Si ta dallojmë patriotin e vërtetë, gjysmë të vërtetin dhe jo të vërtetin?
Patrioti i vërtetë punon gjithë vitin për të nderuar të rënët, fitimtarët e luftës dhe idealet e tyre, por dhe për shkak të bindjes së tij: se pavarësia politike është e lidhur ngushtë me lirinë politike, të cilën e kanë uzurpuar gjysmë-patriotët prej 30 vitesh
Ylli Përmeti
30/11/2023 - 14:10
Nuk mungoi “debati” mediatik ditët e bekuara të Shqipërisë së 28 dhe 29 nëntorit të vitit 2023. Por si gjithnjë ftohen dhe përfshihen të njëjtët “mendimtarë”: opinionistët e klasës politike ku përfshihen dhe “filiza” të “rinj” por të dalë nga e njëjta klasë politike dhe nga i njëjti “brum”.
Sidoqoftë, datat në fjalë janë “ideale” për të kuptuar se sa “patriotë” të vërtetë janë njerëzit që na rrethojnë mjafton vëzhgimi i kujdesshëm i qendrimeve të tyre dhe pasja e disa parimeve të domosdoshme në mendje.
Gjatë ditëve përkatëse patrioti i vërtetë do të thoshte “Lavid Ismail Qemalit me shokë” për shpalljen e pavarësisë dhe “Lavdi Enver Hoxhës me shokë” për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë dhe do të shtonte “Poshtë minuesit e pavarësisë dhe lirisë sonë politike”, ata që sigurojnë jetë lukzose me kursimet tona, pasi na kufizojnë lirinë politike, dhe mbiellin varfëri dhe shfarrosje në trojet tona, si në nivel shoqëror ashtu dhe në nivel ekologjik, që ngrenë flamurin një ditë dhe e shkelin atë 364 të tjera ndërsa patrioti gjysmë i vërtetë do të lëvdonte Ismailin dhe LANÇ-in në përgjithësi por jo Enverin, komandatin e saj.
Kështu vepron klasa jonë politike 32 vitet e fundit, që kur u braktis socializmi marksist. Krerët e saj veprojnë kështu ose sepse janë të pështjelluar në bindjet tyre (s`kanë dije të plotë lidhur me historinë) ose sepse përshtaten në “epshet” që kërkojnë të huajt, kryesisht amerikanët neoliberalë and anti-komunistë: në demonizimin e “komunizmit”. Por nga këto dy arsye, padija luan rol vendimtar, megjithëse karakteret reaksionare, edhe dije të kenë, do të përshtaten në “epshet” e të huajve për një qëllim tjetër: pushtetin. Gjykuar nga krerët e klasës politike, ashtu, për mos të thënë më keq, do të jenë (siç edhe janë) mbështetësit e tyre.
Por “mbi” këta qendrojnë historianët. Vitet e fundit kanë shpërthyer plotë “filiza” që shkruajnë histori dhe japin mësim në shkollat dhe universitetet tona. Ata ndahen në dy grupe kryesore: në mbrojtësit e LANÇ-it dhe komandatit të saj dhe mohuesit e tyre; në grupin e parë bëjnë pjesë Milua, Xhufi dhe disa të tjerë ndërsa në grupin e dytë Uran Butka e të tjerë. Këta të fundit nuk e njohin luftën e LANÇ-it dhe e quajnë atë “luftë civile” ndërsa të parët e njohin dhe e quajnë atë luftë antifashiste; madje ata njohin dhe kontributin e Enver Hoxhës.
Kur lexon argumentat dhe kundër-argumentat e palëve kupton se kush nga këto grupe historianësh thotë të vërteta të plota. Për shembull, tezën e Butkës dhe të ngjashmëve të tij e përgënjeshtron bindshëm dhe Dilaver Goxhaj që nuk është historian i nivelit të Xhufit, pikërisht sepse ai thotë gjysmë të vërteta. Kemi në fjalë të tjera një grup “patriotësh” që përpiqen të mohojnë jo vetëm kontributin e Enver Hoxhës por dhe kontributin e LANÇ-it. Ndaj nuk do të ishte e drejtë që këta të përfshihen në grupin e “patriotëve” gjysmë të vërtetë, ku bën pjesë përgjithësisht klasa politike dhe mbështetësit e saj, por në një grup të veçantë: në mohuesit e LANÇ-it dhe Enver Hoxhës. Ndryshe nga “historianët” e tipit “Butka”, partia “demokratike” njeh kontributin e LANÇ-it por jo të Enverit.
Kategoria e “patriotëve” gjysmë të vërtetë, rrjedhimisht, mund të ndahet në dy kategori por ajo mund të quhet një kategori meqënse asnjëra palë, përfshirë dhe partinë “socialiste”, nuk e njeh kontributin e Enver Hoxhës gjatë luftës anti-fashiste ndërsa pala e Berishës shpesh përqafon dhe tezat e mohuesve të LANÇ-it. Partia “socialiste” me në krye Ramën, për më shumë, njeh LANÇ-in por ka mbështetur punën kërkimore të Butkës me kursimet tona dhe ka heshtur ndaj tezës së tij―çka nënkupton se ajo anon nga teza e tij, meqënse tezat kundër tij nuk i ka mbështetur, megjithëse nuk jam i sigurt se me cilat kursime i publikon, për shembull, tezat e tij Milua.
Por të gjithë këta ndajnë një karakteristikë të përbashkët: sa herë që vijnë datat historike bëjnë ç`është e mundur të gjenden në qendër të vëmendjes së medias dhe ceremonive shtetërore ku ka plotë fjalime “patriotikë” dhe nderim të atyre që ata nderojnë, bashkë me flamurin tonë kombëtar (megjithëse dhe ky pa yllin e Skënderbeut) meqënse data 28 nëntor simbolizon pikërisht ngritjen e flamurit tone kombëtar në vitin 1912 në Vlorë. Në këtë mënyrë ata (vetë)paraqiten si “patriotë”. Madje dhe historianët e tipit “Xhufi”, mund të përfshihen në këtë kategori, sepse asnjëri nga ata nuk tregon realitetin në të cilin gjendemi (humbjen e pavarësisë dhe lirisë politike) dhe shkaqet e tij por merren vetëm me të kaluarën tonë historike, përpara viteve `90.
Për të njëjtën arsye gjatë ditëve të tjera të vitit ata punojnë, sipas pushtetit që kanë, për të minuar idealet e njerëzve që shpallën pavarësinë politike dhe atyre që e fituan atë me luftë dhe flijim. Këta janë shumica në kohën tonë dhe për të njëjtën arsye vendi ynë po humbet gjithnjë dhe më shumë pavarësinë e fituar shekullin e kaluar me gjakun e mijëra shqiptarëve, si përgjatë luftës antifashiste ashtu dhe gjatë kohës kur u zhvillua socializmi marksist.
Ndryshe nga këta jo-patrioti i mohon të gjitha këto data historike; madje as që mundohet të kuptojë rëndësinë e tyre në jetën tij. Por ngaqë jeton mes patriotëve të vërtetë dhe gjysmë-patriotëve, ai s`shfaqet në publik për bindjet e tij. Këta janë pak në numër dhe ndaj si kategori s`është e rrezikshme; por e rrezikshme dhe padëshirueshme, është katagoria e gjysmë-patriotëve: e njerëzve që kurrë s`kanë luftuar vetë me armë në dorë kundër ndonjë pushtuesi dhe kurrë s`i futën këmbët në këpucët e një komandati lufte por meqënse shumica në klasën tone politike njohin kontributin e LANÇ-it dhe jeta e tij varet nga ajo, ai vepron si klasa politike. Këta nuk janë pak por rreth 1 milionë e gjysmë shqiptarë.
Për të theksuar përpjekjen e tyre si “patriotë” ata përdorin dhe artistët, kryesisht ata të këngës. Pak ditë përpara datave historike, për shembull, Veliaj përdori Rita Orën ndërsa Rama, Dua Lipën (herë përmes koncerteve ku këndohen këngë patriotike herë përmes qendrimeve publike). Por ka artistë që e refuzojnë shtirjen kolektive të klasës sonë politike dhe mbështetësve të tyre. Arlinda Prenaj, për shembull, një artiste e re, kontribon në zgjimin e popullit duke kujtuar datat historike pavarësisht se jeton në dhé të huaj...pa u përfshirë në shtirjen tonë kolektive. Si ajo mijëra shqiptarë të tjerë larg atdheut.
Patrioti i vërtetë, në fjalë të tjera, punon gjithë vitin për të nderuar të rënët, fitimtarët e luftës dhe idealet e tyre, por dhe për shkak të bindjes së tij: se pavarësia politike është e lidhur ngushtë me lirinë politike, të cilën e kanë uzurpuar gjysmë-patriotët prej 30 vitesh dhe nuk lejojnë asnjë forcë tjetër politike, qoftë një njeri apo një grup njerëzish, të futet në rrethin e ngushtë që kanë krijuar. Madje ai tregon dhe pushtuesit e rinj, jo për t`u thënë të tjerëve se ai kupton më shumë nga ata, por sepse e ka mision në jetë të tregojë gjithë realitetin: jo vetëm uzurpatorët e jetës sonë politike por dhe pushtuesit e huaj pavarësisht kostos (ndalimit të tij të punojë atje ku i takon etj.).
Ky lloj partrioti është i pakët në numër dhe mbizotërohet nga gjysmë-patriotët!
Madje, këta të fundit mund të quhen me të drejtë jo-patriotë meqënse kanë tradhëtuar idealet e themeluesve të shtetit tonë modern; kanë uzurpuar jetën tonë politike; dhe punojnë gjithë vitin për humbjen e pavarësisë sonë dhe më në fund, paraqiten dhe si “patriotë”!
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 86 reads