...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Fiaskua tjetër e opozitës dhe apologjia jo e mirë e Dakos

Që të përbënte “provë” prokuroria duhet të hetonte më tej raportin përkatës. Për shembull, duke ndjekur veprimet fizike të Dakos dhe jo thjesht telefonatat dhe të siguronte ndonjë foto apo video takimi me qëllim që të vërtetonte në gjykatë se Dakua ishte i implikuar me krimin. Kaq e thjeshtë është kjo punë. Por kështu kur gjithë establishmenti është i zhytur në padije dhe hipokrizi…

SHJ

26/10/2018 - 15:04

Opozita veproi njësoj me Dakon siç veproi me Saimirin: përdori “indikacionet” për “prova”! Mirëpo, po të dëgjojmë me vëmendje bisedën e Dakos me “Niçen” (emëri i vërtetë i të cilit u zbulua pak ditë më pas, bashkë me akuzën kundër tij, për vepra penale) dhe qendrimet e “ekspertëve” që ftoi gjysmaku i “Opinionit” ― edhe ata njësoj arsyetojnë: quajnë “prova” – “indikacionet”! Për shembull, Marku përmend një analogji për rastin e Dakos: rastin e presidentit italian i cili kishte bërë një foto me një mafioz dhe ishte në gjyq për dhjetë vjet për dyshimin…se bashkëpunonte me mafian! Ky “ekspert” jo vetëm nuk përpiqet ta shikojë rastin me sytë e drejtësisë (domethënë, se si e shikon ajo foton në fjalë…ajo e shikon si ‘indikacion’ dhe jo si ‘provë’ ndaj e heton sepse po të kishte prova do t`i dërgonte në gjykatë për të kërkuar arrestimin e të dyshuarit, sepse ‘indikacioni’ është tregues që shkakton ‘dyshim’ jo ‘bindje’) por ndërsa nënkupton se pretendimi i opozitës është i drejtë “harron” ose bën sikur “harron” parimin themelor në drejtësi, megjithëse ka shumë gjasa që mos ta dijë meqënse gazetarët e oligarkisë janë në rolet e “ekspertëve” jo sepse e meritojnë por sepse bashkëjetojnë me krimin (pushtetet politike dhe ekonomike) se: përpara se të kërkohet arrestimi i një njeriu duhet që vërtetohet se dyshimi qendron përtej dyshimit të arsyeshëm.

Më e dhimbshme është kur “provën” e Markut (gazetar pa dije është dhe mund të ndreqet nga ndonjë njeri me dije juridike) e mbështet një “ekspert” juridik! Për mua, këto janë gafa tejet të rënda: sepse njerëz të tillë përdorin dy standarte: për veten dhe tarafin e tyre do të përdorin parimin që përmenda ndërsa për kundërshtarët nuk përdorin asnjë parim: thjesht pështjellojnë veten dhe të tjerët për të treguar, edhe një herë, se sa të padrejtë janë. Biseda e Dakos do të ishte “provë” vetëm nëse do të përmbante veprime konkrete që janë shkelje të ligjeve në fuqi. Për shembull, si shpërblim për ndihmën gjatë zgjedhjeve Dakua t`u premtonte ndonjë “nder”. Apo të shkonte më tej dhe premtimin ta mbante: sepse është ndryshe kur thjesht premton dhe ndryshe kur vepron. 

Vangjushi, ndërkohë, ka probleme si në strategji në raport me zgjedhësit ashtu dhe në mbrojtjen e tij lidhur me akuzën që i bëri e ashtuquajtura “opozitë” pavarësisht se e ligjësoi “mirë” bisedën përkatëse: domethënë, është e vërtetë se ai dhe çdonjeri tjetër si ai nuk ka mundësi të dijë gjendjen penale të çdo individi që përballet kur synon pushtetin politik të bashkisë gjatë fushatës dhe është i detyruar të flasë me cilindo, sepse qëllimi i tij është të fitojë besimin dhe votat e tyre, sepse beson se është më i “mirë” se rivali…por qasja e tij për të bashkëpunuar kryesisht me njerëzit me “reputacion” mes fiseve është problematike: sepse është kundër-pedagogjike―në kuptimin që ai nuk synon edukimin e gjithë zgjedhësve përmes mbledhjeve ku shqyrtohen çështjet në shqetësim të qytetarëve por mjaftohet me angazhimin e njerëzve me “influencë”. Pa përmendur qendrimet e tjerë të tij. Si për shembull, se “jam superman” e të tjera si këto. Se sa super…jemi le ta tregojnë punët e mira dhe veprat që ne bëjmë ndërsa ia lëmë gjykimin e drejtë popullit.

Kështu në vend ta shqyrtonin akuzën e opozitës nga një këndvështrim juridik u përpoqën të pështjellonin njerëzit me një ‘indikacion” që është lehtësisht i përgënjeshtrueshëm në gjykatë. Akuza e opozitës, rrjedhimisht, nuk është shpifje. Por akuzë e padrejtë. Dhe nga kush: nga një një njeri që supozohet se është kualifikuar në drejtësi dhe do t`i përmbahësh asaj jo vetëm për hir të drejtësisë por sepse ka plotë keqadministrime nga kryebashkiakët dhe burokratë të tjerë të cilët mund t`i ngrinte në publik dhe t`i kritikonte. Për shembull, keqadministrimi i politikës që ka adoptuar qeveria “Rama”: politikën e luksit me gjithçka që nënkupton kjo e fundit. Ndërsa prokuroria edhe një herë tregoi padije lidhur me përgjimin në fjalë: sepse ai është vërtet një ‘indikacion’ i mirë por jo provë. Që të përbënte “provë” prokuroria duhet të hetonte më tej raportin përkatës. Për shembull, duke ndjekur veprimet fizike të Dakos dhe jo thjesht telefonatat dhe të siguronte ndonjë foto apo video takimi me qëllim që të vërtetonte në gjykatë se Dakua ishte i implikuar me krimin. Kaq e thjeshtë është kjo punë. Por kështu kur gjithë establishmenti është i zhytur në padije dhe hipokrizi…   

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA