Tereza, virtyti i mirësisë dhe tre kontradiktat lidhur me të varfërit
Tereza pikërisht sepse e filloi jetën në një familje të varfër dhe nga varfëria zhvillohet dhembshuria dhe punoi për të varfërit më shumë edhe se kritikët e saj dhe ndoshta më shumë se çdo njeri tjetër, veprimet e saj burojnë edhe nga virtyti i mirësisë pavarësisht se bëheshin për hir të shpërblimit nga Zoti
Ylli Përmeti
06/09/2021 - 17:17
Se çfarë një njeri dëshiron është më mirë se çfarë një njeri dëshiron të duket, sepse kur synon në të - ai synon më shumë në realitetin e saj.
—Aristoteli
Pas pritjes së Papës në Tiranë dhe rehabilitimit të shumë reaksionarëve nën petkun e “anti-komunizmit”, qeveria “Rama” dhe përgjithësisht shqiptarët, janë ëmbëlsuar me shenjtërimin e Nënë Terezës nga Vatikani për veprimtarinë e saj fetare lidhur me varfërinë. Por nëse shqyrtojmë veprimtarinë e Terezës dhe qasjen e elitave fetare, nga një qasje teleologjike, do të thartohemi. Shtypi ndërkombëtar e ka kritikuar veprimtarinë e saj duke përmendur kryesisht gabimet që ka kryer në administrimin e disa çështjeve dhe keqkuptimin e rolit të misionarëve, veçanërisht lidhur me varfërinë. Ndërsa muslimanët e anëve tona e shohin si kërcënim meqënse qeveria “Rama” po tregon një lloj ‘dobësie’ për fenë katolike. Gjykuar, në të vërtetë, nga ligjëratat e Ramës, përmes të cilave përmend shpeh herë mentorë të krishterë e katolikë, dhe nga besimi fetar i vetë Ramës, të cilin e dëshmon me emrat e fëmijëve të tij dhe veprime të tjera, mund të themi se ai bart një parapëlqim të natyrshëm për katolikët. Për të njëjtën arsye muslimanët e anëve tona ndihen të kërcënuar dhe sulmojnë edhe Nënë Terezën. Por nuk ndryshojnë shumë nga qasja e shtypit ndërkombëtar. Domethënë, ata nuk vlerësojnë tërësinë e veprimtarisë së saj dhe raportin që ka feja me të varfërit por përqendrohen në disa raste që janë vërtetë për t’u kritikuar.
Por ne, nëse duam të jemi të drejtë, duhet të vlerësojmë tërësinë e veprimtarisë së njeriut dhe jo disa raste: sepse njerëzit –pikërisht sepse janë njerëz— edhe gabojnë. Veçanërisht kur bëhet fjalë për një njeri fetar të cilit i mungon aftësia kritike lidhur me çka beson dhe vepron. Shenjtërimi i Nënë Terezës, rrjedhimisht, bart tre kontradikta kryesore: së pari, veprimtaria e Terezës dhe çdo besimtari, ndërmerret për hir të shpërblimit nga Zoti dhe jo për hir të virtytit të mirësisë që qendron në karakterin e njeriut. Ja si e përcakton Aristoteli natyrën e mirësisë:
Ne mund ta përcaktojmë një gjë të mirë si ajo gjëja e cila duhet të zgjidhet për të mirën e saj; ose si ajo që për të mirën e së cilës ne zgjedhim diçka tjetër; ose si ajo që kërkohet nga të gjitha gjërat, ose nga të gjitha gjërat që kanë ndjeshmëri ose arsye, ose ajo e cila do të kërkohet çdo gjë që fiton arsye; ose si ajo që duhet të përshkruhet për një individ mbi arsyen e përgjithshme, ose është përshkruar për atë nga arsyeja e tij individuale, duke qenë e mira e tij individuale; ose si ato dhuratat që sjellin çdogjë në një gjëndje të kënaqshme dhe të vetë-mjaftueshme; ose si vetë-mjaftueshmëri; ose si ajo çfarë prodhon, mban, ose sjell karakterisktika të këtij lloji, ndërsa parandalon dhe shkatërron të kundërtat e saj. Gjërat janë produktive në tre kuptime: së pari duke qenë i shëndetshëm prodhon shëndet; së dyti, si ushqimi që prodhon shëndet; dhe së treti, siç bën ushtrimi fizik—d.m.th., ai bën mirësi zakonisht. Të gjitha këto gjëra të vendosura, ne shikojmë se fitimi i gjërave të mira dhe largimi e gjërave të këqija njëherësh duhet të jenë të mira; kjo e fundit sjell njëherësh liri nga gjërat e këqija, ndërsa e para sjell zotërime nga gjërat e mira më vonë. Fitimi i një të mire më të madhe nga një e mirë më e vogël, ose të një të keqe më të vogël se një të keqeje më të madhe, është gjithashtu e mirë, sepse në përqindje megjithëse më e madhja tejkalon më të voglën atje arrihet fitimi i të mirës ose largimi i të keqes. Virtytet, gjithashtu, duhet të jenë diçka e mirë; sepse është zotërimi i këtyre që ne të jemi në një gjëndje të mirë, dhe ato kanë për prirje që të prodhojnë punë dhe veprime të mira. Kënaqësia, sërish, duhet të jetë një gjë e mirë, meqënse është natyra e të gjitha kafshëve që synojnë në të. Rrjedhimisht, gjërat e kënaqshme dhe të bukura duhet të jenë gjëra të mira, meqënse e para prodhon kënaqësinë, ndërsa gjërat e bukura disa janë të kënaqshme dhe disa të dëshirueshme në vetë-vete dhe për veten e tyre. (Theksi u shtua)
Qartësisht, mirësia buron nga zotërimi i virtyteve meqënse virtyti përfshin zgjedhjen dhe është pjesë e karakterit të një njeriu. Një njeri me karakterin e mirësisë do të veprojë për hir të mirësisë pavarësisht se ‘e mira’ nënkupton mund dhe mundi – një lloj sakrifice. Ndryshimi, rrjedhimisht, i një njeriu me mirësi në karakter dhe një njeriu që bën mirë për hir të shpërblimit nga Zoti —si në jetën tokësore ashtu dhe në “jetën” e përtejme—, është tejet i madh: sepse është më mirë t’i ndihmojmë njerëzit e varfër duke i ndriçuar në mendje, edukuar, integruar dhe angazhuar në shoqëri dhe institucione sesa thjesht duke u mbushur vetëm stomakun sa herë që na japin pasanikët ndonjë lëmoshë përmes dhuratave apo fondacioneve të tyre apo/dhe sa herë që të na thërrasin elitat fetare për agjërime dhe kremtime.
Kështu, ndërsa ne synojmë edukimin dhe zhvillimin e njeriut virtuoz dhe përmes tij ndërveprojmë në shoqëri, për hir të virtytit, fetarët mjaftohen duke ndihmuar të varfërit me ndonjë lëmoshë...për hir të shpërblimit nga Zoti! Në këtë mënyrë fetarët riprodhojnë varfërinë dhe “fisnikët” në vend të luftojnë kundër varfërisë që krijojnë elitat—domethënë, të kërkojnë nga elitat, përfshirë dhe elitat fetare, edukimin e njeriut dhe aftësimin e tij për të jetuar sipas dëshirës dhe dinjitetit të tij. Fetarët, rrjedhimisht, nuk e shikojnë varfërinë si pjesë e një shteti të padrejtë, i cili krijon pabarazi —të pasur dhe të varfër— ku të pasurit paraqiten si “fisnikë” ndërsa shfrytëzojnë nevojat e të varfërve duke i poshtëruar ata.
Parë nga perspektiva fetare, dhe se ajo ishte me origjinë shqiptare, dhe meqënse shqiptarët janë katandisur mos më keq, në raport me popujt e tjerë, Tereza e meriton shenjtërimin, meqënse elitat fetare këtë synojnë: të ndihmojnë të varfërit duke u mbushur stomakun sesa mendjen, zemrën dhe shpirtin. Si e tillë, ajo nuk mund të jetë pjesë e “shenjtërimit” të mendimit njerëzor. Por vetëm e shenjtërimit fetar: sepse “shenjtorët” e vërtetë ndriçojnë mendjen dhe shpirtin e popujve duke u mësuar pikë së pari karakterin e padrejtë të shtetit të elitave.
Së dyti, elitat politike, ekonomike dhe fetare dihet se mashtrojnë popujt kur ndihmojnë të varfërit me lëmoshat që u japin: sepse, përtej faktit që elitat fetare nuk konsiderojnë shfrytëzimin e punëtorëve nga elitat politike dhe ekonomike prej të cilëve burojnë ‘lëmoshat’ e pasanikëve, ato, nëse vërtet dëshironin t’i ndihmonin të varfërit, me milionat e fetarëve që kontrollojnë, mund të organizojnë kur të duan jo thjesht protesta por revolta popullore kundër elitave politike dhe ekonomike me qëllim që këto të fundit të edukojnë, integrojnë dhe angazhojnë në jetën sociale dhe institucionale të varfërit. Por ato heshtin! Në vend, për shembull, të krijojnë të varfër dhe “humanistë”, dhe ndjesinë e “madhështisë” dhe “përulësisë”, t’i detyrojnë të paguajnë taksa që të mbulojnë nevojat e gjithë njerëzve. Dy janë arsyet se pse nuk veprojnë kështu elitat fetare: sepse roli i tyre është kundër-revolucionar. Përmes këtij roli ato riprodhojnë të varfërit dhe mjerimin që krijojnë elitat politike dhe ekonomike dhe, duke shfrytëzuar këto kushte, paraqiten, bashkë me elitat e tjera, “humanitare” dhe “fisnike”. Nuk është e rastit që Papa u tregon besimtarëve se jetojmë në kohë lufte dhe katastrofë të vërtetë ekologjike...por nuk u tregon shkaktarët dhe sistemin!
Së treti, elitat fetare na tregojnë dhe mësojnë se Zoti është dashuri dhe i kudondodhshëm. Nëse do të ishte e vërtetë kjo tezë ne do të ishim pushtuar nga dashuria: meqënse është e kudondodhshme. Kjo është, në të vërtetë, kontradikta më madhe e tezës së feve: se Zoti është dashuri dhe i kudondodhshëm, zanafillë e njeriut dhe udhërrëfyes i tij. Por pavarësisht kësaj dinamike plotë dashuri — njeriu prapëseprapë më shumë urren sesa dashuron! Për ta justifikuar këtë dukuri teologët na thonë se s’është faj i Zotit por i djallit që ka pushtuar njeriun. Por nga ky argument buron pyetja: se meqënse Zoti është i kudondodhshëm dhe është dashuri, pse s’e dominon dhe nuk e ndalon djallin ose pse s’eliminon atë plotësisht meqënse është krijuesi i botës? Ose pse e krijoi? Por elitat fetare nuk i shohin këto kontradikta!
Si të tilla, nga urrejtja nuk na shpëtojnë dot as me veprimet dhe qendrimet kontradiktore dhe as me tezat e tyre: sepse vërtet dashuria mund të na shpëtonte nga urrejtja dhe varfëria por vetëm nëse kuptojmë se nga buron ajo dhe si riprodhohet. Shën Tereza, e cila është vërtet e dashur për mua, jo vetëm sepse ishte e vuajtur por edhe sepse ishte një Nënë shqiptare, dhe gëzonte karakteristikat tona tradicionale, pavarësisht se ndonjë herë shfrytëzoi luksin e elitave borgjeze dhe keqdrejtoi disa çështje, por jo më e dashur se e vërteta, filloi veprimtarinë e saj në varfëri, punoi për të varfërit dhe u shenjtërua nga pasanikët e një shteti të derdhur në ar, pasuria e të cilit prapë, buron nga shfrytëzimi...dhe nuk e shenjtërua nga ata që duhet të shenjtërohësh: të varfërit—sepse ishin këta që duhet ta nderonin të parët jo ata që mbajnë statusin e shenjtërisë. Por të varfërit, si të varfër që ishin, të varfër mbetën: s’u emancipuan mjaftueshëm nga përpjekjet e Nënës sonë që ta nderonin dhe shenjtëronin. Ja pse është e nevojshme të emancipojmë (me ‘emancipim’ kuptoj zhvillimin e virtytit intelektual të njeriut krahas atij etik) të gjithë njerëzit dhe veçanërisht me ata që ndërveprojmë: sepse ndryshe përpjekja jonë do të jetë e kotë dhe nuk do të vlerësohet. Si mund, fundja, të të vlerësojë një njeri kur s’ka mësuar të vlerësojë drejt?
Hipokrizia e elitave fetare shfaqet dhimbshëm edhe kur frymëzohen nga filozofët e antikitetit por adoptojnë gjysmën ose një përqindje të vogël të qasjes së përgjithshme të tyre. Për të varfërit, për shembull, u frymëzuan nga etika Sokratike, por braktisën qasjen e përgjithshme të tij: sepse ndërsa Sokrati arsyetonte me të drejtë se njeriu përmes varfërisë zhvillon virtytet, të cilët më vonë Aristoteli i kategorizoi me të drejtë dhe për hir të së vërtetës, në virtyte etikë (ose zakonor) dhe rikonceptoi ‘varfërinë’ si koncept...duke e orientuar njeriun drejt zhvillimit të urtësisë por edhe rebelimit, nëse ishte e nevojshme...elitat fetare, duke përfshirë këtu edhe muslimanët, të cilët na e paraqesin Islamin si “revolucionar”, por me hoxhallarë kundër-revolucionarë, sepse s’kemi parë historikisht asnjë hoxhë të organizojë ndonjë revolucion, me fetarët e tij, kanë adoptuar gjysmën e etikës sokratike: të ndihmojmë të varfërit vetëm duke u dhënë ndonjë lëmoshë, të cilat, me radhë, burojnë ose nga “humanitas” e pasanikëve ose nga lëmoshat e agjërimeve të fetarëve! Në këtë mënyrë, riprodhojnë “madhështinë” e priftërinjve, hoxhallarëve dhe besimtarëve dhe ‘nënshtrimin’ e të varfërve.
Por duhet thënë, gjithashtu, se Tereza pikërisht sepse e filloi jetën në një familje të varfër dhe nga varfëria zhvillohet dhembshuria dhe punoi për të varfërit më shumë edhe se kritikët e saj dhe ndoshta më shumë se çdo njeri tjetër, veprimet e saj burojnë edhe nga virtyti i mirësisë pavarësisht se bëheshin për hir të shpërblimit nga Zoti. Si të tillë, ata ndërmerreshin njëherësh, për hir të virtytit të mirësisë dhe për hir të shpërblimit nga Zoti. Nuk ishin, në fjalë të tjera, thjesht veprime që synonin shpërblim nga Zoti. Por edhe origjinalë: sepse buronin nga virtyti. Dhe virtyti është gjithnjë një e mirë e tjetrit: sepse buron nga njeriu që vepron për hir të virtytit jo për hir të shpërblimit nga Zoti. Ja pse themi se njeriu virtuoz është më i dëshirueshëm se njeriu fetar: sepse i pari është origjinal dhe vepron për hir të virtytit ndërsa i dyti, megjithëse mund të ketë zhvilluar ndonjë shkallë virtyti, në varësi të kushteve në të cilët është rritur, kur vepron për hir të shpërblimit nga Zoti - nuk vepron për hir të mirësisë së tjetrit por për hir të mirësisë së vetes...
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 82 reads