Rënia e cilësisë së këngës në RTSH dhe turpi që na përfaqëson në Eurovizion
Kur i dëgjoj këngët në mendje kam dy parime: parimin e emocionit —se kënga duhet të synojë kërcimin dhe dëlirjen e shpirtit (katharsis)— dhe të edukojë —të ketë në thelbin e saj një kumt kuptimplotë që kundërshton rënien ose dekadencën shpirtërore të njeriut.
Ylli Përmeti
31/12/2021 - 09:56
Nuk e ndoqa festivalin e këngës në RTSH këtë vit - jo sepse nuk dëshiroja por sepse nuk pata kohë. Por dëgjova mbrëmë (por dhe një herë sot me qëllim që të krijoja një kuptim dhe gjykim më të drejtë) vetëm këngën fituese, me qëllim që të kuptoja tërësinë e festivalit.
Kur i dëgjoj këngët në mendje kam dy parime: parimin e emocionit —se kënga duhet të synojë kërcimin dhe dëlirjen e shpirtit (katharsis)— dhe të edukojë —të ketë në thelbin e saj një kumt kuptimplotë që kundërshton rënien ose dekadencën shpirtërore të njeriut.
Domethënë, synon tejkalimin e një dhimbje nëse bëhet fjalë për dhimbje, duke ushqyer shpresën. Bazuar në këta dy parime gjykoj çdo këngë. Këngës fituese të festivalit të këngës në RTSH i mungonte thuajse tërësisht parimi i parë, sepse ka një përqindje të vogël emocioni në disa pjesë të saj, sidomos në pjesën hyrëse të këngës, por ajo përqindje humbet menjëherë kur kalon në pjesën e dytë të saj, ose strofën e dytë të këngës, e cila më shumë kërcen, megjithëse me ritëm jo shumë të qartë, se sa pastron shpirtin ndërsa ka dhe një kumt kuptimplotë por ai nuk synon ngritjen shpirtërore të njeriut.
Kënga, për më shumë, shoqërohet me kërcim dhe “estetikë” epsharake, duke spikatur ose mbivendosur ndjenjat dhe “estetikën” epsharake se sa kërcimin dhe dëlirjen e shpirtit dhe tejkalimin e dhimbjes meqënëse në përmbajtjen e saj ka një dhimbje dashurie.
Domethënë, ajo i përgjigjet dhimbjes së dashurisë me epsh ose me më shumë “liri” seksuale! Me tre fjalë: “me më shthurje”. Këtë prirje e bën të qartë si me përmbysjen e motiveve muzikore -nga muzikë e lehtë dhe emocionale në muzikë me motive popullore- ashtu dhe me kërcimin ose koreografinë. Nga këndvështrimi i kompozicionit muzikor, gjithashtu, ka probleme serioze meqënse ka përfshirë pak motive popullore të cilat i ndërthur keq me motivet “moderne”.
Parë nga kjo qasje e përgjithshme dhe nga dy parimet që përmenda, dhe nga fakti se kënga në fjalë do të na përfaqësojë si komb në “Eurovizion”, mund të them se cilësia e këngëve në përgjithësi ka rënë shumë dhe kënga që na përfaqëson është një tjetër turp kombëtar, për gjithë arsyet që përmenda: se ajo përdor në një përqindje shumë të vogël parimin e parë; i përgjigjet dhimbjes dashurore me më shumë shthurje dhe rënie (ose dekadencë) shpirtërore; dhe e shoqëron këngën me një “estetikë” dhe koreografi të turpshme!
Ju ftojmë ta gjykoni dhe ju sipas parimeve në fjalë
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 925 reads