...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Partia “demokratike” u krijua josovrane nga Berisha, punoi për humbjen e sovranitetit kombëtar dhe Basha i vuri vulën

Tashmë partia “demokratike” është e ndarë në dy pjesë dhe është shumë më e dobët se dje. Ngjarjet që mund të pasojnë merren me mend tashmë: Berisha mund të nxisë krijimin e një partie tjetër ose “lëvizje” siç e quajti ai, kundër Bashës; mund të porosis ndonjë “vrasje” pa autor; mund të...

Ylli Përmeti

10/09/2021 - 09:08

Menjëherë pas përjashtimit nga grupi parlamentar Berisha tha se Basha shkatërroi PD-në me “dorëzimin e partisë demokratike si institucion”. Por kur shtoi se kujt ia ‘dorëzoi’ tha se ia dorëzoi Ramës dhe Sorosit dhe nuk tha se ia dorëzoi amerikanëve: “zoti Basha ka zgjedhur shkatërrimin apo privimin e partisë demokratike nga sovraniteti i saj...[ajo] mund të jetë një parti e vlefshme, solide, vetëm e vetëm si një parti sovrane. Partia demokratike mund të jetë një aleate e vërtetë e shteteve të bashkuara dhe e çdo vendi tjetër të lirë vetëm si parti sovrane dhe në asnjë mënyrë një parti e cila për rrethana që i dinë Lulzim Basha pranon të shkatërrojë sovranitetin e saj”!

Të paktën pranoi faktin se Basha vendoi nën “presion të madh” [të sanksioneve ndaj Bashës dhe partisë nga amerikanët] por “pavarësisht presionieve”, shtoi ai, “ka vendime që njeriu nuk i merr kurrë, nuk pranon t`i marrë kurrë...jepë dhjetë herë dorëheqjen përpara se t`i marrë”. Si pasojë, “sot faktikisht partia demokratike”, theksoi Berisha, “është shndërruar një parti pa sovranitet e cila dorëzohet e tëra...lobimit korruptiv të Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit”!

Por fakti është se partia “demokratike” u krijua si parti ‘josovrane’ që në ditët e para të saj dhe këtë fakt e njohin të gjithë: sepse Berisha u mbështet që në fillim nga amerikanët dhe propagandoi përrallat e tyre (çekun e bardhë etj.). Dhe fakt është se Berisha e dorëzoi sovranitetin e vendit tonë dhe rrjedhimisht të partisë së tij që kur braktisi pavarësinë ekonomike dhe orientoi vendin të integrohësh në “rendin” që kishin krijuar amerikanët: në globalizmin neoliberal. Por pavarësisht këtyre ‘dorëzimeve’ Berisha ka synuar një farë sovraniteti në vendime qoftë si kryetar partie qoftë si kryeministër apo president kur ka refuzuar amerikanët dhe veçanërisht ambasadorët në kërkesat e tyre por këto përpjekje kanë qenë në sovranitet të dorëzuar nga vetë ai.

Por ka të drejtë kur thotë se Basha mund të jepte dorëheqjen përpara se të vendonte ashtu siç vendoi dhe jo të dorëzonte sovranitetin e partisë, duke shtuar “sovranitetin” e cunguar në përqindjen e tij më të madhe! Ai ka të drejtë, gjithashtu, kur refuzon krahasimet që i bëjnë gazetarët se edhe ai ka shkelur statutin e partisë në të kaluarën: sepse nuk krahasohet një vendim që merret nën presion nga të huajt me një vendim që merret për arsye partiake (si në rastin kur përjashtoi Ngjelën apo ndonjë tjetër). 

Kështu fakt është se Basha zgjodhi jetën e tij politike dhe të partisë që ai drejton dhe amerikanët dhe tradhëtoi babain e tij politik: por kjo zgjedhje do t`i kushtojë shumë atij dhe partisë së tij jo vetëm sepse Berisha ka mbështetje të madhe por nuk besoj se Berisha do t`ia falë tradhëtinë. Tashmë partia “demokratike” është e ndarë në dy pjesë dhe është shumë më e dobët se dje. Ngjarjet që mund të pasojnë merren me mend tashmë: Berisha mund të nxisë krijimin e një partie tjetër ose “lëvizje” siç e quajti ai, kundër Bashës; mund të porosis ndonjë “vrasje” pa autor; mund të...

Nga kjo shpërbërje dhe përplasje nuk fiton asnjëri veç Ramës! Sigurisht, përkohësisht!     

Mësimi kryesor që nxjerrim nga përplasja Berisha-SHBA është se SHBA-ja tejkalon të drejtat e saj lidhur me sovranitetin politik të një vendi kur kërkon përjashtimin e një politikani që ka mbështetur dhe mbrujtur vetë; mësimi i dytë është efekti që ka varësia e një vendi në raport me një vend tjetër, hegjemonist, në një “rend” botëror: mungesë pavarësie politike!   

Por le të shqyrtojmë karakterin e Bashës, sepsa nga karakteri i tij do të kuptojmë dhe arsyet e tradhëtisë së tij ndaj Berishës: dihet se ai ‘katapultoi’ në një parti që drejtonte Berisha falë njohjes së tij me vajzën e Berishës. Vetë pranimi i katapultimit në parti dhe më tej në qeveri tregon karakter të korruptuar: sepse një njeri me karakter të pakorruptueshëm nuk do të pranonte kurrë të katapultonte në një parti ku të tjerë kishin kontribuar më shumë se ai. Megjithëse me disa ndryshime, ashtu është dhe karakteri i Berishës: sepse po të mos ishte karakter i korruptuar Berisha nuk do të pranonte kurrë të ‘katapultonte’ një njeri duke shkelur mbi meritat e të tjerëve. “Demokratët” e gëlltitën këtë fazë ‘katapultimi’ dhe nuk gjykuan fare mbi të; as e gjykojnë të ashtuquajturit “analistë” në median e oligarkisë (politiko-ekonomike)!

Kështu duke lënë mënjanë këtë fazë, ku përfshihen dy vetë, Berisha dhe Basha, ata merren me aktin përfundimtar të Bashës dhe ngrenë pyetje nga më idiotet kur tradhëtia e meritokracisë në parti ka dy fytyra dhe ka vite që ka ndodhur! Arsyeja kryesore se pse “demokratët” nuk përqendrohen në këtë fazë është se ata nuk e kanë të qartë meritokracinë dhe as luftojnë për të. Ka zëra që përmendin ‘katapultimin’ por nuk përmendin paralelisht meritokracinë që duhet të mbizotëronte në parti! Hamendësisht sepse edhe ata kanë katapultuar pa meritë!

Në fakt, qoftë edhe Berisha, në fazat e para të krijimit të partisë “demokratike”, katapultoi në parti pa meritë dhe u bë drejtues i saj kryesisht me mbështetjen e amerikanëve.

Nga lëvizja studentore e dhjetorit `90 u krijua komiteti nismëtar në bazë të udhëzimeve të Ramiz Alisë; pas krijimit të tij u organizua mbledhja e parë për krijimin e partisë së re: partisë “demokratike”. Në këtë mbledhje u zgjodh kryetar Azem Hajdari jo duke proceduar nga gjykimi i meritave të tij në virtyte (intelektuale dhe etike) por duke gjykuar vetëm nga protagonizmi i tij në protestat studentore. Pas rreth një muaji në detyrë, u bë një mocion në Komitetin Nismëtar për shkarkimin e Azemit, sepsa disa nga anëtarët kishin vërejtje për mënyrën se si e drejtonte partinë ky fundit. Si pasojë, ai u shkarkua me votim nga komiteti (Arben Imami dhe Azemi ikën nga mbledhja pa dhënë ndonjë sqarim) dhe në vend të tij u votua —me më shumë vota— Berisha.

Por nuk proceduan nga gjykimi i meriatve të tij por u votua në bazë të “njohjeve” shoqërore dhe “protagonizmit” në lëvizjen e dhjetorit. Preç Zogaj, për shembull, kur kujton dhe rrëfen këtë mbledhje dhe premisat mbi të cilat u bazuan anëtarët për zgjedhjen e Berishës si kryetar, pas 30 vjetësh, nuk përmend fare nevojën e gjykimit të meritave në kolektivin e komitetit por përmend vetëm “njohjet” dhe “protagonizmin”, fakt që dëshmon se ai s`e ka të qartë konceptin e meritokracisë. Mjafton ky fakt historik për të kuptuar se partia “demokratike” u lejua dhe u udhëzua nga Ramizi dhe u krijua pa ide të qarta nga disa studentë dhe pedagogë. Duke qenë e tillë që në fillimet e saj, nuk do të ishte e çuditshme që Berisha të katapultonte Bashën pa kurrëfarë merite.           

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA