...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si u kurthua Kurti me serbët e veriut të Kosovës?

Kurti tregoi edhe një herë se është shumë mendjelehtë dhe e ka të vështirë të kundrojë përfundimin e vendimeve të tij

Ylli Përmeti

27/05/2023 - 17:15

Tensionet e fundmajit në veri dhe “kurthi” amerikan ndaj Kurtit

Në 26 maj, kur kishte kaluar një muaj nga zgjedhjet e 23 prillit në komunat me shumicë serbe në Kosovë, të zgjedhurit e rinj shkuan në institucione për të ushtruar detyrën me ndihmën e policisë. Por serbët kishin përgatitur “rezitencë”: ata penguan hyrjen e tyre në komunën e Zveçanit dhe si pasojë shpërtheu tensioni me policinë e Kosovës. Kjo e fundit u sulmua me shashka dhe gurë ndërsa protestuesit dogjën dhe disa makina të policisë. Nga përplasja u lënduan pesë policë dhe u dëmtuan katër makina ndërsa dhjetë prej protestuesve u lënduan.

Reagimet pas këtij tensioni ishin gati të menjëhershme si nga pushtetarët tanë ashtu dhe të huajt me qendrimin më të ashpër të vinte nga Uashingtoni. Këta të fundit dënuan dhunën e ushtruar dhe paralajmëruan qeverinë e Kosovës me “pasoja”. Më konkretisht, Blinkeni i quajti veprimet e Kurtit “provokim” dhe në “kundërshtim me këshillat e SHBA-së dhe partnerëve evropianë”; si të tilla, ato minojnë, sipas tij, përpjekjet amerikane dhe evropiane për të ndihmuar në normalizimin e marrdhënieve mes dy vendeve.

Si pasojë e qendrimit të ashpër amerikan shumë treguan fajtor vetëm Kurtin! Në fakt, këshilla e vetme që pati Kurti nga amerikanët ―të paktën publikisht― ishte nga ambasadori amerikan në Prishtinë. Në 18 maj ai tha që procesi i kalimit të pushtetit të bëhësh “në një mënyrë që të shmangë konfliktin dhe rritjen e tensioneve në veri”. Ai këshilloi që kryetarët e zgjedhur të ushtrojnë rol teknik dhe jo politik dhe të ndërmarrin veprime që mos të shiheshin përshkallëzuese nga pala serbe. Për shembull, “ne nuk mendojmë”, tha ai, se “është ide e mirë që të përdoret forca për të fituar qasje në ndërtesa, të cilat mund të mos jenë të qasshme tani”. 

Përpara këtyre qendrimeve Vuçiçi kishte paralajmëruar se kriza do të ishte shumë më e madhe dhe më e thellë ndërsa nënkryetari i Listës Serbe nuk do të lejonte kurrë që komunat me shumcë serbe të udhëhiqeshin nga ata që fituan 1 apo 2 për qind të votave”. Në këto kushte si mund të vepronte Kurti që të përputhësh me “këshillat” amerikane?!

Në fakt, ai s`kishte rrugë tjetër veç të shoqëronte të zgjedhurit e rinj me polici, meqënse ishte paralajmëruar se ata nuk do të lejoheshin nga serbët të ushtronin detyrën. Por çështja nuk është dhuna e protestuesve dhe kundërdhuna policore në këtë përplasje, e cila bëhet e pashmangshme, por mënyra se si veproi Kurti me targat, për të cilat ai nuk iu përmbajt marrëveshjes por përdori në të drejtën e tij parimin e ndërsjelltësisë dhe shkaktoi pasojat me të cilat përballemi aktualisht. 

Ai mund të ndreqte efektin e “reciprocitetit” të tij lidhur me targat kur u arrit marrëveshja. Për shembull, të kërkonte marrëveshje të re me qytetarët serbë të larguar nga institucionet. Por ai vazhdoi “luftën” me ta duke zhvilluar “zgjedhje” jodemokratike ose pa pjesëmarrjen e komunitetit serb.

Kështu, amerikanët fajësuan edhe një herë Kurtin dhe nëse e marrim si të mirëqenë “paraljamërimin” me “pasoja”, me siguri ata po mendojnë zgjedhje të parakohshme dhe zvendësimin e tij. Nëse është kështu, mbështetja e amerikanëve për zhvillimin e zgjedhjeve në komunat përkatëse ka qenë “kurth” për Kurtin: sepse me siguri ata e dinin se pala serbe nuk do të pranonte të zgjedhurit e rinj dhe do të luftonin kundër tyre. Kjo “tezë” mund të vërtetohet në ditën në vijim. Për shembull, duke parë qendrimin amerikan dhe “pasojat” e paralajmëruara. 

Në fakt, ditën e 29 majit, tre ditë pas tensionit të parë, rezistenca e qytetarëve serbë ishte më e madhe dhe më e dhunshme: ajo u shtri në të tre komunat me shumicë serbe dhe ishte jopërpjestimore, duke lënë protestuesit të përdornin dhunën e tyre mbi policinë gati lirisht. Si pasojë lëndimet ishin si në rastin e parë ashtu dhe në dytin më shumë në radhët e policisë, duke u shoqëruar me dëme ndaj pajisjeve të saj (automjete të djegura etj.). Ditën e dytë të protestave, për shembull, pati të paktën 25 ushtarë të plagosur nga misioni paqeruajtës të NATO-s ose nga kontigjenti italian dhe hungarez të KFOR-it dhe asnjë të lënduar nga protestuesit. Paralelisht u sulmuan disa media dhe dëmtuan disa prej tyre.            

Në këtë mënyrë, vendimet e padrejta politike u shkarkuan mbi policinë ndërsa Kurti mbajti një qendrim “shpresëdhënës” gjatë një bisede telefonike me ministrin e jashtëm Italian, Antonio Tajani, se “gjendja e tanishme kërkon që të zbatohet marrëveshja bazë për normalizimin e marrëdhënieve…si dhe të qetësohet situata në veri”. Ambasadori amerikan në Prishtinë Hovenier, e dënoi dhunën e protestuesve ndërsa këshilloi se “nuk është e nevojshme që kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të punojnë çdo ditë në ndërtesat komunale”.           

Fronti tjetër, lidhur me kundërprotestën e Vuçiçit pas tensioneve të ditës së parë, ishte sipas planeve të tij: e mjaftueshme për t`i treguar opozitës serbe, popullit dhe të huajve, se kush gëzon mbështetje më të madhe. Duke ditur se opozita serbe mbështetet nga amerikanët (Vuçiçi ka thënë CIA) dhe reagimet e amerikanëve lidhur me tensionet në veri të Kosovës ―ata i bëjnë thirrje vetëm Kurtit të mos nxisë tensione― por shtojnë dhe faktin se kanë një luftë në proces në Ukrainë, duke nënkuptuar pamundësinë e tyre për t`u përballur me një luftë tjetër në Ballkan, kuptohet shqetësimi më konkret i tyre: pamundësia për të ndihmuar Kosovën dhe/apo shqiptarët në përgjithësi me armë në rast lufte me Serbinë.

Pamundësinë e tyre e njeh dhe Serbia ndërsa ajo e di se ne s`kemi ushtri dhe armë…dhe KFOR-i s`ka mandat për të mbrojtur me kundërdhunë ushtarake shqiptarët. Por duke ditur dhe faktorët që kam përmendur në analizën lidhur me mundësinë e një lufte me Serbinë, amerikanët do ta kenë të vështirë ta “heqin qafe” Vuçiçin me mbështetjen e opozitës atje. Kështu ai përparon me planin e tij. 

Në kundërprotestën e tij, për shembull, ai deklaroi se kishte disa plane politike: se dorëhiqet si kryetar i partisë përparimtare serbe për t`u përkushtuar në detyrën e tij si president “i gjithë qytetarëve” ndërsa në 28 qershor do të fillojë themelimin e Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin. Pas kundërprotestës ai thirri Këshillin e Sigurisë Kombëtare për shkak të gjendjes në veri të Kosovës. Dënimet perëndimore ndaj veprimeve të Kurtit ai i përmendi por ato bëhen “pasi shqiptarët arritën të kryejnë atë që kishin vendosur”: sipas tij, pushtimin e institucioneve të komunave me shumicë serbe.

Vuçiçi ka mundësi të mobilizojë ushtrinë dhe popullin dhe të shkaktojë një luftë disa mujore. Për veriun, në fakt, nuk do t`i duhen më shumë se disa orë. Por si duket, ai ka plan të përforcojë si fillim pushtetin e tij dhe më pas të veprojë ushtarakisht nëse Kurti përshkallëzon gjendjen: sepse është e vërtetë se pa mbështetje të madhe nga populli i tij ai nuk mund të fillojë një luftë tjetër, sepse do t`i duhet të bëjë disa “sakrifica” si lidhur me varësinë ekonomike që ka me perëndimin ashtu dhe lidhur me ndryshimet ligjore për të përqendruar më shumë pushtet në “duart” e tij dhe me orientimin e vendit drejt bllokut ekonomik të lindjes…

Vlen të përmendet qendrimi i Ramës ditën e parë të tensioneve, i cili nuk ndryshoi as pas tensioneve të ditës së dytë: ai u solidarizua me shqetësimin e “miqëve tanë të mëdhenj” duke nënkuptuar fajësinë e Kurtit dhe duke qendruar në frymën e Blinkenit por më i butë se ky i fundit ndërsa këshilloi dialogun si rrugëzgjidhje! Qendrimi i tij u “kritikua” nga mbështetësit e Kurtit, duke vendosur në qendër të rrëfenjës së tyre “fashistët” serbë ose forcat paramilitare serbe të mbështetura nga Beogradi, madje për disa, dhe nga Moska ndërsa e quajtën Ramën me nofka të ndryshme.

Kjo rrëfenjë i shkoi për shtat dhe “Syrit”, sepse vetëm kështu tregon “tradhëtarin” e shqiptarëve, Ramën, dhe “patriotin”, Berishën: ai publikoi qendrimin e Arbër Zaimit, sipas të cilit kriminelët në veri të Kosovës janë Vuçiçi dhe Rama dhe se ky i fundit “është turp historik i Shqipërisë”.

Për të gjithë këta “mbështetës” Kurti s`ka asnjë përgjegjësi! Me qendrimin e Ramës nuk u pajtuan dhe shumë të tjerë; madje disa këshilluan mbështetjen e Kurtit sepse ai gëzon “legjitimitet”. Për të gjithë këta, drejtësia s`ka asnjë rëndësi!         

Ngërçi me policinë e Kosovës dhe kryetarët e rinj

Në një intervistë për CNN Kurti e filloi historinë e krizës në ‘veri’ nga dorëheqja (e 5 nëntorit) e katër kryetarëve të komunave që i përkisnin Listës Serbe por pa përmenduar arsyet e dorëhoqës! Më tej ai sqaroi se policia u dërgua në ‘veri’ sepse kushtet e sigurisë u përkeqësuan dhe për të njëjtën arsye u shtynë zgjedhjet. Por nuk përmendi faktin se prania e policisë së Kosovës në veri shkel marrëveshjen e vitit 2013 (pika 9). Tha, në fjalë të tjera, dy gjysmë të vërteta në dy pohime.

Në fund ai sqaroi se policia e Kosovës nuk do të largohet nga veriu sepse ajo do të mbrojë kryetarët e zgjedhur demokratikisht. Pak orë më pas ministri i jashtëm amerikan, Blinkeni, i bëri thirrje palës serbe të ulë nivelin e gadishmërisë së ushtrisë ndërsa palës sonë të tërheq forcat policore, një kërkesë e kërkuar nga Lista Serbe gjatë protestës së 29 majit dhe e mbështetur nga BE-ja ose nga përfaqësuesi i politikës së jashtme të saj, Boreli.

Blinkeni kërkoi, gjithashtu, që kryetarët e zgjedhur të komunave t`i kryejnë detyrat e tyre të kësaj faze tranzicioni në mjedise të tjetra, jo në ndërtesat e komunave. Gati të njëjtën kërkesë pati dhe ambasadori amerikan në Prishtinë përpara tij por me një ndryshim, që kryetarët të shfaqen më rrallë në ndërtesat e komunave.  

Ndarja e re e Kurtit me amerikanët dhe ‘dhurata’ e tij ndaj Serbisë

Pasditen e 1 qershorit u shënua një ‘ndarje’ e re mes qasjes amerikane dhe qasjes evropiane lidhur me krizën e re në veri të Kosovës: kur e para kërkonte nga Kurti një qasje më të përmbajtur lidhur me kryetarët e rinj të komunave duke i qujtuar ata ‘teknokratë’ të përkohshëm, duke kërkuar ushtrimin e detyrës në mjedise të tjera dhe jo në ndërtesat e komunave dhe duke kërkuar tërheqjen e policisë së Kosovës, Franca, Gjermania dhe BE-ja, kërkuan organizimin sa më parë të zgjedhjeve të reja në komunat përkatëse; pjesëmarrje të partive serbe në to; dhe zgjidhje të shpejtë të çështjes së bashkësisë serbe.

Krahas saj, u shënua një ndarje tjetër: fakti që Osmani kërkesës së tyre iu përgjigj me “gadishmëri”, tregon faktin tjetër se “Kurti-Osmani” u binden vetëm evropianëve dhe jo amerikanëve! Ndaj të parëve përdorin ‘sovranitetin’ ndërsa ndaj të dytëve jo. Kjo ndarja e dytë ka pak histori dhe fillon me “Ballkanin e Hapur” kur Kurti e kundërshtonte atë (dhe vazhdon me të drejtë ta kundërshtojë) dhe si zgjidhje tjetër paraqiti SEFTA-n (ndryshimet mes tyre i kam shqyrtuar në vend tjetër; ato janë të vogla).

Kurti vazhdoi të fliste në orët e vona të së njëjtës ditë në televizione duke thënë se ai i përmbahet kushtetutës dhe marrëdhëniet mes tij dhe amerikanëve janë “intensifikuar” gjatë dy viteve të fundit dhe se ai ka “vlerësim dhe respektin më të lartë për ambasadorin Hovenier”, madje “në mënyrë të veçantë” krahasuar me ambasadorët e tjerë, por atë e “ka votuar populli dhe nuk e ka emëruar ambasadori”. Përdori, në fjalë të tjera, edhe një herë ‘sovranitetin’!

Megjithatë, fakti që Osmani pranoi se do të përparonte tre kërkesat e BE-së, tregon se ajo është marrë vesh me Kurtin dhe nuk ka vepruar në “kokën e saj”. Ndaj çështja nuk është se “evropianët zgjodhën” Osmanin dhe jo Kurtin për të zgjidhur krizën, siç thanë disa palo analistë në televizionet tona. Por përshpejtimi i krijimit të “zajednicës” serbe në Kosovë. Kriza e re, në fjalë të tjera, nuk shkaktoi vetëm frikën e përhapjes së një luftë të re mes shqiptarëve dhe serbëve dhe dhunë të pashembullt, sidomos ndaj policisë dhe ushtarëve të KFOR-it, dhe më pas ndaj shqiptarëve, si ndaj atyre që kalonin përmes Serbisë si ndaj atyre që banojnë në veri, por përshpejtoi krijimin e bashkësisë serbe. Ajo e ‘përshpejton’ sepse kërkesa përfshin togfjalëshin “zgjidhjen e shpejtë” të bashkësisë serbe.

Përmblethtas, Kurti me krizën e re theksoi dallimet mes amerikanëve dhe evropianëve dhe përshpejtoi procesin e krijimit të “zajednicës”. Por me “dallimet” në fjalë ai do të përballet në vijim (amerikanët nuk besoj se do ta pranojnë “diplomacinë” e tij dhe do të kërkojnë shpushtetimin e tij) ndërsa me përshpejtimin e krijimit të “zajednicës” ai do të përballet me kundërshtitë e brendshme. Ai ka, në fjalë të tjera, dy fronte, me të cilët duhet të përballet; dhe të dy janë të rëndësishëm. Por “dhurata” ndaj Serbisë ―“zajednica”― ishte pasojë e krizës dhe jo qëllimi i Kurtit ose efekt i pashmangshëm meqënse BE-ja nuk do të rrinte “duarkryq” përballë krizës.  

Kurtit vërteton tezën se ai u kurthua nga ndërkombëtarët

Kurti rrëfeu një të “vërtetë” një ditë përpara se të shkonte në Bruksel (e cila duhet verifikuar duke pyetur bashkësinë ndërkombëtare) se ata i kishin premtuar se nëse Kosova pranonte aneksin e Ohrit, ata do të siguronin pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje ndërsa pranoi për herë të parë se zgjedhjet ishin një “fiasko”. Ndaj dhe deklaroi i gatshëm për zhvillimin e zgjedhjeve ndërsa vendos sundimin e ligjit ose “një mjedis ku nuk ka frikësim dhe kriminelë” ndërsa “gradualisht mund të zvogëlohet numri i policëve në ndërtesat komunale”, duke lëshuar pak pe ndaj kërkesës perëndimore për largimin e policisë nga ndërtesat. Ai tha, gjithashtu, se Vuçiçi i ka thënë “PO marrëveshjes për të mos e nënshkruar” ndërsa “ankohet dhe pendohet që ka thënë PO”, domethënë, “që e ka pranuar atë marrëveshje, që do të thotë njohje de facto të Republikës së Kosovës”!

Unë prirem ta besoj pohimin e tij lidhur me premtimin e bashkësisë ndërkombëtare pa e verifikuar. Ai pohim vërteton dhe tezën time se Kurti u kurthua nga ndërkombëtarët (me dashje apo padashje mbetet për t`u hetuar). Por ky fakt nuk e shfajëson atë nga përgjegjësia e përshkallëzimit të krizës, sepse ai kishte mundësi pas zgjedhjeve të ndryshonte taktikë. Por ai s`verpoi kështu! Lidhur me pretendimin e tij se Vuçiçi ka pranuar marrëveshjen dhe rrjedhimisht njohjen de facto të republikës së Kosovës, ai ose mashtron (për ta paraqitur përpjekjen e tij si një fitore) ose s`e ka idenë se për çfarë flet, sepse Vuçiçi kur ulet në bisedime me përfaqësuesit e Kosovës nënkupton se e njeh atë. Por çështja nuk është ta njohë “de facto” por kryesisht “de jure”―domethënë, duke nënshkruar marrëveshjet dhe duke i zbatuar ato.                    

Do të ishte i drejtë shkarkimi i Kurtit?

Së pari, ku ndryshon akuza ime nga akuza e ndërkombëtarëve, Ramës dhe “analistëve” të medias së çensurës, kundrejt Kurtit? Unë tregoj zgjedhjet e padrejta si shkak të krizës ndërsa ndërkombëtarët me në krye Blinkenin tregojnë dhunën policore dhe mosndjekjen e këshillave të ambasadorit amerikan. Rama ndryshon pak nga qendrimi perëndimor, sepse si fillim ai mbajti anën e Blinkenit por më pas në një intervistë për BBC-në ndryshoi paksa qendrim: ai akuzoi serbët si provokatorë të gjendjes, sepse ata braktisën institucionet (por duke mos shkuar një hap më pas; të tregonte arsyet e braktisjes së institucioneve) por më pas tregon Kurtin si “fajtor”, sepse, sipas tij, ai nuk ndoqi këshillën e miqve dhe partnerëve të mëdhenj të Kosovës, “pa të cilët nuk do të ishte ajo që është sot”.

Pse akuza ime është e drejtë dhe e atyre e padrejtë kuptohet nga kërkesa e Francës dhe Gjermanisë: ata kërkuan zgjedhje të reja me përfshirjen e partive serbe―domethënë, zgjedhje të drejta! Fakti që ndërkombëtarët tregojnë si shkaktar të gjendjes së rrezikshme në veri vetëm Kurtin dhe e lidhin atë vetëm me dhunën policore dhe mosndjekjen e këshillave...dhe nuk tregojnë zgjedhjet e padrejta të cilat i mbështetën edhe ata (fakt që i bën dhe ata fajtorë), madje dhe Rama, dhe për ta zgjidhur krizën kërkojnë pikërisht zgjedhje të reja ose të drejta, tregon shumë: se ata kanë dashur ta “kurthonin” Kurtin dhe ky i fundit s`kuptoi asgjë.

Përjashto mundësinë se ata besonin se pala serbe nuk do të protestonte dhe nuk do të vendoste ushtrinë në nivelin më të lartë dhe ta dërgonte atë në kufi. Por vështirë që “ndërkombëtarët” të besonin ashtu, sepse pala serbe gjithnjë ka reaguar ashpër, madje ka paralajmëruar dhe me luftë.

Kurti do ta ketë të vështirë të pranojë “kurthin” në fjalë edhe nëse e kupton këto ditë, sepse do të shihësh si shumë mendjelehtë në sytë e popullit; madje edhe mbështetësit e tij nuk do ta pranojnë pavarësisht se kanë përpara syve të tyre një ngjarje ku ai vërtet është kurthuar, me dashjen apo pa dashjen e perëndimorëve.

Megjithëse ai kishte mundësi të zhvillonte zgjedhje të drejta pas marrëveshjes së drejtë për targat (për marrëveshjen në fjalë ai përdori parimin e ndërsjelltësisë), ai zgjodhi të rrezikonte kur dihësh se pala serbe do të reagonte dhe nuk do të lejonte kapjen e pushteteve të komunave përkatëse nga kryetarët e rinj. Se çfarë ka besuar Kurti në këtë proces vështirë të thuhet, sepse nevojitet të pyetet vetë ai. Por janë disa tregues (kur tregon mungesën e rendit në veri etj.) se ai ka dashur të vendoste rendin dhe të kontrollonte komunat përmes kryetarëve të rinj.

Bazuar në “treguesit” përkatës, qëllimi i tij nuk është tërësisht i padrejtë, sepse në veri nevojitet vërtet rend dhe ai nuk mund të vendoset pa bashkërendim me ministrinë e rendit. Por është e qartë se padrejtësia është më e madhe meqënse ai përjashtoi nga zgjedhjet serbët dhe ata nuk do të rrinin “duarkryq”.

Në këtë mënyrë, Kurti tregoi edhe një herë se është shumë mendjelehtë dhe e ka të vështirë të kundrojë përfundimin e vendimeve të tij. Kërkimi i shkarkimit të tij, rrjedhimisht, do të ishte i drejtë, sepse i mungon aftësia e kuptimit të realitetit në të cilin jeton dhe aftësia kundruese mbi të, pikërisht sepse ai rrezikon rendin në emër të vendosjes së rendit.

Në rastin konkret ai rrezikoi jetët e policisë dhe ushtrisë së KFOR-it por dhe të protestuesve, përjashto “milicinë fashiste”, por dhe mundësinë e shpërthimit të një lufte të re në kushte ku ne jemi tejet të dobët ushtarakisht krahasuar me Serbinë. Madje, ai përshpejton dhe procesin e krijimit të “zajednicës”, për të cilën ishte “betuar” se nuk do ta pranonte kurrë, dhe nuk vendos rend në veri por ia lë atë Serbisë me pasoja më të gjera për rendin e Kosovës.               

Sa mundësi ka Serbia të sfidojë BE-në dhe të shkojë drejt bllokut euraziatik? 

Kjo analizë publikuar në rubrikën e editorialit është përditësuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA