...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Intervistë e posaçme me Haradinajn: për politikat korruptive të Kurtit, vizionin e tij dhe marrëdhëniet ndërkombëtare

Do të ishte e domosdoshme që opozita të bashkohet dhe të ushtrojë trysni më të madhe ndaj politikave të padrejta dhe mashtrimeve (duke kulmuar me mashtrimin e “vetëmenaxhimit” të bashkësisë serbe) të qeverisë “Kurti”. Në këtë drejtim, Haradinaj mund të luajë një rol të rëndësishëm, madje dhe vendimtar, pavarësisht se në zgjedhjet e vitit 2021, AAK-ja u radhit e treta mes partive opozitare, sepse ka fituar përvojë në drejtimin e shtetit dhe ka një karakter të qendrueshëm.

Ylli Përmeti

06/05/2023 - 10:21

Të bisedosh me djalin e fshatit Gllogjan, qytezës së Deçanit dhe shtetit të ri të Kosovës, mërgimtarin dhe punëtorin e Zvicrës, guerrilasin e viteve `96, veprimtarin e UÇK-së dhe komandatin e një toge në gjirin e saj, luftëtarin e paepur prej më shumë se një viti kundër agresionit serb (1998-99) dhe dëshimtarin e shumë vrasjeve të padrejta nga ushtria serbe ndaj popullit shqiptar, të plagosurin dhe humbësin e vëllait të tij në luftë, komandatin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës pas shndërrimit të UÇK-së në një forcë të re ushtarake, themeluesin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryeministrin e Kosovës në vitin 2004-05 të akuzuar pas 100 ditësh në detyrë për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë dhe i shfajësuar në vitin 2008, duke u lejuar të vepronte politikisht, pikërisht sepse gjykata vlerësoi gadishmerinë e tij për t`u gjykuar, por për shkak se gjykimi i parë i tij nuk plotësoi kërkesat e gjykatës për të siguruar dëshmi, gjykimi i tij rifilloi në vitin 2011 dhe pas një viti ai u shpall edhe një herë i pafajshëm ndërsa u zbulua e kundërta, se ai kishte parandaluar veprime kriminale gjatë luftës, më pas i ndjekur nga Beogradi për ta dënuar për të njëjtin pretendim por duke dështuar, kryeministrin e vitit 2017-20 që u detyrua të dorëhiqësh për shkak se gjykata e posaçme e Hagës kërkoi ta hetonte për herë të tretë dhe u shfajësua edhe një herë, folësin e gjuhës frënge, serbe, dhe angleze, Ramush Haradinajn, është një nder për çdo patriot: sepse është e qartë se kontributi i tij në pavarësinë e Kosovës është i vyer. Veprimtaria e tij qendron në plejadën e luftëtarëve të UÇK-së, të njerëzve më të shquar të luftës së saj, jo më pak e rëndësishme se veprimtaria e Adem Jasharit, Hashim Thaçit e shumë të tjerëve, të cilët mbrojtën popullin në Kosovë dhe e çliruan atë nga agresioni dhe represioni serb.     

Kur më pyeti Haradinaj se nga ç`vend isha, unë iu përgjigja se isha nga Shqipëria. Ai ma ktheu menjëherë me pyetje: “Po unë nga jam”, për të më kujtuar se edhe ai ishte nga i njëjti vend. Kështu më shtyu ta sqaroja se Shqipërinë unë e ndaj në dy kategori: në “Shqipëri juridike” dhe “jojuridike” meqënse njëra njihet në OKB si “Shqipëri” dhe pjesa tjetër jo. Por në mendje kisha luftën dhe betimin e luftëtarëve të UÇK-së dhe përmbajtjen e betimit: se UÇK-ja luftonte për “çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre”. Vetë mendimi më bëri të ndjeja dhe dhimbjen e Haradinajt kur më tërhoqi vëmendjen se edhe ai ishte nga Shqipëria dhe për ta shuar atë kalova menjëherë në pyetjen e parë:          

Përmeti: Ndërsa për kontributin tuaj në çlirimin e atdheut diskutohet pak në media, sidomos në Shqipërinë juridike, Kryeministri Haradinaj kritikoi qendrimin e Kurtit lidhur me drejtësinë duke i thënë atij se “nëse dikush nga radhët e tua ka shkelur ku s`duhet, duhet me ia tregu vendin; me dhimbje, po e them, me dhimbje, por duhet me ia tregu vendin”. Për cilin e kishte fjalën kryetari i AAK-së?

Haradinaj: Kjo kritikë lidhet me një hetim të asaj që te ne njihet si prokuroria speciale, mision në kuadër të prokurorisë, krijuar për luftimin e krimeve më të veçanta, dhe prokuroria speciale, dhe urdhërin e arrestit për drejtorin e KEK-ut, që është ekuivalent me KESH-in në Shqipëri, i cili u arrestua për tre akuza të pretenduara, që ishte e pafalshme që kryetari i qeverisë atë ditë nuk mbajti anën e ligjit, të prokurorit, por mbajti anën e të arrestuarit, për akuza për korrupsion dhe dëmtim të interesit publik. 

Përmeti: Lidhur me paraburgimin e kryeshefit të korporatës energjitike të Kosovës, Nagip Krasniqi, nga gjykata themelore, ju thatë se Kurti ka krijuar “lidhje të shkurtër korruptive” me drejtuesin e KEK-ut. Për këtë akuzë ju sqaruat se ai përdor “dostat” (kjo fjalë është rome por dhe serbe dhe ka kuptimin “mjaft”) në bordet e korporatës dhe jo prokurorët. Ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, u kundërpërgjigj me kundërakuzë duke ju akuzuar se i keni kërkuar prokurorit special, Elez Blakajt, “raport me shkrim”, fakt që sipas saj, është “ndërhyrje brutale në sistemin e drejtësisë”. Për cilët “dosta” e ka fjalën kryeministri, mos ndoshta për sekserët e Kurtit? Dhe sa i vërtetë është pretendimi Haxhiut?     

Haradinaj: Nga ana e qeverisë, të kryesuar nga Kurti, ka ndodhur një fenomen, jo i zakonshëm, ku kryeministri është kujdesur, për gjithë të emëruarit nëpër borde vendimarrëse të ndërmarrjeve publike në Kosovë, të cilat janë të shumta, si Korporata Elektro-energjitike e Kosovës, Post Telekomi, Trepça, Ujësjellësi, dhe ndërmarrje të tjera të privatizimint, ku shumica janë të ekspozuara në marrëdhënie financiare, pra janë palë. Kurti është kujdesur personalisht. Ai ka marrë pjesë në përzgjedhjen e të gjithë anëtarëve vendimarrës, drejtuesve, e shumicës së tyre. Pra e ka bër personale dhe i ka intervistuar me qëllim që të krijojë një “luajalitet” me ta, pra që ta dijë për secilin, se kush është, a kanë lidhje me parti të tjera, njohje me persona të tjerë publikë, a ka marrëdhënie me opozitën, dhe kësisojë ai ka arritur të krijojë një lidhje që nuk është më ligjore dhe kushtetuese por emocionale, besnikërie dhe miqësie, ende pa shkuar në detyra të caktuara. Rezultati i kësaj varësie, është se ai ka krijuar me shumicën prej ndërmarrjeve publike, që kanë marrëdhënie financiare me palë të tjera, të jenë njerëz të dashur, të besueshëm, njerëz të lidhur me Kurtin, me kryeshefin e qeverisë. Kjo e bën të panevojshme komunikimin me zyrtarë formal ligjor që e ka kthyer në një lidhje të shkurtër korruptive mes njerëzve të një klubi, shefi i së cilës është vetë Kurti.

Pasojat e kësaj “lidhjeje të shkurtër” që nuk ka qenë deri tani i tillë janë se kemi të bëjmë me një mundësi të jashtëzakonshme korruptive, pa kontroll të dikujt tjetër, kujtdo qoftë, ku, vetvetiu mundësia për t`u korruptuar është e madhe. Unë e kam paralajmëruar atë që ta ndreq këtë gjendje të krijuar dhe të vendosë kontroll në momente të caktuara dhe me thënë të drejtën kjo është e parashikuar me ligj se nuk lejohet që një grup njerëzish të ketë “lidhje të shkurtra” me Kurtin apo qeverinë. Kjo ka marrë përmasa të rrezikshme pa asnjë kqyrje, pa asnjë frikë, se do të pengohen nga kushdoqoftë dhe ka sinjale të qarta të këtij korrupsioni. Për shembull, në të kaluarën, në bazë të ligjeve tona, është lejuar për të bërë kontrata njëburimore ose vetëm me një ofertues me negocim vetëm në raste të jashtëzakonshme, si urgjencat etj. Por vetëm kur ka arsye të veçanta për një kontratë njëburimore.

Kështu nga dhjetë kontrata një ka qenë njëburimore ndërsa të tjerat kanë qenë oferta të hapura. Aktualisht përqindja është përmbysur: nëntë janë njëburimore dhe një e hapur. Kjo gjendje lidhet pikërisht me “lidhjen e shkurtër” të Kurtit që ka krijuar me bordet e ndërmarrjeve publike dhe pasojat e saj (mungesa e kqyrjes, e frikës etj.). Rasti i KEK-ut, për shembull, është një prej rasteve më eklatante (buçitës) ku shumica e kontratave e të paktën 30 prej tyre, janë njëburimore. Por për fat të keq kjo dukuri nuk është vetëm në KEK por dhe në ndërmarrje të tjera publike. Kjo është vetëm një nga treguesit që e rrit dyshimin ―ende pa prova― domethënë, ndryshimi i raporteve mes kontratave të hapura dhe një burimore. Sigurisht kjo “lidhje e ngushtë” e bën punën më të lehtë për qeverinë por ajo nuk kqyret dhe krijon kushtet për korrupsion të pashembullt dhe të rrezikshëm.   

Përmeti: Papunësia në Kosovë është ulur nga 45% që ishte në vitin 2008 ajo ishte 20% në vitin 2021 dhe 17% tremujorin e parë të vitit 2022. Afro 100 mijë të rinj (15 deri 24 vjeç) nuk ndjekin as shkollën, as trajinohen dhe janë të papunë ndërsa punëdhënësit në sektorët e bujqësisë, gastronomisë, ndërtimtari dhe tekstil, nuk gjejnë punëtorë. Edhe ata që janë të punësuar ankohen për rrogat e ulëta, mosrespektimin e orarit të punës dhe heqjen e pushimit. Ndërsa Kosova ka rrogën më të ulët minimale në Evropë, vitin e kaluar kuvendi i Kosovës votoi një ligj që hap rrugën e rritjes së rrogave nga 130-170 euro në 250 euro por s`është miratuar ende. Rroga mesatare qendron në 484 euro ndërsa punonjësve të sektorit publik u shkon rroga 730 euro në mesataren e tyre. Agjencia e Punësimit aftëson të rinjt nëpër komuna por shumë nga ata largohen në Evropën perëndimore për rroga më të larta. Përqindja e rritjes ekonomike në Kosovë ishte 3.5 për qind vitin e kaluar ndërsa parashikimet për këtë vit nuk janë shumë ndryshe. Me punëdhënës që nuk përputhen me të drejtat e punëtorëve, rroga të ulëta, mungesë punëtorësh, të rinj të patrajinuar por edhe kur trajinohet një përqindje e madhe largohet jashtë vendit, si mendoni se mund të zgjidhet kjo çështje madhore për ekonominë e vendit?

Haradinaj: Në Kosovë ka ndodhur një “fjetje” të resurseve, të mundësive. Si shpjegohet kjo? Ne, aktualisht, nuk investojmë buxhetin tonë. Kështu, për shembull, 17% e buxhetit ose 140 milionë euro ka mbetur pa u zbatuar ose ka qenë tepëricë dhe ka kaluar si shumë në buxhetin e vitit tjetër. Kjo është një shumë e “humbur” në ekonomi. Njëkohësisht një pjesë e të ardhurave vetanake (taksave të mbledhura) është bllokuar në nivelin qendror dhe nëpër komuna. Në këto të fundit shuma shkon në 20 për qind. Pra i ka munguar ekonomisë së Kosovës diku rreth 600 milionë euro vitin që shkoi―para që kanë mbetuar të bllokuara në buxhet dhe për pasojë ekonomia nuk zhvillohet dhe ajo ndikon kudo. Lidhur me sektorin privat, bazuar në faktin se në Kosovë ka ekonomi gri, pra mungesë të transparencës (tejdukshëmrisë), të daklarimit të punësuarve, të përfitimeve, është rritur presioni për disiplinim mbi sektorin privat. Ky presion nuk është shoqëruar me masa të tjera që mbështesin transparencën dhe rritjen ekonomike, dhe presioni për disiplinim, nga sektori privat, bie mbi punëtorët. Çështja e largimit të qytetarëve jashtë vendit ndikon dhe në ekonomi.

Njëzetë vitet e fundit, për shembull, kemi humbur rreth 1 milionë njerëz ose 1 milionë konsumtarë më pak në ekonominë tonë. Mungesa e një politike për ta trajtuar çështjen ekonomike si të tërë, si aftësimin e punëtorëve dhe largimin e tyre, dhe rastet e tjerë kur puna nuk është aftër punëtorëve, si në zonat rurale, të cilët nuk mund të zënë një vend pune larg banimit, për shkak të largësisë, është e pamundur për ta përballuar, kur nuk ka transport publik efikas, që t`i ndihmojë punëtorët në udhëtimin e tyre drejt vendit të punës në qytete apo zona të industrializuara. Pra, të gjitha këto anomali apo pengesa, dhe të tjera të ngjashme, kanë bërë që në disa raste të mungojnë punëtorë dhe në raste të tjerë të mos gjejnë punë, sidomos për femrat rurale që janë mbi 50 vjeç, të cilat nuk janë të ‘duhura’ për zhvillimet e reja ekonomike, për çka afron tregu sot. Por këto pengesa nuk janë të pazgjidhshme, sepse Kosova nuk është një vend i madh, as si territor, as si gjeografi, e as si ekonomi: ajo është një ekonomi kompakte në të cilën nëse ndërmerren disa veprime në të njëjtën kohë, mund të ndryshojë gjendjen e saj. Por kemi të bëjmë me Kurtin i cili realisht nuk ka siguri dhe dije në politikat ekonomike: ai vjen nga organizatat joqeveritare që kupton marrëdhëniet me publikun ose di të përdorë emocionet e popullit por nuk njeh sigurinë ekonomike dhe s`e kupton atë, as rendin e mbrojtjes, ligjet dhe rendin kushtetues. Pra ai nuk ka një pamje të qartë ekonomike për të cilën do të luftonte.   

Përmeti: Kur ishit kryeministër në vitin 2018 ratifikuat marrëveshjen e vitit 2015 të qeverisë “Mustafa” për shenjimin e kufirit me Malinezi ndërsa Vetëvendosja u mundua ta pengonte atë duke përdorur gaz lotësjellës në kuvend dhe duke e quajtur atë “tradhëti” meqënse në të citohet se “të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime”. Marrëveshja u kërkua nga BE-ja si një ndër kriteret kryesore të udhëtimit pa viza në bllokun përkatës ndërsa ju u kritikuat se Kosova i dhuroi tokë fqinjit të saj, jo pak por 8.200 ha. Për të njëjtën arsye, Kurti premtoi krijimin e një komisioni të ri për shenjimin e tij kur të vinte në pushtet. Ju e keni mbështetur qasjen e tij dhe madje keni këshilluar të shkohet në arbitrazh nëse Mali i Zi nuk shpreh gatishmëri për rishkim. Por deri tani s`kemi parë ndonjë përpjekje nga Kurti! Çfarë do të shtonit sot?   

Haradinaj: Çështja e shënimit të kufirit me Malin e zi ka mbetur ende e pakryer. Ne jemi pajtuar për procesin por marrëveshja e atëhershme e ka mbyllur çështjen por për çka ne u pajtuam nuk ekziston asgjë. Për ta shënuar vijën e kufirit, ne jemi kujdesur që t`i fuqizojmë disa vendime me ligj; pra nuk është botuar vetëm marrëveshja për kufirin por janë botuar dhe dy vendime të tjera, me qëllim që ta ruajmë të drejtën ligjore për shënimin e kufirit, ku janë gurët e kufirit, dhe çka ka ndodhur me këtë rast. Ne kemi votuar edhe raportin e komisionit tonë shtetëror, të cilin e kam krijuar unë pas ardhjes në qeveri, i cili e gjen marrëveshjen ekzistuese gabim në disa kuota, pra materialet, provat, të dhënat, protokollet për shënimin e kufijëve lidhur me të drejtat faktike, dhe njëkohësisht kemi votuar në nivel ligjor, si pjesë e ligjit, edhe deklaratat e dy presidentëve të atëhershëm, për gadishmëri për rishikim.

Kurti dhe Vetëvendosja në opozitë e kanë cilësuar këtë veprim si të pamjatueshëm dhe realisht nuk është se është zgjidhje ideale për arsyet që përmenda më herët, por ajo që duhet menduar tani e tutje, është konsumimi me Malin e zi, përpjekja për shënim të kufirit dhe korrigjim; nëse nuk arrihet ky qëllim, pra nëse ne dështojmë për të shënuar kufirin, atëherë çështja duhet të shkojë në gjykatën e arbitrazhit. Për fat të mirë kjo mund të ndodhë; mirëpo, koha nuk diktohet lehtë prej nesh, sepse duhet të jenë të gatshëm edhe ata, dhe në dijeninë time ata janë të gatshëm, sepse pretendojnë gjendjen e ekzistuese; ata mendojnë se s`ka nevojë për ndryshim, sepse kufiri është vendosur, ndërsa pala kosovare e ka të vështirë konfirmimin e gjendjes ekzistuese për shkak se ne kur votuam marrëveshjen, votuam dhe dy akte të tjerë, për t`i dhënë fuqi ligjore. Por ky veprim është i njënashëm, pa pajtim me Malinezi me qëllim që të kemi të drejtën e arbitrazhit. Por nëse arrijmë me një qeveri miqësore me Malinezi ta zgjidhim nuk kemi nevojë të shkojmë në arbitrazh dhe nëse jo, ne kemi krijuar bazën ligjore, që çështja nuk është e mbyllur. Unë jam shpresëplotë se kjo çështje do të zgjidhet me qeverinë e Malitëzi, sepse presidenti Gjukanoviç ma ka shprehur.   

Përmeti: Komunat me shumicë serbe në Kosovë vazhdojnë të mos paguajnë energjinë elektrike. Në vitin 2022 ato shpenzuan 63 milionë euro ndërsa në vitin 2021, 42 milionë euro. Sipas institutit GAP gjatë viteve 2010 dhe 2020 shuma e shpenzuar ka qenë 132 milionë euro. Së bashku shkojnë 237 milionë euro ose 237 shkolla. Shpenzimet janë paguar nga qytetarët e Kosovës dhe më pas nga operatori i energjisë dhe nga qeveria e Kosovës. Si pasojë, qytetarët e Kosovës kanë paguar fatura 3.5% më të shtrenjta ndërsa shkaqet lidhen si me pushtetin politik (Beogradin dhe Prishtinën) ashtu dhe me infrastrukturën. Në marrëveshjen e nënshkruar në qershor të vitit 2022 në Bruksel, në vijim të marrëveshjeve 2013-2015, palët u pajtuan se banorët përkatës do të paguajnë energjinë elektrike dhe se do t`i jepet leje një ndërmarrje serbe për shpërndarjen e energjisë elektrike krahas Kompanisë për Shpërndajren e Energjisë Elektrike (KEDS). Por nuk përmendet askund shlyerja e shumës së përmendur! Nuk do të ishte më e drejtë që pala jonë të kërkonte edhe shlyerjen e shumës përkatëse sidomos kur dihet se serbët e asaj krahine kanë mbështetur luftën e Milosheviçit dhe s`kanë kërkuar as ndjesë ndaj shqiptarëve?

Haradinaj: Ka ndodhur një ndryshim në gjendjen faktike energjitike të Kosovës. Transmisioni i lartë i energjisë në Kosovë që njihet te ne si KOS, në të kaluarën nuk ka pasur status të barabartë me rregullatorë të tjerë. Rezultati i kësaj pabarazie, gjithë transporti i energjisë në Kosovë, paratë i ka marrë Serbia, që pas luftës deri sot, në vitin 2018, Serbia ka marrë 8 deri 12 milionë euro përfitime financiare vetëm për tranzitin e energjisë në Kosovë. Por në vitin 2018 ne kemi arritur të anëtarësohemi në EnSO. Si pasojë, ne kemi realizuar transmisionin e lartë ose autostradën energjitike Kosovë-Shqipëri me qëllim pavarësimin energjitik të Kosovës―çka nënkupton status të pavarur nga Serbia. Deri atëherë ne nuk kemi qenë anëtarë të barabartë i rregullatorëve të energjisë të Evropës. Pra në vitin 2018 jemi anëtarësuar me të drejta të barabarta dhe jemi pavarësuar në nivel energjitik nga Serbia. Pa pavarësinë energjitike të Kosovës nga Serbia ne nuk mund të zgjidhnim çështjen lidhur me mospagimet e pakicës serbe. Pra qëllimi kryesor është ndërprerja e “gjakderdhjes” financiare dhe energjitike në Veri dhe më pas kërkimi i shlyerjes së shumës përkatëse. 

Përmeti: Kurti pranoi propozimin perëndimor për normalizmin e marrëdhënieve me Kosovën duke filluar me krijimin e “Zajednicës” dhe duke braktisur njohjen e ndërsjellë! Ju si fillim mbështetët njohjen e ndërsjellë por më pas mbështetët propozimin në fjalë duke e quajtur atë një bazë të mirë për përparim. Kurti zhvilloi zgjedhje në katër komunat me shumicë serbe pas tensioneve që shkaktoi me targat e automjeteve në emër të parimit të ndërsjelltësisë dhe më pas braktisjen e institucioneve nga serbët. Por ato u bojkotuan masivisht. Vuçiçi paralajmëroi krizë shumë të madhe dhe më të thellë në të ardhmen ndërsa Kurti tha se bojkoti ishte pasojë e kërcënimeve të Beogradit. Perëndimi tha se do t`i njohin ato sepse ishin në përputhje me ligjet në fuqi pavarësisht se OSBE-ja këshilloi marrjen parasysh interesat e gjithë komuniteteve. Cili është gjykimi juaj në këtë fazë: besoni se do të ketë përparim apo tensione?   

Haradinaj: Besoj se do të ketë përparim, sepse shoh një angazhim të madh të aleatëve të sigurisë së Kosovës, jo vetëm për ne por edhe për Serbinë, dhe besoj se gjendja është shumë serioze, dhe nuk besoj se do të lejojnë daljen nga kontrolli të gjendjes apo rikthimin e krizave; edhe nëse tentohet të krijohen kriza të caktura, nuk besoj se do të lejohen, pasi aleatët tanë kanë aftësi të pengojnë veprime tensionuese siç ka dhe Kosova.

Përmeti: Në vitin 2019, Rama ju ka quajtur “gënjeshtar” lidhur me pretendimin tuaj se ai u përpoq për t`ju bindur për ndarjen e Kosovës, në kohën kur përpiqësh, gjithashtu, të përfshinte Kosovën në Ballkanin e Hapur” dhe ju refuzonit. Madje ai ngriti padi kundër pretendimit tuaj, për shpifje, por e tërhoqi ndërsa ju e quajtët “vëlla” pavarësisht akuzës. Ngaqë prirem të besoj më shumë Haradinajn se sa Ramën dhe kundërshtoj “projektin” e Ballkanit Perëndimor, për arsyet që tregoj në një studim, dhe nuk besoj se Rama do të tërhiqet nga politikat e tij të padrejta, madje dhe armiqësore, sidomos lidhur me quajtjen e armikut të shqiptarëve, Vuçiçit, mik, dhe besoj se Ramës i kanë mbetur dhe pak muaj në kryeministrinë e Tiranës, keni për të shtuar ndonjë shqetësim lidhur me të?

Haradinaj: Kur Shqipëria arrin suksese në planin e brendshëm, në shtetin demokratik, ligjor, ato arrijnë dhe tek ne. Kur Shqipëria arrin sukses në planin ndërkombëtar menjëherë ato arrijnë tek ne. Dhe anasjelltas: të gjitha vështirësitë e Shqipërisë në planin ligjor, demokracisë, pluralizmit, shkaktojnë pasoja të drejtpërdrejta edhe në Kosovë. Pra dobësitë dhe vështirësitë që kalon Shqipëria, tranzicioni i pakufij që po përmbyllet, po i shkakton pasoja pozitës së Kosovës, shqiptare, gjithashtu dhe në planin e politikave të jashtme. Ne kemi dëshirë ta shohim Shqipërinë me shtet ligjor, me një ekonomi tregu me mundësi të mira për të gjithë, dhe kuptohet me një demokraci sa më të konsoliduar ndërsa në aspektin e sigurisë me një ushtri të fortë sepse megjithëse Kosova ka aftësi sigurie, është shumë më e lehtë kur jemi bashkë. Nëse ndahemi do të jetë më e vështirë për Kosovën dhe Shqipërinë. Ndaj thirrja ime do të ishte që në shumë tema që na përfshijnë të gjithëve të bashkërendojmë, t`i diskutojmë përpara, të kemi një qendrim të përbashkët. Kur ndahemi atëherë fitojnë armiqtë tanë; dihet kjo.  

Përmeti: Lufta në Ukrainë do të përfundojë një ditë. Unë kam parashikuar që pa filluar se atë e fiton Rusia. Madje tani kanë filluar ta besojnë dhe shumë komentatorë dhe ligjbërës në perëndim ndërsa Uashingtoni ka ndryshuar ‘konsesus’: nuk synon më të drejtojë botën me hegjemoninë amerikane; në vend të saj, synon kthimin e veprimtarisë ekonomike amerikane në atdhe. Me një luftë në Ukrainë që fitohet nga Rusia; me një Francë dhe Gjermani që kërkon pavarësi politike dhe ushtarake nga Uashingtoni dhe një Poloni që kërkon krijimin e një blloku tjetër në Evropë; dhe me një Kinë dhe Rusi që sfidon hegjemoninë amerikane me një rend të ri botëror, nuk do të ishte më e drejtë dhe urgjente, që të shfrytëzohet e drejta ndërkombëtare dhe të kërkohet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë si nevojë për të balancuar Serbinë në rajon dhe parandaluar ndonjë luftë se sa thjesht të ndjekim propozimin perëndimor, i cili, në gjykimin tim, nuk ka asnjë gjasë mbrothësie, sepse dihet se Vuçiçi ka për qëllim pengimin e zhvillimit të shtetit të Kosovës dhe ka sfiduar kërcënimet perëndimore me sanksione duke refuzuar zbatimin e nenit 4 të marrëveshjes së Ohrit dhe me bashkësinë serbe ai mund ta realizojë qëllimin e tij lehtësisht?

Haradinaj: Besoj se situtata e sigurisë botërore është çështje të menaxhueshme për NATO-n; ndaj dhe besoj se luftën në Ukrainë do ta menaxhojë me sukses. Pra e dimë që NATO nuk është palë e drejtpërdrejt por besoj se e menaxhon me sukses. Parashikimi im është se do të kemi një Rusi të dëmtuar, jo vetëm në planin ushtarak por dhe ndërkombëtar, dhe me një mundësi që dëmtimi në fjalë do ta nxisë popullin rus në një marrëdhënie të re me perëndimin. Në gjykimin tim, me njohurinë dhe dijen time, besoj se epilogu i luftës në Ukrainë është jo vetëm humbja e Rusisë por dhe një humbje në shumë nivele të tjerë. Njëkohësisht dhe çështja jonë, e sigurisë shqiptare, zgjidhet me bashkëpunim më të madh mes nesh, ndërsa sigurojmë disa garanci në NATO. Unë shikoj dhe Serbinë të anëtarësohet në NATO, sepse ajo ka një sistem politik jo dhe aq të qendrueshëm; ka një krizë demografike (të plakur etj.); dhe ngaqë nuk mundet të shkrijë në një treg të përbashkët me Rusinë dhe Kinën, ajo do të “shkrijë” në tregun evropian, sepse ajo rrethohet nga tregjet e saj dhe ata janë më të mëdhenj se tregu i saj. Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, sidomos në nivel ushtarak, mund ta përparojmë në afatgjatë ndërsa kryejmë punët që mund të kryejmë tani.  

...

Kosova drejtohet nga një kryeministër që e ka vërtetuar se ka dije tejet të pjesshme si për drejtimin e shtetit modern ashtu dhe lidhur me realitetin gjeopolitik në të cilin jetojmë. Ai nuk shtrembëron vetëm demokracinë si ngjizje historike por dhe programi` Vetëvendosjes është përshtatur në politikat neoliberale: për shembull, ai nuk angazhohet për punësim të plotë si partitë ‘social-demokrate’ të shekullit të kaluar. Paralelisht, disa nga krerët e UÇK-së janë duke u gjykuar në Hagë dhe opozita e Kosovës nuk është e bashkuar.

Në këto kushte, do të ishte e domosdoshme që opozita të bashkohet dhe të ushtrojë trysni më të madhe ndaj politikave të padrejta dhe mashtrimeve (duke kulmuar me mashtrimin e “vetëmenaxhimit” të bashkësisë serbe) të qeverisë “Kurti”. Në këtë drejtim, Haradinaj mund të luajë një rol të rëndësishëm, madje dhe vendimtar, pavarësisht se në zgjedhjet e vitit 2021, AAK-ja u radhit e treta mes partive opozitare, sepse ka fituar përvojë në drejtimin e shtetit dhe ka një karakter të qendrueshëm. Këtë fakt ai e vërteton si gjatë luftës kundër serbëve ashtu dhe me qendrimet e tij politike: ato kanë qenë përgjithësisht të ‘patundshme’ pavarësisht trysnive të huaja.

Madje e vërteton dhe kjo bisedë ku ai tregon si kurrë më parë si të kaluarën politike në Kosovë ashtu dhe kuptimin e tij lidhur me ekonominë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. 

Kjo bisedë është zhvilluar në datën 4 maj 2023 në selinë e AAK-së

Pse nuk e pyeta Haradinajn për pasurinë e tij?

Pas intervistës me Haradinajn më “gacmuan” privatisht disa njerëz, se iu shmanga pyetjes lidhur me pasurinë e tij dhe rrjedhimisht pretendimit se lufta e tij nuk ishte për ideale por për pushtet dhe pasuri! Një pjesë pretendojnë se ai ka përvetësuar pará nga kursimet e kontributeve të shqiptarëve gjatë luftës ndërsa një pjesë tjetër tregojnë pasurinë e tij si tregues i korruptimit të tij!

Këto dy pretendime kanë vite që qarkullojnë por asnjëri s`më ka bindur: për të parin, sepse s`ka asnjë fakt (disa thonë se i kanë “ndërkombëtarët”!) ndërsa për të dytin, shuma që ka deklaruar (nga deklarata e vitit 2023 në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit) prej 1,286,375 euro, nuk tregon korruptim nëse e shohim në raport me fillimin e veprimtarisë së tij ekonomike, vitin 2001, detyrat e tij si politikan dhe mundësinë për rritjen e saj përmes tregut, dhe e krahasojmë jo me Ramën dhe Berishën në Shqipëri, sepse këta po e tregojnë edhe me fushatën zgjedhore të majit 2023 se sa të korruptuar janë, për të cilat nuk dihet se ç`pará po shpenzojnë, sepse nga KQZ-ja nuk kanë tërhequr shumën e caktuar nga ajo (PS-ja gati 43 milionë lekë ose rreth 400 mijë euro!), por me një palo-gazetar, Alfred Pezën, i cili u bë milioner brenda një viti, sapo u bë zëdhënës i qeverisë “Rama”, dhe jo në pasuri të patundshme, si në rastin e Haradinajt, por në euro të thata!

Dhe ndryshe nga shumë të korruptuar në anët tona, nuk pashë të kishte ndonjë veshje luksoze, as xhipa njëqind apo dyqind milionsha, as selia e AAK-së nuk ishte si selitë e anëve tona: të derdhura në luks! Veshja e Haradinajt ishte si imja dhe selia ishte pak a shumë si shtëpiza ime: me orendi të zakonshme.

Dhe ndryshe nga sa mund të besojnë disa të tjerë, se qendrimet e tij janë “zbukuruar” nga unë, Haradinaj më ka befasuar me përgjigjet e tij, sepse ndryshe ngasa veprojnë shumë të korruptuar në anën tona ―kërkojnë pyetjet paraprakisht― Haradinaj jo vetëm që nuk m`i kërkoi ato, por iu përgjigj atyre me një gadishmëri të pazakontë dhe me një lidhje logjike (koherencë) gati filozofike.

Nuk është e vështirë për një politikan si Haradinaj të rrisë pasurinë ―në këtë rast të patundshme― në shumën e deklaruar, sidomos kur në fillim ndihmohet nga bashkëluftëtarët për të filluar një jetë të re pas gjithë asaj lufte dhe dhimbje që përjetoi me vrasjen e vëllait, shokëve dhe popullit të Kosovës dhe plagosjes së tij. Kontributin e tij në luftë do ta vlerësonin të gjithë njerëzit e ndershëm dhe pse jo, të gjithë bashkë do ta ndihmonin që të fillonte një jetë re: sepse njeriu që rrok armën dhe del në mal për të luftuar kundër pushtuesit dhe udhëheq shokët, është i vyer; madje shumë më i vyer se çdokush tjetër.   

Një njeri i tillë ―që del në front të luftës― tregon pikërisht faktin se ideali i tij është çlirimi i atdheut dhe jo pushteti dhe pasuria: sepse të jesh në front tregon gadishmerinë e vetëflijimit.

Duke patur parasysh këto fakte, se ai e meritonte të ndihmohësh nga shokët pas luftës dhe se ai mund të shtonte pasurinë e tij me ritmin e përshkruar, madje tregtarë të zakonshëm e kanë shtuar pasurinë më shumë se ai përgjatë 22 viteve të fundit, por dhe faktin tjetër se Haradinajn ―dhe jo vetëm atë― e akuzojnë për korrupsion, dhimbja e tij me siguri është e madhe, sidomos kur kjo akuzë qarkullon pa ndonjë kundërargument qoftë edhe në median e Shqipërisë juridike; madje duke shtuar dozat e dyshimit se ai është i korruptuar!

Kështu në vend të nderohet për kontributin e tij për çlirimin e atdheut tonë dhe për kontributin e tij më pas për të zhvilluar shtetin e Kosovës, dhe të kundrojnë për mundësinë e shtimit të pasurisë së tij në kushte tregtare si gjithë të tjerët, damkoset si i korruptuar, pikërisht sepse disa mendjeshthurur nuk dallojnë dot theshethemet nga faktet. 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA