...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse e ka pushtuar çmendia Tiranën?

Çështja kryesore, se si do të zgjidhet mbipopullimi i kryeqytetit dhe shpopullimi i fshatit, se si do të parandalohet ndotja e tij dhe sëmundshmëria e banorëve, dhe se si do të shmangen implikimet e tjerë në shërbime dhe ekosistem, nuk marrin përgjigje!

SHJ

23/11/2018 - 07:28

Në një kryeqytet ku popullsia është më shumë se katërfishuar në 26 vjet (nga rreth 200,000 banorë në vitin 1992 dhe rreth 200 makina në rreth 1 milion aktualisht dhe më shumë se 200,000 makina) dhe parashikohet të shkojë 1 milion e gjysëm për 10 vjet dhe ndoshta 2 milion për 20 vjet (bashkë me rritjen e automjeteve), me më shumë se 10,000 banorë për km², kur njëkohësisht braktiset fshati dhe rritet ndotja në kryeqytet (aktualisht Tirana është një ndër qytetet më ndotur në botë sipas OBSH-së si pasojë e të cilës vdesin qindra njerëz nga sëmundje që shkaktohen nga ndotja e oksigjenit me metale të rëndë) bashkë me implikacionet e tjerë që krijon mbipopullimi i kryeqytetit (shërbime etj.), cila çështje nevojitet të zgjidhet: çështja banorëve ku do të ndërtohet unaza e madhe (një tjetër monstër prej betoni) apo çështja demografike?

Në të vërtetë, qoftë edhe nëse përpiqeshim të zgjidhnim çështjen e demografisë së kryeqytetit ne s`kemi rrugë tjetër veç të kuptojmë shkaqet pse njerëzit përqendrohen në kryeqytet. Nëse kërkojmë zgjidhje për këtë çështje nga “ekspertët” e establishmentit, do të ishte vërtet humbje kohe.

Artan Fuga, për shembull, argumenton se “kriza e sotme është krizë urbane, është krizë e qendrave urbane, dhe jo e periferive”! Domethënë, teza e Fugës nuk lidhet “me numrin e popullsisë; ajo është fare e thjeshtë: popullsia mblidhet brenda zonave urbane [dhe] puna që prodhon vlera del jashtë perimetrit urban”. Nga kjo kontradiktë vijnë, sipas tij, të gjitha ato procese degraduese që ai i përmbledh me fjalën “rënie”! Kështu filozofi shikon një kontradiktë por nuk shikon një tjetër: se si dhe pse mblidhet popullsia brenda zonave urbane!

Në anën tjetër të “filozofëve” të urbanistikës qendrojnë pushtetarët që as treguan ndonjë herë shkaqet as kanë mundësi t`i tregojnë kur janë pushtet: sepse njeriu që s`mëson të kuptojë kur nuk është në pushtet - kur është në pushtet do të kuptojë më pak për mos të thënë s`do të kuptojë asgjë, sepse do të përfshihet në spontanitetin e grabitjes së taksave. Po të gjykojmë, për shembull, nga qendrimet publike të Veliajt (ai e mirëpret rritjen e popullatës në kryeqytet sepse e shikon nga këndvështrimi i fitimeve...) dhe nga qendrimet e pushtetarëve të tjerë, e përmendin çështjen e mbipopullimit të Tiranës sa për ta përmendur por jo për t`i dhënë përgjigje shkaqeve!

Se çfarë ata theksojnë është nevojshmëria e krijimit të unazës! Për krijimin e saj pajtohen thuajse të gjithë! Se ku nuk pajtohen, është mënyra se si dhe sa do të shpenzohen për projektin dhe sa do të dëmshpërblehen banorët përkatës të cilët do të zhvendosen nga vendi ku do të ndërtohet unaza. Bëhet fjalë për rreth 240 ndërtesa prej të cilave rreth gjysma është pa leje dhe në proces zyrtarizimi për të cilat Rama deklaroi se do t`u ofrohet 3 vite qera ndërsa për ndërtesat me leje do të ketë dëmshpërblim sipas ligjit (…). Institucionet njoftuan banorët përkatës rreth një muaj përpara se të protestonin. Edhe në këtë rast, opozita nxitoi të nxirrte përfundime: unaza, argumentoi ajo, do të kushtonte 20 milion euro për kilometër! Por kostua e saj në total është 5.3 milion euro. Thënë ndryshe, kostua për kilometër është 2.2 milion euro.

Ndërkohë qeveria është e padrejtë jo vetëm lidhur me mospërmendjen e çështjes kryesore që përmenda më lartë―mbipopullimin e Tiranës dhe implikimet që shkakton ai në afatgjatë për fëmijët tanë, hamendësisht sepse po të përpiqet t`i japë përgjigje çështjes së mbipopullimit do të shfuqizojë ndërtimin e unazës dhe industrinë e ndërtimit, sepse nuk do të shërbente nëse shpopullohësh Tirana― por dhe me kohën (koha është e shkurtër për të marrë masa zhvendosjeje) dhe me mospërgatitjen e kushteve për zhvendosjen e popullatës: sepse do të ishte më mirë të kishte një studim të hollësishëm të gjendjes në zonën përkatëse përmes të cilit të synohësh dijësimi i banorëve për efektet e projektit dhe zgjidhjet që propozonte bashkia mes të cilëve të përfshihësh dhe mundësia e shpopullimit të Tiranës. Protesta e banorëve, në anën tjetër, u kompromentua nga opozita: sepse protesta nuk ishte paqësore por e dhunshme (protestat e dhunshme ndalohen me kushtetutë).

Dhuna filloi me hedhjen e shashkave dhe tymuseve dhe degjeneroi me lëndimin e disa policëve dhe disa protestuesve dhe procedimin penal të disa prej tyre. Pas protestës demagogët filluan të akuzonin qeverinë për dhunë (Kokëdhima etj.) dhe mbështetën dhunën e banorëve: sipas tyre ata kanë të drejtë të protestojnë dhe të përdorim dhunë! Hamendësisht, sepse qeveria përdori dhunë. Në fakt, nëse gjykojmë nga të lënduarit, policia ishte tolerante: më shumë u përpoq të përmbante turmën se sa të përdorte dhunën. Nëse ajo përdorte dhunën, lëndimi i policëve do të ishte më i vogël. Duhet thënë se policia sillet me tolerancë sa herë që në protesta përfshihen militantët e opozitës: ose sepse ka frikë ose...

Sidoqoftë, është e qartë se projekti i qeverisë do të realizohet dhe padrejtësistë do të “sheshohen” në proces. Por çështja kryesore, se si do të zgjidhet mbipopullimi i kryeqytetit dhe shpopullimi i fshatit, se si do të parandalohet ndotja e tij dhe sëmundshmëria e banorëve, dhe se si do të shmangen implikimet e tjerë në shërbime dhe ekosistem, nuk marrin përgjigje! Kur një shoqëri nuk mendon kështu dhe nuk përpiqet t`u japë përgjigje këtyre pyetjeve, ajo nuk mund të quhet thjesht një shoqëri e çmendur por dhe vetë-vrasëse: sepse po zhyt fëmijët e saj në një labirinth me kosto të jashtëzakonshme!      

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA