...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Auditimi vjetor: Dëme ekonomike rekord nga administrata shtetërore

Auditi/Nëpunësit publikë dhe zyrtarët e lartë të shtetit kanë shkaktuar dëme rekord ndaj buxhetit të shtetit. Shifra e konstatuar nga KLSH është, me rritje 36 % nga viti paraardhës.

Shekulli

19/08/2019 - 14:42

Nga auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për vitin 2018, vlera e efekteve negative në buxhet nga keqmenaxhimi, shpërdorimi i fondeve publike, apo korrupsioni ka arritur në shifrën rekord prej afro 1.5 miliardë dollarësh. Shifrat me shkeljet janë publikuar nga Departamenti i Auditimit të Buxhetit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në analizën vjetore të vitit që lamë pas, ndërsa vlerësohet se në krahasim me vitin e kaluar dëmi në buxhet ishte 36 për qind më i lartë. Gjatë kësaj periudhe, nga ana e KLSH-së janë bërë 26 kallëzime penale për drejtues kryesisht të rangut të mesëm dhe të lartë, në 26 institucione të administratës shtetërore. Për vitin 2018, grupet e auditimit të Departamentit të Auditimit të Buxhetit kanë ushtruar kontrolle në 24 subjekte. Sipas analizës së departamentit, për vitin 2018 në auditimet e kryera janë lënë gjithsej 519 rekomandime për përmirësimin e gjendjes dhe problematikave të konstatuara, krahasuar me 409 rekomandime që ishin dhënë një vit më parë. Masat për shpërblim dëmi ekonomik të shkaktuara, të konstatuara gjatë auditimeve të vitit 2018 janë në shumën 2,2 miliardë lekë, afërsisht 22 milionë dollarë. Për këtë dëm janë propozuar nga KLSH 14 masa administrative, 138 masa disiplinore. Në total efektet negative nga shkeljet në buxhet arrijnë në 193 milionë euro.

Dëmi

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar edhe shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara. Dëmi është 9,2 miliardë lekë, afërsisht 73.6 milionë euro, nga e cila: 2,7 miliardë lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 22.1 milionë euro, dhe 6,4 miliardë lekë, afërsisht 51.5 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve.

Shkeljet

Dëmi më i lartë është shkaktuar nga shkeljet në fushën e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore dhe koncesioneve me vlerë 2,113,750,000 lekë. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, ky dëm është shkaktuar nga 6 institucione. Më pas, sektori me dëm të lartë është ai i doganave dhe dëmi i shkaktuar nga shkeljet e abuzimet është në vlerën e 591,350,000 lekëve. Shkeljet më të mëdha janë konstatuar në doganën e Vlorës, Fierit dhe Rinasit. Në sektorin e Tatim – Taksave, dëmi i gjetur llogaritet në vlerën e përgjithshme prej 146,687,000 lekësh. Abuzime janë gjetur edhe me prokurimet dhe me pagat dhe shpërblimet.

Në fushën e prokurimeve, shkeljet ishin në vlerën e përgjithshme prej 520,835 mijë lekësh, ku shkeljet më të mëdha ishin në Bashkitë Këlcyrë dhe Vlorë, me përkatësisht 37.4 dhe 29.3 milionë lekë. Në shkeljet me dëm ekonomik (shpenzimet) në fushën e pagave, shpërblimeve dhe sigurimeve shoqërore, dëmi arrin në vlerën e përgjithshme prej 21,966,000 lekësh, ku pjesa më e madhe i përket Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, në vlerën 19,367,000 lekë. Më tej vjen, universiteti “Fan S. Noli Korçë”, në vlerën 1,551 mijë lekëve, si pasojë e përfitimit padrejtësisht të pagave dhe shpërblimeve për anëtarët e Bordit të Administrimit.

Po ashtu, ky universitet, si pasojë e përllogaritjeve jo të sakta të dietave për udhëtime jashtë shtetit ka krijuar dëm ekonomik në vlerën e 308 mijë lekëve. 10,690 mijë lekë dëme konstatohen në Kukës, si pasojë e tejkalimit të numrit mesatar të punonjësve të miratuar në vendime të ndryshme të Këshillit Drejtues, çka ka rezultuar në pagesa më tepër për punonjësit e Aeroportit të Kukësit. Shkelje nga KLSH janë gjetur, si pasojë e pagesave dhe shpërblimeve të padrejta në bashkinë Kamëz, (427 mijë lekë), bashkinë Rrogozhinë, (395 mijë lekë), bashkinë Belsh,(181 mijë lekë dhe bashkinë Vorë  (45 mijë lekë). Në zërin e shpenzimeve “të tjera”, Fondi i Sigurimit të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor ka krijuar dëm në vlerën 156,969 mijë lekë, nga të cilat: 132,465 mijë lekë, si pasojë e likuidimeve më tepër nga mos reflektimi i çmimeve të ulura të barnave në kundërshtim me pikën nr.7 të VKM nr.380 datë 25.05.2016; – 23,453 mijë lekë, si pasojë e mos përfshirjes së vlerës për 2045 seancave dializë për pacientë të cilët tejkalonin 13 seanca/muaj – 825 mijë lekë, si pasojë e pagesave të barnave me formëdozë  dhe 226 mijë lekë, si pasojë e penaliteteve të pazbatuara për furnitorin për shkelje të afatit të lëvrimit të mallrave.

Sfidat

Gjatë analizës u identifikuan edhe sfidat për të ardhmen të cilat konsistojnë në: 1- Të rrisim aftësinë profesionale të audituesve për të dhënë auditime sa më cilësore, profesionale dhe objektive, si dhe çdo auditues duhet të ketë një vetënxitje për ngritjen e tij profesionale. 2-Njohja me praktikat e aplikuara nga SAI-t homologe dhe shfrytëzimi i tyre gjatë auditimeve tona do të rriste cilësinë e auditimeve. 3-Llogaritja e riskut me qëllim përcaktimin e veprimeve konkrete për zbulimin dhe evidentimin e tij duke matur aftësitë zbuluese në realitetin faktik dhe shmangur auditimet në subjektet që nuk kanë risk dhe nuk kërkojnë ndërhyrjen tonë. 4-Të rritim shkallën e ndërgjegjësimit në përmbushje të misionit tonë si auditues të pavarur dhe profesionist në zbulime e rakordime, duke mbajtur qëndrim me tolerancën zero ndaj korrupsionit. 5-Thellimi në përdorimin me efikasitet, eficiencë të background-it profesional e teknik mes nesh, të bashkëpunojmë me njëri tjetrin të kemi besim te njëri tjetri të vlerësojmë kontributin e secilit në grup, se puna nuk bëhet vetëm.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA