...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ndryshimet e rëndësishme të SPAK-ut dhe ‘fundi’ i paktit “Berisha-Meta-Rama”

Janë tre faktorë vendimtarë që parapërcaktojnë të ardhmen e punës së SPAK-ut: ai është i plotë; gëzon mbështetje të madhe nga ambasada amerikane; dhe prokurorët dhe gjykatësit janë më të sigurtë për jetën e tyre

Ylli Përmeti

31/01/2023 - 12:40

Mes Berishës, Ramës, dhe Metës është krijuar një “pakt” përmes të cilit ata akuzojnë njëri-tjetrin për korrupsion ndërsa nuk dënohet me burg njëri apo tjetri nga pushteti i kryeministrisë. Nuk ka fakt më të qartë për këtë pakt se mosdënimi i Berishës nga Rama për 21 janarin. Për natyrën e paktit, se nëse ai është krijuar pasi u mblodhën fshehtas dhe vendosën “vijat e kuqe” apo nga larg, thjesht duke kërcënuar njëri-tjetrin me “dosje”, do të shkruaj herë tjetër.

Por atij po i vjen fundi: sepse ka ndryshuar natyra e SPAK-ut: ai tashmë drejtohet nga një drejtor që u mbështet nga ambasada amerikane, Altin Dumani. Për drejtorin në fjalë u zhvillua një “përleshje” disa javore mes Ramës dhe Kimit: ajo filloi kur u shpallën tre kandidatët nga KLP-ja (në 21 nëntor) dhe vazhdoi deri në ditën e votimit të tij (16 dhjetor).

Kështu, SPAK-u kaloi nën drejtimin e drejtorit të ri. Ndryshimi kryesor mes SPAK-ut të drejtuar nga Kraja dhe të Dumanit, është se tre vitet e para ai filloi të punonte pa patur gjithë prokurorët e nevojshëm dhe në tërësi si strukturë nuk ishte e plotë. Ndaj dhe ‘rendimenti’ i Krajës duhet parë në kuadrin e përshkruar dhe nuk duhet të paragjykohet lidhur me dosjet që hetoi, se nëse ndikohësh nga Rama apo nga ndonjë tjetër. Por me drejtorin e ri, SPAK-u është i plotë. Këtë fakt e pohoi dhe Dumani ditën kur mori detyrën. Ndaj nga ai priten më shumë.

Drejtori i ri, në fjalë të tjera, ka dy avantazhe krahasuar me pararendësin: ka një strukturë të plotë dhe mbështetet më shumë nga ambasada amerikane. Këto dy avantazhe ia zgjidhin duart atij për të hetuar krerët e shtetit. Kjo është arsyeja që ambasada amerikane pret që, përfundimisht, SPAK-u të fillojë të luftojë korrupsionin në nivelin më të lartë të shtetit―domethënë, të shënjestrohen Berisha, Meta dhe Rama dhe gjithë të tjerët që qendrojnë pas tyre.

Për kryeministrin aktual, skandali me ish-drejtorin e kundërzbulimit të FBI-së amerikane, puna e SPAK-ut bëhet edhe më urgjente dhe e domosdoshme. Me siguri në krye të dosjeve që janë nën hetim, dosja “Rama-McGonigal” është e para. Këtë fakt po e shfrytëzon dhe Berisha, me kundërsulmin e tij ndaj Ramës dhe Kimit ose “sorositëve” siç i quan ai.

Sulmin apo denoncimin e Berishës ndaj dosjes “Rama-McGonigal”, të cilës ai i shtoi dhe Kimin, sepse, sipas tij, ajo është e korruptuar dhe e implikuar në çështjen ose “aferën” në fjalë, duhet ta kuptojmë thjesht si kundërsulm që nuk ka thuajse asnjë efekt në SPAK por ka efekt në “paktin” mes tyre. Domethënë, thirrjet e Berishës për të hetuar Ramën janë “thirrje” dhe për të.

Kështu koha kur ata lejonin njëri-tjetrin të bënin komente apo akuza me dosjet e tyre por ndalonin dosjet për t`u përdorur nga prokurorët dhe gjykata për të ngritur akuzë zyrtare, është drejt fundit. Qoftë edhe kërcënimet ndaj njëri-tjetrit, të cilat kënaqnin naivët (ata që shpresonin se do të dënonin njëri-tjetrin), po shkojnë drejt fundit. Madje dhe kërcënimet e tërthorta apo të drejtpërdrejta ndaj prokurorëve dhe gjykatësve për të mos ngritur akuzë zyrtare ndaj tyre, po shkojnë drejt fundit.

Këtë ‘fund’ e mundëson dhe një ndryshim tjetër që ka SPAK-u krahasuar me prokurorinë e përgjithshme: kur mungonte SPAK-u, prokurorët dhe gjykatësit kërcënoheshin fare lehtë, sepse ata për t`u mbrojtur nga kërcënimet e mundshme kishin vetëm policinë e shtetit, e cila, ishte (dhe është) gjithnjë nën kontrollin e kryeministrisë dhe ministrisë së brendshme. Me krijimin e SPAK-ut, prokurorët dhe gjykatësit e tij kanë polici të posaçme, të ndarë nga policia e përgjithshme. Për pasojë, prokurorët dhe gjykatësit e posaçëm mbrohen nga policia e posaçme dhe jo nga policia e përgjithshme e shtetit.

Ky ndryshim i bënë prokurorët dhe gjykatësit e SPAK-ut të “paprekshëm” nga kërcënimet e kryeministrit apo opozitës. Por kjo s`do të thotë se përpjekjet e tyre për t`i kërcënuar ata do të ndalojnë. Ata do të kërkojnë të korruptojnë policinë e posaçme apo të shfrytëzojnë hallkat e dobëta të saj pikërisht për të minuar punën e prokurorëve dhe gjykatësve të posaçëm.

Përmblethtas, janë tre faktorë vendimtarë që parapërcaktojnë të ardhmen e punës së SPAK-ut: ai është i plotë; gëzon mbështetje të madhe nga ambasada amerikane; dhe prokurorët dhe gjykatësit janë më të sigurtë për jetën e tyre. Bazuar në këta tre faktorë ai mund të hetojë në kohë rekord dosjet e “treshes” në fjalë dhe mund të dëshmojmë brenda shkurtit akuzat e para, me më kryesoren, akuzën ndaj Ramës: sepse ajo është më e rëndësishme për sa kohë që lidhet me drejtuesin aktual të qeverisë dhe shtetit tonë.

Domethënë, kryeministri është më i rrezikshëm për shtetin tonë se sa krerët e opozitës. Dhe për të njëjtën arsye, SPAK-u duhet të hetojë së pari dosjen “Rama”. Nuk i duhet shumë kohë për të, sepse punën e ka kryer gjykata amerikane: thjesht të verifikojë provat e gjykatës amerikane dhe nëse shihet e domosdoshme, të hetojë ndërveprimet e njerëzve të implikuar.      

Implikimet e reformës në drejtësi: gjykatës, prokurorisë së posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (SPAK-ut)

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA