...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vizita e Putinit në Serbi: zgjeron bashkëpunimin ndërsa Kosovën ia lë...

Gjatë vizitës së Putinit mes Serbisë e Rusisë janë nënshkruar 26 marrëveshje e protokolle, në fusha të ndryshme: ekonomi, ushtri, hulumtime

Adil Fetahu

21/01/2019 - 19:14

Dita e 17 janarit 2019 në Serbi ishte e tëra në respekt të vizitës së kryetarit të Rusisë, Vladimir Putinit. E gjithë Serbia ishte në këmbë, për t’i organizuar pritje madhështore, sikur t’ishte zot i tyre. Vetëm në Novi Sad ka pasur disa parulla kundër vizitës së Putinit, nga një grup i organizatave që luftojnë për Republikën e Vojvodinës. Kjo vizitë ishte në shenjë të numrit 4 të Putinit: mandati i katër i Putinit në krye të Rusisë; vizita e katërt e tij në Serbi; dhe kishte ardhur me katër avionë, që nuk dihej se në cilin ishte Putini.

Zyrtarët dhe qytetarët e Serbisë, dhe jo vetëm ata, por edhe serbë të Kosovës, të Bosnjes dhe të Malit të Zi, ishin të egzaltuar për vizitën e Putinit. Mediat serbe përcollën çdo hap e çdo lëvizje të Putinit; shumica e televizioneve e përcollën drejtpërdrejt duke vlerësuar se Serbia dhe Rusia me dekada kanë bashkëpunim më se të mirë; veçanërisht kur ka ardhur Putini në krye të shtetit, Rusia është vënë në anën e Serbisë kundër interesave të BE-së, Brukselit dhe Amerikës.

Vuçiçi tha se Rusia e ka shpëtuar Serbinë nga stigmatizimi i gjenocidit dhe sot po na mbron kundrejt fqinjëve tanë lindor! Rusia e ka ndihmuar Serbinë në planin ekonomik, me investime, projekte e hua. Në mënyra të ndryshme ka ndihmuar modernizimin e Ushtrisë së Serbisë, duke i dhënë avionë luftarakë “Mig 29”, raketa, topa e tanke. Nga ana tjetër, Serbia duke refuzuar të zbatojë sanksione kundër Rusisë, ka qëndruar përkrah saj. Putini gëzon në Serbi status të posaçëm dhe shihet si shpëtimtar i Serbisë. Kështu shihet edhe vizita e tij në Serbi, sepse qytetarët shpresojnë se Rusia do ta ndihmojë në planin ekonomik dhe ushtarak - që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë.

Gjatë vizitës së Putinit mes Serbisë e Rusisë janë nënshkruar 26 marrëveshje e protokolle, në fusha të ndryshme: ekonomi, ushtri, hulumtime, ndër të cilat edhe:

  • Marrëveshje për shfrytëzimin e enegjisë atomike për qëllime paqësore; dhe
  • Marrëveshja për bashkëpunimin ruso-serb në lëmin e hulumtimit dhe shfrytëzimit të hapësirës kozmike për qëllime paqësore.

Vlera e marrëveshjeve ekonomike kapë shumën prej 660 milion dollarë, ndonëse Putini ka premtuar edhe 1,4 miliard dollarë investime në gazsjellësin dhe infrastrukturën e Serbisë.

Pjesa më kryesore e vizitës ishte konferenca për media. Duke lavdëruar marrëdhëniet e shkëlqyera ruso-serbe, Putini tha se këto marrëdhënie janë krijuar e mbajtur me shekuj, i kanë rrënjët e thella dhe të forta, duke shtuar: “siç thoni ju në Serbi: kur jemi bashkëfitojmë”. Në pyetjen e gazetarëve se nëse mund të përfshihet Rusia në dialogun mes Kosovës e Serbisë, Putini tha se “Rusia është pjesëmarrëse aktive gjithnjë, por ndërmjetësuese e dialogut është BE-ja, veçse pak po arrijnë; nuk po zbatohet marrëveshja për bashkësinë e komunave serbe, nuk po zbatohet as Rezoluta 1244 sa i përket një numri të policisë serbe në kufi (aludon në kufirin shqiptaro-shqiptar, Kosovë-Shqipëri, v.j.), ku janë ata policë” pyeti Putini? Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë, por është me rëndësi të respektohet e drejta ndërkombëtare, ka shtuar Putini. Duhet t’i bindim partnerët tanë se për të ruajtur paqen në Ballkan, duhet të gjejmë zgjidhje dhe kompromise. Me këtë rast, Putini i dorëzoi Vuçiçit Medaljen “Aleksandar Nevski”.

Vuçiçi nga ana e tij deklaroi se kemi arritur shkallë të lartë të pajtimit të mendimeve për të gjitha çështjet, dhe e falënderoj presidentin Putin për përkrahjen e Rusisë në ruajtjën e pavarësisë dhe integritetit të Serbisë.

Putini e vizitoi edhe Kishën “Sveti Sava”, së cilës i ka akorduar 5 milionë dollarë, për të përfunduar punimet e papërfunduara. Në atë vizitë Putinin e Vuçiçin i priti patriarku Irinej, dhe mund ta marrim me mend se për çfarë e ka lutur Putinin (për ruajtjen e Kosovës në kuadër të Serbisë, v.j.).

Në drekën e shtruar, me specialitetet serbe, për nder të Putinit, kanë marrë pjesë 100 të ftuar nga të dyja palët, ndërsa në pjesën artistike-muzikore, përveç ansambleve e solistëve, ka kënduar edhe ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, këngë ruse: “Kaljinka” dhe “Rjabinska”.

Putinin e ka takuar edhe udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik.

Në fund të vizitës, Vuçiçi ia ka dhuruar Putinit një kçlysh të racës së qenëve të Sharrit, dhe me këtë e ka përfunduar vizitën aq shumë të pritur.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA