...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Huaja e qeverisë “Rama” nga Banka Botërore për rritjen e rrogës mesatare dhe implikimet

Ajo synon të fitojë votën e administratës publike dhe klasës punëtore e cila vepron kryesisht në sektorin privat

Ylli Përmeti

08/04/2023 - 18:23

Njoftimi i vendimit të qeverisë “Rama” për rritjen e rrogës mesatare gjatë dy viteve të ardhshme, në javën e parë të prillit 2023, një muaj përpara zgjedhjeve bashkiake, është pasojë e dy faktorëve dhe një qëllimi: nga faktorët, ulja e borxhit publik gjatë vitit 2022, në rreth 67%, është faktori kryesor, ndërsa faktori i dytë lidhet me huanë që mori qeveria nga Banka Botërore (BB): sepse nuk është njoftuar, në dijeninë time, ndonjë rritje e të ardhurave dhe kursimeve të qeverisë, përveç rritjes ekonomike prej 4.84% gjatë vitit 2022, pavarësisht se pritshmëritë e saj nuk ishin të tilla; madje huaja dhe rritja e rrogave u njoftuan në kohën kur parashikimi i BB për ekonominë tonë gjatë vitit 2023 ishte 2.2% ndërsa për vitin 2024 do të jetë 3.4%!

Pa një ekonomi me pritshmëri të lartë, pa të ardhura më shumë dhe pa kursime, ajo nuk mund të mbulojë rritjen e rrogave gjatë dy viteve të ardhshëm. Këta fakte nuk e kanë trembur BB sepse PPB-ja për frymë është parametri kryesor i saj për të miratuar huanë pavarësisht se parashikimi i saj për dy vitet e ardhshme nuk është dhe aq ndjellamirë.

Gjykuar nga këta fakte, por dhe fakti se qeveria “Rama” nuk gëzon mbështetjen e amerikanëve, të paktën jo si në të kaluarën, dhe rastet e korruptimit të anëtarëve të saj po shtohen, dhe rrjedhimisht dhe mbështetja, kuptohet qëllimi i saj me “reformën” për rritjen e rrogave: ajo synon të fitojë votën e administratës publike dhe klasës punëtore e cila vepron kryesisht në sektorin privat. Ajo, sigurisht, nuk përmendi qëllimin e sapopërmendur por përpjekjen e saj për të “parandaluar” largimin e popullit nga atdheu dhe për të rritur konkurrencën. Kësaj përpjekje ajo mund t`i shtojë në muajt në vijim dhe “petkun” e patriotizmit.

Sidoqoftë, rritja e rrogës mesatare, në fakt, ndikon në “parandalimin” e braktisjes së atdheut por ajo nuk mjafton ndërsa për huanë tjetër për të rritur rrogat ajo nuk përdori rezultatet e saj në ekonomi pavarësisht se ajo përpiqet të tregojë se ajo ka krijuar “bazën” ekonomike për ta realizuar atë.       

“Rritja e pagave është sot një domosdoshmëri e mundshme; ka qenë domosdoshmëri edhe më parë por s`ka qenë e mundur”, tha Rama, pas njoftimit se qeveria e tij kishte nënshkruar një program të ri me BB-në për vitet 2023-2027, për një hua prej 900 milionë dollarësh. Sipas tij, rritja e tyre është e mundur “sepse kemi arritur rezultate domethënëse në të gjithë procesin e ngritjes së bazës”.

Por si Rama ashtu dhe raportet nuk treguan karakterin e shumës së miratuar nga BB: se ajo ishte një tjetër hua! Kështu ajo vërtet e uli borxhin publik në fund të vitit 2022 por e rriti atë me borxhin e radhës. Sidoqoftë, programi i BB dhe qeverisë përfshin disa objektiva:

Së pari, synon krijimin e më shumë vendeve të mira pune, sidomos për rininë dhe gratë.

Së dyti, synon përdorim më të mirë të kapitalit njerëzor, duke vijuar me përmirësimin e shëndetësisë, së arsimimit, të mbrojtjes sociale dhe të shërbimeve publike.

Së treti, ai përqëndrohet te qëndrueshmëria dhe rezistenca.

Banka ka aprovuar 4 projektet e para në kuadër të programit të ri, që kapin një total prej 355 milionë dollarësh. Nga këto 100 milionë do të shkojnë për rehabilitimin e urave në rrezik dhe përmirësimin e sistemeve të tyre të mirëmbajtjes; 70 milionë dollarë të tjerë si mbështetje për sektorin e bujqësisë, përmes nxitjes së inovacionit, zgjerimit të ujitjes inteligjente dhe rritjes së aksesit të produketeve bujqësore në tregjet vendase dhe ato të BE-së; 65 milionë dollar do të financojnë digjitalizimin e mëtejshëm të shërbimeve publike dhe ngritjen e laboratorëve digjitalë për fëmijët në 200 shkolla dhe 120 milionë dollarë për financimin e politikave të zhvillimit që do të ndihmojnë në forcimin e aftësisë ripërtëritëse të ekonomisë dhe qëndrueshmërinë mjedisore të modelit të rritjes së Shqipërisë.

Kundrejt kësaj nisme, “ekspertët” vunë në dukje vetëm faktin se ajo nuk u “konsultua” me biznesin dhe se ajo do t`i dëmtojë ata, sepse, argumentojnë ata, qeveria ka bërë ndryshime të shpeshta të rritjes së rrogave vitet e fundit dhe për pasojë, bizneset e kanë të vështirë të përshtaten me të.

Por ndërsa ata kanë deri diku të drejtë (sepse rritja e rrogave ka ndikim të mirë për disa biznese përsa kohë që rritet kërkesa), ata nuk përmendin faktin tjetër, më të rëndësishëm se ai, se ajo kryhet me një hua pa një ekonomi ndjellamirë, se për një ekonomi të “fuqishme” nuk bëhet fjalë! Dhe fakti që nisma e qeverisë “dëmton” bizneset, me siguri që ajo nuk synon votat e tyre por vetëm të administratës publike dhe klasës punëtore.

Parë nga ky ndikim, qeveria mund të marrë një karakter tjetër në dy vitet e ardhshëm, ndryshe nga çka ka qenë deri tani: mbrojtëse e klasës punëtore dhe klasës së mesme, e cila gjendet kryesisht në administratën publike. Për këtë të fundit, Rama e filloi me burokratët e kryeministrisë, të cilëve ua rriti rrogat pa shqyrtuar meritat në kolektiv por në bazë të gjykimit të tij!       

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA