...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ndërhyrjet politike amerikane fuqizojnë Berishën dhe dobësojnë SHBA-në

Ndërhyrjet amerikane nuk mund ta dobësojnë Berishën; përkundrazi, ato do ta fuqizojnë atë, jo vetëm sepse ai ka mbi 600 mijë mbështetës dhe shumicën e medias, por sepse ai po përdor një taktikë sipas së cilës ai është në shënjestrën e sorositëve, të cilët, sipas tij, nuk kërcënojnë vetëm Berishën (dhe Metën) por dhe demokracinë amerikane.

Ylli Përmeti

04/03/2023 - 13:28

Në datën 3 mars gjykata e apelit në Tiranë vendosi për “vulën” e Partisë Demokratike: ajo nuk e pranoi ankimin e ankuesit (të Partisë Demokratike të përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit); prishi vendimin e datës 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; dhe dërgoi çështjen për rigjykim pranë të njëjtës gjykatë por me një trup tjetër gjykues ndërsa kundër tij lejoi rekurs të veçantë në Gjykatën e Lartë brenda 5 ditësh, duke shfuqizuar vendimin e gjykatësit Agron Zhukri, i cili njohu kërkesën e komisionit në fjalë ndaj të cilit ishte ankuar Enkeled Alibeaj, gati dy javë më pas.

Vendimi u mor një ditë përpara se të mbaronte afati për regjistrimin e partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve! Ndaj vendimit në fjalë pati shumë përkushtim, nga të gjitha palët: ambasada amerikane, qeveria dhe vetë opozita. Madje ditën e vendimit Berisha dhe Meta organizuan një protestë përpara kryeministrisë për të ushtruar kundër-trysni meqënse ishin në dijeni se si Rama ashtu dhe ambasada amerikane kishin ushtruar trysni ndaj gjykatës.

Kështu pohoi më herët Berisha në “Çim Peka Live”: sipas tij, ai kishte të dhëna se ndaj gjykatës ishte ushtruar trysni nga ambasada amerikane dhe Rama. Ditën e vendimit, në fakt, ambasada amerikane ishte e pranishme në mjedisin e gjykatës me dy zyrtare. Madje Peka akuzoi ambasadoren amerikane se kishte dërguar një mesazh në celularin e një zyrtari të lartë të Partisë Socialiste për të përfshirë Alibeajn si palë në gjyqin e vulës. Në fakt, vendimin e gjykatës së apelit e paraljamëroi nga kuvendi i 23 shkurtit Taulant Balla. Ai tha se “jam shumë i sigurtë se pas datës 3 nuk do jeni më këtu, sepse, në fund të fundit gjykata do marri vendim”.

Si pasojë, në orët e mbrëmjes pak pasi vendimi filloi të merrte “dhenë”, Berisha foli nga selia e partisë dhe e quajti atë “likuidim” dhe “asgjësim të pluralizmit politik” në Shqipëri dhe se vendimi se si do të veprojë partia në vijim do të merret nga organet (të dielën e 5 marsit) ndërsa disa “demokratë” bënin thirrje në Syrinet për veprime që mund të çojnë në luftë civile; të tjerë këshillonin të ushtrohet presion ndaj grupit “Alibeaj” për tërheqje nga ankimimi etj.

Kështu, ndërsa Berisha mund të përfshihet në partinë e Metës dhe të jetë pjesë e zgjedhjeve, Alibeaj mund të mos marrë pjesë në zgjedhje nëse i përmbahemi Nenit 64 të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit ai duhet parashtrojë një vërtetim të regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor; dhe kërkesa duhet të parashtrohet nga kryetari si person i autorizuar për të paraqitur kandidatët. Alibeaj zëvendësoi Bashën kur ky i fundit dha dorëheqjen në statusin e nënkryetarit. Ai s`ka mandat, në fjalë të tjera, të kryetarit të partisë; as është regjistruar në dijeninë time, në gjykatë. Ndaj dhe argumenti i Berishës, se ai nuk është “palë”, është i drejtë.

Sidoqoftë, parë nga këndvështrimi i ambasadës amerikane, se SHBA-ja kërkon të ndalojë Berishën të marrë pjesë në jetën politike parlamentare dhe zgjedhjet bashkiake, dhe nga mundësia e Berishës për t`u bashkuar me Metën (aktualisht ata janë të bashkuar jo vetëm si koalicion por edhe në kandidatë, për shembull, kanë një kandidat të përbashkët në Tiranë) meqënse e ndaluan të regjistrohet në gjykatë, gjasat janë se grupi “Alibeaj” nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje, përjashto mundësinë e korruptimit të KQZ-së nga Rama dhe ambasada amerikane ndërsa Berisha mund të marrë pjesë.

Gjykuar nga këta fakte, mund të themi se ndërhyrjet politike të Ramës dhe ambasadës amerikane për të ndaluar Berishën kanë dështuar. Përpjekjet e tyre, në fakt, me ndërhyrjet e tyre politike në sistemin e drejtësisë, janë në vetë-vete dështim dhe do t`u kthehen në bumerang: sepse nuk mund të pretendojnë drejtësi kur vetë ndërhyjnë hapur në sistemin e drejtësisë dhe kur ky fakt mund të shfrytëzohet nga Berisha dhe Meta në vijim.

Kështu në vend të ndihmohet drejtësia, ajo minohet pikërisht nga qeveria dhe ambasada amerikane dhe Berisha dhe Meta bëhen mbrojtësit e saj, jo duke mbrojtur institucionet e drejtësisë, të cilët diktohen nga qeveria dhe ambasada amerikane, por duke mbrojtur parimet e drejtësisë siç kanë bërë vitet e fundit në opozitë: por jo sepse janë ithtarë të drejtësisë por kryesisht për shkak se janë më të dobët dhe janë në opozitë dhe në shënjestër të qeverisë dhe amerikanëve dhe kërkojnë besimin e popullit për të rifituar pushtetin. Këto janë shtysat (ose arsyet) kryesore se pse ata përpiqen të jenë më të drejtë se Rama, qeveria e tij dhe ambasada amerikane.

Përmblethtas, ambasada amerikane me ndërhyrjet e saj në politikë krijon një dinamikë të padëshirueshme për drejtësinë e vendit tonë dhe për vetë misionin e saj në Shqipëri: të ndihmojë në themelimin e drejtësisë (duke kërkuar hetimin e krerëve të politikës) dhe jo ta minojë atë me ndërhyrje politike. Ndërhyrja e parë e saj filloi kur kërkoi përjashtimin e Berishës nga kuvendi që lindi pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 dhe u përsërit edhe një herë me përpjekjen e saj për ta përjashtuar atë nga zgjedhjet bashkiake. Me shumë gjasa ajo do të vazhdojë të ndërhyjë.

Por ndërhyrjet e saj nuk mund ta dobësojnë Berishën; përkundrazi, ato do ta fuqizojnë atë, jo vetëm sepse ai ka mbi 600 mijë mbështetës dhe shumicën e medias, por sepse ai po përdor një taktikë sipas së cilës ai është në shënjestrën e sorositëve, të cilët, sipas tij, nuk kërcënojnë vetëm Berishën (dhe Metën) por dhe demokracinë amerikane.

“Anti-amerikanizmi” i tij, në fjalë të tjera, nuk është kundër gjithë SHBA-së. Por një pjese të saj: pjesës sorosiste. Duke qendruar besnik i SHBA-së në tërësi dhe institucioneve ndërkombëtare në BE, siç është Këshilli i Evropës, ai mund ta ekspozojë ndërhyrjen politike amerikane dhe ta dëmtojë atë ndërsa fiton besimin e popullit: sepse një ndjesi drejtësie e gëzon populli pavarësisht propagandës së medias.    

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA