...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Falsifikimi vulgar dhe kanosës i historisë serbe dhe mbivendosja serbe ndaj shqiptarëve

“Serbët janë populli më i vjetër në botë, e kanë pushtuar Indinë dhe kanë krijuar atje dy perandori serbe; *Shën Pjetri, Apostoli Lluka, Aristoteli, Aleksandri i Madh, të gjithë perandorët romakë kanë qenë serbë; * Ushtria e faraonit Ramzesi II ishin serbë, kur fitoi luftën e Kadeshit; *Troja ishte qytet serb; * Trakasit, Skitët, Vendët, Tribalët dhe Ilirët ishin fise serbe”

Adil Fetahu

25/03/2018 - 16:27

Këta janë margaritarët e zbulimeve më të reja të lashtësisë së popullit të tyre, nga një grup jo i vogël i historianëve e antropologëve sharlatanë serbë: Borisllav Vllajiç (Zemlaniçki), Jovan I.Deretiç, Dobrosllav Jevgjeviç, Ollga Llukoviç-Pjanoviç, Dushko Shçekiç, piktorët Milliç Stankoviç (“Milliç od Maçve”), Dragosh Kallajiç etj. Lista e këtyre fasifikatorëve të historisë  është më e gjatë, dhe atyre duhet shtuar edhe disa rusë, por këtu do të merremi më së tepërmi me kryefalsifikatorin Jovan I.Deretiç, me të cilin janë marrë edhe disa historianë serbë më të drejtë.

Duke ripërtëri mitet e nacionalizmit romantik të shekullit të 19-të, dhe shtuar mbi to gënjeshtra e falsifikime të reja, falsifikatorët e historisë serbe e çojnë edhe më larg në kohë e në hapësirë lashtësinë dhe shtrirjen e serbëve jo vetëm në Ballkan por në gjithë Evropën, madje edhe në  pjesën më të madhe të Azisë. Në zhvillimin e mitit për “popullin e zgjedhur hyjnor”, ata pajtohen mes vete në tezën se serbët janë populli më i lashtë në botë! Këtë tezë e hipoteza tjera i përhapën në kohë të krizave, përmes shkrimeve, tubimeve e librave të botuara, sidomos në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, në prag dhe gjatë luftërave në Jugosllavi, me qëllim të mobilizimit dhe krijimit të një “vetëdije nacionale” dhe homogjenizimit të popullit serb.

Një serbe e martuar me një kroat, e më vonë e lënë prej tij, Ollga Llukoviç-Pjanoviç, në vitin 1990 kishte botuar librin “Serbët populli më i vjetër”. Sipas saj, para disa mileniumeve serbët kanë ekzistuar dhe janë përhapur nëpër botë. Këtë tezë e mbështetë në elementet linguistike (gjuhësore) të toponimeve, hidonimeve dhe oronimeve (emrave të vendeve, lumenjëve, deteve e maleve), dhe thotë se në të dy anët e lumit Gang, në Indinë Veriore, janë gjetur toponime e hidronime serbe (Sarbana – vend; Sarabi – lum, etj.), dhe se serbët e lashtë e kanë populluar gjithë territoret rreth Detit Mesdhe dhe Detit të Zi. Ajo përmendë edhe Përmbytjen e Madhe dhe praninë e sllavëve në Babiloni kur “është bërë ndarja e gjuhëve”, e që atëherë sllavët e flisnin gjuhën e tyre.

Drashko Shçekiç në librin e tij “Sorabi: istoriopis” (1994), “vërteton” se shpërngulja e serbëve ka nisur 4500 vjet para lindjes së Krishtit. Shçekiç shton se në Indi, në djepin e parë të tyre, Sorabët (serbët), qysh 5000 vjet para lindjes së Krishtit kishin krijuar dy shtete (perandori). Mirë që nuk thotë se serbët kanë ekzistuar para Adamit, para amebave, e ndoshta edhe para krijimit të botës!

Piktori i krisur, “Milliç od Maçve”, thotë se serbët janë paraardhësit e të gjithe evropianëve, dhe profetizon se pas një kataklizme që do të ndodhë, do të mbesin të gjallë vetëm serbët “si popull i zgjedhur”, dhe se gjuha serbe do të jetë gjuhë planetare me të cilën do të mund të merren vesh edhe me civilizimet e planeteve të tjerë! Me këto që thotë, Milliç dëshmon thënien e njohur se “vasiona mund te ketë diku kufi, ndërsa budallallëku nuk ka kufi”.

Deretiçi, kryefaslifikatori i historisë serbe

Përkundër marrëzive të tjera, në falsifikimin e historisë së serbëve, me broçkullat e tij më së largu shkon historiani Jovan I.Deretiç, gjithnjë me pretendime se për këto që thotë  ka argumente shkencore të pamohueshme. Në një intervistë të gjatë dhënë gazetës “Novosti” (24 qershor 2017),  flet për lashtësinë e popullit serb. Ai thotë: “Nuk ka popull sllav (sllaven), por të gjithë ata që kështu e quajnë veten janë me prejardhje serbe dhe se serbët janë autoktonë në Ballkan, populli më i madh i botës, shtriheshin në tërë Evropën dhe në Azi, deri në Indi. Qyteti Niniva në Mesopotami mbanë emrin e mbretit serb Nino Bellov, i cili prej Nishit i ka prirë një ushtrie gjatë depërtimit prej Evropës nëpër Azi të Vogël, dhe okupoi rrafshnaltën e Iranit dhe ndaloi në Indi, në rajonet e lumejnjëve Ind dhe Gang. Atje janë gjetur pllaka argjilli të vjetra 1900 vjet para Krishtit, me mbishkrimin në gjuhën sumere: “Ur Nina sar Serbula” — që do të thotë: Zotëri Nino, mbret i serbëve, apo i Serbisë.Ky  ishte depërtimi i parë i Arianëve në Azi. Serbët ishin Arianë, e ky emër rrjedh sipas zotit Aron, nga trojet e Kosmetit të sotëm. Në Misir (Egjypt), garda e faraonit Ramzesi i Dytë ka qenë e përbërë prej serbëve dhe ajo ka mundësua fitoren e luftës së Kadeshit, kundër Hititëve. Për këtë ekzistojnë prova me shkrim dhe vizatime në Luksor, ndërsa këngëtari i atëhershëm Pantauri i Misirit këndonte atë luftë, duke thënë: “Sarbanisi srca borbenog”(Sarbanitët, zemra  luftëtarësh).

Emri Serb gjendet edhe në shumë toponime, emra të qyteteve, të lumenjëve e liqejve. Herodoti fliste për Liqenin Sarbovik, një gji në Detin Mesdhe, në të cilin është fundosur kalorsëria serbe. Në Azinë e Vogël ekziston qyteti Strbina (të cilin grekët e quajnë Santos), në brigjet e lumit Srbica. Aty është gjetur kodi (ligji) komplet, që daton nga shekulli VIII para Krishtit, i shkruar në gjuhën serbe, me alfabetin e ngjajshëm me “azbukën” e sotme. Në tekst, veç të tjerash shkruan: “Serbët do të derdhin gjak duke e mbrojtur këtë vend”. Grekët e vjetër, si dhe Aleksandri i Madh kanë qenë serbë. Gjuha maqedone është gjuhë serbe; nuk ka ekzistuar as fis as gjuhë maqedone. Maqedoni ka qenë emërtim i një territori serb që quhej Pellagonia. Atje ka sunduar dinastia serbe Karanoviç nga rrethina e Krushevcit,  prej së cilës e ka prejardhjen Aleksandri i Madh. Këtë e vërteton edhe Plutarku. Edhe Aristoteli ka prejadhjen serbe. Profesori Vinko Pribojeviç, nga Hvari, në fillim të shekullit 16 vërtetonte se Aristoteli është plotësisht serb. Nga hulumtimet e mia kam gjetur se ai ka lindur në Maqedoninë e Vjetër, se i ati  ka qenë mjek në Stigar, dhe se Filipi e ka marrë Aristotelin për një nga 12 mësuesit në Shkollën e princërve në Nijaza, në bazë të rekomandimit të një princi serb nga Azia e Vogël.  Aristoteli ka folur serbishten përsosur, e ka përkthyer Teorinë atomike në gjuhën greke, dhe për herë të parë në shkrimet e tij ka përmendur emrin grekë, e jo Helenë. Grekët janë me prejardhje serbe nga Misiri,  gjë që e përshkruan edhe Herodoti. Troja ka qenë plotësisht qytet serb. Atë e kanë ndërtuar pjesëtarët e fisit serb të Dardanëve, të cilët kanë jetuar në Dardani, territori i sotëm midis Shkupit, Prishtinës dhe Nishit. Një numër i madh i perandorëve romakë kanë qenë serbë, si bie fjala: Lucije Septima Sever, Maksim Traçani, Dekijusi, dhe të gjithë pas tij deri me rënien e Perandorisë Romake, prandaj ata kanë ndërtuar pallate në këto hapësira, si Diokleciani, Konstantini, Maksimiliani etj. Vendbanimi i parë serb ka qenë në Vinça, Lepenski Vir, në Ultësirën e Panonisë, rreth shtatë lumenjëve: Danubi, Drava, Sava, Drina, Morava, Tamishi dhe Tisa, ndërsa qendra ka qenë Beogradi!

Arkeologët rusë kanë gjetur një pllakë argjili,  në qytetin Teftarina në Rumuni, të vjetër 5700 vjet para Krishtit, në të cilin është shkruar me alfabetin arkaik serb dhe në gjuhën serbe: “Gjede, sin tvog sina hoqe drzavu” (Gjysh, djali i djalit tënd po don shtet, a.f.). Etruskët, Trakasit, Skitët, Vendët, Tribalët dhe Ilirët kanë qenë serbë. Shtatë apostuj kanë  shërbyer në Serbi, ndërsa Shën Pjetri e ka organizuar kishën së pari në Serbi, e pastaj në Romë. Apostoli Lluka ka qenë serb”. Pyetjes (shpotitëse, a.f.), se çfarë ka qenë Jezu Krishti serb apo hebre, Deretiç thotë: “Kjo akoma nuk është sqaruar. Parimi im është se asgjë nuk e publikoj pa gjetur fakte dhe rrjedhën logjike të tyre. Tash për tash mund të them vetëm se ai nuk ka qenë hebraik por ka shkrime ku thuhet se hebraikët që e kanë sulmuar Krishtin, e kanë quajtur ‘Sardarsko kopile’ (kopil Sardar/serb, a.f.), ndërsa fjalët e fundit që ka folur kur ishte i gozhduar në kryq, i ka folur në gjuhën arameje, që është  gjuhë arkaike serbe, duke thënë: ‘Ilija, Ilija sadvejnija milija’, që do të thotë: ‘Ilija, Ilija a më paske harrua’. Ilija gromovnik (zoti rrufeve, a.f.) ka qenë zoti suprem i serbëve, dhe Krishti pra i është dejtuar atij zoti”. Në pyetjen e gazetares intervistuese (Jasna Jojiç), se nëse edhe Mojsiu ka qenë serb, Deretiçi përgjigjet: “Nuk mund të them por në kohën e tij serbët për një kohë e kanë populluar Palestinën. Veç kësaj,  Bibla e parë është shkruar në gjuhën arameje — d.m.th. në gjuhën arkaike serbe, e pastaj është përkthyer në hebraishte”.

Historianët serbë e çmontojnë Deretiçin

Jovan I.Deretiç është një figurë kontradiktore. Si i ri, 19 vjeçar, ka emigruar së pari në Francë ku ka pasur shumë takime me mbretin e ikur serb, Karagjorgjen. Pastaj ka emigruar në Amerikë ku ka punuar dhe studiuar dhe ka arritur titullin e doktorit të hisorisë dhe antropologjisë, dhe njeh gjuhët e vjetra latine e greke. Një kohë ka qenë kryetar i Qeverisë serbe (të Karagjorgjes) në egezil (në Amerikë). Por princi Aleksandër që ishte në Angli e ka shpërnjohur dhe sabotuar dhe nuk ka mbajtur lidhje me të. Është kthyer në Serbi në vitin 1997, me figurë prej shkencëtari dhe misionin e  “korrigjimit të historisë së popullit serb”, të cilën, siç thotë ai, e kanë falsifikuar Vatikani dhe historianët komunistë.

Por tezat e tij dhe të historianëve të tjerë romantikë, i çmontojnë disa nga historianët e ndershëm serbë. Mr Millan Çellik e hedhë poshtë teorinë e Deretiçit dhe e quan marrëzi atë që Deretiçi mbi baza linguistike të emrave të vendeve të nxjerrë konkluzione se ato vende ishin serbe dhe se serbët janë shtrirë në gjithë botën! Çellik merr shumë shembuj të fjalëve që duken si fjalë apo emra të gjuhës serbe por ato lexohen ndryshe dhe kanë domethënie e kuptime të tjera në gjuhët përkatëse. Për këtë, Çellik nxjerr 54 fjalë ose emra nga gjuha angleze, të cilat të shkruara duken si serbe por nuk janë serbe, si psh: car, ban, brat, rat, gad, sad, ustra, mart, glad, gust, glib, bode, grebe, sir, stoke, mace, slab…etj. Sipas logjikës linguistike të Deretiçit, mali Fuxhi Jama në Japoni, do të ishte tokë serbe, ndërsa fjala “jama” në serbishte ka kuptimin e shpellës.

Radivoje Radiç, profesor-bizantolog në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit, në librin e tij, me titull shpotitës, “Serbët para Adamit dhe pas tij”, i hedhë poshtë tezat e romantikëve të rinj të historisë serbe, të prirë nga Jovan Deretiçi dhe Ollga Llukoviç-Pjanoviç. Të pohosh se serbët janë populli më i vjetër dhe ta shtrembërosh kështu historinë, munden vetëm entuziastët më të prishur, thotë Radiç.

Nuk meritojnë t’u jepet rëndësi këtyre por librin e shkrova për ta mbrojtur zanatin e historianit nga vërsuljet e këtyre amatorëve të padijshëm e këtyre pseudohistorianëve qëllimkëqij, të cilët vërtitën në histori dhe orvatën të institucionalizojnë idetë e tyre të pathemelta e me metoda obskurantiste. Nuk besoj se pas librit tim, ata do të ndalen, apo se do të zhduken pseudohistorianët, sepse ata shfaqen në kohë krizash dhe teoritë e tyre janë tërheqëse për njerëzit të cilët dëshirojnë të dëgjojnë vetëm atë që ua ka ënda, e jo atë që e ka vërtetuar shkenca, përfundon Radiç, të cilin pala e kundërt e akuzojnë dhe quajnë marksist dhe urrejtës i serbëve.

Historinë e vërtetë nuk e do (as) shteti serb

Në Serbi gjithnjë janë më të pranueshëm pseudohistorianët, të cilët historinë e mbështesin dhe shpjegojnë në bazë të miteve, se sa të tjerët që mbështeten në të vërteta shkencore. Kështu, historiani më i njohur serb për Mesjetën, Rade Mihalçiç, autor i librit të historisë për klasën VI, ishte vënë në qendër të kritikës së shumë pseudohistorianëve, madje edhe të pushtetit serb, vetëm pse në atë libër shkollor kishte shkruar se: “Sllavët e vjetër kur kanë ardhur në Siujdhesën Ballkanike i kanë pritur Ilirët, të cilët pastaj janë ndarë në disa fise, prej të cilëve njenin prej tyre që nga shekulli i  20 popujt  e Evropës Perëndimore i quajnë Shqiptarë (Albanci). Vendorët (d.m.th. Ilirët) të cilët kanë jetuar  në vendbanime të grupuara dhe në grupe më të mëdha, nuk janë sllovenizuar. Shqiptarët i kanë ruajtur doket, gjuhën dhe vetitë e tjera popullore. Një pjesë e Sllavëve të ardhur  kanë marrë gjuhën dhe doket e Shqiptarëve dhe janë shkrirë bashkë me ta”, thotë Mihalçiçi. Ky leksion për autoktoninë e Shqiptarëve dhe ardhjen e Serbëve, ka mjaftuar që Ministria e Arsimit, me një aktvendim (dt. 7 gusht 2014), ta urdhërojë Entin e Botimeve të Teksteve që tekstin e Historisë së klasës VI, ta revizionojë e ribotojë, dhe këtë detyrë Enti e ka kryer! Kështu në tekstin e ri është “relativizuar” pohimi për Shqiptarët si autoktonë në Gadishullin Ballkanik, dhe janë riformuluar emërtimet për sllavomaqedonasit dhe shtetin maqedon.

 

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA