...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shkaqet e shkatërrimit të ekonomisë sonë: bujqësisë, blegtorisë, arrorëve dhe shëndetit të njeriut*

Bujqësia dhe blektoria nuk mund të zhvillohet pa dije teorike-sistemike dhe disiplinare. Domethënë, duke kuptuar sistemin në raport me sistemin global dhe dinamikën e tij dhe bujqësinë, bletorinë dhe tërësinë e sektorëve të ekonomisë në raport me dijen që zotërojnë pushtetarët

Ylli Përmeti

07/11/2017 - 10:06

Si u shkatërrua struktura prodhuese e socializmit?

Përpara se të tregoj se si u shkatërrua struktura prodhuese e socializmit marksist dhe pse, me dobi do të ishte të kundrojmë mbi faktin se prodhimi i përgjithshëm bruto i socializmit ishte rreth 16 herë më i vogël dhe mbulonte nevojat e një populli më të madh në numër dhe varfëria ishte dukuri kryesisht e kooperativave ndërsa në kapitalizmin neoliberal ku prodhimi i përgjithshëm bruto është gati 16 herë më i madh, varfëria është shtrirë kudo, në fshat dhe qytet, dhe është shfaqur mjerimi në një shkallë të padëshmuar ndonjë herë në historinë e popullit tonë.      

Pas 25 vjetësh socializëm Shqipëria vërtet lulëzoi. Nuk është e rastit që gjatë viteve 1970-80 u quajt “dekada e artë” e socializmit—shtet i pasur— sepse shumica e popullit gëzonte mirëqënie (mbulonte nevojat dhe rriste kursimet). Por nëse konsiderojmë prodhimin e përgjithshëm bruto të dekadës përkatëse, ai nuk i kalonte 2 miliardë dollarë. Shifra prej 2, 097 miliardë dollarë u arrit në vitin 1986 duke kulmuar me 2,253 miliardë dollarë në vitin 1989. Si pasojë e trazirave sociale dhe braktisjes së vendit në vitin 1992 prodhimi ra në 652.2 milionë dollarë, gati sa dekada e parë e socializmit: 1945-55.

Më pas, prodhimi u rrit me luhatje duke kulmuar në vitin 2018 me mbi 18 miliardë dollarë. Kjo sasi është mbi 16 herë më shumë se kulmi i socializmit kur vendi konsiderohësh i pasur dhe mirëqënia mbulonte përqindjen më të madhe të popullit: mbi 3 milion njerëz. Dhe ndryshe nga koha e socializmit kur varfëria ekzistonte në disa kooperativa por jo mjerimi, në “demokracinë” përfaqësuese dhe tregun e marketingut në të cilin jetojmë kryesisht dy dakadat e fundit, është shtuar si varfëria ashtu dhe mjerimi, në shifra alarmante!

Për varfërinë e socializmit në disa kooperativa Ramizi, pasuesi i Enverit, tregonte si shkak “shpërndarjen e të ardhurave”. Sipas tij, “kooperativat ishin njësi prodhuese që kanë dhënë kontribut të njohur për zhvillimin e bujqësisë shqiptare. Padyshim, ato kanë patur dhe defekte, sidomos në shpërndarjen e të ardhurave” (“Shpresa dhe zhgënjime”).

Kur orvatet të tregojë se çfarë mund të bëhësh me to ose të përmirësoheshin, ai thotë se “në fund të viteve ’80 ato kishin nevojë që të riorganizoheshin mbi baza të reja”. Po nuk përmend “bazat e reja” ose se çfarë nënkupton me to. Përmes kësaj qasje ai kundërshtonte argumentin e kundërshtarëve të kohës, partisë “demokratike”, të cilët, sipas tij, kërkonin prishjen e tyre dhe frymëzuan dhe grabitjen e tyre. Prishja në logjikën e grabitjes, sipas tij, nuk ishte dëshirë e fshatarsisë por e frymëzuar për synime politike. Domethënë:

“Kooperativat u prishën sepse ato përbënin njësi të organizuara jo vetëm ekonomike por dhe politike, ku ndikimi i Partisë Socialiste, siç u vërtetuar dhe nga zgjedhjet, ishte i padiskutueshëm. Partia Demokratike e njihte këtë realitet, e kuptoi se organizimi kolektiv i jetës së fshatit i jepte dorë Partisë Socialiste. Prandaj ajo nxiti që kooperativat të prisheshin sa më parë, në mënyrë që t`i jepej mundësi përçarjes së fshatit, zhvillimit të punës individuale me fshatarët, joshjes së shtresës së pronarëve të mesëm e të pasur me tapitë e vjetra”.         

Ndërsa ai ka të drejtë lidhur me rolin reaksionar të partisë “demokratike” në prishjen e kooperativave, ku ai s`ka të drejtë është lidhur me argumentin se fshatarsia nuk kishte dëshirë të prisheshin ato: sepse nuk dëshmuam ndonjë rezistencë nga fshatarsia në mosprishjen e tyre. Mendësia që mbizotëroi në atë kohë në gjirin e fshatarsisë ishte se një “epokë e artë” po lindte. Ndërsa kjo lloj mendësie —lidhur me të ardhmen— luajti rol në mosmobilizimin e fshatarsisë në mbrojtjen e pronës së përbashkët, një tjetër ishte pikërisht varfëria ose të ardhurat që nuk mbulonin nevojta e fshatarëve.

Ndryshimi i të ardhurave mes atyre që punonin në kooperativa dhe ferma bujqësore ishte gati tre fish. Kjo pabarazi në të ardhura shtynte shpesh fshatarët të braktisnin kooperativat dhe të shkonin në ferma. Njëkohësisht, të ardhurat e pakta bënin që prodhimi i fshatarsisë të eksportohësh jo vetëm jashtë vendit por dhe brenda vendit: buka e grurit, për shembull, përdorësh kryesisht nga qytetet ndërsa në fshat mbizotëronte buka e misrit. Kështu gruri që prodhonin fshatarët mbulonte kryesisht nevojat e qyteteve dhe nëpunësve përkatës pikërisht sepse mungonin të ardhurat mes fshatarësh ose mungonte kërkesa. Një faktor tjetër që lujti rol vendimtar në mosmobilizimin e fshatarëve për mbrojtjen e pronës së përbashkët ishte mospërfshirja e tyre në vendimarrje: sepse kur njerëzit nuk përfshihen në vendimarrje por realizojnë vendimarrjen e të tjerëve ata e konsiderojnë pronën e përbashkët të “huaj” dhe jo pjesë të shpirtit të tyre.

Kjo dinamikë krijoi kushtet për ndarjen e tokës bujqësore nga qeveria e Ramiz Alisë. Me ligjin Nr. 7501 datë 19.7.1991, “Për Tokën”, Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë me president Ramiz Alinë, Neni 5 lejoi familjet anëtare të kooperativës bujqësore, pas ndarjes së tokës, të shkëputeshin dhe të dilnin subjekt më vete, duke marrë në pronësi tokën që u takon nga tërësia e subjektit ku bënin pjesë (Neni 5) ndërsa ndalonte blerjen dhe shitjen e tokës (Neni 2). Por ishte partia “demokratike” me Ligjin Nr.452, datë 17.10.1992, “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”, që prishi përfundimisht kooperativat: “ndërmarrjet bujqësore ose njësitë e tyre që janë krijuar kryesisht nga toka e ish-kooperativave bujqësore, të shpërndahen” (Pika 1.)/Aleksandër Meksi.

Ramizi, në fjalë të tjera, iu nënshtrua dinamikës që krijoi Berisha dhe partia e tij dhe filloi të lëshonte pé: me miratimin e ligjit për ndarjen e tokës së kooperativave. Me këtë vendim ai ndihmoi partinë “demokratike” të fuqizohësh më shumë dhe shtroi binarët për partinë “socialiste”—se ku do të mbështetësh ajo: te klasa e mesme e lartë që po krijohësh njësoj si partia “rivale”. Kjo e fundit sapo erdhi në pushtet hartoi dhe miratoi —siç kishte planifikuar gjatë ngjizjes së saj— ligjin për shpërndarjen e kooperativave dhe shtroi binarët për shpërndarjen e gjithë strukturës ekonomike socialiste.    

Dihet se shkatërrimi i kooperativave pasoi me shkatërrimin e fermave dhe industrisë. Shkurt, ndërmarrjeve shtetërore. Në këtë mënyrë —duke shkatërruar pronën e përbashkët— zengjinët e rinj filluan t`i blinin ato thuajse falas, meqënse përmes shkatërrimit u zhvlerësuan, ndërsa paralelisht u zhvillua ideologjia kapitaliste. Fshatarsia braktisi fshatin ndërsa qytetarët e tjerë braktisën ndërmarrjet shtetërore dhe vendin. Humbjet ishin kolosale dhe dhimbjet të mëdha.

Kështu ndërsa Enveri organizoi prodhimin në baza shkencore dhe konkurronte në tregun ndërkombëtar me koston e ulët por dhe me cilësinë e lartë të tij —fakt për të cilin ishin në dijeni vendet fqinje, sidomos Greqia dhe Italia, dhe për të njëjtën arsye mbeshtetën shkatërrimin e strukturës ekonomike të socializmit tërthorazi dhe drejtpërdrejt— me braktisjen dhe shkatërrimin e tij zengjinët e rinj konkurrojnë me koston e ulët të punëtorëve ose rrogat mjerane të tyre.

Domethënë, dhe përtej faktit që bujqësia dhe blegtoria u braktis dhe u shkatërrua, ekonomia e re u përqendrua në sektorin e ndërtimit dhe fasoneri dhe nuk zhvillohet në baza shkencore por zhvillohet në bazë të shfrytëzimit të punëtorëve ose rrogave të ulëta të tyre dhe është pasojë kryesisht e spontanitetit se sa e racionalizuar. Ky faktor —vendimtar— josh kapitalistët e huaj, kryesisht nga vendet fqinje, për të investuar, duke shfrytëzuar kryesisht krahuan e lirë të punës së punëtorëve tanë.

Në këtë mënyrë, klasa punëtore shtypet dhe shfrytëzohet barbarisht, sidomos në sektorët strategjikë të vendit: miniera dhe sektorin e energjitikës (naftë etj.). Shfrytëzimi barbar nuk mungon as në fasoneri. Paralelisht, klasa politike, ose partitë kryesore të vendit tonë, kanë braktisur angazhimin për punësim të plotë. Kjo lloj braktisje është bërë me qëllim që klasa punëtore të shtypet.

Domethënë, në vend të kërcënojë klasa punëtorë klasën sunduese, siç ndodhi në vitet 60-70 në perëndim, të kërcënojë klasa sunduese punëtorët me papunësi. Në këtë mënyrë, ajo shijon fitimet dhe nuk kërcënohet. Nëse krahasojmë rrogat e elitës komuniste me të ardhurat e elitës kapitaliste, rrjedhimisht, ato janë të pakrahasueshme. Për shembull, rroga e një ministri në socializëm ishte gati pesëfish më e lartë se një kooperativisti (10 mijë lekë përkundër 2 mijë lekë në muaj) në kapitalizmin neoliberal të kohëve tona të ardhurat e tyre janë dhjetra fish më të larta.

Kjo është arsyeja se pse nuk përdor termin “rrogë” për ta por “të ardhura”: sepse qëllimi i tyre për t`u përfshirë në partitë politike është të vjedhin shtetin. Edhe nëse ka ndonjë që niset për qëllime fisnike, në proces korruptohet. Nuk kemi dëshmuar asnjë që t`i rezistojë korruptimit të përgjithshëm të shoqërisë. Kështu vendi ynë, me Enverin, kur prodhimi i përgjithshëm bruto ishte gati 20 herë më i ulët se në vitin 2018, ishte vendi më i pasur në rajon ndërsa me Berishën, Nanon, Metën dhe Ramën, ku prodhimi i përgjithëshëm është rritur gradualisht dhe kulmoi me gati 20 herë më shumë se socializmi i Enverit, është vendi më i varfër në rajon! Duhet thënë se fitimet që gjenerohen nga ndërmarrjet kapitaliste gjenerohen jo vetëm në “kurriz” të punëtorëve dhe të ekosistemit: sepse shumica e tyre kanë kontribuar në shkatërrimin e tij (ndërmarrjet naftënxjerrëse etj.).                        

Kujtoj edhe një herë se vetëm kur ne kuptojmë shkaqet e rënimit të një sektori ekonomik – ne mund ta zhvillojmë atë. Për të treguar shkaqet e shkatërrimit të ekonomisë shqiptare, këtu do të shqyrtoj bujqësinë dhe blektorinë si bazë të ekonomisë sonë. Sa e rëndësishme është, rrjedhimisht, pabarazia në shpërndarjen e të ardhurave në kuadër të BE-Eurozonës dhe Globalizmit Neoliberal dhe cila është lidhja e “standarteve” evropiane me sektorin e bujqësisë dhe blektorisë? Greqia, për shembull, radhitet në vendet më të varfra të Eurozonës bashkë me Spanjën, në një nivel varfërie më shumë se 20%. Sa i përket strukturës së punës, Greqia radhitet në nivele të ulëta rrogash dhe të ardhurat bruto për orë të manifakturës brenda komunitetit.

Në vitet 1970 ato ishin 47% dhe në vitin 1994 ishin 46%, dhe sot është poshtë gjysmës së Europës perëndimore, vende këto që tashmë kërkojnë reduktim të rrogave të punëtorëve, pavarësisht borxhit vendor. Ky fakt është evident dhe ka krijuar një rreth vicioz i cili nuk lejon rritjen e ekonomisë vendore. Kërkesa e tregut për produktet vendore dekurajon investitorët vendorë, gjë që çon në vetëpunësim.[1] Shqipëria, nga ana tjetër, pavarësisht se nuk është integruar plotësisht në të njëjtin rend, rrënimi i ekonomisë së saj po ecën me ritme të shpejta: bujqësia, për shembull, ndonëse me rendimente të kënaqshme përgjatë tre dekadave të para të socializmit marksist, me prodhim në drithëra, 5,3 herë më të lartë se viti 1945 në krahasim me vitin 1985,[2] por me probleme në shpërndarjen e të ardhurave,[3] është paralizuar totalisht. Sasia e tokës së kultivueshme në vend është në mjerim. Toka kultivohet shumë pak dhe praktikat janë primitive dhe prodhimet janë të mbingarkuara me hormone dhe koncentrate. Një sasi e konsiderueshme është betonizuar dhe pjesa tjetër po moçalohet.[4] Një pjesë tjetër e fermerëve nuk kanë kurajën për ta kultivuar tokën — për dy arsye kryesore:

  1. arsyeja e parë lidhet me pamundësinë e çdo bujku apo/ose fermeri që të kultivojë tokën mekanikisht — d.m.th me ndihmën e industrisë bujqësore. Krijimi i një kooperative bujqësore në Shkodër,[5] për shembull, tregon se kjo problematikë është kuptuar deri diku. Por ajo do të dështojë nëse synon cilësinë, sepse në treg dominojnë mallrat e huaj me çmim shumë më të lirë se prodhimet vendore: për dy (nën)arsye: sepse vendet fqinje janë integruar herët në tregun kapitalist dhe përdorin fára me ndryshime gjenetike ndërkohë që përgjatë rritjes e pjekjes përdorin hormone bimore. Ndryshimet gjenetike në kombinim me plehrat kimike dhe teknologjinë e lartë — ulin koston e prodhimit. Nuk është e rastit që një pjesë e mirë e fermave në Britani po braktisin mbarështimin “bioorganik” të gjedhëve pavarësisht kërkesës në rritje. Sepse kostua e lartë e ushqimit të gjedhëve është e papërballueshme.[6] Ferma të tjera përdorin praktika monstruoze.[7] Në Amerikë ndërmarrjet që shpërndanin ushqim të koncentruar janë në tkurrje.[8] Sepse konsumatorët kanë kuptuar efektet negative në shëndetin e tyre dhe janë në kërkim të ushqimeve tradicionale. Si pasojë, një perandori është në rënie të lirë dhe një tjetër po ngrihet. Ato kanë filluar që nga viti 1980-90-të - të reduktojnë shpenzimet në marketing, kërkimin shkencor dhe në kuptimin e konsumatorëve duke theksuar më shumë promocionet tregëtare, uljen e çmimeve, krijimin e marrëveshjeve me studiuesit dhe shpërndarjen e prodhimeve në raftet e supermarketeve. Shkurt, çdo kooperativë duhet ose t’i përshtatet tregut kancerogjen ose të prodhojë produkte cilësore dhe t’i shesë ato te shtresat e larta. Thënë ndryshe, në kuadër të një shoqërie klasore dhe një shoqëri përfitim-orientuese fermerët ose do t’i përshtaten praktikave më fitimiprurëse — domethënë, do të manipulojnë me prodhimin, ose do të sigurojnë blerësit e mundshëm dhe do të prodhojnë me cilësinë që ata imponojnë. Nëse gjykojmë nga praktikat e ndërmarrjeve kapitaliste, ato zakonisht sigurojnë në një shkallë të lartë blerësit dhe prodhojnë në bazë të kërkesës që krijon sistemi. Pjesa tjetër e ndërmarrjeve i përshtatet tregut. Ndryshimet gjenetike dhe përdorimi i hormoneve, rrjedhimisht, me gjithë pasojat që shkaktojnë në organizmin e njeriut, bimëve dhe kafshëve, bëhen të pashmangshme. Në kuadër të propozimeve hileqare dhe idiote kohët e fundit, disa akademikë gjermanë në bashkëpunim me disa homologë shqiptarë, sugjeruan jo ndryshimin e filozofisë ekonomike, por thjesht ndryshimin e teknologjisë me qëllim që të konkurrojmë vende të tjerë të rajonit! Por teknologjia kineze, për shembull, që nuk ishte efiçente sa teknologjia e kohëve tona, mbështeste zhvillimin e tonë në një shkallë të lartë: më shumë se 40% të PBB-së. Ndërsa tani ai është rreth 18% ose rreth $2.2 milionë![9] Kjo përqindje është përmbysur, sepse toka në socializëm ishte pronë e përbashkët dhe kultivohej një sipërfaqe e madhe me pak mjete bujqësore industriale (traktorë, autokombanjë, etj.). Për kooperativistët ishte krijuar një proces që shoqërohësh me ekspertizë shkencore dhe mirë-organizim —përmes të cilit realizonin njëherësh disa objektiva: rrisnin cilësinë, sasinë dhe ulnin koston e prodhimit. Kujtoj, edhe një herë, se agronomia shqiptare arriti nivele të lartë cilësie dhe prodhimi falë organizmit shkencor të disiplinës përkatëse, në teori dhe praktikë, pavarësisht se dekadën e fundit filloi abuzimi me kimikatet. Domethënë, u përmbys raporti i plehrave në përdorim për bujqësinë, mes plehut organik dhe plehut kimik. Kështu ndërsa përmes këtij procesi realizoheshin objektivat, burokracia shtetërore ndikonte në rritjen e kostos. Sot bujkut i duhet të sigurojë njëherësh edhe tokën edhe mjetet bujqësore, por edhe njohurinë e nevojshme —empirike dhe shkencore— për të arritur në rendimente dhe cilësi të lartë, por edhe të gjejë blerësin e mundshëm. Aspekti i ‘fundit’ të prodhimit në tregun aktual është më problematiku sepse prodhuesit nuk mund të dinë se nëse do ta shesin apo jo prodhimin. Dhe është pikërisht kjo dinamikë që pengon zhvillimin e çdo kooperative. Gjithashtu, sugjerimi i “akademikëve” gjermanë, lidhur me teknologjinë, fsheh një të vërtetë tjetër: ata kërkojnë të shesin teknologjinë e tyre pavarësisht sesa e domosdoshme, cilësore dhe e dëshirueshme është ajo. Sepse me krizën energjitike që do të përfshijë vendet e industrializuara në të ardhmen, meqenëse i karakterizon e njëjta dinamikë, me atë të fermerëve, teknologjia gjermane duhet t’i përshtatet epokës post-naftë. Ndërsa kontributi i bujqësisë ka rënë më shumë se gjysma (22%), që nga koha e socializmit (1990), toka e privatizuar e cila përdoret në bujqësi është në shifrën 80%.[10] Pjesa tjetër (20%) hamendësisht është shtetërore. Kjo nënkupton se në Shqipëri do të shohim firma të huaja fantazma për të investuar në këtë sektor, pasi “ekspertët” e establishmentit e mbështesin politikën e ‘shitjes’ së tokave si rrugëzgjidhje për bujqësinë! Nuk do të ishte e çuditshme që blegtoria jonë të tkurret, sidomos dekadën e fundit: numri i lopëve, për shembull, është më i ulëti që nga viti 1983.[11]
  2. arsyeja e dytë lidhet me “monopolet në nivel botëror”: bujqësia dhe prodhimet e saj gjenden nën presione të tregut botëror, i cili është monopol i korporatave mbikombëtare të cilat dekadat ‘70-‘80-‘90, modernizuan fermat me ekipe shkencore duke e rritur rendimentin -  jo cilësinë - me ndërhyrje gjenetike — domethënë duke modifikuar elementët përbërës të farave.[12] Atje janë të paktën gjashtë korporata shumëkombëshe. “Monsato” udhëheq kursën.[13]Dy janë arsyet bazë se përse modikimi i farave ndërmerret: që bima të jetë rezistente kundrejt herbicideve me nivel të lartë toksik, siç është “glyphosate” dhe “roundup”, të cilët janë patentuar nga kompania amerikane “Monsato” në vitet 1970;[14] dhe që të ulet kostua e prodhimit.

Harta e rajonizimit të bujqësisë: një tjetër “propagandë e zezë”

Qeveria “Rama1+2” na komunikoi “hartën e rajonizimit të bujqësisë” përmes së cilës kërkon të rigjallërojë sektorin![15] Edhe kjo praktikë - është adoptuar nga politikat e BE-së. Përmes kësaj harte qeveria kërkon të nxisë ndërmarrjet e vogla për t’u orientuar drejt bujqësisë duke u garantuar dëmshpërblimin nëse nuk shesin prodhimin. Ajo kërkon të kalojë ‘nga një bujqësi e mbijetesës te një bujqësi e dijes e konkurrencës dhe e përfitimit përmes konkurrencës’dhe të rrisë‘efektivitetin e skemës së mbështetjes së fermerëve, përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes dhe të kullimit, si dhe vendosjen gjithmonë e më shumë para syve të të gjithë njerëzve të sektorit dhe shembujve të suksesit që krijojnë zinxhir vlerash’! Për ta realizuar këtë objektiv ajo do të integrojë pesë masa kryesore:

  • Agropërpunuesit do të lehtësohen me një ulje të TVSH-së prej 20% nga 6% që ishte;
  • Ndërmarrjet e vogla nuk do të paguajnë TVSH për importimin e makinerive agro-ushqimore;
  • Sektori i peshkimit do të përjashtohet nga taksa e qarkullimit dhe e karbonit për karburantet;
  • Nafta për bujqësinë do të jetë plotësisht e subvencionueshme përkundër faturës; dhe
  • Do të hiqet tarifa doganore për grurin, materialin biologjik, miellin, dhe ushqimin për kafshët.[16]

Por përtej faktit që subvencionimi ngre koston për qytetarët e tjerë, sepse çdo ‘subvencionim’ buron nga tërësia e taksave të qytetarëve, ky “riorganizim” i sektorit nuk ndihmon as në rritjen e cilësisë as edhe të sasisë, sepse praktikat aktuale janë në shumicën e tyre primitive. Ndërmarrjet e agropërpunimit, për shembull, përgjithësisht janë monopole në treg, sepse vitet e fundit janë pajisur me makineri cilësore dhe në to, siç dihet, janë aksionerë politikanët tanë profesionistë, tërthorazi dhe drejpërdrejt. Nga ulja e taksës për këtë kategori ndërmarrjesh, rrjedhimisht, qeveria pasuron monopolet dhe varfëron popullin. Dhe për të mbuluar deficitin qeveria po vazhdon të marrë borxhe, të cilët, ia faturon popullit. Ndërsa heqja e TVSH-së për ndërmarrjet e vogla është një fiasko përsa kohë që ato s’kanë fuqi blerëse. Ndërkohë detet dhe liqenet tanë, për mos të folur për lumenjtë, janë tejpeshkuar, për mos të thënë shkatërruar, nga peshkimi intesiv dhe barbar (me dinamit etj.). Për të njëjtën arsye, peshkimi duhet të riorganizohet mbi baza rigorozisht shkencore: ai jo vetëm që duhet t’i përmbahet ciklit të shumimit të peshqëve, por përmes një politike ekologjike qeveria duhet të zhvillojë rezervate ku mund të kultivohen peshqit dhe të mbulohen nevojat e popullit për ushqim. Subvencionimi i naftës për bujqësinë kontribuon disi në kursimet e fermerëve, por nuk e zhvillon sektorin, as në cilësi as në sasi. Heqja e tarifës doganore për grurin dhe nënproduktet e tij jo vetëm që kërcënon shëndetin e përgjithshëm të popullatës, sepse nuk dihet se çfarë cilësie do të importohet, por kërcënon edhe më shumë zhvillimin e kulturës së grurit në vend.

Heqja e tarifës doganore, në të vërtetë, bëhet për të mbajtur të palëvizur çmimin e bukës: sepse tregu ynë dominohet nga gruri rus dhe serb (rreth 50% dhe 30%). Dhe Rusia së fundmi rriti tarifat doganore mbi grurin. Gruri blihet me dollarë dhe ky i fundit u rritë në vlerë. Vlera e tij i bënë importet më të shtrenjtë. Për ta kontrolluar situatën, ish-ministri i bujqësisë, Panariti, u sugjeroi tregëtarëve të rrisin stokun: nga një muaj në tre muaj. Tregëtarët, nga ana tjetër, nuk u kënaqën me heqjen e tarifës doganore por i kërkuan qeverisë edhe heqjen e TVSH-së deri sa të vijnë të korrat e vitit![17] Padija e ministrisë së bujqësisë vazhdoi dhe Peleshin kur ai paraqiti “shtatë piketa” për zhvillimin e bujqësisë: së pari, ai këkon të rrisë produktivitetin dhe konkurrueshmërinë, sepse, sipas tij, i mungojnë sektorit; së dyti kërkon të ulë koston e prodhimit duke iu referuar modeleve më të mira; së treti, kërkon të krijojë “zinxhirin e vlerës”, i cili, sipas tij, lidhet me eksportet; së katërti kërkon të ngrejë agrobiznesin, sepse ky qendron mes bujqësisë dhe turizmit; së pesti kërkon të përmirësojë standartet; së gjashti të formalizojë sektorin që të përfitojmë fonde nga BE-ja; dhe në fund, do të decentralizojë kompetencat që lidhen me institucione të rëndësishme në bujqësi siç janë bordet e kullimit!

Se çfarë realizohet përmes masave të para është e qartë: pasurimi i oligopoleve të agrobiznesit dhe varfërimi i popullit. Ndërsa përmes masave të dyta, realizohet krijimi i një iluzioni tjetër. Më konkretisht, ministri kërkon të rrisë produktivitetin pa kuptuar se si rritet ose se nga buron ai! Por ka shumë gjasa që Peleshi ta lidhë rritjen e ‘produktivitetit’ me konkurrueshmërinë. Nuk është e rastit që ai vendosi bashkë rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë. Hamendësisht, sepse beson, siç besojnë disa homologë të tij, të kohëve tona, se rritja e konkurrencës (ose krijimi i sa më shumë ndërmarrjeve private) çon në rritje të produktivitetit. Nëse është kështu, që me shumë gjasa është kështu, sepse Peleshi si gjithë ministrat e tjerë ka katapultuar në administrimin e insitutcioneve shtetërore pa kuptuar as se si administrohen institucionet e as se si zhvillohet dhe administrohet ekonomia me sektorët e saj bazë: bujqësinë dhe bloktorinë. Për shembull, rritja e produktivitetit lidhet ngushtë me kërkesën dhe jo me konkurrueshmërinë. Lidhet, për më shumë, me zhvillimin e urtësisë praktike dhe teorike të punëtorëve të sektorit. Konkurrenca, në këtë proces, luan rol dytësor dhe nuk është forca e parë e rëndesës. Se cila është forca e parë e rëndesës, është bërë e qartë tashmë edhe për puntorin më të thjeshtë të ekonomisë: përfitimi. Kërkesa, zhvillimi i urtësisë praktike dhe teorike, jo vetëm lidhur me prodhimin e një ndërmarrje ose me procesin e brendshëm por dhe lidhur me gjithë prodhimin e ekonomisë, si brenda vendit ashtu dhe jashtë, dhe përfitimi, janë mekanizmat bazë që çojnë në rritjen e produktivitetit. Pa kuptuar mirë dhe drejtë këtë raport, gjithë “piketat” e tjera të Peleshit janë shprehur në kuadër të padijes dhe përpjekjes së tij për të treguar se e kupton sistemin dhe mekanizmat e tij. Janë, në fjalë të tjera, “ide” kopjative pa asnjë kuptim. Njëlloj janë dhe qendrimet e Ramës lidhur me problemet që përballen prodhuesit.

Për shembull, për pataten e fermerëve të Korçës, Rama argumentoi se ka ‘mbiprodhim të patates...nuk ka treg dhe të gjithë shikojnë nga shteti...a thua se është qeveria që duhet të shkojë të blejë patatet’. Më tej Rama shkon dhe tregon shkaqet e tjerë: ‘së pari [patatja e Korçës] është më pak e preferueshme se patatja e verdhë e Kuksit dhe së dyti del kur del patatja e dytë e Divjakës. Duhet të ndërrojnë lojën. Duhet të heqin dorë nga patatja dhe duhet të kalojnë te pamtaria – te mollët’. Kështu përtej faktit që shtrembëron shqipen, Rama adopton qasjen paleolitike të Marksit se kriza kapitaliste i atribuohet ‘mbiprodhimit’! Në rastin konkret, fermerët prodhojnë më shumë se kërkesa në treg dhe kështu ata nuk mund ta shesin prodhimin! Por kjo është një qasje problematike dhe nuk mund të zbatohet për çdo sektor dhe prodhim: sepse megjithëse fermerët mund të gabojnë në nxjerrjen e prodhimit —në rastin konkret të patates— ata mund ta shesin –pse jo, me ndihmën e qeverisë— për ta përpunuar, kur dihet se patatja është drithi i katërt më i rëndësishëm botëror dhe bart vlera kurative të jashtëzakonshme për shëndetin e njeriut dhe kafshëve.

Sërish, ‘mund të gabojnë’, sepse dihet se tregun e dominojnë oligopolet dhe dihet se janë oligopolet që përcaktojnë fatin e prodhimit të çdo fermeri. Për të njëjtën arsye, pretendimi se ‘ata mund të gabojnë’, kërkon hetim jo vetë lidhur me pikat e shumicës por edhe lidhur me mbulimin e nevojave të tregut: sepse dihet se fermerët ‘korruptojnë’ administratorët e pikave të mbledhjes me qëllim që të shesin prodhimin e tyre. Dhe pasi të hetohësh dhe përfundimet ishin si ato që pretendon krye...se ka mbiprodhim, pse mos të ndihmonte qeveria në krijimin e një ndërmarrje kombëtare përpunuese për pataten ku të prodhoheshin prodhime bio-organike prej patates dhe të ‘konkurroheshin prodhimet e huaja kancerogjene siç janë patatet ”chips” e të tjera si këto? Pa përmendur mungesën e kërkesës, e cila është braktisur nga politikat neoliberale — domethënë, është braktisur angazhimi për punësim të plotë të popujve nga qeveritë neoliberale me qëllim që të tregojnë se tregu është plotë...Qartësisht, Rama s’e ka idenë as nga administrimi i shtetit (institucioneve të tij) as nga i ekonomisë dhe sektorëve të saj bazë.            

Kështu, ndërsa praktikat primitive për kultivimin e bimëve dhe praktikat barbare për mbarështimin e kafshëve do të vazhdojnë — sepse edhe nëse një fermer përfiton nga masat e mësipërme, nëse ai shkon në treg ku furnizohet me plehra për bimët dhe ushqim për kafshët, ai do të vazhdojë të blejë produktet që kanë kosto të ulët për të ulur koston e prodhimit dhe rritur përfitimet. Produktet e huaj —të cilët nuk mungojnë falë integrimit tonë në rendin e ri botëror të globalizmit neoliberal— ndihmojnë në përshpejtimin e zhvillimit dhe pjekjes së bimës dhe gjedhit dhe në rritjen e prodhimit të qumshtit. “Dap-i” tashmë është bërë plehu “organik” i fermerëve dhe e përmendin kudo dhe pa droje. Kështu fermeri do të vazhdojë të këshillohet nga “specialistët” e tregut, se si, për shembull, do të zhvillojë prodhimin.

Shkurt, prodhimet kancerogjene do të vazhdojnë të kultivohen në treg. Këto prodhime, pikërisht sepse kanë kosto të ulët prodhimi, do të blihen nga shtresat e varfëra me gjithë sëmundjet që shkaktojnë tek ata dhe koston e lartë për mjekimin e tyre. Nuk është e rastit që “harta e rajonizimit” nuk përmend askund prodhimet “bio”. As edhe Peleshi i përmend ato! Përkundër, për shembull, përpjekjeve të Kubës për të zhvilluar prodhime ‘bio’. Në të vërtetë një projekt për zhvillimin e prodhimeve “bioorganike” është komunikuar nga qeveria aktuale. Ai financohet nga qeveria zvicerane.[18]

Sipas tij, ajo synon inspektimin dhe çertifikimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me qëllim që të integrohen në tregun ndërkombëtar të marketingut — d.m.th. të eksportojnë dhe të zbusin varfërinë e fermerëve të vegjël. Por ndërsa ky objektiv mund të realizohet në një farë shkalle, në të vërtetë, Zvicra synon të përfitojë nga kostua e ulët e prodhimit. Domethënë, nga rrogat e ulëta të punëtorëve. Nga kjo nismë do të përfitojnë edhe shtresat e larta në Shqipëri: sepse vetëm ato do të kenë mundësi t’i blejnë prodhimet “bio”. Por ata që do të përfitojnë më shumë do të jenë zviceranët dhe vende të tjerë perëndimore. Për të realizuar këtë objektiv qeveria aktuale ka përfshirë fondin “Besa”, një fond “jobankar” burimet financiare të të cilit janë institucione ndërkombëtare financiare (Open Society Institute, Wold Bank etj.). Kjo është arsyeja që ky institucion financiar ka adoptuar konceptin e “zhvillimit” ekonomik që propagandon qeveria aktuale: “zinxhirin e vlerave”![19] Panariti, për më shumë, pasi trashëgoi oligopolet nga qeveria pararendëse dhe sajoi tregun e të varfërve dhe të pasurve dhe, siguroi përftimet analoge për oligopolet, kërcënoi se ‘ata që s’e punojnë tokën do të taksohen më shumë’! Qartësisht, bujqësia dhe blektoria nuk mund të zhvillohet pa dije teorike-sistemike dhe disiplinare. Domethënë, duke kuptuar sistemin në raport me bujqësinë dhe tërësinë e sektorëve të ekonomisë.             

Shkatërrimi i arroreve

Ndërsa kjo është gjendja bujqësore dhe blegtorale në Shqipëri, për mos t’u shtrirë këtu në sektorin e frutikulturës...gjendja e ‘arrorëve’ për vendin tonë është edhe më kritike. Zhvillimi i këtij sektori — d.m.th i arrave, bajameve, lajthive, shegëve etj.— do të sillte ushqime dhe rezerva dimërore sepse ato bartin vlera kurative dhe ushqyese për organizmin e njeriut (por edhe për kafshët). Ky sektor, ndryshe nga pretendimet e ish-kryeministrit Berisha, është shkatërruar. Siç citon një studim i Ministrisë së Bujqësisë:

Statistikat në dispozicion mbi prodhimin e arrave në Shqipëri janë të kufizuara, megjithatë është vlerësuar se ka rreth 50 mijë pemë të kultivuara që prodhojnë arra, të cilat mbulojnë një sipërfaqe prej rreth 500 hektarësh. Është vlerësuar se ka edhe rreth 94 mijë pemë në formën e pyjeve në rritje, duke mbuluar një sipërfaqe të llogaritur prej 1350 hektarësh...në Shqipëri prodhohen rreth 1600 tonë arra në vit dhe se fshatarët marrin rreth 200 lekë për kg arra të thara, pasi i kanë hequr lëvozhgën. Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka importuar arra me vlerë prej afërsisht 1 milion dollarësh në vit. Shqipëria rezulton se ka edhe 177 mijë hektarë me pyje gështenjash dhe një prodhim vjetor të vlerësuar në 2500-3000 tonë. Shqipëria eksporton rreth 900 tonë gështenja në vit dhe importon rreth 100 tonë... është vlerësuar se ka rreth 133 mijë rrënjë lajthish me një prodhim prej rreth 15 kv/ha në vit. Pemishtet e lajthive kryesisht mund të gjenden në rrethet e Fierit, Korçës, Pogradecit dhe Gjirokastrës”...Shqipëria rezulton se importon 61 tonë lajthi në vit me vlerë 230 mijë dollarë.[20]

Duke ndjekur importet e ushqimeve bazë, të cilët arrijnë në 700 milionë dollarë në vit, dhe eksportet nuk përbëjnë as gjysmën e eksporteve, vendi ynë më shumë importon sesa eksporton, edhe në sektorin e arrorëve. Por çdo të ndodhte nëse do të investohej në këtë sektor? Në rast se kryhet investimi për zhvillimin e arrorëve, do të krijohen 1.765 vende pune nga të cilat, 925 vende pune do të jenë në bujqësi dhe 840 do të jenë në përpunim. Të gjithë këta të punësuar do të përfitojnë pas maturimit të investimit 14.4 milionë dollarë paga në vit...Vendi do të fitojë 161 milionë dollarë eksporte në vit, ndërsa vlera e shtuar e këtij sektori mund të jetë 291 milionë.[21]

Efekti katastrofik i ‘tregut dhe prodhimit të lirë’ në bujqësi: plehrat kimike shkatërrojnë tokat dhe ujërat

Përdorimi i plehrave kimike (një tip fisfori) nga bujqit për prodhim bimor nuk shkakton vetëm prodhim kancerogjen dhe helmon trupin e njeriut por helmon dhe ujërat përreth – sidomos ujërat e liqeneve, deteve dhe oqeaneve ku shkarkohen ujërat që kullojnë nga tokat. Dihet se plehrat kimike shpërndahen në rrinjët e bimës dhe një pjesë e tyre i merr uji dhe i çon në ujëra të ndenjur ku zhvillohet alga helmuese ose toksike që nuk shkatërron vetëm jetën nënujore por çon në vdekje njerëzish nëse prekesh nga ajo kur noton në ujë. Amerika në disa shtete është në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të algës përpakatëse. Qindra kafshë shtëpiake dhe të egra kanë ngordhuar pasi kanë pirë ujë të ndotur me algën përkatëse. Zonat me uri-oksigjeni të shkaktuara nga alga janë shtuar 30 herë që nga viti 1960-të duke shkaktuar shkatërrimin masiv të peshkut. Zona verore e këtij viti (2017) në Golfin e Meksikës ishte më e madhja që është regjistruar ndonjë herë. Algat përkatëse ndihmohen dhe nga ndryshimi i klimës: ujërat bëhen më të ngrohtë dhe më miqësor për algat. Masat e qeverisë amerikane në sektorin e bujqësisë —për bashkëpunim vullnetar mes fermerëve për të reduktuar përdorimin e plehrave kimike— kanë rezultuar pa asnjë suskses. Fermerëve u kërkohet të mbjellin “drithëra mbulimi” për të reduktuar erozionin stinor, ose instalimin e sistemeve ujitëse më efiçente — zakonisht me kursimet e qytetarëve. Amerika ka shpenzuar më shumë se 29 miliard dollarë në programe vullnetare nxitëse në vitin 2009-të për të bërë rreth 500,000 ndërmarrje më miqësore me mjedisin. Fermerët nuk pranojnë ‘diktime’ të tjerë nga qeveria dhe janë duke ‘eksperimentuar’ me njëri-tjetrin![22] Alga po kthehet shpejtë në një epidemi botërore që ndërsa shfarrosin jetën e ujërave shfarrosin dhe jetën tokësore. Qeveritë nuk dinë si ta zgjidhin problemin. Fermerët nuk pranojnë ‘diktime’. Qeveri të tjera –si qeveritë tona- as që e mbikqyrin këtë proces. Thjesht kanë dëgjuar ‘treg të lirë’ dhe nxisin bujqit të punojnë tokën ndërsa paralel me ta bashkëjetojnë “ekspertët” e agronomisë së tregut. 

Efekti katastrofik në shëndetin e njeriut: obesideti dhe kanceri kryesojnë epideminë e heshtur 

Mungesa e demokracisë politike dhe mos-orientimi i vendit drejt një regjimi demokratik dhe shkencor - ka çuar vendin të infektohet me shpejtësi të madhe nga sëmundje që karakterizojnë të gjithë vendet e des-integruar nga natyra dhe urtësia: obeziteti, i cili konsiderohet një nga epidemitë më të rrezikshme të botës “moderne”, shkakton infarkte kardiake dhe pasoja të tjera shëndetësore. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit,[23] meshkujt janë infektuar më shumë se 21.7% dhe femrat 20.5%, një shkallë e cila është duke ecur drejt majës së dhjetëshes globale. Britania ka një shkallë pak më të lartë obeziteti. Sipas një raporti të fundit, një çerek e grave (24%) dhe rreth një e pesta e burrave (22%) janë klasifikuar si obezë, duke i dhënë Britanisë shkallën më të lartë në obezitet në Europë. Në Britani, një në tre fëmijë është mbipeshë ose obez që në moshën nëntë vjeçare.[24] Si rezultat, deri në vitin 2025 bota perëndimore do të ketë mbi 1 miliard njerëz obezë.[25] Dy vjet më vonë, OBT-ja tregoi rritjen e obesitetit përgjatë dyzetë viteve të fundit mes fëmijëve dhe adoleshentëve: ajo është rritur dhjetë herë. Si rezultat, bota do të ketë më shumë fëmijë obezë sesa fëmijë nënpeshë në vitin 2022.[26] Për ta zgjidhur këtë poblematikë OBT-ja këshillon vendet të synojnë reduktimin e konsumit të ushqimeve të lirë, të tej-përpunuar me kalori të lartë dhe ushqueshmëri të varfër, të shpenzojnë më pak kohë në ekran dhe veprimtari sedentare duke nxitur veprimtari fizike përmes krijimtarive aktive dhe sportive.

Sidoqoftë, obeziteti ka shkaktuar një epidemi tjetër: epideminë e ‘heshtur’ të steatohapititisit. Për këtë epidemi farmaceutikët e mëdhenj bastuan miliarda dollarë. Ndërsa rastet e sëmundjes së mëlçisë rriten për shkak të epidemisë së obizitetit, prodhuesit e ilaçeve ose drogave, shijojnë një treg vjetor prej 35 miliard dollarësh. Si rezultat, prodhuesit e mëdhenj duke përfshirë Allergan, Gilead dhe Novartis, kanë shpenzuar miliarda dollarë për të fituar ose lejuar ilaçe për të luftuar një sëmundje të mëlçisë për të cilën pak njerëz kanë dëgjuar: steatohepatitis (mëlçia dhjamore) jo-alkoolike, ose Nash-i. ‘Steatohepatitis’ si fjalë buron nga fjala greke, ‘stear’, e cila nënkupton dhjamin e ngurtë që gjendet në trupin e njeriut. Ndërsa ‘hepatitis’, mëlçinë.  Forma e përparuar e sëmundjes së mëlçisë së dhjamosur shkakton dregëzim (“scarring”) dhe pezmatim të mëlçisë dhe mendohet se prek më shumë se 16 milion njerëz në SHBA. Në shumicën e rasteve sëmundja shkakton cirrozë/hepatocirrozë, ndërsa rrit mundësitë e zhvillimit të kancerit të mëlçisë ose sëmundjet kardiake. Atje ndodhin rreth 20,000 vdekje çdo vit nga sëmundja kronike e mëlçisë ose cirroza që nuk lidhen me alkoolizmin. Prodhuesit e ilaçeve bastojnë se numri i njerëzve me Nash —e cila është më e zakonshme tek njerëzit mbipeshë— do të rritet dramatikisht në vitet e ardhshme për shkak të epidemisë së obzitetit kudo në botë.

Parashikohet se tregu botëror për të prodhuar ilaçet e Nash-it do të kushtojë më shumë se 35 miliardë dollarë në vit në kulmin e tij. Tashmë ka ilaçe për trajtimin e sëmundjes por grupet farmaceutike po studiojnë më shumë se 25 përbërje eksperimentale tek njerëzit, me tre ilaçe të studiuar ose që janë në fazën e tretë, prova klinike, ose janë në fazën e fundit të provave. Aktualisht s’ka asnjë ilaç për ta kuruar sëmundjen e cila është shumë e vështirë për t’u diagnostifikuar. Shumica e njerëzve nuk e kuptojnë se ata kanë një sëmundje të “heshtur”, e cila shkakton vetëm simptoma siç është verdhëza, lodhja dhe humbja e peshës në stadet e vonshme të saj. Mjekët ndonjë herë e kuptojnë se pacientët vuajnë nga Nash-i kur marrin enzima mëlçie në gjakun e tyre ose kur pikasin çrregullime përgjatë skanimeve ultratingëllorë. Rruga e vetme për ta diagnostifikuar sëmundjen është biopsia e mëlçisë — një procedurë komplekse invazive që kërkon një anestetik. Në raste të rralla, biopsia mund të shkaktojë gjakderdhje që kërkon një transfuzion ose operacion. Shumë pacientë ngurrojnë të ndërmarrin procedurën. Kjo shkakton vështirësi jo vetëm në rekrutimin e tyre në prova klinike, por gjithashtu në bindjen e njerëzve të botës reale për t’u testuar për sëmundjen.[27]

Epidemia e kancerit (sidomos kanceri i mushkërive te gratë) është një bombë me sahat: ‘numri mbi moshën 65 vjeçare që ka marrë një diagnozë kanceri do të shkojë më lart: nga 1.3 milionë në vitin 2010-të, në 4.1 milionë në vitin 2040 ose thuajse një e katërta e të gjithë njerëzve të moshuar (23%) do të jetojë me kancerin brenda 30 vjetëve të ardhshëm. Aktualisht shifra është 13%.[28] Por cila është ‘kostua’ e përballimit të kësaj epidemie?

Vetëm fatura globale për tipin 2 të diabetit, një gjendje që vjen si pasojë e të qenit mbipeshë, do të arrijë sipas disa vlerësimeve $500bilionë deri në vitin 2030. Vetëm në Kinë, e cila ka parë rritjen më të madhe në diabet në terma të përqindjes dhe numra absolut – 92 milionë janë në gjendje diabetike dhe 140 milionë janë drejt fitimit të tij...India mbetet edhe më mbrapa. Të gjitha këto në kohën kur 60% e kombeve botërore kanë një prodhim ekonomik më të ulët se totali i majës së pesë ndërmarrjeve ushqimore dhe pijeve.[29]  

Ndërsa kanceri prek më shumë se 5500 qytetarë në vit,[30] veçanërisht kanceri i zorrës së trashë, i cili dekadën e fundit godet më shumë të rinjt[31]...shpenzimet e qeverisë Shqiptare për ‘ruajtjen e mjedisit’ janëzero dhe për shëndetin thuajse 3%![32]

Të gjitha këto – nuk janë krijuar sepse njerëzit jetojnë më gjatë, siç mundohet të na bindë propaganda e zezë e elitave kapitaliste. Por sepse njerëzit janë denatyralizuar. Domethënë, njerëzit janë politikisht kryekëput pasivë — në saj të dinamikës së tregut zhvendosen në metropole ku pasivizohen edhe më shumë — politikisht dhe ekonomikisht: kur shkëputen nga periferitë dhe vendosen në metropole ata braktisin praktikat që lidhen me natyrën dhe dobitë e saj dhe adoptojnë praktika që lidhen me tregun dhe njeriun. Të gjitha këto, shoqërohen me ndotjen e mjedisit. Ndotja e mjedisit me radhë shkakton ndotjen e ushqimeve. Shërbimet financiare dhe tregu – shkaktojnë praktika monstruoze me gjedhin dhe bimët dhe, jetën sedentare. Kjo e fundit, stresin. Dhe stresi[33] gjithë sëmundjet e tjera.

Shqipërisë (dhe Kosovës) i kanoset “zia e bukës” ndërsa Rama dhe Kurti (dhe opozitat) i bien fyellit

Një raport i Bankës Botërore lidhur me sasinë e prodhimit të drithit në vendin tonë citon se në vitin 2018 ajo ishte 678,196 tonë me rënie krahasuar me një vit më parë dhe me një mesatare prej 638,150 tonë që nga viti 1961 me vitin më të mbarë 1983 kur Shqipëria kapi shifrën rekord të drithit prej 1,067,000 tonë dhe me të mbrapshtin vitin 1961 kur vendi ynë prodhoi 293,449 tonë.

Instat-i raporton se prodhimi i drithit në vitin 2020 ishte pak më i lartë: 684,023 tonë. Kjo sasi është thuajse sa dyfishi i sasisë së importuar prej 364,000 tonë.

Çmimet e larta të plehrave kimike dhe të energjisë motorrike dhe mungesa e subvencioneve, thonë raportet zakonisht, e bëjnë vendin tonë të parin në rajon sa i përket kostos së prodhimit.

Sipas një raporti të FAO-s një ton drithë në Shqipëri kushton të paktën 38 për qind më shumë se mesatarja rajonale ndërsa prodhimi i një ton drithi në vendin tonë kushton 286 dollarë; në Maqedoninë V. 201; në Bosnje 170; ndërsa Serbia ka koston më të ulët prej 169 dollarë. Sipas një studimi tjetër, në vendin tonë vetëm 25 për qind e fermerëve gjenerojnë më shumë se 5,500 euro në vit; më shumë se një e katërta e tyre gjeneron më pak se 750 euro dhe rreth gjysma, një mesatare prej 1,700 euro në vit ose 500 euro për çdo punëtor.

Shqipëria ka rreth 350,000 ferma dhe rreth 160,000 janë më pak se një ha; 142,084 janë mbi 2 ha; dhe 49,000 janë më shumë se 2 ha. Për të gjeneruar fitim një fermë prej dy punëtorësh ajo duhet të gjenerojë 5,000 euro në vit. Sektori i agrikulturës punëson 36.4 për qind të fuqisë punëtore dhe zë përqindjen më të lartë të ekonomisë dhe punësimit me rreth 18.63 për qind të PBB-së. 

Në BE kostua mesatare e prodhimit të drithrave ishte 635 euro për ha sipas një raporti të vitit 2019. Kostot kryesore janë farat ose lloji i tyre, plehrat, prodhimet për mbrojtjen e drithrave dhe makineria. Misri ka koston më të lartë. Vendet në BE ndahen në dy kategori, me Hungarinë, Kroacinë dhe rajonin Balltik të kenë një mesatare kostoje prej pak më shumë se 500 euro për ha dhe Danimarkën, Gjermaninë dhe Francën me rreth 800 euro për ha. Bazuar në vlerën neto të fermës, të ardhurat ranë pas krizës së vitit 2009 nga 20,221 në 12,873 euro. Që nga ajo kohë të ardhurat u përmirësuan duke shkuar në 18,400 euro. Vendet dhe rajonet që realizuan vlerën e shtuar më të lartë për prodhuesit (mbi 40,000 euro) ishin lindja dhe veriu i Gjermanisë, Britania, Irlanda, jugu i Suedisë dhe Danimarka. 

Fakti që vendi ynë ka importuar ndër vite më shumë drithë nga Rusia dhe kjo e fundit njoftoi se nuk do të lejojë eksportin e tij për vendet jomiqësore ose armike, si Shqipëria, mbetet që të improtojë nga Serbia meqë ka koston më të ulët në rajon. Por është e sigurtë se Serbia nuk mund të mbulojë eksportet ruse dhe vitet e fundit Beogradi i ka shitur Prishtinës dhe Tiranës grurë të cilësisë së ulët: me pak proteina, jod dhe hekur. Nuk kanë munguar akuzat se ajo eksporton drithë të skaduar apo të lënë për kafshët dhe kontrabandë.

Kosova mund të mbulojë vetëm 35 për qind të nevojave nga prodhimi i saj dhe thuhet se gati 50 për qind e tokave bujqësore janë djerrë. Ajo importon mbi 80 për qind të grurit nga Serbia dhe kjo e fundit pezulloi eksportin e tij për shkak të luftës në Ukrainë dhe rritjen e jashtëzakonshme të eksportit si pasojë e rritjes së kërkesës. Kjo është arsyeja se pse shumë kanë vënë alarmin se Kosova kërcënohet në sigurinë e saj ushqimore.

Por është e qartë se si Kosova ashtu dhe Shqipëria nuk kanë rrugë tjetër veç të blejnë drithë nga vendet prodhuese me kosto prodhimi më të lartë se Serbia dhe Rusia me qëllim që të mbulojnë nevojat e popullit; kjo “zgjidhje” imponohet përsa kohë që qeveritë tona në Tiranë dhe Prishtinë nuk kanë punuar për të zhvilluar sektorin e bujqësisë por e kanë lënë atë në dinamikën e tregut të marketingut në kuadër të globalizmit neoliberal ose politikave neoliberale.

Lidhur me këtë çështje nuk kanë munguar “analizat” e gazetarëve të oligarkisë të cilët, si shumë “ekspertë” të së njëjtës oligarki, na tregojnë vetëm mungesën e subvencioneve në sektor si shkak të rrënimit të tij.

Madje, duke qenë të paafatë për të përdorur të dhënat e institucioneve (ndër)kombëtare, mundohen të tregojnë koston e prodhimit të drithit në Shqipëri. Për shembull, “Dosja.al” në një artikull me titull, “Llogaritë/Falimentimi i fermerëve vendas thellon krizën e furnizimit me grurë”, përpiqet të na tregojë koston e prodhimit (210,000 mijë lekë të vjetra për dynym) dhe mungesën e subvencioneve si shkak i krizës në bujqësi!

Nuk mungojnë akuzat se fajin e ka qeveria “Rama” dhe oligopolistët. Për shembull, OP-ja, duke u nisur nga një raport se gruri i Lushnjes mbetet pa u shitur, sepse tregtarët e mëdhenj ofrojnë 35 lekë për kilogram, tha, pasi tregoi Ramën dhe Ballën si shkaktar, se “situatën e bën më irrituese dhe dramatike fakti që oligopolistët e mëdhenj e blejnë grurin shumë më shtrenjtë jashtë, në Serbi e gjetkë […], ndërsa me prodhuesit vendas tallen”.

Për OP-në fakti që jemi orientuar për t`u integruar në tregun ndërkombëtar të marketingut pas rënies së socializmit marksist dhe në dinamikën e tij kryesore, konkurrencën, ku tregjet janë të lirë (në rastin e rajonit tonë janë në proces liberalizimi përmes Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur) dhe fermat përballen me konkurrencën e vendeve fqinje dhe jo vetëm, është i padukshëm! Nuk bëjnë as lidhjen që bëjnë shumë raporte mes energjisë motorrike dhe plehrave kimike dhe kostos së prodhimit por zakonisht bëjnë vetëm një lidhje: mungesën e subvencioneve! Hamendësisht, sepse “rrushi sheh rrushin dhe piqet”. Madje, përmbysin dhe të vërtetën: se kostoja e prodhimit të grurit është më e shtrenjtë në “Serbi e gjetkë” sa sa në Shqipëri!

Shqipëria me orientimin e saj për t`u integruar në globalizmin neoliberal shkatërroi sektorin e energjitikës dhe Azotikun e Fierit; me shkatërrimin e parë ajo nuk ka asnjë mundësi të kontrollojë koston e energjisë motorrike ndërsa me të dytin shkatërroi prodhimin e plehrave kimike dhe i importon ato nga tregu ndërkombëtar, të cilët zakonisht kanë kosto të lartë dhe cilësi të ulët.

Këta dy sektorë ishin themelet e bujqësisë shqiptare shekullin e kalur të cilët mundësuan prodhimin rekord të vitit 1983 (bashkë me parimet shkencore) dhe janë shkaqet kryesore se pse bujqësia jonë nuk konkurron dot me fqinjët tanë ndërsa subvencionet, të cilët i përmendin idiotët e establishmentit, si në Tiranë ashtu dhe në Prishtinë, janë një arsye e tretë por duhet përmendur paralelisht fakti (të cilin nuk e përmendin idiotët e oligarkive) se subvencionet gjenerohen nga taksat e popullit në tërësi dhe si të tillë qeveritë varfërojnë popullin në njërën anë për të zhvilluar bujqësinë në anën tjetër. Subvecionet kanë dhe një efekt tjetër të dëmshëm tek ata që përfshihen në zhvillimin e bujqësisë: se duke ditur se ata do të subvencionohen në rast se nuk realizojnë fitime, ata shkujdesen me prodhimin e tyre! Janë pikërisht këto dy arsye që subvencionet nuk e zgjidhin krizën në sektorin e bujqësisë krahas arsyeve të tjera dytësore, që tregova më herët...     

Pjesë nga një studim më i gjerë, me titull, Ekonomia ekstroverte falimentoi Greqinë dhe Shqipërinë*


[1]T. Fotopoulos, ‘9’, Po aty, f, 52.

[2]Fitoteknika, Botimi i Institutit të Lartë Bujqësor të Tiranës, f, 9.

[3]Shih për më shumë, Ramiz Alia, Shpresa dhe Zhgënjime, Dituria, Tiranë, 1993, f, 80.

[4]Sipas raporteve të ‘Shqipëria Tjetër’, në Top Channel. Gjithashtu, dhe sipas dëshmisë së çdokujt që vrojton shtytjen e tokave nën ujë, here nga vërshimet e hidrocentraleve dhe herë nga mungesa totale e njeriut në sistemin e kullimit.

[5]Sipas një raporti në edicionin e lajmeve në Top Channel, 6/7/2012.

[6]Why are organic farmers across Britain giving up? The Guardian, 14 March 2015.

[7]Overgrowth, George Monbiot,  The Guardian, 17 Dhjetor, 2014.

[8]US consumers: craft versus kraft, FT, March 16 2015.

[9]Ndërkombëtarët: Ndryshoni teknologjinë e bujqësisë,Shqip, 2011, 06, 18.

[10]Sipas një interviste në TVSH, emisioni Log, datë 07/13/2012, me të ftuar: Ndoc Fasllia, Irfan Tarrelli, Enver Ferizaj, Ardian Mici, në të cilën jo vetëm që kritika mungonte, por mungonte me të vërtetë njohja e bujqësisë shqiptare në shifra meqenëse paguhen për t’i mbledhur!

[11]Mishi i importit po zhduk bagëtinë në Shqipëri, Shqip, 2011, 07, 25. 

[12]Genetically Manipulated Crops: The GMO Catastrophe in the USA. A Lesson for the World, F. William Engdahl, Global Research.

[13]The future of GM, The Independent, 23 March 2015.

[14]Shih, Glyphosate, Wikipedia.

[15]Për herë të parë fermerët kanë Hartën e Rajonizimit të Produkteve, Kryeministria, 21 Nëntor 2014.

[16]Po aty.

[17]Dollari dhe taksa “Putin” ngrenë çmimin e grurit, tregtarët te Panariti, Shqip, 27 Janar 2015.

[18]Zvicra dhe Ministria e Bujqësisë mbështesin zhvillimin e bujqësisë organike në Shqipëri, Ministria e Bujqësisë, zhvillimit rural dhe administrimit të ujërave, 07 Shkurt 2015.

[19]Panariti: Mbështetje rritjes së investimeve prodhuese, Ministria e Bujqësisë, 20 Nëntor 2014.

[20]Studimi i arrorëve, 700 faqe për qindarka, Shqip,  2011-11-30.

[21]Po aty.

[22]Taxpayer-funded far program no match for algae plague, AP, 16 Novemer 2017.

[23]World Health Organisation, Table 2, Albania, Health Profile, Updated, 04 April, 2011.

[24]Campaign launched to combat rising levels of obesity, The Independent, 15 April 2012.

[25]Global obesity rise puts UN goals on diet-reated diseases ‘beyond reach’, The Guardian, 9 October 2015.

[26]Tenfold increase in childhood and adolescent obesity in four decades: new study by Imperial College London and WHO, 11, October 2017.

[27]Big pharma bets billions on ‘silent’ liver disease, FT, February 21, 2017.

[28]  Number of older people living with cancer set ‘to treble’ by 2040, The Guardian, 20 Aug 2012.

[29]Obesity: an ever heftier problem, Louise Lucas, FT, 27 Oct 2011.

[30]Kanceri prek 5500 shqiptarë në vit, Shqip, 2011, 02, 20.

[31]Amerikanët e lindur në vitin 1990 janë 2 herë më shumë në rrezik të preken nga kanceri i zorrës së trashë (kolorektal) dhe katër herë më në rrezik, se ata që kanë lindur rreth viteve 1950. VOA.

[32]Economic and Fiscal Program 2010, Table 3: General Government Expenditures by Function, which on environmental protection is zero, and on health is about 3%. 

[33]Shih, për më shumë, Drejt orientimit ekologjik të shoqërisë.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA