...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Big brother 2: lëvizja drejt totalitarizmit dhe distopisë së përhershme

Elitat ”liberale” shekullin e kaluar filluan të propagandonin mungesën e autoritetit represiv. Këtë shekull vazhdojnë të propgandojnë të njëjtën ‘mungesë’ por paralelisht ato propagandojnë fuqishëm “sundimin e ligjit” ndërsa kanë zhvilluar teknologji që synojnë përfrikësimin e njeriut. Njeriu tashmë, vrojtohet në tre nivele: në organizëm (përmes çipave); në qytet (përmes kamerave); dhe në ajër (përmes aeroplanëve të programuar). Njeriu, për më shumë, vrojtohet dhe përgjohet, në internet, telefon dhe kudo. Ky është shekulli totalitarizmit me mjete të tjerë...Kjo do të jetë tema e këtij studimi: të dëftojë mekanizmat e totalitarizmit të globalizmit neoliberal që po zhvillohet dhe shkaqet dhe të paraqesë sfidat e popujve që luftojnë për liri politike dhe vetë-vendosje.

Ylli Përmeti

19/01/2019 - 17:19

Tirani për të ruajtur pushtetin, shtyp çdo spikatje, largon njerëzit e mirë, ndalon edukimin dhe dritën, kontrollon çdo lëvizje të qytetarëve dhe, duke i mbajtur nën shërbim të përhershëm, i do ata të rriten duke i mësuar me poshtërsi dhe frikë, ka kudo spiunët e tij për të dëgjuar se çfarë thuhet në takime, dhe përshpejton përçarjet dhe përplasjet mes qytetarëve dhe i varfëron ata, dhe është i detyruar të shkaktojë luftë për të mbajtur subjektet e tij të pushtuar dhe të imponojë mbi ta nevojën e përhershme për një shef. —Aristoteli      

 

Si psikologët dhe sociologët ndihmojnë elitat për të ‘bigbradhërizuar’ shoqëritë?

Çdo gjë e gjallë që lëviz bart pushtet (power). Pushteti është thelbi lëvizjeve organike. Përmes tij organizmat jetojnë, ndryshojnë dhe riprodhojnë. Sigurimi i energjisë është thelbi e pushtetit; madje energjia është thelbi i materies: sepse pa energji nuk mund të krijohet asnjë lëndë në univers. Për organizmat e gjallë ajo sigurohet vetëm në planete të gjallë; aty ku jeta gjallon. Toka është një prej tyre. Pushteti i elitave është njëherësh burim energjie dhe skllavërie. ‘Energjie’ sepse elitat janë të ‘lira’ në veprimtarinë e tyre për shkak të shfrytëzimit të shoqërive. ‘Skllavërie’ sepse pavarësisht shkallës së lartë të lëvizshmërisë që sigurojnë nga shoqëritë – ato sërish janë të skllavëruara, meqënse liria buron nga virtytet dhe shpaloset me veprimtari, krijimtari dhe në shoqëri. Elitat, as kanë zhvilluar ndonjë virtyt as mund të zhvillojnë ndonjë të plotë: për shkak të përqendrimit të pushtetit — sepse nëse do të kishin zhvilluar ndonjë virtyt nuk do të përdornin oportunizmin dhe makiavelizmin për të administruar pushtetin e shtetit modern por virtytet. Ndryshe, për shembull, nga koha e Demokracisë Klasike të Athinës, ku pushteti politik baras-ndahej mes qytetarëve (të cilësuar). Në mijëvjeçarin e tretë është uzurpuar thuajse gjithë ‘pushteti’ i popujve të planetit, dhe atij i imponohet çdo lloj praktike dhe mekanizmi për ta ruajtur dhe riprodhuar. Dhe si oportunistë që janë, nuk ngurrojnë të “përvjedhin” pratika nga novelat që shkruajnë autorë të ndryshëm.

Xhorxh Oruell,për shembull, shkruajti novelën e quajtur ‘Nineteen Eighty-Four (Një Mijë e Njëqind e Tetëdhjetë e Katër)’. Novela upublikua për herë të parë në vitin 1949-të. Ajo parashikonte kushtet e sotme sociale thuajse me përpikmëri. Gjendja e krijuar shtyu Majk Dajsin (Mike Dice), autor i Big Brother: The orwellian nightmare comes true (Big Brother: makthi oruallian kthehet i vërtetë),të rishkruante realizimin e kësaj “novele” profetike. Kështu Dajsi hedh dritë mbi makinat që lexojnë trurin, programet dhe armët qeveritare oruelliane, gërmimet e të dhënave përmes rrjeteve sociale (facebook, twiter etj.), psikotronikët (sipas emrit që autori quajti një zhanër filmash të çuditshëm dhe obskurë), kamerave njohëse të fytyrave, organizma kibernetikë, ndërfytyra neurale, inteligjencë artificiale, RFID (teknologji e cila përdor radiovalëpër të transferuar informacion nga një thek ose etiketë, e vendosur mbi një objekt, përmes një lexuesi me qëllim që të identifikojë dhe gjurmojë objektin, të cilët janë në përdorim masiv në metropolet globale elektronikke),Shtet Dadot dhe, së fundmi, aeroplanët e radio-telekomanduar dhe pa ekuipazh,[1] të cilët synojnë të mbikëqyrin dhe përfrikësojnë nga lart popujt por edhe të godasin, një nismë që ndiqet ngushtë dhe në koherencë nga Franca dhe Britania,[2] të quajtur ‘eurodrones’, me sulme nga ajri që zhvillohen në Pakistan dhe Afganistan por edhe një plan tjetër për një qendër kontrolli dhe komandë të përbashkët për operime ushtarake në të ardhmen për deterrént (përfrikësues) bërthamor.[3] Për shembull, në Britani janë instaluar 4.2 milionë CCTV kamera, një për çdo 14 vetë, ndërsa në Kinë, e cila është në proces të krijimit të kushteve për një shoqëri të vrojtuar, janë instaluar 2,75 milionë kamera, një për çdo 472 mijë banorë.[4] Britania ka bërë plane për të vendosur kamera edhe brenda shtëpive të familjeve britanike, nën justifikimin e ofrimit të ndihmës së shpejtë nëse fëmijët janë në rrezik. Teknologjia po i përshtatet kësaj prirje: reklamat e televizioneve, për shumbull, kanë mundësi të mbërthejnë tinguj të padëgjueshëm, duke çliruar sinjale me frekuencë të lartë, të cilët mund të kapen nga celularët ose aparate të tjerë që instalohen në një aplikacion që përmban një program “SilverPush”. Ky “çiftim” – i cili po eksperimentohet aktualisht mbi konsumatorët Indian — identikon gjithashtu aparatet e përdoruesve të afërt dhe lejon ndërmarrjet të monitorojnë se çfarë bëjnë njerëzit.[5] Kjo teknologji gjurmuese ndër-aparatore është eksploruar edhe nga ndërmarrje të tjera teknologjike dhe është “emblema” e epokës së re që po lind për të gjithë ne. Japonia është në proces të zhvillimit të një programi kompjuterik ose “inteligjience artificiale”, e cila do të jetë e aftë të zbulojë veprimtari të dyshimta. Thonë se do ta përdorin për të parandaluar veprimtaritë “terroriste”. Por është e sigurtë se do të përdoret për gjithçka tjetër. Programi përpunon 36 milionë imazhe në sekondë dhe jep alarmin nëse veprime të dyshimta diktohen.

Në Evropë, traktati i Lisbonës adoptoi survejimin më të ngushtë të popujve. Domethënë, ndërtimin e sistemit më të madh në botë për shenjat e gishtave; kartat biometrike janë pjesë e këtij objektivi. Gjermania e bëri më të lehtë vrojtimin e qyteteve —pas krizës së sigurisë që u krijua nga emigrantët— duke amenduar ligjin e sigurisë së informacionit.[6] Amendamenti ‘lehtëson’ pronarët e ndërmarrjeve private dhe administratorët e institucioneve publike për të rritur shkallën e ‘sigurisë’. Ndryshe nga ky amendament dhe paralel me këtë zhvillim, qeveria “Rama” i ‘detyroi’ ndërmarrjet private, administrat publike dhe institucionet publike (shkolla etj.) të instalojnë kamera deri në fund të vitit 2017-të! Dhe ndryshe nga Gjermania, ku amendamenti u kritikua nga opozita se cënonte liritë e qytetarëve (intruzion masiv), në Shqipëri nuk u kritikua as nga opozita as nga të ashtuquajturit ‘veprimtarë’ të ‘shoqërisë civile’. Opozita mungoi sepse ishte ajo e para që filloi ‘bigbradhërizimin’ e Tiranës (Basha kur ishte kryebashkiak!). Në Gjermani, në të vërtetë, kritikët shkuan edhe një hap më tej: gjykuar nga rrjedhja e fundit e veprimtarisë përgjuese të CIA-s nga “Wikileaks”, se shërbimet inteligjente mund të kontrollojnë çdo sistem elektronik, mbrojtën argumentin se bigbradhërizimi i qyteteve jo vetëm që nuk e parandalon krimin, duke gjykuar nga qytetet që janë bigbradhërizuar por kamerat mund të shërbejnë si vegla për terroristët që t’i përdorin kundër një populli. Gjykuar dhe nga aftësia elektronike e policisë sonë, e cila krahasuar me mjeshtrat e organizuar të elektronikës, jo të shteteve kryesore, sigurisht (SHBA-së, Kinës, Rusisë etj.), por të mjeshtrave që kërkojnë të dëmtojnë një popull, kjo mundësi në anët tona rritet edhe më shumë![7] Oruelli e kishte parashikuar edhe këtë praktikë: telelvizorin që tabulon në mënyrë konstante shikuesit. Domethënë, qeveritë do të përdornin teknologjinë për të kapërcyer pragun e jetës private. Wikileaks tregoi se CIA tashmë e ka kapërcyer këtë prag pa u miratuar nga qeveria amerikane. Kushdo që sheh televizorin, youtube apo netflix, përgjohet në dhomën e tij qoftë edhe nëse aparaturat fiken. Parashikohet se deri në vitin 2020-të do të ketë më shumë se 20 miliard aparate elektronike. Prodhuesit e elektronikës shpesh bashkëpunojnë me prokurorët dhe komisionet qeveritare për të mbledhur të dhëna mbi shikuesit ndërsa ua shesin reklamuesve pa lejen e qytetarëve! Në Amerikë janë shënuar disa raste. Për të njëjtën arsye, autoritetet amerikane kanë hartuar udhëzime se si të ruhen veçanërisht aparatet mjekësore. Ndërsa komisioni europian po shtyn një sistem për çertifikimin e aparateve.[8] Ndërsa Amerika po përparon përdorimin e kartave biometrike (“ID cards”). Domethënë, përmes tyre do të mbikqyrin gjithë aktivitetin e një individi. Të gjitha të dhënat do të përpunohen nga njerëz të panjohur, të cilët do të punojnë për klasifikimin e tyre dhe do të dërgohen në bazën e të dhënave, se nëse, për shembull, ata përputhen apo jo me “standardet” e ‘mbretërisë së korporatave’.[9]

Nuk mungojnë edhe përdorimet e çipave elektromagnetikë. Kjo praktikë tashmë ka filluar. Në Greqi, për shembull, ngaqë populli gjendet përpara një sfide të vërtetë për mbijetesë, ndërmarrjet vendore u imponojnë punëtorëve injektimin e çipit në fjalë.[10]Kjo praktikë ka filluar të përdoret dhe në disa vende nordike. Argumenti që përdoret është se “çipat” sigurojnë individin nga kriminelët. Por është e qartë se përsa kohë që shoqëria krijon kriminelë për aq kohë ata mund të ndërmarrin veprime monstruoze si për shembull, të presin dorën e bartësit së çipit. Nëse krahasojmë, për shembull, pasaprotat elektronike me çipat, është e qartë se pasaporta parandalon të paktën gjymtimin e njeriut nga kriminelët. Kina ka filluar transaksionet pa pará dhe pa karta më shumë se Perëndimi. WeChat lejon celularët të kryejnë pagesa për të gjithë, nga shitësit e rrugës deri te lypsat, për sa kohë që ata bartin një kod për skanim. Nëse ndonjëri harron telefonin, teknologjia e njohjes së fytyrave mund të shpëtojë. Disa banka kineze lejojnë tashmë tërheqjen e paráve duke skanuar fytyrat e klientëve në ATM. Kështu eliminohet përdorimi i letrave të njoftimit ose kartave magnetike të kalimit. Por përdorimi i fytyrave për siguri shkon përtej kësaj praktike: atje ka më shumë se 176 mijë kamera vrojtuese përgjatë Kinës dhe shumë ndërmarrje po zhvillojnë teknologji të cilat përdoren nga ministrat e sigurisë për të gjurmuar dhe kapur kriminelët. Teknologjia përdoret për të ndëshkuar kalimtarët dhe çiklistët që shkelin rregullat e qarkullimit përmes një sistemi përqindjesh të “kreditit social” që është hartuar të imponojë sjellje të mirë dhe disiplinë politike. Kamerat në disa kryqëzime kapin njerëzit që shpërnjohin semaforët dhe postojnë fotot e tyre në ekranë televizivë të mëdhenj të instaluar në qendrat e qyteteve. Kjo praktikë do të përdoret kudo në Kinë deri në vitin 2020-të. Kreditet do të përdoren më vonë kundër shkelësve kur ata të kërkojnë hua bankare, bileta fluturimi ose edukim për fëmijët e tyre.[11] Ndërmarrjet kanë përqafuar qasjen e “blerjeve pa punëtorë” duke përdorur teknologjinë e njohjes së fytyrave dhe celularët dhe duke tejkaluar dhe qasjen e gjigandit “Amazon”: “Go”. Si pasojë e luftës së shpallur kundër terrorizmit — monopolet e aeroporteve në Amerikë kanë filluar të praktikojnë skanimin e gjithë trupit me rreze radioaktive.[12] Aktivistë të ndryshëm e kundërshtojnë këtë praktikë sepse ajo shkakton probleme shëndetësore, probleme në lëkurë dhe dëme në sistemin neurologjik të njeriut, përtej kufizimit dhe cenimit të intimitetit qytetar. Gratë shtatzënë shqetësohen më shumë se grupet e aktivistëve për efektet anësorë që mund të shkaktojë kjo praktikë. Ndërkohë që asnjë gjykatë amerikane nuk ishte dijësuar për cënimin e intimitetit; as ishin dijësuar anëtarët e kongresit amerikan: ajo ushtrohej krejtësisht në sekret! Si pasojë, OKB-ja urdhëroi Uashingtonin të hetojë dhe të dënojë të gjithë ata që kanë shkelur ligjet dhe kanë torturuar njerëz të pafajshëm.[13] Këtë zhvillim, kritikët e sulmojnë thjesht mbi argumentin e ‘dëmtimit kolateral’ — ndërkohë qeveritë argumentojnë se ky zhvillim do të ofrojë siguri te qytetarët ndërsa qeveritë perëndimore propagandojnë mikroçipat e injektuar në trupin e njeriut![14] Ato tregojnë se si një “mikroçip” mund t’i shërbejë njeriut dhe shoqërisë. Por nuk tregojnë se çfarë tjetër ‘mund’ të bëhet me të!

Në të vërtetë ky proces filloi me një eksperiment në vitin 1976-të: në një natë Halloween-i, ku disa psikologë eksperimentuan me 360 fëmijë, pa dijeninë e tyre.[15] Që nga ajo kohë janë zhvilluar edhe eksperimente të tjerë. Përfundimi i eksperimenteve, sipas psikologëve të establishmentit, është se ne ndryshojmë sjellje kur vrojtohemi dhe meqënse ndryshojmë sjellje, mirë është të vrojtohemi të gjithë me qëllim që të zvogëlojmë vjedhjet, të sillemi mirë e të tjera broçkulla si këto. Për të njëjtën arsye psikologët sugjerojnë përshtatshmërinë e njeriut në kushte të sajuara. Nga këto eksperimente, në të vërtetë, kuptojmë se ka dështuar edukimi i njerëzve nga shteti modern. Domethënë, në vend të synojmë të zhvillojmë veprime që burojnë nga  ndërgjegjja dhe virtytet, i kërkojmë ata nga vrojtimi. Kur mungojnë veprimet e ndërgjegjshëm dhe virtuozë, nuk do të ishte e çuditshme që njerëzit të zhvillojnë veprime jovirtuoze dhe të sugjerohen vrojtimet në fjalë për të racionalizuar njerëzit. Domethënë, psikologët nuk e kërkojnë veprimin virtuoz të burojë nga vetë virtytet (nga brenda) por nga vrojtimi (nga jashtë) duke braktisur edukimin e njerëzve dhe duke zhvilluar virtytet ndërsa mbrojnë idenë e vrojtimit për të racionalizuar veprimet e tyre! Kjo qasje është sa kundër-pedagogjike po aq dhe anti-shkencore. Në të vërtetë, psikologët nuk i kuptojnë virtytet, as se nga burojnë dhe as se si zhvillohen. Për të njëjtën arsye ata detyrohen të gjejnë zgjidhje te mbikqyrja. Gjykuar nga kjo padije, nuk do të ishte e çuditshme që Oruelli të vlerësonte rrjedhën e tregut të viteve ’50-të dhe të shihte të ardhmen e njerëzimit — se si risitë teknologjike do të përdoreshin nga qeveritë moderne kundër popujve. Por ai nuk tregon rrugëzgjidhjen. Për të njëjtën arsye, Dajsi paraqet se si ‘Big Brother’ është duke na vrojtuar dhe asnjëri nuk e frenon dot: sepse ai është shumë më i fuqishëm sesa mund ta imagjinojmë. Qasja është e thjeshtë: njëlloj siç reagonin qentë e Pavlofit,[16] në eksperimentin e tij që kreu në fillim të shekullit të kaluar, të cilëve u kultivonte instinktin (desensualizëm sistemik) me ushqimin që u hidhte për ditë dhe në të njëjtën orë ashtu edhe Big Brother: ai shërben si pararendës për ‘big-brother-izimin’ e qyteteve rreth botës dhe për ‘desensualizmin’ e njeriut. Ky desensualizëm ka filluar që në bankat e shkollës: aty fëmija mësohet se si të vrojtohet. Qëllimi është mësimi i njeriut me ‘syrin magjik’ në çdo hapësirë të jetës sociale.

Nga ‘përça dhe sundo’ në konkurrencë, “sukses” material dhe frikë

Megjithëse mund të ligjësohet lehtë vrojtimi i njerëzve nga politikanët profesionistë, duke përdorur argumentin e psikologëve dhe “sigurisë” sociale, objektivi është i qartë: kontrolli i popujve. Përveç përdorimit të konceptit të ‘konkurrencës’ në treg, që shërben kryesisht për të krijuar konflikte të heshtura midis qytetarëve, tëhuajësim dhe përçarjen sesa për zhvillim dhe bashkim aftësisht, një tjetër dinamikë zhvillohet para syve tanë: kultivimi i instinktit social për “sukses”—në kuptimin e suksesit material— paraqitet se shembull! Nuk vendoset, domethënë, si shembull jeta virtuoze prej së cilës buron lumturia—thelbi i jetës— por bota materiale! Efektivisht, elitat politiko-ekonomike dhe mediatike (por dhe fetare), synojnë kultivimin e “suksesit” material se sa zhvillimin e njerëzve virtuoz: sepse nuk e kanë të qartë as natyrën e virtyteve as edhe se si mund të zhvillohen. Kështu nga kjo mbivendosje elitat dhe shoqëritë kërkojnë njerëz të lumtur! Ndryshe nga koncepti i konkurrencës, që tashmë konsiderohet nga popujt i natyrshëm dhe i nevojshëm për “zhvillim” ekonomik...koncepti i dytë—d.m.th. kultivimi i ‘instinktit’ për “sukses” material, lakmohet nga pjesa më e madhe e shoqërisë: nga ithtarët e “moralit” social deri tek ithtarët e “moralit” familjar. Nuk mungojnë edhe sociologët e establishmentit të cilët merren me interpretimin e pjesëmarrësve ose ‘kavieve’.[17] Njëlloj si koncepti i konkurrencës, “suksesi” material që kultivohet nga masmedia, parafabrikon ‘dëshirat’ e qytetarëve —politikisht pasivë— ndërkohë që siguron ‘sukses’ për pronarët e kanaleve televizive. Kështu sa më shumë të përsëriten ‘reality-show’ të ngjashëm me “Big Brother” aq më shumë do të konsiderohet vrojtimi i shoqërisë i natyrshëm. Dhe sa më shumë “Vipa” (për rripa!) do të dalin nga kafazet e medias aq më shumë shoqëria do të lakmojë fitimin e lehtë. Për shembull, pop-stari amerikan, Majkëll Xhakson, pasi u transformua në idhull dhe pasanik nga industria e muzikës (botërore), nuk dinte të lumturonte veten e tij ndryshe, veç me narkomanizëm, sjellje narciste dhe plot vése, deri sa vrau veten. Ndërsa industria e muzikës parafabrikon monstra - vëtë industria është në luftë të përhershme. Siç konkuldon një analizë në FT:

Në kacafytjen e tyre për pjesën e tregut, korporata të mirë-financuara po administrojnë humbje të mëdha për t’u sjellë përdoruesve pikërisht atë që dëshirojnë, ndërsa paguajnë artistët një copë rroge. Nga perspektiva e konsumatorëve, kjo është e frikshme, qoftë edhe nga kulmi i piratisë në internet. Por gjendja është e paqendrueshme, dhe në fund të fundit teknologjistët, etiketimet e regjistrimeve, dhe ndoshta dhe muzikantët duhet të paguhen. Se si mund të duket gjendja e të ardhmes mund të hamendësohet nga çdo njëri, por për momentin shërbimet e rrymës (streaming) kanë arritur të bëjnë për vete të rinj, duke përfshirë edhe shumë piratë serialë, për të paguar për muzikën edhe një herë. Kjo në vetë-vete është një arritje e jashtëzakonshme.[18]

Që nuk kanë zhvilluar asnjë virtyt të qendrueshëm artistët e kapitalizmit dhe veçanërisht ata të këngës, duket kur mashtrohen nga ‘menaxherët’ që punësojnë: u thonë këta të fundit se përveç zërit shet edhe zbulimi i trupit, vithjeve, gjoksit etj! Madje, sipas “menaxherëve” më shumë se gjithçka tjetër shet aktrimi pornografik në skenë. Dhe ‘artistët’pa e mendur fare, hidhen në skenë dhe nga këngëtarë dhe muzikologë kthehen në pornografë. Kështu në vend të “kërcejnë” shpirtin dhe emocionet, ‘kërcejnë’ organet seksuale. Emocionet dhe shpirti nuk përdoren. Në vend të tyre përdoren kryesisht shqisat. Drejtorët e programacioneve —si ndërmjetës mes publikut dhe përçudnimit të ‘menaxherëve’— nuk ndërhyjnë: jo vetëm sepse do të cënonin lirinë e “shprehjes” artistike të këngëtarëve por kryesisht sepse kur rriten fitimet e artistit rriten edhe të administratorëve të masmedias. Kështu të gjithë bashkë “dehen” në përçudnimin e “menaxherëve” të artistëve. Njëlloj u shkatërrua edhe stari i futbollit, Maradona, nga “menaxherët” e industrisë botërore të sportit.

Fashionistët, si pjesë e diktaturës konsumeriste

Njëlloj paraqiten edhe industritë e tjera: nga moda, fashion apo/ose konsumi i atelieve i një apo/ose më shumë dizenjatorëve, të cilët kërkojnë terren në mbretërinë e publikut dhe konsumit botëror, duke shfrytëzuar koston (djersën) e lirë të punëtorëve në botën e tretë. Kjo industri, tashmë, me rreze globale, parafabrikon përftimet dhe pasivizon artet origjinal.Për këtë arsye, kjo industri është një tjetër diktaturë botërore. ‘Diktaturë’ sepse ajo ‘dikton’ —duke parafabrikuar— dëshirat e popujve. Pa u çuditur, shumë pronarë kanë bashkëpunuar me elitat kapitaliste. Madje shumë prej tyre kanë bashkëpunuar me nazizmin e shekullit të kaluar. Hugo Boss,[19] për shembull, pasi kërkoi falje për bashkë-punimin e familjes së tij me nazizmin gjermanë, përgjatë Luftës së Dytë Botërore, harroi të konsideronte shfrytëzimin e punëtorëve në rrobaqepësitë e vendeve të varfra. Modelet, në anën tjetër, vuajnë siluetën e shumë-kërkuar nga stilisti dhe industria e modelingut botëror. Dhe siç ato krijohen dhe imagjinohen nga industria përkatëse, ashtu parafabrikojnë objektivin e popujve. Bukuria e dëlirë e modeleve, shfrytëzohet duke premtuar ‘shkëlqim’. Kur ato “s’shkojnë” në tregun e marketingut, hidhen në rrugë nën justifikimin e mospërmbushjes së “standardeve” të industrisë! Qartësisht, problemi këtu është se ‘modelet’, njëlloj si sportistët, nuk zhvillojnë paralelisht virtyte dhe urtësi me qëllim që kur të tërhiqen nga bota e modelingut dhe sportit, të mund të balancojnë gjëndjen e përgjithshme shëndetësore.

Torovelizmi: aksioma e shoqërisë mondane

‘Forca e aksiomës së pavdekshme e një toroveli, pas të cilit mijëra ndjekin, predisponon se torovelët do t’i nxisin interesat e tyre dhe do të kthehen në baharajá në dëm të mendarëve. Mesa duket, kjo dukuri përbën bazilikë sociale. Është e vërtetë që të gjitha shoqëritë kanë për ‘detyrë’ jo vetëm t’i dëgjojnë torovelët, por edhe t’i ushqejnë në kurriz të tyre; edhe të tolerojnë ose të falin shkeljet, abuzimet dhe ekzibicionizmat kanonistikë që rezultojnë nga torovelizmi i abuzuesve. Është fakt se asnjë shoqëri apo grup shoqëror nuk u përpoq të themelojë ‘drejtësi torovelësh’, me qëllim që të bëjë të famshëm pjesëtarët e saj. Kështu, çdonjëri ka të drejtë të flasë, të veprojë të komunikojë dhe të rivendikojë, duke ekspozuar me baras-forcë absolute të drejtën e tij të pandryshueshme në torovelizmin personal. Eventualisht, detyrimi në racionalizëm do të baras-vlerësohet me totalitarizmin më të ashpër që do të ekzistonte. Çështja e torovelizimit nuk do të kishte përzgjerim të mëtejshëm nëse ‘precipitatet’ e llojit ‘jek-yll and hyde’, që shfaqen ‘thuajse’ në të gjithë mjetet e komunikimit masiv, buronin nga intelekti i dobët i atyre që i emetojnë apo ideojnë. Por ajo që shohim është krejt e kundërta. Nëse jemi gllabëruar nga irracionalizmi, disdemonia apo marrëzia, kjo s’do të thotë që po shumëzohen injorantët, por ngaqë shumohen përvetësuesit e shfrytëzimit të torovelëve’. Që nga momenti që konfirmohet ‘purgatorizmi torovelik’, i cili shet dhe rrit ligj-themelisht ‘arrogacionin’ i tij, mund të themi pa dyshim se kohët e racionalizmit do të shfaqen përherë e më shumë më të mundimshme.[20]

Kështu, që ta përcaktojmë dhe ta përzgjerojmë konceptin e naivitetit, dialektika moderne të çon në të ashtuquajturit ‘precipitate’ të horoskopëve; të magjive të zeza dhe të bardha; të ndajshpirtëzimit dhe të tele-shfaqjeve; të vetëshpallurve profetë; të mediumeve të llojeve të ndryshme; të magjistarëve dhe heretikëve; të rekrutëve në struktura të ndryshme fetare; gjithashtu, edhe përfaqësuesit e tyre, të cilët nuk është se janë vetëm protagonistë të emisioneve të veçanta por ata kanë filluar të shfaqen edhe në buletine lajmesh, duke përbërë lajm ‘sharlatanizmin jeremiadik’, por edhe duke ‘zbukuruar’ gazeta gjoja serioze apo periodikë të ndryshëm. Shembull në kësisoj rastesh do të ishin ofertat e ndryshme, të ashtuquajtura okazione/konvinienca në shtypin e përditshëm, të cilat përshkohen nga shërbime iracionale, kundër-prodhuese —që rriten me ritëm galopant në çdo kënd të botës. Gjithandej, bashkë me ringjalljen hiderike (e keqe e vazhdueshme) të sekteve fetare, lulëzojnë edhe lëvizjet e reja mitridante fetare, me broshura të tejbotshme, me redaktim profesional, me citate konstitucionale dhe maksima persuazive.

Eventualisht, arsyet variojnë: duke ditur që zvogëlimi i iracionalizmit është i pamundur, dhe, për më shumë, i qëllimshëm, duken kryekëput logjike operacionet dëshpëruese titanike të grupeve apo/ose individëve të veçantë që synojnë zhvillimin e veprimeve të përkorta/racionale. Kështu, në mënyrë analoge, torovelizmi si subjekt përshtatet vertikalisht në mjedisin e sipërpërmendur, me konsekuenca tandalike (qerthull vicioz) mbi shoqëritë moderne. Këto janë arsyet që shumë filozofë fraksionistë, të mesit të shekullit IXX, farsaizmin, dyshimin, hipokrizinë fetare —të cilët u metamorfozuan në filozofë teologjikë— i çuan çuditërisht në agnosticizëm dhe shpallën fushatën e re sociale —e cila vazhdon edhe sot dhe do të vazhdojë edhe nesër— në ‘dekonspirimin’, krijimin dhe sajimin e perëndive imagjinare. Dhe meqenëse ‘shpëtimi njerëzor’ kushtëzon përkushtim, shumë janë ata që e konsiderojnë veten se mund ‘të fekondojnë kozmoteorinë magjike’, dhe se posedojnë apo bastojnë, siç bëjnë në lojërat e fatit, për ‘shpëtimin’ e plebésë, jashtë pushtetit të themeluar. Në këto kushte —dhe që nga koha e iluminizmit të fundit— racionalizmi abstrakt, teolistikë apo/ose agnostistikë, duket se bind më shumë njerëz sot se në të kaluarën, në krahasim me ‘disdemoninë shqisore’ (materializmin dhe dialektikën mendore, fizike dhe shpirtërore).

“Dumbing down” kontribuon në venitjen e vigjilencës

Këto dukuri nuk zhvillohen në pavarësi të klasës politike po të mos ‘lubrifikohet’ grigja apo kopshti pjellor — aty ku kultivohet dionisticizmi dhe entuziazmi sivaritik. Siç ndodh me të gjitha mallrat që vërshojnë në treg, ashtu gllabërojnë edhe diçidurat apokaliptike dhe “shpëtimtare”, të cilat janë tejet të shitura dhe komerciale, meqënse bazohen në gjuhën e komunikimit masiv —e thënë ndryshe, rrezja propaganduese kthehet automatikisht në ‘indoktrinë’, një element, që siç duket, është eo ipso libidinal. Audienca e pakufishme e të rinjve sot varet shumë nga premtimi i mirë-formuar  —e thënë ndryshe, në një term perëndimor dhe mjaft të suksesshëm: nga ‘marketingu’. Për më shumë, meqënse të gjithë kanë për objektiv përfitimin dhe plotësimin e kënaqësive përmes tregut, do të ishte e natyrshme që vigjilenca për mbrojtjen dhe zhvillimin e vlerave më të larta shoqërore nga një popull, të binte në nivele dëshpërues. Kjo gjendje ndihmohet, për më shumë kontroll— edhe nga një koncept të tjetër: ‘dumbing down’— ‘si të bësh dikë më pak vigjilent’ dhe kur kombinohet me një koncept tjetër — d.m.th. ‘melting pot’ ose ‘përzierjen e racave’, që praktikohet në perëndim dyqind vitet e fundit, ofron lëndën e parë për të krijuar kushtet për kontroll absolut të popujve.

Në këtë kuadër, nevojitet ‘këshilla’ e medias — d.m.th nevoja për përçimin e mesazheve komercialë rreth iracionalizmit dhe disdemonisë individuale...”Big Brother-it”, duke ofruar hapësirë për “ekspertët” e establishmentit, të cilët parafabrikojnë përfitimin e shpejtë —jo në bazë të virtyteve dhe punës, por në bazë të aftësisë së “aktrimit”. Fundja, gjendja është degjeneruar edhe në nivelin e aktorëve profesionistë: aktorët e teatrit alternativ, për shembull, që luajnë në TV-të alternative/private, jo vetëm që shëmtojnë veten kur luajnë çdo lloj numri —sensual dhe seksual— ndërsa shihen edhe nga fëmijët, por harrojnë se teatri nuk synon vetëm ‘qeshjen’ por kryesisht edukimin, ndergjegjësimin dhe ndoshta, mobilizmin e një populli ndaj rreziqeve që i kanosen. Sigurisht, të gjitha këto krijohen për të zgërdhirë audiencën, qytetarët e kredhur në botën e kënaqësive dhe dëshirave të parafabrikuara, të paaftë për kritikë teatrale, ndërsa shëmtojnë veten, njeriun dhe bukurinë e tij. Nuk do të ishte e çuditshme që pjesëmarrësit të përfshiheshin në skena seksuale dhe “ekspertët” e masmedias të “analizojnë” veprimet duke vënë në dukje se cila ose cili është pretendenti kryesor për të fituar “trofenë” e shumë-lakmuar. Në këtë mënyrë, kultivohet fetishizmi, supersticionizmi apo/ose besëtytnia ndërsa ‘pashallarët’ e mjeteve e të komunikimit masiv, funksionojnë si sekserë të torovelizmit, ‘duke rrëmirë’ në hapësira të tjera “shkencore”.

Në “madhështinë” e mendimit kundërthënës botëror, teknologjisë dhe vrojtimit totalitar— politikanët profesionistë nuk ndryshojnë shumë nga ky efekt. Ndërsa për lëvizjet e përditshme kulturore horoskopi përbën lehtësim dhe shpresë, që pas tij vjen një fjalëkryq, kërkimi i paralogjizmave hedonistikë do të ishte rruga e vetme, sesa mund të ishte kultivimi i fjalës, mendimit dhe veprimit racional. Kështu, mjetet e komunikimit masiv jo vetëm që pasqyrojnë voluntarizëm imanent por edhe parafabrikojnë audiencën e shumë-dëshiruar, nën pretekstin e tregut të marketingut, nga emisione pa kurrfarë etike dhe qëllimi, duke përçuar paralogjizma donkishoteskë. Në këtë kuadër, edhe politikanët profesionistë janë “viktima”, pasi shpesh herë ata pyeten se ‘çfarë shenje janë në horoskop’, për të gjykuar se nëse vendi ku kandidojnë do të ketë begati! Bota moderne do të vazhdojë të jetojë distopinë (shoqërinë e vuajtjeve dhe padrejtësive të mëdha dhe totalitarizmin do ta thellojë edhe më shumë) nëse nuk ndryshon kuadër institucional dhe nuk adopton një qasje shkencore të dukurive sociale nga një perspektivë sistemike. Përdorimi i Oruellit dhe Hakslit (Huxley) nga shtypi dhe autorë të ndryshëm tregon vetëm simptomat e shoqërive: sepse parashikimet e tyre lidhen kryesisht me simptomat që dëshmonin shekullin e kaluar se sa me sistemin, çka nënkupton ai dhe efektet e tij në shoqëritë moderne. Siç konkludon një autor:

Një shoqëri botërore dominante e sunduar nga një parti dhe një udhëheqës i fortë, një shoqëri e cila përdorë çdo metodë të mundshme të mbikqyrjes dhe mbledhjen e të dhënave për të mbikqyruar dhe kontrolljë qytetarët e saj, një shoqëri që gëzon një rritje rekordi mirëqenieje dhe bollëk, dhe që përdorë teknika të reja të paprecedenta në shkencë dhe gjenetikë—ajo shoqëri do të dukësh si një përzierje e vizionit të Oruellit dhe Hakslit. Ajo do të dukësh gjithashtu si Kina e ditëve moderne. Zhvillimi i “qytetarit të pikëve” kinez, një përzierje metrike për reputacionin financiar dhe social-politik, që përdoret për të përcaktuar qasjen në çdogjë nga udhëtimet deri tek edukimi dhe spitali, është një përzierje aq e përsosur distopike që ne nuk mund t`ia besojmë një shkrimtari të ri, Haksuellit...Haksli dhe Oruelli shkruajtën librat e tyre për të parandaluar distopitë. Suksesi i tyre në profeci ishte gjithashtu dështimit i tyre— sepse sa më të drejtë janë atë [në parashikim], aq më shumë projekti i tyre nuk bëri atë që supozohet se do të bënte.[21]

Përmbledhtas, qoftë sistemi financiaro-monetar, qoftë praktikat vrojtuese, që janë shpikur dhe do të shpiken në të ardhmen, janë kopjuar nga autorë të ndryshëm dhe i shërbejnë përqendrimit të pushtetit, politik dhe ekonomik—elitave: i pari, nga Kroesusi, i cili synonte shfrytëzimin e bashkëkohësve; dhe i dyti nga Orwell-i, i cili parashikoi të ardhmen e njerëzimit në nivel privacie. Të gjitha këto politika burojnë nga kuadri modern institucional: sepse është kuadri institucional që rekruton “ekspertë” dhe këta me radhë, parafabrikojnë konsesusin e dëshiruar me publikun.

*Pjesa e dytë e një studimi më të gjerë që është publikuar për herë të parë në vitin 2013 në librin Revolucion për demokraci gjithëperfshirëse dhe fronetike..


[1]ORWELLIAN DRONES: "Eye in the Sky" Spying on Americans, Stephen Lendman, Global Research, February 13, 2012.

[2]UK to take major role in making new ‘eurodrones’, The Independent, 17 February 2012.

[3]UK-France war centre speeded up, The Independent, 17 February 2012.

[4]Shih Andrew Gavin Marshall, The Transnational Homeland Security State and the Decline of Democracy, When Empire Hits Home, Part 4.

[5]Beware the electronic gossips eavsdropping in our homes, FT, December 23, 2015.

[6]Germany pushes for greater video surveillance with newly-adopted regulation, RT, 10 Mar, 2017.

[7]Shih, për më shumë, Demokraci apo barbarizëm?

[8]The internet of things: home is where the hackers are, FT, 10 March, 2017.

[9]Will Be More Detrimental To Freedom Than National I.D. Card - Freedom Watch, August 19, 2011.

[10]Çip për të kontrolluar punonjësit, Top Channel, 11 shtator 2011.

[11]Big Brother is watching you: China turns to face recognition, The Times, July 1 2017.

[12]And Body scanners, pat-downs violate law and privacy, CNN, November 18, 2010.

[13]UN urges full US torture investigation.http://www.presstv.ir/detail/151336.html.

[14]Why I want a microchip implant, BBC, 10 February 2014.

[15]How being watched changes you – without you knowing, BBC,10 February 2014.

[16]Procesi quhet desensualizëm sistematik sepse ky proces shfrytëzohet në marketing për të manipuluar përgjigjen te një stimulant (si të shohësh emrin e një produkti) që nuk provokon si fillim ndonjë ndjenjë. Objektivi është trajnimi i njerëzve për të bërë lidhjen e “gabuar” midis emocioneve pozitive (p.sh., lumturi ose të ndjehesh tërheqës) me qëllim që marka e veçantë e mallrave për konsum të reklamohet.

[17]Ky koment lidhet me ‘sociologët’ e ftuar në studiot e medias vizive.

[18]Who will win the streaming wars? FT, June 12, 2015.

[19]Fashion powerhouse Hugo Boss issues formal apology for its Nazi past,HAARETZ, 21 November, 2011.

[20]Profetët e Tregut, Kostandinos Çukalas, Sociolog, në Universitetin e Athinës, To BHMA, 8 Janar 2006. Në këtë kritikë autori bën një kritikë të shkëlqyer, mbi massmedian.

[21]Orwell v Huxley: whose dystopia are we living in today? FT, 18 January, 2019.

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA