...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shkaqet e shkatërrimit të sektorit të energjitikës dhe nevoja e krijimit të kushteve për një ‘revolucion energjitik’

Abstrakt: ky studim në pjesën e parë tregon shkaqet e rrënimit të sektorit të energjitikës në Shqipëri. Argmentohet se dy janë shkaqet kryesore: njëri buron nga orientimi ynë për t’u integruar në globalizmin neoliberal dhe tjetri nga padija e qeverive shqiptare lidhur me efektin e politikave neoliberale në sektorin në fjalë dhe përgjithësisht në ekonominë e vendit tonë ndërsa në pjesën e dytë tregohen mashtrimet e klasës politike dhe akademike lidhur me shkaqet e krizës në sektorin e energjitikës.

Ylli Përmeti

25/02/2017 - 20:09

Shkaqet e shkatërrimit të sektorit energjitik, ekosistemit dhe punëtorëve të vendit tonë, u shtrembëruan nga klasa politike dhe akademike, bashkë me gazetarët e establishmentit: sepse ata u përqendruan kryesisht te ‘pasoja’ e tij —kontratat e këqija të qeverive— se sa te shkaqet e vërtetë. Domethënë, në vend të përqendroheshin tek efekti që ka ‘orientimi’ ynë për t’u “zhvilluar” - u përqendruan te ‘kontratat’: sepse kontratat janë pasojë e orientimit tonë ekonomik. Kështu në vend të përqendroheshin te padija e elitave politike lidhur me drejtimin e shtetit të ri në kuadër të politikave neoliberale - u përqendruan te paaftësia: sepse paaftësia buron kryesisht nga padija.

Kështu në kuadër të çlirimit dhe liberalizmit të gjithë tregjeve, Shqipëria firmosi “Traktatin Europian” për energjinë e gjelbër, në Athinë, në 25 Tetor 2005, i cili hyri në fuqi në Korrik 2006, një Traktat që imponon një treg energjitik ‘kompetitiv’ dhe si i tillë, do të jetë në mënyrë të përhershme nën ombrellën e oligarkëve botëror. Domethënë, të korporatave të huaja dhe të individëve institucionalë që përfitojnë nga ato. Rrënimi filloi me CEZ-in dhe vazhdoi me Bankersin. CEZ-i zotëronte monopolin e shpërndarjes së energjisë për tre vjet me rradhë (që nga 2009 ajo zotëronte 76% të aksioneve e cila ka trashëguar OSSH-në e krijuar në viti 2007). Pasi dështoi, pushoi nga puna drejtorin e përgjithshëm, Josef Hejsek, dhe e zëvendësoi atë me Jaroslav Macek, të cilët paguheshin më shumë se 60 mijë euro në muaj. Dhe pavarësisht rrogave marramendëse që paguante për drejtorët e tjerë të hierarkisë administrative, ajo argumentoi se u mundua të merrte një borxh prej 60 milionë euro nga BERZH për të investuar në rrjetin e shpërndarjes, por nuk e mori dot, për arsye se nuk plotësonte performancën e arkëtimeve![1] Në vazhdim ajo dëshironte të shkonte në sektorin e prodhimit. Domethënë, të blinte katër hidrocentrale.

Kështu, jo vetëm që kjo ndërmarrje nuk e përmirësoi sektorin, siç premtoi, por ajo nuk rriti as rrogat e punëtorëve, as edhe punësimin në të. Duhet thënë se tre hallkat kryesore —furnizuesi me shumicë, transmetimi dhe shpërndarja—janë pronë e qeverive shqiptare, të cilat kanë monopolizuar energjinë (KESH-i zotëron 50% të kapacitetit importues dhe CEZ 25%). Institucionet e Bashkimit Europian e kritikuan këtë “monopol” mbi arsyen se qeveria shqiptare duhet të lejojë më shumë operatorë në treg, një kërkesë e imponuar që në vitin 2004. Domethënë, BE-ja imponon ndryshime të thella organizative për privatizimin e monopoleve jo natyrale![2]

Kjo qasje, siç do të tregoj këtu, synon futjen e kapitalit të madh në sektorin e prodhimit dhe privatizimin e të gjithë sektorit energjitik! Por problemi nuk gjendet vetëm te CEZ-i — ai shtrihet edhe te KESH-i: sepse ndërsa CEZ-i i detyrohësh KESH-it 58 milionë euro, KESH-i, dështoi në drejtimin e administratës:

Korporata [KESH] për të kompensuar humbjet e 2011-s të shkaktuara edhe nga importet me vlerë 7 miliardë lekë (deri në nëntor), kërkoi rritje të tarifës me mbi 230 %, pra nga 1.48 lekë për kilovat, në 5.03 lekë [ndërsa CEZ e shet 7 lekë!].[3]

Sipas të njëjtit raport qeveria Berisha i kishte borxh CEZ-it 150 milionë euro dhe kërkonte t’ia kthente me qëllim që ta bindte CEZ-in që të mos rriste çmimin. Si përfundim, CEZ-i dështoi dhe u largua. Çështja kaloi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit — organit juridik të korporatave ndërkombëtare dhe u arrit një marrëveshje midis qeverisë “Rama” dhe Çekëve,[4] përmes së cilës CEZ -SH do t’i paguajë CEZ-it dhe kjo e fundit do të shlyejë borxhet e marra nga BERZH. Sipas vlerësimit tim, ne paguajmë —me këste— deri në vitin 2018-të, rreth 85 milion euro, ndërsa CEZ-i paguan rreth 2,650,000 euro. Gjiknuri, ministri i energjitikës në qeverinë “Rama”, argumentoi se marrëveshjen e nxiti FMN-ja, Banka Botërore dhe BE-ja në shkëmbim të investimeve! Domethënë, nuk ishte një marrëveshje që buronte nga aftësia juridike dhe intelektuale e qeverisë “Rama”.

Shkurt, CEZ-i, jo vetëm që nuk e përmirësoi sektorin e energjitikës por në fund doli edhe me fitime. Dhe është e vërtetë se CEZ-i bleu sektorin e shpërndarjes në çmim të leverdishëm: sepse qeveria “Berisha” krijoi kulturën (kushtet) e mospagimit të energjisë elektrike, kryesisht për administratën publike, oligopolet dhe militantët.[5] Problemi ynë, rrjedhimisht, nuk është CEZ-i: por është padija e qeverisë “Berisha” — një herë kur shkatërroi sektorin dhe një herë kur nuk kuptoi se “CEZ-i” si gjithë korporatat e tjera, nuk ka mekanizma “magjikë” për të zgjidhur keqadministrimin e sektorëve më të rëndësishëm të një ekonomie nga një qeveri e cila supozohet se gëzon njohuri shkencore: sepse siç kam treguar në vend tjetër,[6] korporatat, ndryshe nga qeveritë e kombeve, përdorin kryesisht taktikat dhe strategjitë në nivel mbikombëtar ku konkurrenca është më e madhe se konkurrenca në administratën publike.

Konkurrenca, kur shoqërohet me ekspansionin e filialeve të korporatave rreth botës dhe mungesën e arsyetimit intiutiv (njohurisë empirike dhe teorike) nga administratorët, krijon kushtet për dështimin e korporatave. Dhe korporatat dalin me fitime edhe nëse përballen me një qeveri të kujdesshme: sepse ato mbrohen nga gjykata e arbitrazhit. Qeveria “Berisha” ngaqë nuk kishte kursime për investimet që premtonte kishte gati ankandin ndërkombëtar për privatizimin e katër hidrocentraleve:Ulzës, Shkopetit, Bistricës 1 dhe Bistricës 2, që pavarësisht ankandit, do t’i kalonin CEZ-it.[7]

Gjatë vitit 2014-të kontributi nga hidrocentralet publike ishte 72,1 për qind të prodhimit neto vendas, ndërsa prodhimi i energjisë nga prodhuesit privatë dhe koncesionarë ishte 27,9 për qind.[8]Dhe është presioni që ushtrojnë nga poshtë korporatat e huaja në përgjithësi dhe institucionet ndërkombëtare në veçanti që çon në privatizimin e plotë të pasurive publike dhe jo dëshira e qeverive pavarësisht se ato fitojnë përmes këtij procesi (duke blerë aksione etj.). Presioni, me radhë, buron nga orientimi ynë për t’u integruar në tregun ndërkombëtar të marketingut dhe shkalla e ulët e pavarësisë ekonomike dhe politike.

Nëse gjykojmë nga akuza e Kontrollit të Lartë të Shtetit kundrejt Gjiknurit, sipas së cilës ai ka shkaktuar dëm ekonomik me marrëveshjen e fundit të CEZ-it, duhet të kemi parasysh orientimin politiko-ekonomik të vendit tonë dhe presionet e pashmangshme që ushtrohen mbi politikanët profesionistë nga korporatat dhe institucionet mbikombëtare: sepse për sa kohë që orientimin tonë e mbështet shumica e popullit shqiptar dhe opozita - për aq kohë përgjegjësia për këtë marrëveshje bije mbi të gjithë. Por nëse përgjegjësia e popullit lidhet kryesisht me padijen institucionale, përgjegjësia e Gjiknurit dhe partive në pushtet lidhet me padijen e sektorit: sepse nëse Gjiknuri do të kishte studiuar sektorin, përpara se të ngjitësh në pushtet, do të kishte mundësi të “sfidonte” çdo presion institucional.

Një tjetër problem në sektorin e energjitikës është katastrofa ekologjike që shkaktojnë hidrocentralet, sidomos për peshqit, të cilët lëshojnë vezët aty ku fillon rrjedha e lumit. Por qeveria jonë, bashkë me kapitalistët e mëdhenj, këtë dukuri nuk e merr në konsideratë kur liçenson ndërtimin e digave të tjera: për shembull, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës ka nënshkruar 114 kontrata konçesionare për ndërtimin e 327 hidrocentraleve me një fuqi të instaluar prej rreth 1400 megavat dhe një vlerë investimi prej 240 miliardë lekësh.[9] Por edhe në këtë përpjekje qeveria “Berisha” dështoi gjithashtu me 284 hidrocentralet e miratuar, nga të cilët vetëm 12 prodhojnë energji. Por edhe qeveria Rama do të dështojë, nëse me dështim kuptojmë se korporatat do të dalin me fitime pavarësisht se nuk u përmbahen premtimeve dhe populli me humbje: sepse ajo vazhdon pikërisht të njëjtat politika. Duhet theksuar këtu se KESH-i e ble energjinë nga HEC-et private. Për momentin 2.2. lekë për kW/h. Por si pasojë e konkurrencës dhe hendekut financiar që ka krijuar, KESH-i me HEC-et e dhëna me konçesion, në të ardhmen çmimi me siguri do të rritet. Ministria e Energjisë, nën zërin e qeverisë “Rama”, argumentoi se zgjidhja afatgjatë e krizës energjitike është liberalizimi i tregut dhe shkëputja e korporatës nga detyrimi për të blerë energjinë e HEC-eve private, që në total llogariten në rreth 400 koncesione të dhëna.[10]

Në të vërtetë, sipas një raporti të qeverisë “Rama”,[11] në total janë firmosur nga qeveria e mëparshme 164 kontrata konçesionare për ndërtimin e 435 hidrocentraleve. Por një raport tjetër tregon se që nga viti 2002 janë dhënë 524 leje. Nga këta, 117 janë në prodhim, 43 në proces ndërtimi ndërsa për 364 hidrocentralet e tjerë nuk ka filluar ndërtimi. Gjykuar nga numri i lumenjve që ka Shqipëri — 23 lumenj— është e qartë se po ndërtohen hidrocentrale edhe në përrenj. Dimë se përrenjt janë burimi kryesor i lumenjëve me peshq: sepse atje lënë vazët peshqit. Lumenjt thjesht përdoren nga peshqit për të udhëtuar drejt detit dhe anasjelltas. Dimë, gjithashtu, se çdo ndërhyrje njerëzore për ndërtimin e digave nënkupton shkatërrimin e një përqindje të konsiderueshme të pyjeve. Dhe dimë, në fund, se këto shkatërrime kryehen kur ka plotë rrugë të tjera për të rritur sasinë e energjisë së disponueshme.[12] Por qeverisë i mungojnë sytë —se mendja po e po— për të përparuar risitë që qarkullojnë në sektorin e energjitikës.

Kështu, ca nga padija dhe ca nga lakmia për përfitime të shpejta, shkaktohet një krim social-ekologjik i pashembullt. Aktualisht prodhimi i HEC-eve të vogla ka arritur në 748 mijë megavat për 2014-n dhe pritet rritja e mëtejshme në 920 mijë megavat në vitin 2015-të. Shqipëria prodhon mesatarisht 4.5 miliardë kWh në vit dhe konsumon 6.5-7 miliardë.[13] Domethënë, konsumon më shumë se një të tretën e konsumit nga importet. Lidhur me këtë pasuri, politikanët tanë, pa droje, guxojnë dhe përmendin faktin se ujërat tona shfrytëzohen vetëm 40%[14]...dhe se deri më sot, vlera totale e investimit për 100 kontratat koncesionare që janë lidhur pas vitit 2006 arrin në rreth 260 miliardë lekë, ndërsa për të 14 HEC-et vendore që përfundojnë brenda këtij viti, vlera e investimit arrin në 6.9 miliardë lekë. Në projektet konçesionare që po zbatohen nga investitorë të huaj, investimet arrijnë në rreth 200 miliardë lekë. Në total, vlera e investimit i tejkalon shumat e 470 miliardë lekëve vetëm në sektorin e HEC-eve, pasi në rast se nis zbatimin projekti i Tec-it me qymyr në Porto Romano, shifra rritet me gati 30%... në sektorin prodhues të energjisë janë të instaluar rreth 1.3 milionë megavat dhe prodhim energjie në rreth 5 miliardë kilovat.[15] Por përpara se të nxjerrim përfundime, për qeverinë Rama, le të shohim gjendjen në të cilën gjënden vendet e perëndimit, meqënse propagandohen nga elita jonë, dhe shkaqet e rritjes së çmimit të energjisë.

Ku, kur dhe pse filloi degjenerimi?

Bota përgjatë shekujve të kaluar është sunduar thuajse gjatë gjithë kohës nga hegjemonizmi i një vendi mbi një vend tjetër. Në botën moderne këtë rol e ka adoptuar Britania duke filluar nga shekulli XVIII. Hegjemonizmi i shekullit XX udhëhiqet nga Amerika: ai është sofistikuar dhe mekanizmat sistemikë që imponohen nga elita (mbi)kombëtare mbi popujt janë të shumtë. Dhe meqënse boshtin qendror e ‘dredhin’ anglo-amerikanët — aty fillojnë edhe ndryshimet strukturale. Për të njëjtën arsye studiuesit analizën duhet ta fillojnë nga ndryshimet që imponojnë hegjemonët. Shpërnjohja e çdo lloj ndryshimi në nivel hegjemonik do të sillte një analizë shumë të pjesshme – dhe çorientuese për popujt. Britania me Amerikën, për shembull, në emër të hegjemonizmit, kanë përmbysur principet politike të social-demokracisë: nga shteti i asistencës sociale me principe ‘keinsiane’, ku sektorët publikë luanin rol qendror në ekonominë e shtetit — në “shtet” korpokrat me principe ‘miskiane’, ku roli shtetit venitet, pushteti përqendrohet te bankierët, latifundistët dhe korporatistët dhe, pasuria publike privatizohet.[16] Siç citon Fotopoulos lidhur me Britaninë: ‘nuk do të ishte e çuditshme që në Britani që nga viti 1995 të shohim një eunukizëm të sindikatave, sikurse një president i një ndërmarrjeje private të ujit u thotë menaxherëve të hekurudhave britanike: e vetmja metodë për një privatizim të suksesshëm është zhdukja ose eunukizmi i sindikatave’![17] Si rezultat i politikave neoliberale në Britani sot dëshmojmë gjendjen që vijon:

Një çerek e të gjitha familjeve në Angli dhe Uells kanë rënë në varfëri duke u pasuar nga një vjeshtë ku rritjet e faturave të energjisë janë të mprehta me të ardhura të amullta. Nga një në pesë familje vitin e kaluar, në një në katër këtë vit. Qeveria ka një detyrim ligjor të eliminojë varfërinë e lëndës energjitike deri në vitin 2016-të. Duket e sigurtë se ajo do të dështojë në detyrat e saj të ligjshme. Parashikimet thonë se ky vit do të shohë 4.1m familje në varfëri nga mungesa e lëndës djegëse, por një studim tjetër tregon se vetëm numri i Anglisë është më tepër se 5m familje. Zbulimi vjen kur numrat tregojnë se familjet ndeshen me shtrydhjen më të keqe në të ardhura që kur rekordet filluan në vitet 1950... dhe familjet, sipas një studimi tjetër, do të jenë më keq në vitin 2015-të sesa ato ishin në vitin 2002, duke ekzaktësuar pamëshirësinë e rritjes së çmimeve të lëndës djegëse si një nga faktorët kryesorë, bashkë me rrogat e amullta dhe shkurtimet e mirëqenies së qeverisë. Rritjet e çmimeve verore panë furnitorin më të madh, British Gas, të vendosë çmimet e gazit dhe elektricitetit mbi 18% dhe 16%, që do të thotë se një faturë vjetore e lëndës djegëse për 9m konsumatorët e saj është rritur nga £1,069 në £1,288. Në Uells, një gjysmë tjetër milioni familjesh, mbi 40% e totalit janë tashmë në varfëri për mungesën e lëndës së tyre energjitike. Në verilindje dhe Perëndim Midlands kanë nivele të varfërisë së energjisë mbi 30%, ndërsa veri-perëndimorët janë thuajse 30%. Figura për në jug-lindje ndërkohë është 17%. Rreth 2.5m njerëz janë tashmë në borxhe kundrejt furnitorëve të tyre energjitikë dhe thellësia e borxheve është duke u rritur me shpejtësi të madhe. Borxhi mesatar për gazin për ata me vonesa është tashmë £320. Partitë kryesore sulmuan furnitorët e mëdhenj të energjisë [të cilët furnizojnë me 99% të familjeve Britanike] në konferencat e tyre verore të këtij viti për ngritjen e çmimeve mesatarisht në 21% që nga viti i kaluar. Pesë vitet e kaluara çmimet mesatare janë ngjitur më shumë se 88%. Në mbrojtjen e tyre, kompanitë argumentojnë se rritja e çmimeve reflekton rritjen e kostove të energjisë në tregun global!...Dr. Brenda Boardman, anëtare në institutin e ndryshimeve klimaterike në Univeristetin e Oksfordit, tha se presioni ngrihet mbi politikanët që të reagojnë kundër sektorit energjitik, sepse deputetët përballen me varfëri energjie të elektoratit të tyre çdo javë. Çdo 1% rritje shton të paktën 40,000 familje në varfëri energjitike, duke shtrënguar njerëzit për të marrë vendime për të mbyllur kaloriferët ose për të reduktuar në ushqim ose ngritjen e borxheve. Ngrohja e papërshtatshme kontribuon në vdekje dimërore “të tepërta”, të cilët janë në 27,000 çdo vit. Mungesa e saj ushtron presion mbi shërbimet e shëndetit të cilat po luftojnë me reduktimet, që nga momenti që energjia kontribuon te problemet e shëndetit.[18] Dhe me zhvillimin e energjisë nukleare, që është shumë e rrezikshme, pavarësisht se Rusia ka zhvilluar së fundmi teknologji miqësore për mjedisin, Britania, duket se ka dështuar.[19]          

Gjashtë furnitorët e mëdhenj në Britani mashtrojnë popullin gjithashtu me marzhet e fitimit (profit margins). Për të mbuluar investimet, furnitorët punuan me 5% rezerva që u justifikuan për të paguar investime ekstremisht të mëdha të nevojshme në biznesin e tyre...Gjashtë të Mëdhenjtë prodhojnë elektricitet përmes një përzierje të stacioneve të gazit, qymyrit dhe erës. Megjithëse shitësit blejnë energji në tregjet e hapur, pjesa e më e madhe e saj prodhohet nga ndarjet gjeneruese. Janë këto ndarje gjeneruese që ndeshin kostot e investimeve më të mëdha në vitet që vijnë në forma të impianteve të rinj të të gjithë tipave.[20] Nuk do të ishte e çuditshme që Sekretari i Shtetit për Energjinë në Britani, ndërsa e pranoi se çmimi i energjisë nuk do të bierë, pavarësisht premtimit të Ed Miliband për ulje çmimi dhe lulëzimit të shpimeve horizontale, propozoi, ngritjen e një rrjeti gjigand ndërlidhës në nivel europian me qëllim që energjia të lëvizë lirshëm sa në një vend në tjetrin dhe, të mbajnë çmimet poshtë, meqënse rrezikojnë nga çmimet e ulëta dhe konkurrenca amerikane![21]

Pa droje, qeveria Britanike mburrësh për uljen e çlirimeve të CO² në atmosferë duke përmendur shkakun: “rënien e konsumit për familjet britanke”, pa përmendur, sigurisht, se cilat shtresa shoqërore e kanë zvogëluar konsumin![22] Por disa klasa qeverisëse të G/N nuk shohin se disa klasa të tjera, pavarësisht trysnisë që ushtron dinamika e përfitimit dhe kuadri modern institucional, këmbngulin te ndërmarrjet publike: nga Amerika Latine, SHBA, deri në Europën perëndimore, shërbimet publike të privatizuara, entet dhe burimet, janë kthyer sërish në pronësinë publike. Në dekadën e kaluar, 86 qytete kanë shoqërizuar ujin. Vetëm në Gjermani, më shumë se 100 konçesione energjitike janë kthyer në pronësinë publike që nga kriza e vitit 2007-8.[23]             

Nga shkatërrimi i sektorit të hidrocentraleve në sektorin e naftës

Në Shqipëri, duke ndjekur modelin zhvillimor të globalizmit neoliberal —konçesionimin e sektorëve të ekonomisë— tregu i gazit rrezikon të monopolizohet dhe të privatizohet krejtësisht: dy shoqëritë që operojnë në treg —njëra në Porto Romano, Durrës dhe tjetra në Petrolifera, Vlorë— nuk lejojnë dy shoqëri të tjera të hyjnë në treg![24] Qeveria “Berisha” filloi procesin e privatizimit të “Albpetrol-it” që në vitin 2011-të.[25] Ajo donte të jepte me konçesion edhe kontrollin e cilësisë së saj![26]

Procesin që nisi qeveria “Berisha” e vazhdoi qeveria “Rama”: ajo njoftoi shitjen e disa reparteve të ndërmarrjes në fjalë në kohën kur...çmimi i naftës në nivel botëror ishte më shumë se përgjysmuar! Veprimi qeverisë aktuale përputhet me kohën që kërkojnë investitorët e huaj dhe jo me kohën që kërkojnë qeveritë: sepse investitorët gjurmojnë çmime të ulëta ndërsa qeveritë çmime të larta - me qëllim që të rrisin të ardhurat, dhe rrjedhimisht, edhe investimet në sektorin publik. 

Aktualisht sektori ka marrëveshje me 7 ndërmarrje private naftënxjerrëse dhe disa ndërmarrje shpërndarëse. Evazioni nga ky sektor kalon 140 milion dollarë në vit. Si rezultat, duke filluar nga viti 2004 - Albpetroli ka rritur sasinë e prodhimit të naftës në 1.4 milionë tonë, nga e cila, 60 mijë tonë përpunohet në rafinerinë vendase. Por ajo kurrë s’ka arritur nivelin e prodhimit të vitit 1975 prej 2.2 milionë tonë në vit. Në atë kohë sektori administrohësh kryekëput nga specialistët tanë: sepse pas luftës sektori u zhvillua me ndihmën e specialistëve të Evropës Lindore (si fillim me Jugosllavinë dhe pastaj me Rusinë dhe më vonë me Kinën). Përgjatë kësaj periudhe specialistët tanë krijuan kushtet për autonomi administrative (shkolla e mesme teknike në Kuçovë për shpim, nxjerrje e përpunim dhe, më vonë, u ngrit Fakulteti i Gjeologjisë në Tiranë). Por pas vitit 1975 prodhimi ra gradualisht, duke kulmuar në vitin 1989-të.

Por nuk ranë fitimet për shtetin. Sipas “The Global Economy”, të ardhurat më të larta për shtetin tonë nga nafta kanë qenë gjatë vitit 1985, kur Shqipëria drejtohësh nga Enver Hoxha. Të ardhurat janë përllogaritur duke hequr koston e prodhimit për periudhën 1984-2019. Vlera mesatare përgjatë kësaj periudhe ka qenë 2,84 për qind me një minimum prej 0.18 për qind në vitin 1998 dhe një maksimum prej 13.14 për qind në vitin 1985. Vlera më e fundit nga viti 2019 ishte 1.35 për qind kur mesatarja botërore për 179 vende ishte 2.77 për qind. Shiko, për shumë grafiqet:

Nga viti 1985 deri në vitin 1990 të ardhurat e shtetit nga shitja e naftës u përgjysmuan duke pësuar luhatje thuajse çdo vit. Pas vitit 1990 ato filluan të binin më shumë duke ndjekur thuajse të njëjtën trajektore gjatë gjithë dekadës së parë. Të ardhurat filluan të rriteshin në fund të mandatit të parë të qeverisë “Berisha-2” dhe pësuan rritje përgjatë gjithë mandatit të dytë të saj. Qeveria “Rama” ruajti gati të njëjtat të ardhura gjatë vitit të parë në pushtet por më pas ato u përgjysmuan duke kulmuar me një rënie të frikshme në vitin 2017. Që nga ai vit të ardhurat janë rritur pak por s`janë as sa një e treta e të ardhurave të qeverisë “Berisha” dhe as që bëhet fjalë t`i krahasojmë ato me të ardhurat e qeverisë “Hoxha”.

Rënia e të ardhurave nga nafta nënkuptojnë faktin se qeveria ka lejuar ndërmarrjet private të fitojnë jo vetëm në kurriz të punëtorëve (duke i mbajtur rrogat e tyre të ulëta) por dhe në kurriz të të ardhurave të qeverisë. Kjo është arsyeja kryesore se pse e njëjta qeveria ka rritur taksat mbi naftën: sepse fakti që nuk gjeneron të ardhura nga shitja e saj ―përmes ndërmarrjeve private― ajo s`ka rrugë tjetër veç të rrisë taksat që të mbajë gjallë qeverinë dhe burokracinë e saj të stërmadhe. Në këtë mënyrë populli humbet katër herë: një herë kur paguan taksa të larta për naftën; një herë kur qeveria e tij nuk siguron të ardhura nga nafta, përmes të cilave të investojë në sektorin publik prej të cilit ndihmohet populli në përgjithësi; një herë kur punëtorët e tij shfrytëzohen nga të huajt me rroga mjerane; dhe një herë, në fund, kur shkatërrohet ekosistemi si nga ndërmarrjet naftënxjerrëse ashtu dhe nga çlirimi i gazrave nga automjetet. Dhe kur populli humbet katër herë po aq herë fitojnë ndërmarrjet e huaja dhe anëtarët e qeverisë me përfituesin kryesor Ramën!       

Kështu qeveritë tona shkatërruan sektorin e naftënxjerrjes duke përfshirë dhe sektorin e përpunimit: nga katër rafineri mbeti vetëm një! Kujtoj se Shqipëria trashëgoi nga socializmi marksist katër rafineri: një në Kuçovë, e cila u ndërtua në prag të viteve `30 të shekullit 20-të, kur dhe zbulua vendburimi; një në Fier dhe një në Cërrik, të ndërtuar në vitet `50-`60; dhe një në Ballsh, e ndërtuar në vitin 1978, e cila ishte krenaria e përpunimit të naftës në Shqipëri, sepse kryente përpunim më të thellë të naftës që vinte nga tre rafineritë ose uzinat e tjera. Me ndërmarrjet naftënxjerrëse dhe rafineritë ajo mbulonte thuajse gjithë nevojat e vendit (sepse thuhet nga punonjësit e sektorit se vendi ynë importonte karburant për avionët) dhe tepëricat i eksportonte. Paralelisht klasa politike shkatërroi dhe institutet shkencore (Instituti Gjeologjik i Naftës dhe Instituti i Teknologjisë së Naftës) të sektorit.

Si pasojë e krizës në sektor dhe përgjithësisht në sektorin energjitik, disa specialistë të sektorit, në pension, kanë ngritur zërin vitet e fundit dhe akuzojnë qeveritë tona për shkatërrimin në fjalë ndërsa propozojnë ose rishtetëzimin e sektorit ose dhënien me konçesion por shteti të ketë përqindjen më të madhe të aksioneve të konçesioneve (51%). Argumentit të qeverive tona se gjykata e arbitrazhit do të na gjobisë me shuma të papërballueshme, specialistët i përgjigjen “le të punojnë edhe një vit vendburimet për të shlyer gjobat dhe pastaj të punojnë për vendin dhe për popullin”.

Por akuza e specialistëve nuk është plotësisht e drejtë: sepse nuk janë vetëm qeveritë tona përgjegjëse për shkatërrimin e sektorit por dhe populli―dhe veçanërisht populli i viteve `90. Ai kërkoi të ishte pjesë e BE-së, e cila, edhe një herë po e përsëris, kishte filluar të braktiste politikat social-demokrate duke përdorur politika neoliberale. Këto të fundit nuk e bazojnë zhvillimin ekonomik të vendit kryesisht në burimet e brendshme, por kryesisht në burimet e jashtme. Një ndryshim tjetër lidhet me karakterin e sektorëve ekonomikë: ata nuk do të ishin ‘shtetërorë’ por ‘privatë’―sepse ndërmarrjet shtetërore ishin “inefiçente” dhe ato duhet t`i nënshtroheshin doktrinës së kapitalizmit ―konkurrencës―kështuqë, duhet të privatizoheshin që të konkurronin në tregun e ri që po lindte: globalizmin neoliberal.

Ndaj dhe kur shqiptarët kërkuan “Shqipërinë si gjithë Evropa”, s`kishin kuptuar se ç`ndryshime strukturore po ndodhinin atja. Ata ishin të zhyrtur në iluzione. Dhe më dhimbshmja, ata vazhdojnë të mos kuptojnë dallimet ose ndryshimet mes politikave të social-demokracisë që u praktikuan shekullin e kaluar dhe politikave neoliberale pas 32 vitesh! Efekti që ka orientimi ynë për t`u integruar në politikat në fjalë, është dhe privatizimi i sektorit të energjitikës pavarësisht se kanë mbetur disa “grimca” pa u privatizuar. Nuk është, në fjalë të tjera, vetëm çështje gjykate arbitrazhi. Por kryesisht çështje orientimi për t`u...zhvilluar. Ky lloj “orientimi” shkakton dhe privatizimin dhe shkatërrimin e sektorit të energjitikës.

Nëse hamendësojmë, për shembull, se një qeveri merr përsipër të shtetëzojë sektorin e energjitikës duke paguar dhe gjobat e gjykatës së arbitrazhit: si do t`i përgjigjet kjo lloj qeverive presionit të BE-së dhe veçanërisht Amerikës kur këto qendra kanë më shumë se tre dekada që mbrojnë idenë e privatizimit të sektorëve të ekonomisë; kur paralelisht synon të integrohet në rendin që ato qendra gjeopolitike kanë krijuar; dhe kur pret të marrë fonde nga ata për të zhvilluar “demokracinë” parlamentare dhe sektorin privat të ekonomisë? Thjesht nuk mund t`i rezistojë asnjë çast trysnisë së tyre! Madje ata do të hidhen në kundërsulm duke nxitur protesta përmes agjentëve të shoqërisë civile dhe duke kërkuar një qeveri tjetër...neoliberale! Ka plotë raste që kanë vepruar kështu dhe nuk do të ngurrojnë të veprojnë njësoj! Kështuqë ata që na thonë se mjafton “vullneti” i një qeverie “patriote” për ta zhvilluar sektorin e energjitikës ndërsa i thonë të njëjtës qeveri të integrohet në globalizmin neoliberal, janë, të thuash të drejtën, mashtrues.   

Mashtrimi i madh me tërmetet, banorët dhe naftëtarët

Tërmetet që shkaktohen në zonat ku shfrytëzohet nafta janë pasojë e drejtpërdrejt e ndërmarrjeve naftënxjerrëse. Katastrofa që shkaktojnë këto ndërmarrje është e shumëfishtë: ato jo vetëm që nuk mund të kontrollohen nga qeveria jonë, pavarësisht “sahateve” që vendosi në vendin e prodhimit, përpunimit dhe magazinimit, por ato mund të korruptojnë cilindo që rregullon dhe mbikqyr këtë proces: nga politikanët, gjykatat deri tek institutet shkencore. Instituti i Gjeoshkencave dhe Energjisë, për shembull, është korruptuar lidhur me shkaqet e tërmeteve.[27] Ndërsa pushteti vendor është korruptuar me përfshirjen e shumë njerëzve në ndërmarrje ku shërblehen me shuma të majme. “Bankers”, nga ana tjetër, jo vetëm që nuk deklaron fitimet dhe shpenzimet financiare nuk reflektojnë realitetin por ndërsa vetë-paguhet me rroga marramendëse,[28] dhe 6 nënkontrakorët e saj janë ndër 25 më të kamurit në Shqipëri,[29] është kompensuar për 90% të rentës minerare nga qeveria “Berisha” të cilën duhet ta merrte shteti![30] Operacionet e ndërmarrjes “Bankers” në kushtet aktuale nuk mund të pezullohen për sa kohë që ne jemi të orientuar për t’u integruar në BE dhe G/N.

Përfshirja e znj. Blair në këtë proces dhe ish gjeneralit të NATO-s në bordin e saj, është një arsye dytësore ose është pasojë e orientimit tonë ekonomik. Nuk do të ishte e çuditshme që qeveria “Rama” të pezullojë hetimet kundrejt Bankers: sepse ajo varet nga zyra e Blerit për shumë veprime juridike që vetë nuk mund t’i ndërmarrë: sepse s’ka as dijen juridike as intuitën që të krijojë një ekip me dije juridike që të mbrojë të drejtat e qeverive tona kundrejt korporatave në gjykatën ndërkombëtare. Edhe rasti i “Bankers” filloi me qeverinë Berisha (sepse ishte kjo e fundit që miratoi në vitin 2006 Planin e Zhvillimit të naftës Patos-Marinëz, për një periudhë 25+5 vjeçare) dhe vazhdoi me qeverinë “Rama”. Njëlloj u veprua dhe me “Armon”, rafinerinë e socializmit: ajo u kthye në subjekt shfrytëzimi nga oligarkët e huaj dhe vendor.[31] Dhe njëlloj veproi qeveria “Berisha” me “Transoil Group”, një ndërmarrje e regjistruar në Zvicër me aksionerë Shefqet Dizdarin (avokat dhe tregëtar), Peter Krempin etj., kur i dha leje në vitin 2012-të për të shfrytëzuar vendburimin e Vioskës.

Gjatë viteve 2012-2018 ndërmarrja krijoi një borxh kundrejt Albpetrolit prej rreth 7 mijë ton naftë ose 2.5 milion dollarë dhe detyrime të prapambetura prej 700 mijë dollarë. Qeveria “Rama”, duke shpërnjohur faktin se ndërmarrja ishte borxh kundrejt shtetit, dhe shkaqet pse ishte me humbje dhe ndryshe nga sa veproi me një ndërmarrje tjetër (Phoenix), të cilës i hoqi vendburimin e naftës së Amonicës, sepse krijoi një borxh prej 1500 tonë naftë e barazvlefshe me 100 mijë dollarë — 32 herë më pak se “Transoil Group”— përfitoi dhe tre burime të reja duke investuar vetëm 4 milion dollarë përkundër një oferte tjetër nga Jurimex prej 6.5 milionë dollarë: Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj dhe Amonicë![32]

Kujtoj se Shefqet Dizdari ka qenë mik i ngushtë i Kosta Trebickës, dëshmitar kyç i çështjes “Gërdeci”, për vrasjen e të cilit Dizdari ka shprehur dyshime se mund të ketë qenë kurth. Të jetë vallë “Transoil Group” një tjetër krijesë e Berishës dhe shpërblim për Dizdarin për t’i “mbyllur” gojën? Vetëm hetimet e mëtejshme mund t’i japin përgjigje kësaj pyetje. Qartësisht, qeveritë tona jo vetëm që shkelin ligjin e konkurrencës dhe tenderimit në sektorë strategjikë të ekonomisë por as përpiqen të kuptojnë shkaqet pse ndërmarrjet janë debitore kundrejt shtetit dhe as përpiqen të shqyrtojnë mundësinë e krijimit të një ndërmarrje publike me njerëzit tanë duke kundruar ndonjë koncept të ri për administrimin e saj.  

CEZ-i, Bankersi dhe ndërmarrjet e tjera krijuan marrëveshje me plotë fitime sepse qeveritë tona nuk dinin ta administronin ndryshe sektorin, sepse kështu (larg syve të shqiptarëve) mund të fitojnë më shumë dhe për pasojë detyrohen të ofrojnë sa më shumë fitime për korporatat me qëllim që ato të vijnë në anët tona. Nuk ndiqet, për shembull, logjika e tenderave në nivel shtetëror. Domethënë, oferta më e ulët nga nënkontraktorët. Por ndiqet e kundërta: oferta më e ulët nga qeveritë për korporatat! Ndryshe korporatat nuk vijnë. Sidomos kur ato kanë shumë oferta dhe kanë, ose supozohet se kanë, dijen shkencore dhe teknologjinë. Kjo është njëra anë e problematikës, tjetra është se qeveria “Berisha” nuk ishte e aftë as ta monitoronte veprimtarinë e saj. Në të vërtetë, praktikisht asnjë qeveri s’ka mundësi të monitorojë një ndërmarrje naftënxjerrëse në operim. Përjashto mundësinë kur qeveritë bëjnë marrëveshje me ndërmarrjet private (ose konçesionare) të punësojnë në çdo hallkë të sektorit një punëtor shqiptar i cili do t’i raportonte së pari qeverisë dhe së dyti ndërmarrjes.

Në këtë mënyrë, edhe në sektorin e naftës qeveria “Rama” jo vetëm që nuk dëftoi shkaqet e privatizimit por do të mashtrojë popullin për t’u pasuruar shpura e tij politike: sepse siç kam treguar në vend tjetër,[33] kur privatizohet një pasuri publike, me përfitime të sigurta, siç është nafta, dhe në nadirin e saj, aksionet e ndërmarrjeve private që blejnë sektorin, rriten në vlerë në kohë reale. Dhe është pikërisht ‘koha’ e blerjes së një pasurie që luan rol vendimtar në rritjen e vlerës së aksioneve. Në kohën kur shitet pasuria, rrjedhimisht, politikanët profesionistë nuk arkëtojnë vetëm të ardhurat në llogari të qeverisë nga shitja dhe kur firmosin marrëveshjen përkatëse, por blejnë, ose investitorët u dhurojnë edhe disa qindra-mijëra aksione protagonistëve të marrëveshjes. Ky është, në fjalë të tjera, “dividenti” i investitorëve për politikanët. Dhe për sa kohë që investitorët do të shfrytëzojnë pasurinë përkatëse për aq kohë do të pasurohen politikanët dhe kapitalistët e huaj: sepse politikanët do të jenë aksionerë të përhershëm dhe të tërthortë në sektorin përkatës. Pala e tretë, populli, do të shfrytëzohet për sa kohë që nafta do të rritet në çmim. Nuk është e rastit që Banka Botërore ka zbarkuar në vendin tonë me qëllim që të financojë sektorët më fitim-prurës duke përfshirë edhe sektorin e energjisë, veçanërisht nënsektorin që ndërlidh vendin tonë me vende fqinje. Njëlloj kanë shprehur interes edhe italianët dhe austriakët!

Pjesë e dytë mund të lexohet më poshtë por këshillohet të lexohet gjithë studimi në variantin PDF ku është edituar dhe përditësuar 

Padija dhe mashtrimet e klasës politike dhe akademike për krizën energjitike: drejt territ dhe katastrofës së mëtejshme ekologjike


[1]Monopoli i energjisë, BE kërcënon Shqipërinë, Shqip, 2011-10-20.

[2]KESH-CEZ, skenarët për mos rritjen e tarifave, Shqip, 2011, 11, 25.

[3]Kriza, qeveria po shet hidrocentralet,Shqip, 2011-11-22.

[4]Zbardhet marrëveshja me CEZ, ja si u bindën çekët, Shqip,30 Gusht 2014.

[5]Shih për më shumë, Drejt orientimit ekologjik të shoqërisë, pjesa e parë.

[6]Administrimi publik dhe ndërmarrjeve: nga kaosi i elitave moderne në rend demokratik.

[7]Dështim total me konçesionin e HEC-eve, Shqip, 2012, 02, 25.

[8]HEC-et në 2014, prodhuan 27% të totalit të energjisë, Dita, 25 Mars, 2015.

[9]Koncesioni i HEC-ve vlen 470 miliardë lekë, Shqip, 2011-09-22.

[10]Mesatarja e humbjeve për 2014 llogaritet në rreth 40 për qind, gjysma vjen nga vjedhjet, Shqip, 29 Shtator 2014.

[11]Pronarët e HEC-eve: Me çmimin që cakton qeveria, falimentojmë, Shqip, 2 Dhjetor 2014.

[12]Mashtrimi dhe krimi me mega-projektet dhe energjinë teknologjike: drejt një revolucioni tekno-energjitik.

[13]Kriza energjetike rrezikon financat publike, Shqip, 2011-11-19.

[14]Shefat e BB-së zbarkojnë në Tiranë, Shqip, 2011, 07, 01.

[15]Koncesioni i HEC-ve vlen 470 miliardë lekë, Shqip, 2011-09-22.

[16]Shih, për më shumë, Pushteti i frikës dhe globalizmi neoliberal.

[17]ΕΛΛΑΔΑ ΩΣ ΠΡΟΤΕΚΤΟΡΑΤΟ ΤΗΣ ΥΠΕΡΕΘΝΙΚΗΣ ΕΛΙΤ, T. Fotopoulos, f, 228. (Theksi u shtua)

[18]Fuel poverty affects a quarter of UK’s households as bills soar and pay freezes,The Guardian, 01 Dec 2011.

[19]Clouds are gathering over Britain's new nuclear dawn, The Independent, 07 October 2012.

[20]Revealed: How Big Six energy firms conceal their profits, The Independent, 09 November 2013.

[21]A giant European network of electricity interconnectors, The Independent, 02 January 2014.

[22]Large fall in UK greenhouse gas emissions of over 8% last year, The Guardian, 26 March 2015.

[23]The tide is turning against the scam that is privatisation, Seumas Milne, The Guardian, 9 July 2014.

[24]Rrezik monopoli në tregun e gazit, Shqip, 2011-08-12.

[25]Republic of Albania Parliament Assembly Law, No.10 490, dated 15.12.2011.

[26]Kontrolli i naftës, qeveria përgatit koncesionin, Shqip, 2011-10-22.

[27]Një hetim për Bankers që nuk përfundoi dhe Institutet shkencore të shtetit që gënjejnë...shtetin, Dita, 6 Prill 2015.

[28]Njihni rrogat e çmendura në Bankers, Dita, 5 Dhjetor 2015.

[29]Paradoksi: bankers pa fitim, 6 nënkontrakorët e Bankers, ndër 25 më të kamurit në Shqipëri, Dita, 8 Dhjetor, 2015.

[30]Albpetrol “rrëzon” Bankersin: Ja si janë shmangur taksat, Dita, 22 Prill, 2015.

[31]Shih, për më shumë, Armo, një kërkim i përbashkët, Historia a grabitjes më të madhe 10 vitet e fundit, Top Channel, 26/01/201.

[32]Vendburimet e naftës i jepen kompanisë që ka borxhe ndaj shtetit, Top Channel, 07/06/2018.

[33]Pará: përftimi nga asgjëja. Ose, Kriza shumë-dimensionale.

It appears your Web browser is not configured to display PDF files. Download adobe Acrobat or click here to download the PDF file.

Click here to download the PDF file.
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA