 30 vitet e fundit: sepse kërkesa nënkupton se Serbia vazhdon të ketë të drejta mbi popullin e Kosovës...
Besimin tim e vërtetoi Kurti një ditë më pas kur u pyet nga gazetarët lidhur me pretendimin e Vuçiçit, sipas të cilit “diskutohen modele të ndryshme, por nuk ka diçka përfundimtare e aq më pak vendimtare që do të mund të thuhej se ky është propozimi franko-gjerman dhe rrjedhimisht diskutojeni tash e jepni vërejtjet. Më shumë ka si të them ide që qarkullojnë Berlin, Bruksel, Uashington, por edhe Londër, Romë, Paris, Beograd dhe Prishtinë”.
Më tej ai sqaroi se “idetë me të cilat shpeshherë ne testohemi nga zyrtarë dhe diplomatë të ndryshëm, nuk mund t’i hedhim në opinion. Pra, duhet diçka të ngurtësohet që të publikohet, përderisa është le të themi në gjendje të lëngshme, nuk është korrekte nga ana ime që ta publikoj. Pas ngurtësimit vjen publikimi”.
Të gjitha këto kur dihet se “në fillim të muajit shtator kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron angazhuan këshilltarët e tyre për të mbështetur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa u bënë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç që “të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Kemi, në fjalë të tjera, një nismë nga dy vendet kryesore të BE-së, një paralajmërim për “vendime të vështira” dhe një pohim nga Vuçiçi por dhe Kurti pavarësisht se ky i fundit nuk përqendrohet mbi pohimin e tij por e paraqet atë në kuadër të propozimeve të shumta që vijnë nga perëndimi (fakti që nuk e mohon, e pohon!), sipas të cilit Serbia duhet të ‘lejojë’ anëtarësimin e Kosovës në OKB pa e njohur pavarësinë e saj në shkëmbim të anëtarësimit të përshpejtuar në BE!
Propozimin Serbia nuk e refuzoi por ‘po e mendon’. Madje, gati një javë më pas, ambasadori amerikan në Beograd tha se SHBA-ja e mbështet propozimin dhe sipas tij Vuçiçi dhe Kurti me shumë gjasa po e shqyrtojnë atë.
Gjasat janë se ajo mund të mos e pranojë atë meqë anëtarësimi i Kosovës në OKB do të nënkuptonte, gjithashtu, dhe njohjen juridike të Kosovës si vend i pavarur nga një institucion që mbikqyr të drejtën ndërkombëtare.
Por nëse e pranon, do të pranonte, gjithashtu, dhe mosnjohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe quajtjen e saj ―në kushtetutë― si pjesë e Serbisë. Pyetja që lind në këtë proces është se çfarë do të bëjë Prishtina nëse Serbia pranon propozimin franko-gjerman?
Unë besoj se Prishtina do të tërhiqet nga pretendimi për njohje të ndërsjellë meqë i garantohet një vend në OKB dhe mund t`i premtohet nga Serbia se nuk do të ketë më tensione mes dy vendeve. Nëse vepron kështu, Kosova do të pranonte të drejtën serbe mbi popullin shqiptar të Kosovës dhe do të shfuqizonte një pjesë të shpalljes së pavarësisë dhe si pasojë do të vazhdojë të quhet nga Serbia pjesë e saj!
Kjo do të ishte një pasojë e dhimbshme jo vetëm në raport me çka ka luftuar dhe deklaruar Kosova (dhe Shqipëria) por dhe në raport me “idenë” apo “mendimin” se ajo është pjesë e Serbisë pavarësisht se dhimbja mund të zbutet nga “mendimi” tjetër se ajo është anëtare e OKB-së.
Për perëndimin, gjithashtu, pranimi se Kosova do të jetë në parimin kushtetues të Serbisë, si pjesë e saj, do të ishte humbje e madhe për mos të thënë poshtërim. Por si duket treshja perëndimore, franko-gjermanët dhe amerikanët, pas tyre mund të rendin britanikët, nuk ndihet kështu!
Përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 230 reads