...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Manifesti politik i Shqipërisë së re: pse Organizata Politike duhet të përfshihet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017-të?

Ylli Përmeti

26/12/2016 - 16:16

Koha e Partisë “Socialiste” dhe e simotrës së saj, LSI-së, në pushtetin e shtetit neoliberal, tregoi qartë se ajo jo vetëm që premtimet e saj nuk mund t’i realizonte, meqënse përgjatë kohës kur ishte në opozitë nuk kreu asnjë studim dhe nuk hartoi as edhe ndonjë program-projekt të mundshëm, por, më e rëndësishmja, ajo s’ka mësuar të studiojë as përgjatë kohës që është në pushtet. Dëftues është fakti që ajo mbron reformat e saj, veçanërisht reformën në sistemin e energjitikës, ku “harron” të përmend faktin tjetër —tejet të rëndësishëm— se ende s’ka treguar ndonjë faturë të paguar nga klasa politike, as ka dënuar shkaktarët e rrënimit të sistemit energjitik dhe as ka kuptuar se energjia që prodhon nuk është ekologjike. Përkundrazi, me miratimin e digave të reja, tregon për herë dhe më shumë se sa e keqedukuar është. Nga koha e saj, dhe i ashtuquajturi program i “majtë”, kuptojmë, gjithashtu, se “taksa progresive” nuk mund të krijojë në vetë-vete buxhet sufiçitar në kuadrin institucional që është integruar. Shkaqet mund të tregohen teorikisht dhe empirikisht. ‘Teorikisht’, meqënse vendi ynë nuk mund të konkurrojë në tregun ndërkombëtar me prodhimet e tij. ‘Empirikisht’ meqënse të gjithë vendet fqinje (kryesisht Greqia dhe Italia) të integruar në të njëjtin kuadër, vuajnë nga e njëjta simptomë.

Kujtoj se Greqia dhe Italia ka avantazhe konkurruese me ne por jo me Gjermaninë. Kjo është aryseja që në vend të ‘konvergonin’ si vende, një koncept ekonomik që e përdorin “ekonomistët” ortodoksë dhe që nënkuptojnë zbutjen graduale të pabarazisë mes dy vendeve të pabarabartë në një bllok ekonomik, divergojnë edhe më shumë. Kujtoj, gjithashtu, se kur u integrua Greqia me Italinë në BE/Eurozonë dhe në globalizmin neoliberal, pabarazitë mes tyre ishin më të vogla për shkak se shekullin e kaluar, të dy vendet ishin pjesë e bllokut ekonomik perëndimor ku principet keinsiane u eksperimentuan për herë të parë dhe konkurruan me principet marksiste të bllokut ekonomik lindor. As mund të realizojmë punësim të plotë të gjithë fuqisë punëtore: sepse përsa kohë që nuk konkurron dot dhe nuk gjeneron dot buxhet sufiçitar, për aq kohë nuk mund të investohet në sektorin publik, i cili, me rradhë, do të ruajë kërkesën në treg dhe do të mbajë prodhimin e ndërmarrjeve private konstant. Padija e Ramës dhe e këshilltarëve të tij u tregua edhe një herë kur premtoi së fundmi, se do të synojë të rrisë ekonominë e vendit në shifra që vetëm Partia e Punës realizoi (7%)! Padija e tij lidhet jo vetëm me paaftësinë tonë konkurruese në rajon por edhe me paaftësinë e kuptimit të gjendjes së përgjithshme të vendeve qinje, siç janë Greqia dhe Italia. Sepse ndryshe nga koha kur zhvillohësh ekonomia socialiste në Shqipëri dhe paralel me të zhvillohësh ekonomia social-demokrate në Perëndim, dhe rrjedhimisht kërkesa për importe (nga Shqipëria) ishte konstante, dhe oferta, gjithashtu, meqënse sektorët e ekonomisë u mirë-organizuan, aktualisht, ekonomia italiane dhe greke është dhe do të jetë në tkurrje, rrjedhimisht, kërkesa do të bierë. Edhe nëse supozojmë se ne zhvillojmë ekonominë në shifrat që premtoi Rama, me borxhe, sigurisht, ku do ta eksportojë prodhimin kur dihet se vendet kryesore të rajonit, do të tkurren? Pa përmendur këtu gjendjen ekologjike të vendit tonë. Qartësisht, qeveria “Rama” dhe të gjithë ata e ndjekin verbërisht, mashtron veten dhe popullin. Kjo është ana 'sistemike' e problematikës; sepse ana tjetër, është ‘politike’. 

Vendet kryesore perëndimore, dhe veçanërisht vendet europiane, kanë braktisur tre angazhimet kryesore politike të konsesusit social-demokrat: 1) punësim të plotë; 2) inflacionin e kontrolluar (‘inflacioni i kontrolluar’ këtu kuptohet në lidhje me rrjetin e bankave publike dhe sektorët publikë të ekonomisë dhe jo përmes ngritjes dhe/ose uljes së përqindjes së huave nga banka qendrore), intervencionet monetare dhe ruajtjen e kërkesës në treg; dhe (3) politikat proteksioniste. Pa këta tre mekanizma sistemikë blloku perëndimor nuk do të mund të konkurronte bllokun ekonomik lindor. Në globalizmin neoliberal, dhe ndryshe nga vendet e BE-Eurozonës, politikanët profesionistë në Amerikë vazhdojnë të angazhohen për punësim të plotë: vetëm duke përdorur politikat monetare. Por braktisja e politikës monetare që ka ndjekur Amerika shtatë vitet e fundit, do ta çojë, gradualisht, në papunësinë që karakterizon Europën në përgjithësi dhe periferitë e saj në veçanti. Dhe me institucionet ndërkombëtare, rolin hegjemonik të Amerikës dhe pushtetin ekonomik që është krijuar dhe përqendruar tre dakadat e fundit, është shumë e vështirë (por jo e pamundur) që ky proces të ndryshojë. Frenimi i këtij procesi, rrjedhimisht, i cili në Rendin e Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal, intesifikohet, imponon organizimin politik të shoqërisë dhe veçanërisht i shtresave të ulëta të saj (punëtorët me mëditje, të skajuarit etj.) dhe popujve që ndikohen më shumë nga katastrofa ekologjike, në një Front të vetëm.

Krijimi i Fronteve, me rradhë, nënkupton se veprimtarët politikë edukohen dhe mobilizohen si një trup i vetëm. Edukimi, me rradhë, imponon adoptimin e një program-projekti, kuptimin e objektivit të tij përfundimtar dhe rrugët përmes të cilave kalon objektivi në fjalë. Fakti që synohet krijimi i Fronteve popullore nënkupton se armiqtë e Fronteve do të jenë elitat aktuale. Ky proces nënkupton më tej se Frontet do të organizohen “nga poshtë”. Por ngaqë elitat aktuale do të pengojnë çdo përpjekje për organizimin e Fonteve “nga poshtë”, njëlloj ‘objektivizimi’ politik imponohet. Me ‘objektivizim politik’ këtu kuptohet propagandimi i qëllimit final të Fonteve. Propagandimi, me rradhë, nënkupton se do të shfrytëzohet masmedia aktuale, pavarësisht çensurës, dhe do të synohet hyrja në parlament ku do të propagandohen jo vetëm studimet tona por edhe qëllimet tona përfundimtare. Ngritja e Fronteve dhe synimi për të hyrë në parlament, duke shfrytëzuar zgjedhjet borgjeze - katër-vjeçare, nënkupton se ndryshimi sistemik kërkohet njëherësh “nga poshtë” dhe “nga lartë”. Qëllimi do të jetë krijimi i një qeverie për të kaluar nga rendi social-ekonomik aktual në një rend disi të qendrueshëm ku do të përdoren gjithë angazhimet e konsesusit social-demokrat. Realizimi i këtij objektivi nënkupton se paralelisht janë krijuar kushtet subjektive për një objektiv të mëtejshëm: për vetë-vendosjen e popullit, i cili do të jetë i lirë të zgjedhë, ose demokraci gjithëpëfshirëse ku pushteti nuk delegohet por ushtrohet për të gjitha çështjet kryesore që prekin një popull, ose demokraci gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese, ku populli sërish e ushtron pushtetin por e delegon atë për një kohë të shkurtër. Domethënë, jo më shumë se një vit. 

 

Objektivi i menjëhershëm dhe afat-shkurtër

 

Së pari, Qeveria e “Frontit Popullor” që të balancojë buxhetin duhet të kontrollojë në mënyrë të PËRHERSHME dhe RIGOROZE hyrjen dhe daljen e kapitalit, mallrave dhe shërbimeve (kontrolle doganore, kontrolle shkëmbimesh monetare, etj.), me qëllim që të thuret pavarësia ekonomike e vendit. Së dyti, duhet të bëjë një rivlerësim të situatës së burimeve reale të periferive. Për shembull, sa është papunësia reale, çfarë është lënë djerrë dhe si mund të shfrytëzohen ndryshe burimet etj. Dhe meqënse këtu propozohet një inflacion i KONTROLLUAR për zhvillimin e strukturave ekonomike rajonale, ky proces mund të fillojë nga bankat rajonale që duhet të kenë karakter shoqëror në bashkëpunim të plotë dhe gjithëpërfshirës me popullin e një rajoni. Së treti, politika  fiskale duhet të zbatojë rigorozisht, jo thjesht në princip, por në praktikë, taksimin progresiv. Pasi Qeveria e ‘Frontit Popullor’ të ketë rivlerësuar situatën, ajo duhet të zbatojë “taksën progresive” mbi të ardhurat. Jo, sigurisht, siç vepron sot PS-ja, por me kontroll paralel të kapitalit dhe mallrave, sepse praktika e ‘kasave’ pa prodhim dhe rend ekonomik është e destinuar të dështojë, për arsye se evazioni fiskal nuk mund të kontrollohet në sistemin prezent, sidomos te shtresat e larta, një fakt që pranohet përfundimisht edhe nga ekonomistë ‘ortodoksë’, të cilët, pa u çuditur, propozojnë mása shumë të pjesshme, siç janë taksat mbi të pasurit vetëm një herë (one-off capital levies)![1] Për të njëjtën arsye taksa duhet të bazohet mbi disa specifika rajonale. Për shembull, dendësia e popullsisë, metrat katrorë të aktivitetit, qarkullimi i mjeteve automobilistike etj., duhet të jenë parametra ose merren në konsideratë për taksat mbi mallin e tregtuar dhe jo taksë e njëjtë gjithandej, siç vepron PS-ja. Formalizimi i prodhimit bujqësor, në anën tjetër, të cilin e ka ndërmarrë qeveria “Rama”, me të ashtuquajturin “NIPT”, është gjithashtu një përpjekje e dështuar: sepse prodhimi do të vazhdojë të jetë primitiv (joshkencor), me kosto të lartë dhe jokonkurrent.[2]

Nëse konkretizohet rendi i vendim-marrjes komunitare dhe i sektorëve të ekonomisë, siç është ravijëzuar në vend tjetër,[3] qytetarët kanë shumë mundësi të paguajnë për herë dhe më pak taksa. Roli i Shtetit, siç jam munduar të tregoj në vend tjetër,[4] duhet të jetë i kufizuar. Qëllimi është fuqizimi i rolit të qytetarit në vendim-marrje dhe dobësimi gradual i rolit të shtetit (ose i qeverisë), në njërën anë, dhe ‘themelimi i ekonomive të pavarura, në anën tjetër: sepse ekonomia e pavarur përbën parakushtin e nevojshëm me qëllim që të mundësohet zhvillimi i betejës për një shoqëri të re. As Demokracia Gjithëpërfshirëse, as ekonomia socialiste (social-shtetërore ose liberale) nuk janë të mundura sot në një vend i cili nuk ka ri-marrë pavarësinë e tij ekonomike dhe pavarësinë e tij nga ekonomia e marketingut kapitaliste e ndërkombëtarizuar’.[5]

 

Objektivi afat-mesmë: ekonomia e pavarur

 

Ekonomia e PAVARUR këtu nuk kuptohet në kuptimin që i japin komunistët. Domethënë, përmes ‘teorisë’ Marksiste-Leniniste dhe planit shtetëror. Por përmes një ekonomie që do të mbështetet kryesisht te burimet vendore dhe mbulimin e nevojave bazë të popullit dhe vetëm në raste të veçanta te burimet e huaja, përmes ‘Demokracisë në Veprim’. Hapësira jonë gjeografike e mundëson këtë objektiv, sidomos nëse koordinojmë programin me forca politike në Dardani dhe vende të tjerë rreth Shqipërisë. Bujqësia dhe blegtoria duhet të shfrytëzohen kryesisht në respekt të mjedisit, zhvillimit dhe koordinimit të nën-sektorëve që lidhen me këta dy sektorë. Shfrytëzimi i blegtorisë dhe bujqësisë me bazë bashkitë dhe shkencën do të ishte një fillim i mbarë. Qëllimi nuk duhet të jetë rritja e prodhimit në dëm të Natyrës - por mbulimi i nevojave bazë njerëzore. Kjo nënkupton se vendi duhet të mbështetet në dy shtylla kryesore ekonomike:

 

·         në vlerësimin, zhvillimin dhe koordinimin e strukturave prodhuese të vendit; dhe

·         në krijimin e një modeli ndërlidhës konsumator të brendshëmqë me planin shtetëror të “socializmit” dështoi, kryesisht sepse ideologjia mbizotëruese ishte e përqendruar kryesisht në ‘eksporte’ sesa në mbulimin e nevojave të gjithë njerëzve,[6] dhe ndryshe nga modeli konsumator prezent, ku nënkalasa është hedhur në rrugë.

 

Objektivi i diplomacisë

 

Meqënse shumë tremben nga kërcënimet e kapitalit të huaj, sidomos nga kuadri institucional i modernitetit (FMN, BB, etj.), se një vend izolohet nëse kundërshton këto politika, duke gjykuar nga blloku ekonomik Lindor, i cili, në të vërtetë nënkuptonte një farë mbyllje, sepse e fillonte ndërtimin e shoqërisë nga ‘teoria’, e cila imponon një farë mbyllje, sepse ndryshe nuk realizohet...ata mund të “sfidohen” lehtë: thjesht duke përsëritur dëshirën themelore të çdo populli: lirinë për t’u vetë-organizuar jashtë kuadrit të G/N, me bazë Deklaratën e Vjenës,[7] pavarësisht se kjo deklaratë bie në kundërshti me një përcaktim të mëvonshëm të vetë Kombeve të Bashkuara![8] Ata mund të sfidohen, gjithashtu, duke përdorur edhe përfundimet që ka nxjerrë vetë FMN-ja për ekonomitë e dobëta.[9] Por kryesisht, ata mund të sfidohen, nëse një qeveri gëzon mbështetje të gjerë popullore. Në të vërtetë, kërcënimet institucionale që përjetoi bota e dy dekadave të fundit, buronin kryesisht nga elita mbikombëtare: sepse ajo kërkonte të zgjeronte ideologjinë e saj. Me zgjedhjen e Trampit këto kërcënime do të jenë më të buta meqënse orientimi i tij ekonomik është introvert. Domethënë, kërkon të zhvillojë ekonominë amerikane kryesisht përmes burimeve të brendshme. Kështuqë ky plan-projekt varet kryesisht nga ne.  

 

Objektivi afat-gjatë: pavarësi dhe ndërkombëtarizim i praktikave

 

Objektivi kryesor, pasi të jetë kontrolluar kapitali, mallrat dhe paralelisht janë ri-aktivizuar sektorët ekonomik të brendshëm dhe të ardhurat e Qeverisë së Frontit Popullor tregojnë qëndrueshmëri, mund të fillojë ç’angazhimi ynë nga institucionet e G/N (që në Shqipëri shprehet me “ndërkombëtarët” dhe institucionet e BE-së). Paralelisht me këtë proces qeveria duhet të krijojë kushtet për zhvillimin e qytetarëve politikisht autonomë, përmes gjithëpërfshirjes së popullit në vendim-marrje, një proces që nënkupton krijimin e kushteve për autonomi rajonale dhe një Ndërkombëtarizim të ri të Demokracive Gjithëpërfshirëse, bazuar në solidaritet dhe ndihmë të ndërsjellë. Vetëm përmes këtij procesi kufijtë shtetëror do të kenë rol dytësor dhe “bashkimi” i popujve do të jetë realizuar dhe “natyra e shtetit” do të mishërohet në natyrën e Natyrës.[10]

 

Përse çlirim social dhe kombëtar?

 

Sepse as socializmi marksist as kapitalizmi prezent në formën e tij neoliberale nuk i çliron popujt nga dhuna sistemike që është themeluar dy shekujt e fundit; të parët dështuan dhimbshëm dhe të dytët kanë dështuar, në të gjithë nivelet, pavarësisht propagandës së organizuar për ta mbuluar atë. ‘Konotacionet historike me vizitat analoge të fuqive pushtuese dhe qeveritë tradhtare, krijohen pa nxitim në ndërgjegjen popullore sociale në bazë të kuptimit të “pushtimit” që ekziston, në kushte të tjera në realitetin e sotëm grek, shqiptar dhe gjithë vendeve të periferive. Ndaj, është vendimtare që populli të kuptojë se pushtimi i dikurshëm ushtarak që ishte pushtim i jashtëm me armë, është se ai sot i ka dhënë vendin e tij pushtimit ekonomik i cili është pushtim i brendshëm. Është pushtim i brendshëm duke ditur që kontratat me Trojkën përcaktojnë institucionalisht ushtrimin e pushtetit ekonomik – dhe, rrjedhimisht, pushtetin politik - nga fuqitë e mëdha ekonomike, që do të thotë shfuqizimin e të drejtës së sovranitetit kombëtar në vendimet ekonomike/politike, qoftë edhe në bazë të kushtetutës civile. Pikërisht për këtë regjim të pushtimit ekonomik ku gjenden vendet në historinë e pasluftës, është shumë më i keqë nga regjimet ushtarake që kanë kaluar vendet, të cilët nuk guxuan që të vendosnin masa të tilla të shitjes së pasurisë publike dhe burimeve prodhuese. Pushtimi ekonomik është shumë më i keq nga pushtimi i huaj, sepse e mbështesin të gjitha shtresat sociale. Prandaj, betéja sot nuk mund të jetë thjesht për çlirim kombëtar, por betejë kryesisht për çlirim social, d.m.th një betejë qoftë kundër elitave të huaja, qoftë edhe vendore, pa mbështetjen e të cilave nuk do të ishte mundësuar katastrofa e sotme’.[11]

 

Për realizimin e këtij plan-projekt mund të angazhohet Organizata Politike (OP), meqënse ka treguar, që nga koha e themelimit të saj, se është virtuoze. Për më shumë, ajo ka dy avantazhe kryesore krahasuar me elitën aktuale: është e pakorruptuar dhe e pakorruptueshme. Si e tillë, ajo ka çdo të drejtë të propagandojë plan-projektin e saj për një Shqipëri të Re. Sidomos kur dihet se premtimet e partive politike në pushtet as do të mbahen as mund të realizohen dhe, kur dihet se shumica e popullit ka zhvilluar urrejtje për klasën aktuale politike. Kjo është një urrejtje që buron nga mjerimi dhe varfëria, pabarazitë dhe padrejtësitë. Reforma në drejtësi mund ta zbusë urrejtjen në fjalë në afatgjatë dhe vetëm nëse do të ketë sukses. Por prapëseprapë, edhe nëse drejtësia “shkëlqen”, kuadri aktual institucional nuk do të zbusë mjerimin, pabarazitë dhe varfërinë. As do të zbusë shfrytëzimin e punëtorëve. Përkundrazi, këta të fundit janë e vetmja shpresë e elitës politike, të të gjitha partive, për të nxitur investimet e huaja, meqënse me punëtorë të paorganizuar politikisht, mund t’i ulin rrogat kur të duan dhe sa të duan mjafton të vijnë të huajt e t’i shfrytëzojnë. Për të njëjtën arsye, mungesa e OP-së nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2017-të do të zgjaste –në kohë- edhe më shumë dhimbjen e shtresave të ulëta të shoqërisë dhe plan-projekti i saj, do të mbeste vetëm në letër, meqënse elita aktuale çensuron çdo lëvizje dhe autor që sfidon teorikisht establishmentin. Për më shumë, pjesëmarrja e saj në zgjedhje do t’i jepte asaj karakter juridik, dhe çensura do të eliminohësh. Në këtë mënyrë ajo mund të sfidojë establishmentin duke krijuar dinamikën e sfidimit të ideologjisë mbizotëruese sa “nga lartë” aq edhe “nga poshtë”.     

Në planin kombëtar, Organizata Politike mund të luajë rol vendimtar, sidomos në kushtet aktuale, kur asnjë parti, brenda dhe jashtë vendit, nuk e përmend bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm, sikur fqinjët tanë të kishin hequr dorë nga politikat diskriminuese, asimiluse dhe shtypëse: duke përdorur të drejtën ndërkombëtare për Vetë-vendosjen e popujve.      


[1] Capital levies for debt redemption, Vox, 15 August 2012.

[2] Shih për më shumë, Ekonomia ekstroverte kapitulloi Greqinë: Shqipëria drejt të njëjtës greminë.

[3] Drejt demokracisë virtuoze

[4] Po aty, nën seksionin: Në vend të epilogut: drejt demokracisë gjithëpërfshirëse.

[5] Η επιτακτική ανάγκη, για ένα Λαϊκό Μέτωπο Κοινωνικής και Εθνικής Απελευθέρωσης, ΤΑΚΗΣ ΦΩΤΟΠΟΥΛΟΣ(Ομιλία στο Εργατικό Κέντρο Χαλκίδας, 25/7/2012). Ky propozim mund t’u shërbejë aktivistëve edhe për detaje të tjera.

[6] Shih, për më shumë, Përtej statizmit dhe globalizmit neoliberal.

[7] World Conference on Human Rights, Vienna Declaration and Programme of Action (25 June 1993) UN Doc A/CONF.157/23 (12 July 1993), para 8, ‘democracy is based on the freely expressed will of the people to determine their own political, economic, social and cultural systems and their full participation in all aspects of their lives’.

[8] UNGA Res 59/201 (20 December 2004) UN Doc A/RES/59/201, para 1, (adopted by 172 votes to none, with 15 abstentions); UNCHR Res 2005/32 (19 April 2005) UN Doc E/CN.4/2005/L.10/Add.11, para 1, (adopted by 46 votes to none, with 7 abstentions). ‘…the essential elements of democracy include respect for human rights and fundamental freedoms, inter alia, freedom of association and peaceful assembly and of expression and opinion, and the right to take part in the conduct of public affairs, directly or through freely chosen representatives, to vote and to be elected at genuine periodic free elections by universal and equal suffrage and by secret ballot guaranteeing the free expression of the will of the people, as well as a pluralistic system of political parties and organizations, respect for the rule of law, the separation of powers, the independence of the judiciary, transparency and accountability in public administration, and free, independent and pluralistic media’.

[9] Shpërthimi i krizës sistemike në Rajon dhe Shqipëri.

[10] Këtu kuptoj ‘Natyrën e shtetit’, siç është përpunuar në: ‘Drejt demokracisë virtuoze’.

[11] Έξω από την ΕΕ ΤΩΡΑ μέσα από ένα Λαϊκό Μέτωπο Κοινωνικής και Εθνικής Απελευθέρωσης - Με αφορμή την επίσκεψη Μέρκελ,Οκτώβρης, 09 2012.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA